Fjalime ne kohen e erresires

Tirana Jan 17, 2002

AIM Tirana, 17.01.2002

Në këtë fillim të vitit 2002, shqiptarët janë të shtrënguar të përballen me një krizë, të cilën, si për ironi të historisë, edhe vetë komunizmi ua kish kursyer në tridhjetë vitet e fundit të jetës së vet: krizën energjitike. Më 10 janar, qeveria bëri të ditur se, për shkak të një situate dramatike të pa precedent, ndërprerjet e energjisë elektrike do të jenë 10-18 orë në ditë. Një ditë më pas, Ministri i Energjitikës (qysh nga shtatori i vitit të shkuar, për herë të parë në historinë politike shqiptare, një kabinet qeveritar ka në përbërje të vet një ministër të Energjitikës) mbolli panik duke thënë se rezervat shtetërore energjitike nuk mjaftojnë për më shumë se një javë. I vetëdijshëm se me këtë deklaratë kish tronditur opinionin publik e kish vënë në rrezik jetën e qeverisë “Meta 2”, më datën 13 janar, ai rideklaroi se, me bisedimet që janë bërë për sigurimin e energjisë së importuar nga Rumania e Jugosllavia, rezervat shtetërore mund të përballojnë pa frikë nevojat për konsum të energjisë edhe për muajin e ardhshëm. Por ky autokorigjim i ministrit në harkun e dy ditëve veçse ka shtuar konfuzionin e mosbesimin. Shqiptarët janë duke pritur ditën e kolapsit total. Ujrat në hidrocentralin kryesor mbi lumin “Drin” janë duke zbritur në nivelin, poshtë të cilit nuk mund të prodhohet asnjë kilowat energji elektrike.

Për shkak të ngarkesës së pakontrollueshme të rrjetit, nuk ka një grafik apo një orar preçiz të ndërprerjeve, dhe kështu, krahas territ, është shtuar edhe ankthi. Askush nuk mund të programojë asgjë në punën e aktivitetin e vet, pasi në çdo moment, në mënyrë të befasishme e pa u paralajmëruar, mund të gjendet nën presionin e “black out”-it. Disa prodhuesë, si ata të vajit, të tullave, kanë kërcënuar me ngrijtje çmimesh, për të kompensuar kështu humbjet e mëdha prej mungesës së energjisë elektrike. Eshtë hapur paniku i rritjes së çmimit të bukës. Një pjesë biznesesh e ndërmarrjesh, ku shquhen disa uzina që kanë mbetur prej “gjigandit” metalurgjik të dalë mode të Elbasanit, kanë pezulluar veprimtarinë e tyre, duke nxjerrë qindra krahë pune të lirë në tregun e shtrenjtë e të thatë të punës. Investitorët e huaj të mbetur në Shqipëri pas krizës së frikshme të '97-s, tashmë numerohen me gishta dhe janë duke përgatitur mbartjen e aktivitetit të tyre në vendet e tyre apo në vende të tjera të huaja.

Në këto kushte, qytetarët e dëshpëruar shqiptarë, më shumë janë të prirur të ndjekin buletinet meteorologjikë të ditareve informativë të mbrëmjes në një duzinë televizonesh privatë e publikë, se sa premtimet qeveritare për zgjidhjen e krizës. Në të njëjtën kohë, ata po rendin të evitojnë si të mundin pasojat e kësaj krize. Tregëtia e gazit të lëngshëm, përdorimi i të cilit zëvendëson ngrohjen e kushtueshme e të pamundur elektrike, është një nga më të suksesshmet sot për sot në Shqipëri. Në sektorët jetikë të ekonomisë apo të jetës shqiptare, si spitalet, furrat e prodhimit të bukës, në biznese të vogla, madje edhe në mijra bar-restorante e banesa private të shumë qytetarëve, për të funksionuar non stop, u është dashur të shtien në punë gjeneratorë të prodhimit të energjisë elektrike. Për të karakterizuar sa më mirë kohën e sotme, në shtypin shqiptar kanë shpikur termin “qytetërimi i gjeneratorëve”. Kudo, në shtëpi e nëpër rrugë gjendesh në çdo moment i rrethuar nga zhurma e eneratorëve, gjë që përveç të tjerash përbën edhe një terror akustik mezi të përballueshëm. Sikur të bëhej ndonjë studim sociologjik e psikologjik i specializuar, i cili të kish për objekt jetën e sjelljen e shqiptarëve, nuk do të ishte çudí që këta të fundit të rezultonin të sulmuar nga një extra-stress, një stress mbi stress-in që mbjell mizerja, mungesa e perspektivës, politika destruktive, etj. Nga njëra anë terri që ia beh atëherë kur s'e pandeh, dhe nga ana tjetër zhurma shurdhuese e gjeneratorëve, me siguri duhet të ndikojnë në mënyrë të konsiderueshme mbi gjendjen psiko-fizike e psiko-mentale të qytetarëve më të varfër të Europës.

