Gjendja e kënaqshme, restriksionet në fuqi
Prishtinë, 09.01.2002.
Dy persona të vdekur nga temperaturat e ulëta që e kanë pllakosur Kosovën këto ditë, është pasojë tragjike jo vetëm e varfërisë apo ''fatit të keq'', por edhe i ndërprerjeve më të shkurtra a më të gjata të energjisë elektrike që në këto hapësira po zgjasin që tre vjet me radhë. Qytetarët e Kosovës edhe në vitin 2002 kanë hyrë me restriksione, ndërsa, siç paralajmërojnë përgjegjësit në Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës (KEK), ato do të zgjasin deri në pranverë. ''Premtimet'' e këtilla kosovarët i kanë dëgjuar edhe vjet e parvjet. Dallimi qëndron te fakti se, siç duket, tani durimi i tyre ka arritur kulmin. Ndoshta mu për atë se edhe të punësuarit në elektranat kosovare nuk po heshtin më. Kohë pas kohe dikush nga ata merr guximin dhe e drejton gishtin mbi kuadrot udhëheqëse, mirëpo kjo shumë shpejt ''harrohet'' në opinionin publik. Mediat janë po ashtu pakëz më të hapura për kritika, por efekte ka shumë pak. Edhe më tej mund të thuhet që ''remonti'' (ku janë investuar shuma të mëdha devizore nga donatorët) thjesht ''nuk ka patur sukses''... Ose, ndërkaq, të jenë shpuar kazanët, se është ndërprerë shiriti për bartjen e thëngjillit, etj.,etj. Arsyetimeve të tilla gjithnjë e më pak u besohet, por, nga ana tjetër, nuk ka lëvizje më konkrete në stafin drejtues të KEK-ut që do ta stabilizonin prodhimin dhe furnizimin e konsumatorëve me energji elektrike. Si furnizohen aktualisht qytetarët e Kosovës me energji elektrike dhe kush është përgjegjës për këtë situatë?
Zëdhënësi i KEK-ut, z. Fadil Lepaja, pohon se, marrë në përgjithësi, furnizimi i qytetarëve me energji elektrike është i kënaqshëm. Por, duke shikuar gjendjen në qytete dhe zonat rurale, ajo është larg së qeni e kënaqshme. Në disa pjesë të Kosovës banorët nuk mund t'i përmbushin as nevojat më elementare. Për shembull, reduktimet e energjisë elektrike në pjesën veriore të Mitrovicës janë të shpeshta dhe me një orar të paparashikueshëm. Fjala vjen, në disa pallate banimi nuk ka energji katër ose tetë orë pandërprerë, ndërsa në disa të tjera drita nuk ka as nga tri a katër ditë me radhë. Gjoja, krahas reduktimeve ''të rregullta'', energjia elektrike ndërpritet edhe kur në pjesën veriore të Mitrovicës qytetarët e teprojnë me harxhimin e saj. Dhe nuk çudit fakti që ajo harxhohet jashtë mase, duke patur parasysh se energji elektrike më shumë nuk ka fare, prandaj qytetarët posa ajo vjen i ndezin të gjitha aparatet nxehëse në banesa, sepse nxehja me dru është tepër e shtrenjtë. Posaçërisht nëse ndonjëri është punëtor i ''Trepçës'' dhe merr një bursë mujore prej 60 markash gjermane. Aq kushton një metër kub dru, prandaj është më e lirë nxehja me energji elektrike. Në të vërtetë, serbët e Kosovës as që e paguajnë energjinë e shpenzuar, por as shqiptarët e Kosovës nuk janë aq të rregullt sa i përket kësaj çështjeje.
Drejtori i KEK-ut për regjionin e Mitrovicës, Ismet Berani, thotë se në pjesën jugore të qytetit (ku jeton shumica shqiptare) 26 për qind e qytetarëve i paguan rregullisht faturat e energjisë elektrike, ndërsa në pjesën veriore (serbët) askush. Zëdhënësi i KEK-ut, z. Lepaja, thotë se janë zhvilluar biseda me UNMIK-un lidhur me pagesën e faturave të energjisë elektrike dhe beson se së shpejti do të fillojnë me pagesën në terren. Serbët në veri të Kosovës nuk kanë asgjë kundër pagesës së faturave, nëse ashtu do të përmirësohej furnizimi me energji elektrike. Mirëpo, çështje është nëse do të ndodhë një gjë e tillë.
