Serbët e Kosovës dhe euro

Pristina Jan 18, 2002

Mitrovicë, 13.01.2002.

Afati zyrtar i Bashkimit Evropian për fillimin e konvertimit të parave në euro ka filluar para 10 ditësh. Përderisa në pjesët tjera të Kosovës ky proces po zhvillohet pa ndonjë problem të veçantë, në pjesën veriore të Kosovës konvertimi po rrjedh mjaft ngadalë. Shefi i kancelarisë së Bashkimit Evropian në Mitrovicë, Viktor Gomez, ka deklaruar se gjer më 7 janar 1.407 persona kanë bërë këmbimin e markës gjermane në euro (kjo e dhënë ka të bëjë me gjithë regjionin e Mitrovicës). Gomez ka shtuar se një raport të tillë e ka dorëzuar Banka Qendrore e Kosovës me filialën e saj në Mitrovicë. Shërbimi për Pagesa i Kosovës, pastaj Banka e Kosovës e Metohisë dhe këmbimorja e Bankës Popullore të Jugosllavisë vetëm sot e kanë filluar konvertimin e parave në euro, megjithëse është dashur ta bëjnë shumë më heret.

Banka Qendrore e Kosovës i ka themeluar këmbimoret e përkohshme në pjesën veriore të Mitrovicës, në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Në Zveçan këmbimi ka filluar më 8 janar, do të zgjasë gjer më 19 janar, mirëpo në këmbimoren vetë nuk arritëm të marrim informacion nëse dikush deri tani i ka këmbyer paratë e veta. Të punësuarit arsyetohen se është ende heret të shpallen të dhënat. Në Leposaviq këmbimi i parave do të fillojë më 14 dhe do të zgjasë deri më 19 janar.

Pronari i dy dyqaneve në Zveçan dhe Mitrovicë dhe anëtar i lidhjes së afaristëve serbë të Kosovës, Zvezdan Mihajlloviq, thotë se ende nuk i ka këmbyer paratë e veta në euro. "Ende nuk i kam këmbyer paratë e mia në euro. Ka patur njëfarë këmbimi në bankat kosovare, ndërsa kam dëgjuar që këmbehet në MEB bankën. Provizioni që merret në këtë bankë është 2.2 për qind. Në Shërbimin për Pagesa duhet të arrijë një sasi e eurove, megjithëse kam informacione se atje tashmë ka filluar këmbimi, por mund të merrni gjithsejt 200 euro. Shërbimi i Pagesave i paguan fletëpagesat e ndihmave për fëmijë, kështuqë ende nuk punojnë me qytetarët. Sa jam i informuar, euro është shfaqur tashmë në treg, mirëpo njerëzit edhe ato që i kanë këmbyer i ruajnë për vete, kështuqë ende nuk është shfaqur si mjet për pagesa", pohon Mihajlloviq.

Në të gjitha dyqanet në pjesën veriore të Mitrovicës jo që nuk janë vendosur çmimet në euro, por, siç thonë të punësuarit dhe pronarët, nuk e dinë as si duket ai. "Shumë njerëz vijnë dhe na japin bankënota të vjetra dinarësh. Askush nga ata nuk di si duket euro, t'ju them sinqerisht nuk e di as unë. Njerëzit kanë frikë nga ndryshimet dhe ata më me dëshirë, nëse nuk mund t'i mbajnë dot markat gjermane, do t'i mbanin dinarët", thotë pronari i një dyqani artikujsh ushqimorë.

Zvezdan Mihajlloviq thotë që gjithë mallin për dyqanet e tij e tregton në Novi Pazar dhe e paguan me marka gjermane. "Deri më 28 shkurt do të punohet normalisht, ashtu siç është punuar gjer më tani, do të thotë edhe me dinarë edhe me marka gjermane. Që nga 28 shkurti askush më nuk do t'i marrë market gjermane, njëkohësisht do të bëhen të pavlefshme edhe bankënotat e vjetra të dinarit. Kur e këmbejmë markën gjermane me dinarin, raporti është 1:31, ndërsa siç kam mësuar jozyrtarisht nga "dilerët" në rrugë, raporti i dinarit me euro është 1:62", thotë Mihajlloviq. Ai shton se çmimet në dyqanet e tij ende janë të vendosura në dinarë. "Tani për tani nuk do të ketë kurrfarë ndryshimi, sepse unë e respektoj ligjin e Republikës së Serbisë. Po ashtu e di se të gjithë afaristët nga veriu i Kosovës nuk do t'i ndryshojnë çmimet në euro, por do të mbesin në dinarë. Ata që do të kenë dinarë, pas 28 shkurtit do të paguajnë me dinarë, ata që do të kenë euro, do të paguajne me euro".

Qytetarët e Mitrovicës, marrë në përgjithësi, ende nuk kanë filluar me këmbimin e valutave në euro...

Sllobodan Milkoviq, pensionist: "Unë ende nuk i kam këmbyer paratë e mia, sepse ende nuk e kam marrë pensionin. T'ua them sinqerisht, këtë do ta bëj posa ta marr borxhin mujor''.

Sasha Sretenoviq, sudent: ''Posa i kam këmbyer dinarët në euro. Ajo që flasin për provizionin në MEB bankën është një marri, mua asgjë nuk më kanë marrë, por ç'të bëjmë, njerëzit dëshirojnë të flasin çmos. Unë deri tani as që jam përpjekur t'i këmbej paratë, sepse kam dëgjuar se këtë nuk do ta respektojë askush, po megjithatë dalngadalë po shoh njerëz para bankës''.

Vesna Kostiq, pastruese në Shkollën Fillore ''Vuk Karaxhiq'': ''Unë nuk kam lidhje për çfarë po flisni, çfarë euroje, çka është ajo? Degjoni, nuk kam ujë, nuk kam drita dhe, t'ju them të vërtetën, i marr gjithsejt rreth 100 marka gjermane, po edhe nëse bëhen të pavlefshme deri më 28 shkurt nuk do të humbas shumë. Megjithëse nuk e di kush e solli këtë farë euroje. Vetëm trillojnë diçka për të na e komplikuar jetën. Çfarë mungonte gjer më tani?''

Jovanka Grujiq, punëtore në ndërmarrjen publike-komunale: ''Ka kohë për këmbim, por sinqerisht t'ju them, nuk kam edhe aq shumë marka për t'i këmbyer. Megjithëse, nëse është e domosdoshme, edhe unë do ta bëj atë këmbim, por ku bëhet një gjë e tillë? Në MEB bankën??? Ku është ajo, në pjesën jugore. A, në pjesën veriore, më falni? Kam dëgjuar diçka në radio, por kam menduar se kjo nuk vlen për ne. Më shumë më intereson çfarë do të bëhet me dritat se sa me ato para. Pse, mos vallë do më rritet rroga?''.

Megjithatë, zyrtarët e Bashkimit Evropian nuk janë pesimistë. Me qëllim të përmirësimit të këtij procesi, ata kanë paralajmëruar një fushatë intensive mediale, megjithëse nuk mund të thuhet se ajo ka munguar edhe gjer më tani. Si duket, ndryshimet janë ato nga të cilat qytetarët kanë frikë në veri të Kosovës.

AIM Mitrovicë, Valentina ÇUKIQ