Kjo situatë nuk ka qënë kurrë më parë, ndonëse dramaciteti i kësaj krize është zhvilluar në mënyrë lineare qysh nga viti 1992. Politika shqiptare, e mbërthyer në mënyrë konstante nga debate pa bukë, nga etja për pushtet, e nga kriza të një natyre tjetër që kanë ndjekur njëra-tjetrën e që përveç të tjerash i ka prodhuar vetë ajo me destruktivetin e vet tashmë emblematik, në mënyrë paradoksale nuk ka gjetur kohë e vullnet të mendojë për neutralizimin e kësaj situate. Përgjegjësia është e shtrirë tek të gjitha qeveritë e dhjetë viteve të fundit që kanë zëvendësuar njëra-tjetrën, e rrjedhimisht, tek e gjithë klasa politike. Duket se edhe vetë politikanët janë të vetëdijshëm mbi këtë fakt, përderisa nuk shfaqin ndonjë zell të madh për të bërë fajtor sho-shoqin për këtë gjendje e përderisa nuk e kanë bërë këtë krizë një kauzë politike kundër kundërshtarëve të tyre.

“Kjo krizë do të zgjidhet në mënyrë përfundimtare brenda vitit 2003”-është shprehur para disa muajsh publikisht kryeministri shqiptar, por askush nuk e ka marrë seriozisht këtë deklaratë. Në të vërtetë, duket sheshit që është një deklaratë e pakujdesshme dhe demagogjike. Specialistët më të njohur të sektorit energjitik shqiptar, në mënyrë publike gjithashtu, kanë bërë të ditur dyshimet e tyre ndaj “optimizmit” kryeministror e ndaj strategjisë qeveritare, e cila është e bazuar kryesisht në instalimin e rrjeteve transmetues, që do të bëjnë të mundur importimin e bollshëm të energjisë nga vendet fqinjë dhe në ndërtimin e hidrocentralit të ri të Bushatit mbi të njëjtin lum, atë të Drinit në veri të vendit. Ndërsa strategjia e sigurimit të energjisë nëpërmjet importit është kritikuar nga specialistët e financave publike e shtetërore, të cilët e konsiderojnë këtë një zgjidhje afatshkurtër e shumë luksoze për një vend shumë të varfër e me burime shumë të kufizuara financiare, projekti i ndërtimit të një hidrocentrali të ri është kundërshtuar me forcë nga një grup intelektualësh shqiptarë, të cilët e shohin këtë si një aventurë financiare me motive të dyshimta (vlera e projektit arrin 160 milionë dollarë), që jo vetëm nuk zgjidh krizën, por shkatërron në mënyrë të pariparueshme dhe ekosistemin e mjedisit. Ndërkohë, asgjë nuk është menduar për rehabilitimin e rrjetit shpërndarës brenda vendit, humbjet e të cilit shkojnë sot deri në masën 40%, për mbledhjen e pagesave të konsumit privat, publik e shtetëror të energjisë (më shumë se gjysma e përdoruesve nuk paguajnë energjinë që konsumojnë), për privatizimin e këtij sektori, dhe për rritjen e kapaciteteve të prodhimit të energjisë elektrike në rrugë jo hidrike.