Lepaja nuk i di arsyet pse furnizimi me energji elektrike në Mitrovicë është më i dobët se në zonat tjera, por ai megjithatë është ''optimist''. Ai ka premtuar energji elektrike për festat e Vitit të Ri (vetëm nëse transformatorët e vjetruar për furnizim me rrymë nuk prishen), mirëpo reduktimet janë vënë re në tërë Kosovën.
Drejtori i Elektrodistribucionit për Mitrovicën, Zoran Dragoviq, ndërkaq, nuk ka qenë optimist dhe e ka paralajmëruar ''natën e Vitit të Ri me qirinj''. Megjithatë, dy transformatorë në pjesën veriore të Mitrovicës i kanë dhuruar organizatat nga Britania e Madhe, ndërsa ushtarët francezë të KFOR-it kanë dhuruar një trafostacion në objektin e banimit ku dhjetë ditë me radhë nuk kishte energji elektrike. Qendra Koordinuese Jugosllave për Kosovën ka miratuar dy milionë e 760 mijë dinarë ndihmë për Elektrodistribucionin e Kosovës, ndërsa me këto para do të blihen dy trafostacione që janë djegur gjatë ditëve më të fundit, si dhe kabllon për furnizim me energji elektrike të katër objekteve të banimit në qytet. Megjithatë, trafostacionet e vjetruara dhe kabllot e harxhuara nuk janë i vetmi shkak pse qytetarët nuk kanë energji elektrike.
Ismet Berani, drejtor i KEK-ut për regjionin e Mitrovicës, pohon se Republika e Serbisë nuk i jep Kosovës as një minimum të energjisë elektrike, ndërsa Fadil Lepaja pohon të kundërtën. ''KEK-u bashkëpunon me Serbinë në çështjen e energjetikës. Ata na kërkojnë energji natën kur nuk kanë, po të njëjtën gjë e bëjmë edhe ne. Normalisht, në fund ia paguajmë shërbmet njëri-tjetrit. Një marrëdhënie tregtare edhe duhet të vazhdohet'', thotë Lepaja. Nga ana tjetër, përgjegjësinë për furnizim të keq me energji elektrike, si dhe fajin për këtë, përgjegjësit në KEK, por edhe në Elektrodistribucionin në veri të Kosovës dhe në UNMIK e hedhin mbi njëri-tjetrin. Zëdhënësi i UNMIK-ut në Mitrovicë, Gjorgji Kakuk, thotë se problemi i furnizimit me energji elektrike nuk është në kompetencat e UNMIK-ut, por të KEK-ut. ''Për shkak të kushteve klimatike të këqija dhe situatës së rëndë, UNMIK-u dhe KFOR-i po përpiqen së bashku që ta përmirësojnë situatën elektroenergjetike. Problemi nuk qëndron aty se ne nuk kemi energji, por problemi, krahas prishjeve, konsiston në shpërndarjen e energjisë elektrike'', thotë Kakuk. Si një nga regjionet më dramatike ai e përmend lagjen Kodra Partizane, ku banorët nuk kanë pasur energji elektrike edhe me nga dhjetë ditë radhazi.
Dhe derisa zyrtarët e UNMIK-ut dhe KEK-ut akuzojnë njëri-tjetrin, si për manipulime me paratë e miratuara për remonte dhe pjesë të ndryshme të shtrenjta, ashtu edhe për mospunë dhe mungesë mbikëqyrjeje, qytetarët në pjesën veriore të Mitrovicës po e humbasin durimin. Në prag të festave të Vitit të Ri punëtorët e Elektrodistribucionit janë sulmuar shpesh verbalisht, por nuk kanë qenë të rralla as sulmet fizike. ''Kjo është më keq se lufta, askush nuk di të na e thotë çfarë po ndodh në të vërtetë. E kam një foshnje njëmuajshe, ndërsa dhjetë ditë nuk kam energji elektrike. Më bëhet të shkoj në Elektrodistribucion dhe t'ua hedh një bombë, pastaj le të mendojnë çfarë do të bëjnë më tej. Më besoni, ne nuk mund të durojmë më'', thoshte plot hidhërim një mitrovicas.
Megjithatë, pas gjithë kësaj, shtrohet pyetja: a duhet të ndodhin incidente serioze që dikush ta marrë përgjegjësinë dhe të shpjegojë më në fund arsyet pse situata energjetike në Kosovë është kaq e keqe. Ose, të paktën, për ç'arsye përgjegjësit nuk japin dorëheqje dhe t'ua lëshojnë ashtu vendin atyre që janë në gjendje që Kosovën ta lëvizin nga pika e territ?
AIM Prishtinë, Valentina ÇUKIQ