Mesimet e Argjentines

Skopje Jan 21, 2002

Bullgaria deri tani nuk ka alternative per bordin valutor

AIM Sofje, 13.01.2002.

Çfarë kanë të përbashkët Argjentina dhe Bullgaria? Në pamje të parë - asgjë edhe në pikëpamje gjeografike. As që mund të tërhiqen dofarë paralelesh politike. Megjithatë ekziston diçka që është e përbashkët për njërin dhe vendin tjetër - ekonomitë e tyre zhvillohen në kushtet e bordit valutor. Shkatërrimi i ekonomisë argjentinase dhe shqetësimet që pasuan pastaj ishin shkas që analistët bullgarë u detyryan që vetvetes t'i shtrojnë disa pyetje themelore në lidhje me ardhmërinë e bordit valutor të vendit.

Argjentina është njëra nga shtetet e botës ku këshilli monetar funkcionoi më gjatë dhe deri vonë vlerësohej si njëri nga më të mirët. Kaosi aktual vendin me siguri do ta kthejë për 11 vjet prapa gjegjësisht në kohën kur shkalla e inflacionit ishte shumë e lartë kurse investuesit e jashtëm nuk kishin më kurrfarë besimi. Një situatë të ngjashme përjetoi edhe Bullgaria para se të pranonte kushtet e FMN-së dhe të hynte në linjën e reformave të ashpra ekonomike dhe të stabilizimit financiar.

Deri tani mbretëron mendimi i përbashkët se në Bullgari në asnjë mënyrë nuk do të reflektohet ajo që ndodh në Argjentinë. Mirëpo ngjarjet e javëve të fundit japin shkas të mendojmë lidhur me atë vallë ndikimi i bordit valutor mund të jetë i suksesshëm. Ose se bordi përfundon atje ku e ka fillimin. Ekspertët janë kategorikë se Bullgaria ka rrugën dhe shprehjen natyrale të bordit të vet valutor që bazohet në aplikimin e evros gjatë inkuadrimit të saj në bashkësinë ekonomike dhe monetare. Sipas tyre shkaku kryesor për krizën në Argjentinë nuk është bordi, por politika e zbatuar fiskale e cila karakterizohej me deficitin tejet të madh buxhetor dhe me akumulimin e borxhit të shtrenjtë tregtar.

Bordi valutor është zgjedhur si shpëtimtar për Bullgarinë e vitit 1997, si variant faktor për zbatimin e disciplinës të udhëheqjes së atëhershme dhe të mëvonëshme qeveritare me Bankën Nacionale. FMN-ja politikanët bullgarë i detyronte që të respektonin parimin sipas të cilit ata mund të shpenzonin aq sa kishin fituar nga të ardhurat buxhetore. Ekspertët e kanë të qartë se politikanët bullgarë ende nuk kanë arritur atë shkallë të vetëdijësimit për përgjegjësinë deri sa ende nuk i shqetëson bindja që të ndikojnë në punën e bankës qendrore. Në historinë më të re kemi shembuj të shumtë që tregojnë se si Banka Popullore e Bullgarisë (BPB) nuk ka rezistuar me sukses para trusnive politike.

Fondi garanton stabilitetin e valutës dhe kursin e fiksuar i cili deri para do kohe shprehej në 1 levë = 1 DM. Nga fillimi i vitit 2002 kursi fiks i levës është lidhur me evron. Nëpërmjet kësaj mase Bullgaria ka fituar stabilitetin e dëshiruar dhe të vazhdueshëm i cili ka rol vendimtar për investuesit e jashtëm. Njëri nga shkaqet kryesore të krizës argjentinase qëndron pikërisht në krizën e besimit - rrethanat e pavolitëshme të jashtme dhe fushatat e pushtetit shpiejnë kah humbja e besimit në aftësitë dhe mundësitë e qeverisë që të servisojë borxhet dhe lidhur me këtë deri te mungesa e plotë e financimit privat.

Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se të gjithë ekonomistët bullgarë i pëlqejnë ndikimet e deritanishme të bordit valutor. Disa ekonomistë qeverisë i rekomandojnë që të mendojë vallë nuk do të ishte më mirë sikur të ndërmerrte masa që të dilte prej tij. Sipas prof. Ivan Angellov, njërit nga këshilltarët e qeverisë destruktive të socialistëve të Zhan Videnov-it në periudhën e viteve 1995 - 1997, vazhdimësia e bordit për 6-8 vite do të kishte pasoja katastrofike për ekonominë e vendit. Ai vërteton se qëndrimi i investuesve deri në këtë çast ka qenë tejet i kujdesshëm, kurse bashkësia botërore monetare vendin nuk e ka vlerësuar si të sigurtë për investime. Për këtë shkak Angellov propozon kalimin në kursin e ndryshueshëm ditor valutor, "që të mos ndodh ajo që ndodhi në Argjentinë".

"Mbatja e bordit valutor në formën e tij të deritanishme nuk mundëson zbatimin efikas të politikës ekonomike dhe sociale. Treguesit ekonomikë të vendeve me bord valutor kudo shënojnë keqësim ", vërteton prof. Angellov.

Që para një viti Aleksandar Tomov, lider i Partisë euromajtiste të përfaqësuar në Parlament, deklaroi se bordi valutor nuk kishte realizuar qëllimin e vet kryesor - zhvillimin e shpejtuar ekonomik. Tezë të ngjashme tani po përkrah edhe ish guvernatori i BPB-së, Ljubomir Filipov. Sipas tij, bordi qenka dashur të nxisë rritje ekonomike prej 6-8%. Në dy vitet e parë të ndikimit të tij ekonomia ishte në stagnim, kurse gjatë dy viteve tjera u shënua rritje prej 4-5%. Si një rrugëdalje prej situatës së dhënë propozohet ndërprejra e shpejtë e shumë lejeve dhe regjimit të licencave e patentave të cilat përkufizojnë biznesin. Por edhe zbatimin e ndryshimeve tatimore të cilat do të nxitnin investimet dhe reinvestimet e fitimeve.

Sidoqoftë, shumica dominuese e ekspertëve bullgarë ka qëndrim kategorik për mosdalje nga bordi valutor. Para së gjithash nga shkaku se deri në këtë moment asnjë forcë politike nuk ka treguar se është e disiplinuar në lidhje me zbatimin makroqarkor të buxhetit dhe për shkak se nuk ekziston ndonjë mënyrë më e mirë sipas të cilës investuesve të jashtëm do t'u garantohej stabilitet afatgjatë. Dalja eventuale nga bordi do të shpjente kah kriza e pritur e stabilitetit financiar brenda dhe jasht vendit. Përveç kësaj këtu kemi të bëjmë me një dallim të rëndësishëm - për dallim nga Argjentina shtetet evropiane me këshill monetar (Bullgaria, Estonia dhe Lituania) kanë një qasje të llogjikshme drejt tij - hyrja në eurozonë.

"Me qëllim që Bullgarisë të mos i ndodh ajo që po ndodh në Argjentinë, shfaqet e domosdoshme politika normale e reformave - liberalizimi i sektorëve ende të mbyllur dhe në pozitë monopoliste, fleksibilizimi i resurseve të ndryshme tregtare - kapitalit, punës, tokës; thjeshtësimi i mëtejshëm dhe me përkushtim i ambinetit ekonomik, evitimi i pengesave administrative dhe zmadhimi i transparencës së vendosjes", -thekson Georgi Ganev, drejtor programor i Qendrës për strategji liberale, në faqet e javores "Kapital".

Për hir të së vërtetës duhet thënë se në Bullgari jasht qendrave për hulumtime tema e bordit valutor nuk është kund tjetër në rend dite. Me nënshkrimin e marrëveshjes së re me FMN qeveria pranoi të gjitha kushtet e institucioneve ndërkombëtare financiare. Kabineti i Lëvizjes Nacionale i Simeonit të Dytë hoqi dorë madje nga një pjesë e premtimeve të veta për reformat tatimore, gjë që tregon se fjala e FMN-së ende është më e fuqishme se të gjitha synimet tjera.

GEORGI FILIPOV