Kompromise ne erresire
AIM Tirana, 16.01. 2001
Pas rreth tre muajsh fushate intensive të liderit socialist Fatos Nano, të mbushur me akuza për korrupsion ndaj kabinetit qeveritar dhe akuza për trafik votash ndaj kryeministrit socialist Ilir Meta, ky i fundit, u ul kokë më kokë me liderin e Partisë së tij, duke pranuar rikompozimin e Qeverisë. Pas takimit, të dy liderët bënë të qartë se qeveria do të rikompozohet sipas ligjit (pa dhënë detaje) dhe c'është më e rëndësishmja se do të nxisin drejtësinë shqiptare për të hetuar të gjitha cështjet e përfolura per korrupsion.
Kryeministri shqiptar e cilësoi këtë tërheqje të paparalajmëruar dhe ftesën për dialog, si një zgjidhje dhe aspak si një pazar për ndarje postesh e nfluencash midis dy figurave kryesore të maxhorancës. Ai e justikoi lëvizjen nga barrikada pas të cilës qëndronte prej kohësh, kryesisht, me shkrehjen e administratës shtetërore. Ndërkohë, gjithkush e ka të qartë se shkrirja e akujve ndodhi në një kohë, kur Shqipëria, për shkak të motit të ftohtë, po përjeton krizën më të madhe energjitike që mbahet mend , duke patur ndërprerje energjie rreth 16 orë në ditë. Mungesa e energjisë elektrike solli jo vetëm irritimin e popullsisë, por dhe paralizën e biznesit vendas, largimin e biznesit të huaj dhe rritjen e menjëhershme të cmimit të mallrave të konsumit të përditshëm.
Por, gjithsesi moti nuk ishte aleati i vetëm i liderit socialist në këtë fitore të përkohshme. Prokuroria brenda pak ditësh hapi 3 cështje penale rradhë bazuar në akuzat e tij. Disa nga ministrat e kabinetit qeveritar të njohur si figura të “kampit Meta” rrëshkitën menjeherë nga ana e Nanos dhe opozita shqiptare e drejtuar nga ish Presidenti Sali Berisha, pavarësisht nga disa flirte politike, nuk i pushoi kërkesat për dorëheqjen e tij. Nga ana tjetër, presioni për të gjetur gjuhën e përbashkët u shtua si nga jashtë, ashtu edhe nga brenda. Një grup i madh intelektualësh shqiptarë, midis të cilëve dhe shkrimtari i njohur Ismail Kadare, nënshkruan një deklaratë të ashpër, ku i bënin thirrje politikës shqiptare në përgjithësi, të hiqte dorë nga sherret dhe të gjente gjuhën për një kompromis deri në hapjen e negociatave me BE për Marrëveshjen e Asociimit që pritet të nënshkruhet në Mars.
Në fakt, kriza e përfaqësimit në Partinë Socialiste, që solli si pasojë dhe përplasjen midis dy figurave kryesore të saj dhe grupeve klanore, që më pas u shndërrua në krizë parlamentare, nuk është e lehtë për t'u kuptuar. Gjithcka, të paktën për publikun, nisi gushtin e vitit të kaluar kur kryesocialisti Nano, gjatë mbledhjes së Komitetit Drejtues, ku Ilir Meta u rizgjodh kryeministër me rreth 80% të votave, bëri thirrje indirekt për të mos votuar për Kryeministrin, të cilin vetë ai, e kishte promovuar si të tillë gjatë fushatës elektorale. Fitorja me rezultat të thellë të Metës e vuri liderin socialist në një pozitë të vështirë. Situata e tij komplikohej dhe nga pëshpëritjet për një divorc të mundshëm me gruan e parë, një figurë jo e parëndësishme dhe për vetë Partinë. Rreth 2 muaj më vonë, në një interviste televizive, Nano deklaron divorcin , krejt papritur shpall kandidaturën për President të Republikës dhe flet për krizë morale në Partinë e drejtuar prej tij. Më pas, kryesocialisti shqiptar fillon një fushatë denoncuese ne bazën e partisë, duke akuzuar kabinetin qeveritar për korrupsion, nganjeherë indirekt dhe vetë Kryeministrin, duke folur për katharsis të partisë dhe rregulla të reja loje. I gjithë ky tur, që për hir të së vërtetës fitoi dhe simpatinë e opozitës dhe të opinionit publik në përgjithësi, përfundoi me një mbledhje maratonë të Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të Partisë, ku tre ministra të përfolur dhe të afërt me kryemnistrin shqiptar detyrohen të japin dorëheqjen.
