Kosovë: zgjedhje e pasuksesshme e presidentit
Prishtinë, 10.01.2002.
Kosova nuk ka president e as qeveri, ndonëse të drejtën që t'i ketë këto institucione e ka fituar më 17 nëntor me zgjedhjet e përgjithshme. Tri raunde votimesh brenda një periudhe prej një muaji (aq sa ishte pauza ndërmjet dy seancave të Parlamentit të Kosovës) nuk siguruan një konsenzus "aq të dëshiruar" ndërmjet ligjvënësve shqiptarë. Kandidati i vetëm për postin e presidentit të Kosovës, kryetari i Lidhjes Demokratike, Ibrahim Rugova, nuk arriti të sigurojë as shumicën e thjeshtë parlamentare as në raundin e tretë të votimeve, ku i nevojiteshin 61 vota për ta vendosur atë në postin e njeriut të parë të Kosovës. Pas mbledhjes së 13 dhjetorit, ku ai siguroi vetëm 49 vota në seancën e 10 janarit, u zhvilluan dy raundet e mbetura. Fletët e votimit u shpërndanë nëpër tavolina të 118 deputetëve të pranishëm në sallë dhe kryetari i parlamentit, Nexhat Daci (deputet i Lidhjes Demokratike), pas numërimit të votave, publikoi se jo të gjithë deputetët e kanë "respektuar" procedurën e votimit me të cilën janë njoftuar në çastin e fundit.
Në kutinë e votimeve janë dorëzuar vetëm 80 fletëvotime, nga to 26 ishin të pavlefshme dhe 4 abstenime? Së këndejmi doli se dr. Rugova fitoi një votë më shumë sesa në raundin e parë. Dhjetëra gazetarë të të gjitha komuniteteve, por edhe nga jashtë, filluan të luftojnë lodhjen e shkaktuar nga pritja e gjatë dhe nga kushtet "mizerabël" në të cilat punonin me shakatë e tyre sipas të cilave "dr. Rugovës do t'i duhen edhe 11 muaj të tjrerë për të fituar edhe 11 vota të tjera që i nevojiten për t'u zgjedhur."
Dhe, kur dukej se mbledhja do të ndërpritej pas këtij dështimi, kryeytari i Kuvendit hedhi sërish në vota kandidaturën e dr. Rugovës, i cili tashmë fitoi vetëm edhe një votë më tepër. "Për fat të keq, kemi disa grupe parlamentare apo parti që de facto e kanë bojkotuar votimin. Ata duhet të votojnë si deputetë", tha Ibrahim Rugova pas dështimit për t'u zgjedhur. "Do të shikojmë se çfarë do të bëhet në të ardhmen. Deri tani është bërë mjaft. Ne duhet të mësohemi me jetën demokratike, duhet t'i pranojmë rezultatet e zgjedhjeve dhe duhet të ecim përpara"- theksoi dr. Rugova, duke mos dhënë asnjë shenjë nëse dështimi i tretë do të mund të ndryshonte qëndrimin e tij dhe partisë që ai drejton.
Deputetë të partive të tjera thanë se Lidhja Demokratike duhet ta ndërrojë kandidatin. Bajram Kosumi, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (me gjthsejt 8 deputetë) tha se "edhe në votimin e sotëm u dëshmua se kandidati i LDK-së, Ibrahim Rugova, nuk e gëzon besimin e shumicës në Parlamentin e Kosovës. Ky nuk është vetëm dështim moral, por edhe procedural, i Ibrahim Rugovës. Ai duhet të tërhiqet", Arsim Bajrami, nënkryetar i Partisë Demokartike të Kosovës (forca e dytë parlamentare me gjithsejt 26 deputetë) nënvizoi se "situata e tashme e krijuar në parlament është pasojë e refuzimit për bashkëpunim të partisë, e cila ka fituar numrin më të madh të votave, por jo edhe shumicën e nevojshme për të zgjedhur vetë të gjitha institucionet". Sipas tij, "oferta ka qenë që zgjedhjen e kryetarit ta bëjmë në një ceremoni festive dhe simbolike, të kemi një konsensus për zgjedhjen e kryetarit dhe kryeministrit. Kjo ofertë është refuzuar nga LDK-ja dhe si pasojë të kësaj e kemi këtë situatë", tha Bajrami.
Që para fillimit të sesionit të tretë gjërat ishin të qarta. Mungesa e një marrëveshjeje politike kishte bërë të pamundur pajtimin e partive politike dhe kjo u bë e qartë edhe në fjalimet e tyre të para të përshkuara fund e krye me patos. Sabri Hamiti, kryetar i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike, në fjalimin e tij retorik, tha se "Ora e së vërtetës së madhe po bie. Populli i Kosovës e pret zgjedhjen e kryetarit të Kosovës, këtë e dëshirojnë edhe miqtë tanë" (duke vënë theksin në trysninë e diplomatëve të huaj që për ditë me radhë kanë kërkuar zgjedhjen e institucioneve). Por, deputetët e rivalëve politikë të LDK-së bënë të ditur se nuk do të votojnë pa një marrëveshje paraprake. Jakup Krasniqi, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, tha se pas ndërprerjes, siç e quajti ai, arbitrare, të seancës së kaluar, PDK ka shpresuar se partia "që e ka çelësin në dorë", LDK-ja, do të ndërmarrë iniciativa, mirëpo ajo këtë nuk e ka bërë, përkundrazi.
