Edhe euro nën dyshek

Pristina Jan 19, 2002

Prishtinë, 17.01.2002.

Në Prishtinë buka është më e shtrenjtë 40 për qind. Bukëpjekësit thonë se është rritur çmimi i miellit, vajit, sheqerrit, kripës. Është shtrenjtuar edhe benzina dhe shumëçka tjetër... Të gjitha këto për shkak të ndryshimit të valutës - kalimit nga marka gjermane në euro.

Lëkundje të çmimeve ka pasur që nga dita e parë e këtij viti. Tregtarët, "për shkak të rrumbullakësimit", i cili arsytohet gjoja me mungesën e apoenëve të vegjël, dukshëm kanë lëvizur çmimet e artikujve. "Tregtarët thonë se nuk kanë euro në apoenë të vegjël. Për këtë nuk kanë të drejtë. Ata nuk janë të interesuar dhe nuk kanë ardhur të aplikojnë, ashtuqë të marrin euro", deklaron z. Agron Dida, përgjegjës nga Autoriteti i Bankave dhe i Pagesave për aplikimin e euros në Kosovë.

" Ndryshimi i valutës, përkatësisht kalimi nga marka në euro nuk duhet ta rrezikojë standardin e qytetarëve. Sipas analizave që kemi, çmimet ka mundësi të rriten më së larti deri në dy për qind", ka deklaruar z. Mustafë Ibrahimi, nënkryetar i Odës ekonomike të Kosovës.

Por, kalimi në euro, si duket nuk i ka entuziazmuar aq shumë kosovarët. Sërish ata më shumë e duan markën, jo aq shumë nga nostalgjia, sa nga mosdisponimi që menjëherë të pranojnë ndryshimet. Njerëzit vazhdojnë që me orë të tëra të presin para sporteleve të bankave, por tash kryesisht për të tërhequr mjetet që kishin deponuar në dhjetorin e vitit të kaluar. "Në bazë të të dhënave, shuma e depozitave ka arritur në rreth një miliard marka. Është mirë që paratë po hyjnë në banka, por kam frikë se qytetarët shumë shpejt do të bëjnë tërheqjen tyre", ka deklaruar z. Ajri Begu, kryetar i Bordit të Drejtorëve të BPK.

Se lëvizjet e depozitave janë shumë të shpjeta dëshmon edhe fakti se në pesë ditët e para të janarit qytetarët kanë konvertuar afër dhjetë milionë marka, kurse bizneset kanë marrë një të dhjetën e tyre. Por, pesë ditë më vonë, vetëm në Autoritetin e Bankave dhe të Pagesave, diku rreth 15 mijë qytetarë dhe pronarë të bizneseve kanë konvertuar 20 milionë marka. Sërish bizneset mbeten të fundit që kuptojnë se kërkohet procedurë e posaçme që ata të blejnë euro. Mund të marrin deri në dhjetë mijë evro, por në kiste dhe në data të caktuara.

Aplikimi i euros ka nxitur edhe një konkurrencë ndërmjet bankave, kryesisht rreth shkallës së provizionit për konvertimin e valutave. Banka qendrore, përkatësisht BPK-ja, e ka marrë edhe këtë funksion të bankave komerciale dhe është më konkurrente se ato. Ajo nuk aplikon depozita për shumat deri në një mijë marka, përderisa bankat komerciale marrin 1,8 për qind të mjeteve. Njëkohësisht bankat kanë kufizuar shumat e mjeteve që mund t'i japin brenda ditës një qytetarit, pasiqë "asnjë bankë nuk ka euro aq sa ka depozita", sipas zëvendësdrejtorit të Bankës së Re të Kosovës, z. Ramadan Paçarada.

Ndërkaq, anëtari i komisionit të BPK-së për implementimin e euros në Kosovë, Gani Gërguri, thotë se interesimi i madh i njerëzve për t'i konvertuar valutat nuk është i kënaqshëm, sepse me këtë rast nuk ka rritje të besimit në sistemin bankar, por vetëm ndërrim të valutave. "Është vetëm duke u bërë ndërrimi 'kesh me kesh' nga marka në euro. Qëllimi i BPK-së ka qenë që njerëzit të kenë besim në sistemin bankar ", pohon z.Gërguri, i cili e quan shumë brengosës faktin që qytetarët akceptojnë t'i mbajnë paratë në kesh.