Me pas Nano e zbret betejen dhe në Parlament, ku ai bashkë me grupin e deputetëve që e ndjekin, i ndihmuar dhe nga mospjesëmarrja e opozitës, bojkotoi dy herë rradhazi votimin për emrat e ministrave të rinj të propozuar nga Kryeministri, duke vënë në vështirësi dhe vetë Presidentin e Republikës, i cili duke mos ditur si të vepronte i kërkoi shpjegime Gjykatës Kushtetuese. Dhe menjëherë kryesocialisti, ndryshe nga Kryeministri që kërkoi Kongres të Jashtëzakonshëm për të zgjidhur krizën, kërkoi refendum brenda Partisë, ku më shumë se 100 000 socialistë do të përfshiheshin në votim, duke shënuar dhe emrin e kandidatit për President. Kjo është në të njëjtën kohë dhe përgjigjja më efikase që Nano mund t'i jepte zërave nga jashtë, të cilët i kanë bërë vazhdimisht thirrje të mos e guxojë karrigen e Presidentit.
Lëvizjet e kryesocialistit shqiptar hutuan jo vetëm Komunitetin Ndërkombëtar, i cili pothuajse në asnjë rast nuk e ka mbështetur zotin Nano, por dhe vetë opozitën shqiptare, e cila për një dekadë rrjesht e ka patur Nanon në qendër të sulmeve. Për herë të parë në pluralizëm shqiptarët panë se si ish Presidenti Berisha, kundërshtari numër një i Nanos, e përshëndeti lëvizjen e tij, duke pranuar se tashmë skena politike shqiptare është trepolare. Berisha gjithashtu bëri të ditur se do të hynte në Parlament, të cilin ai e kishte bojkotuar që pas mbarimit të zgjedhjeve duke mos e pranuar rezultatin përfundimtar të tyre, (tejet të përfolur si brenda ashtu edhe jashtë vendit). Në fillim të vitit, lideri socialist tha publikisht se ishte i interesuar të shtrëgonte duart me kundërshtarin e tij historik, përpara 24 janarit 2001, ku Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian do të shqyrtojë problemet e shumta të Shqipërisë, ndër të cilat dhe zgjedhjet e fundit parlamentare.
Në përpjekjet për t'u afruar me opozitën shqiptare nuk mbeti prapa dhe Kryeministri Meta. Ai pranoi një paketë propozimesh të Partisë Demokratike që kishin lidhje me luftën kundra korrupsionit dhe bëri thirrje për bashkëpunim për të mos u bërë pengesë për Marrëveshjen e Asocimit me BE-në. Opozita e përshëndeti publikisht Kryeministrin , duke mos e lënë qartë të kuptohej se me cilin nga dy polet në Partinë Socialiste ishte e gatshme të bashkëpunonte.
Por, teksa lideri socialist Nano duket i vendosur në rrugën e tij për t'u bërë President, madje duke u shprehur haptas se është i gatshëm të ndryshojë dhe Kushtetutën, për të bërë të mundur zgjedhjen e Presidentit me anë të një referendumi popullor, Berisha duke cuditur gjithë opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar, shprehet, se as ai vetë, as Nano, nuk duhet të jenë Presidentë të Shqipërisë, jo sepse nuk janë të votuar, por sepse nuk janë konsensualë. Pak a shumë qëndrimi i ri i Berishës përkon me atë të përfaqësive diplomatike në Tiranë. Tashmë Berisha dhe opozita duket se ka vetëm një qëllim: qeveri me bazë të gjerë për të përgatitur zgjedhjet e parakohshme.
Ndërkohë, pikëpyetjet më të mëdha mbeten akoma në kampin socialist. Frika nga zhgënjimi i të ashtëquajturit “revolucioni Nano” është shtuar më shumë se kurrë. Shumë analistë dyshojne se ambicja e kryesocialistit për President do ta ndërpresë lëvizjen e tij për katharsis apo luftën e Drejtësisë kundra korrupsionit. Pas dashurisë së sforcuar Meta-Nano dhe rikompozimit të qeverisë shtrohet pyetja: A do mundet Kryeministri shqiptar të qeverisë me një qeveri me ministra të caktuar nga Nano? A do të zhvillohet referendumi që kërkon zoti Nano për të afruar kolltukun e Presidentit apo për t'i dhëna kompetenca më të mëdha kryetarit të Partisë? A do të reagojnë socialistët në parlament sërish si dy pole apo si një i vetëm? A do kemi zgjedhje të parakohshme? Në gjithë këto dilemma, dëgjohen tek tuk dhe zëra për një dorëheqje të parevokueshme të Kryeministrit shqiptar.
Momentalisht, politika shqiptare po prodhon më shumë politikë, se sa gazetarët dhe qytetarët shqiptarë, të zhytur tërësisht në black out, mund të konsumojne.
ANDI BEJTJA