Muhamet Kelmendi, kryetar i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, gjithashtu kritikoi LDK-në se nuk ka ndërmarrë kurrfarë hapash për të arritur një marrëveshje me partitë e tjera të mëdha shqiptare. Dhe të mëdhenjtë u lanë lojën të vegjëlve. Sabit Rrahmani, kryetar i Partisë Demokratike të Ashkalinjve të Kosovës, u prononcua kundër votimit para se "partitë shqiptare të arrijnë një marrëveshje ndërmjet tyre". Një qëndrim të njëjtë pati edhe kryetari i koalicionit të boshnjakëve "Vatan", Numan Baliq, i cili la megjithatë pas vetes shumë dilema. "Koalicioni 'Kthimi' do të votojë, por do të votojë sikur herën e kaluar", tha Rada Trajkoviq, kryetare e grupit parlamentar të subjektit serb "Kthimi", duke aluduar në prishejn e fletëvotimeve në seancën e dytë të parlamentit. Ndërsa, më i zëshmi kundër dr. Rugovës ishte deputeti (i vetëm) i Lëvizjes Popullore të Kosovës, Bedrush Çollaku, i cili kërkoi që të formohet një komision që do të verifikonte figurën e kandidatit të LDK-së, Ibrahim Rugova, dhe "cili ka qenë roli i tij gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s, bashkëpunimi i tij me luftën, vizitat gjatë luftës në Beograd" (fjalim ky që u përcoll me të qeshura jo vetëm në sallën e kuvendit). Duket se partitë shqiptare po i vriste dyshimi se Rugova mund të ketë arritur tashmë një marrëveshje me koalicionin e serbëve të Kosovës, votat e të cilit do t'i mjaftonin dhe tepronin për t'u zgjedhur në raundin e tretë, prandaj ata ngulën këmbë që "në rast të zgjedhjes së Rugovës për president të bëhet transparente se me votat e cilit subjekt tjetër përveç të LDK-së po zgjidhet"... Dyshimet e tyre duket të ishin nxitur posaçërisht me vendimin për ndërrimin e procedurës së votimit. Derisa në seancën e dytë deputetët ishin ftuar një nga një për të votuar, kësaj radhe fletëvotimet u ishin shpërndarë me qëllim që, siç thanë zyrtarët e Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK), "votimi të jetë vërtet i fshehtë dhe të mos dihet se kush ka votuar e kush jo".
Epilogu i votimeve hodhi poshtë çdo hamendje për ndonjë marrëveshje "aktuale" ndërmjet Lidhjes Demokratike dhe partive të minoriteteve.
Sidoqoftë, seanca e tretë e parlamentit vetëm sa shënoi vazhdimin e asaj që tashmë vendësit e qujanë krizë parlamentare, ndërsa diplomatët e huaj e quajnë dramë që do ta ketë edhe fundin e saj. Shefi i Zyrës së Misionit Amerikan në Kosovë, John Menzies, u bëri thirrje përsëri forcave politike të Kosovës që të gjejnë rrugëdalje dhe t'i zgjedhin institucionet e Kosovës, duke i siguruar ata se Zyra Amerikane do të ofrojë ndihmesën e saj për mbarëvajtjen e procesit të ndërtimit të këtyre institucioneve. Mirëpo, ai konkludoi se u takon vetë partive politike kosovare që të marrin nisma dhe të merren vesh mes vetes. "Tash, pas zgjedhjeve të lira, qytetarët e Kosovës nuk presin nga ky parlament zvarritje, por fillimin e punës dhe realizimin e shumë punëve që e presin Kosovën, ndërsa shtoi se "SHBA-ja do ta përkrahë qeverinë legjitime të kësaj pjese të rajonit dhe do ta përkrahë atë person pa marrë parasysh cili apo cila do të jetë kryetar i Kosovës".
Shumë "enigma" vazhdojnë ta përcjellin procesin e ndërtimit të institucioneve të Kosovës. Korniza Kushtetuese (dokument që zëvendëson kushtetutën e mirëfilltë) ka paraparë deri në imtësi rrugën e ndërtimit të institucioneve, por nuk ka parashikuar mundësinë që parlamentin ta përcjellë një rrjedhë e tillë e punës. Prandaj, askush nuk mund ta thotë me siguri se çfarë do të ndodhë: nëse votimet do të përsëriten sërish nga e para, apo kandidati (kandidatët) duhet të ndërrohen. Aq më pak Korniza Kushtetuese ka paraparë se çdo të ndodhë në rast të mosmarëveshjeve. Një gjë është e sigurt, Kosovën pothuajse nuk ka kush ta qeverisë, ndërsa ajo edhe për një kohë do të vazhdojë të jetojë në një vakum institucional e juridik. A do të shfrytëzohet ky vakum nga partitë politike për të ringjallur procesin e "vdekur" të bisedimeve, mbetet të shihet. Lidhja Demokratike u ka ofruar partnerëve të saj politikë 5 ministri nga gjithsejt 7 sosh, sa u takojnë partive shqiptare, si dhe postet (e shpikura më vonë) të zëvendëskryeministrit dhe nënkryetarit të Kuvendit. Këto të fundit kërkojnë, ndërkaq, ndarjen e pushtetit të të tri niveleve: atij presidencial, ekzekutiv dhe legjislativ. Gjendje e njëjtë ishte edhe një muaj më parë.
AIM Prishtinë, Besnik BALA