Në sistemin e kaluar bankar, kosovarët kanë humbur rreth 200 milionë marka në kursime devizore. Ata që nga atëherë e kanë humbur besimin në bankat dhe më shumë kanë prirje që paratë t'i mbajnë nën jastëk. Një dozë frike mund të ketë shkaktuar edhe hapja e procedurës së falimentimit të katër bankave më të mëdha shtetërore në Serbi.

Por, sistemi i ri bankar në Kosovë është krejtësisht diçka tjetër. Ai nuk i bart hipotekat nga e kaluara dhe deri më tani nuk janë vërejtur dështime në afarizmin e tyre. Mirëpo, edhe pse ato brenda një gjysëm muaji në depozita kishin edhe një miliard marka më shumë, nuk ishin të përgatitura që këto mjete t'i mbajnë në trezorët e tyre. Pa marrë parasysh disponimin e qytetarëve që paratë t'i mbajnë në xhepat e tyre, megjithatë, sikur bankat të ofronin instrumente të tjera të pagesës, si kredi kartë, apo çek, një pjesë të depozitave do t'i ndalnin. Njëkohësisht, ato nuk janë të disponuara që të ndryshojnë diçka në politikën e tyre kredituese. Në plasmane nuk e kanë as një të dhjetën e mjeteve që mbajnë në depozita. Njëkohësisht, kreditë e tyre janë shumë të shtrenjta dhe me kushte të rënda për bizneset. Edhe pse krerët e bankave arsytohen për shkak të shkallës së lartë të rrezikut, e vërteta është se deri më tash asnjë plasman nuk e kishin të rrezikuar. Të gjitha kreditë janë kthyer me kohë.

Fenomeni tjetër që shkaktoi dhe ndërhyrjen e policisë në treguin e zi ishte "konkurrenca" e dilerëve, që bëjnë konvertimin e euros. Dilerët kanë sasi të madhe të valutës dhe shprehen se furnizimin me valutë e bëjnë nga bankat dhe nga stafi ndërkombëtar i punësuar në Kosovë. "Nuk është e vërtëtë që dilerët furnizohen me euro nga bankat. Asnjë sistem bankar nuk e dëshiron tregun e zi, por nganjëherë ajo është edhe vërejtje për bankat ", pohon z. Gani Gërguri, duke theksuar se bankave nuk iu konvenon t'i furnizojnë dilerët me valutë dhe pastaj ata t'u bëjnë konkurrencë.

Një qytyetar i Prishtinës, përkundër shtatë bankave komerciale, ka tregun e zi të devizave ku bën konvertimin e markave në euro. Ai thotë se "për të konveruar markat në banka duhet pritur disa orë në radhë, kurse tregu i zi ofron kushte të njëjta". Ai i dha dilerit pesë mijë marka gjermane dhe për këtë shumë mori 2500 euro. "Nuk kam frikë nga eurot fallco. Këto euro që i mora jam shumë i sigurt që nuk janë fallco, sepse di t'i dalloj shumë mirë ato", shprehet lirshëm qytetari i Prishtinës.

Euro fallco në Kosvë nuk janë paraqitur, përkundër vërejtjes që më heret e kishte dhënë Europoli, se falsifikatorët në Kosovë dhe në Maqedoni janë të gatshëm të "emetojnë" bankënotat e punuara në "fabrikat" e tyre. Policia ishte e shqetësuar vetëm kur gazeta e përditshme "Zëri", së bashku me Bankën Private të Biznesit, me qëllim reklame, në prag të Vitit të Ri kishin nxjerrë në qarkullim euro që u gjasonin shumë atyre të vërtetëve. Akund nuk ishte shënuar se ishin kopje e valutave të vërteta. Qytetarët, të cilët ende nuk kishin parë se si duket valuta e re, kanë mundur t'i pranojnë ato si të vërteta. "Rasti është nën hetime, por ne mendojmë se kjo është bërë me qëllim propagande për euron. Mirëpo, ka munguar shenja që do të dëshmonte se ato nuk janë bankënota origjinale", ka kumtuar policia.

AIM Prishtinë, Ibrahim REXHEPI