Pikërisht në këtë situatë, politika shqiptare po demonstron për herë të n-të e në mënyrë tejet trishtuese cinizmin e vet. Prej muajsh, debati politik është përqëndruar në argumenta të tjerë, a thua se politikanët jetojnë në një botë të ndryshme që vetëm pak ka të bëjë me shqetësimet e qytetarëve të vendit të shqipeve. Partia më e madhe e opozitës, e drejtuar nga ish-presidenti Sali Berisha, së bashku me disa parti të tjera satelite, vazhdojnë të mos njohin legjitimitetin e parlamentit të dalë nga zgjedhjet e 24 qershorit 2001. Ata gjithashtu, në shenjë proteste ndaj parregullsive të pretenduara në zgjedhjet administrative të tetorit 2000, kanë bojkotuar qysh nga ajo kohë një pjesë të madhe të këshillave bashkiakë e komunalë. I gjithë aktiviteti i demokratëve në opozitë dhe i kryetarit të tyre historik (Sali Berisha u rizgjodh kryetar në Kongresin e VII-të të Partisë Demokratike duke mos patur asnjë rival për këtë post), është fokusuar në aksionin politik që, sipas tyre, synon rivendosjen e respektit për votën e lirë. Për këtë, retorika e tij, ndonëse me tone të kontrolluara e të buta që nuk synojnë shfrytëzimin jopolitik të një krize të rëndë, është e sunduar nga kërkesa konstante për rrëzimin e qeverisë “Meta”, për krijimin e një qeverie të re me bazë të gjerë, e cila, sipas tij, duhet të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Kriza energjitike apo izolimi i veriut të vendit prej motit të ftohtë të ditëve të para të janarit 2002, pothuaj nuk janë bërë asnjëherë pjesë kryesore e fjalorit politik të Berishës.

Në krahun tjetër, Partia Socialiste që fitoi zgjedhjet e 24 qershorit e që qeveris vendin nëpërmjet një shumice absolute parlamentare, është prej tre muajsh në një krizë shumë të thellë. Në qendër të kësaj krize është raporti tradicionalisht i vështirë midis kryetarit të partisë Fatos Nano e ryeministrit Ilir Meta. Raporti midis këtyre dy personazheve të rëndësishëm pas zgjedhjeve parlamentare mori për një kohë relativisht të gjatë formën e një armiqësie të hapur. Pasi 31 vjeçari Ilir Meta, në kundërshtim me dëshirën e vullnetin e Fatos Nanos, fitoi në garën për kryeministër brenda Partisë Socialiste dhe ndërtoi një kabinet ministrash të përbërë nga njerëz të tij besnikë, u mendua se më në fund kish perënduar ylli i Fatos Nanos, dhe ishin fuqizuar në mënyrë të pazakontë pozitat e Ilir Metës. Pikërisht në këtë moment, Fatos Nano rrëmbeu fort kartën e antikorrupsionit, dhe filloi ta përdorë këtë kartë kundër qeverisë së dalë nga shumica parlamentare e kontrolluar, të paktën de jure, nga ai vetë. Kryeministri Ilir Meta, ndonëse ushtron një kontroll të plotë të strukturave të partisë e të grupit parlamentar, e pa veten më në fund të ngucur keqaz në një sandwich të vështirë: midis presionit të Nanos e të pjesës më të madhe të medias e opinionit publik nga njëra anë dhe presionit në rritje të opozitës së motivuar në betejën e vet antiqeveritare edhe prej vetë Nanos, nga ana tjetër. Në gjithë këtë debat, ku mpleksen interesa politikë e jo politikë, etje për pushtet, ambicje e Nanos për t'u zgjedhur President i Republikës në qershor të këtij viti, këmbëngulje e Metës për të qëndruar kryeministër, dëshirë e Berishës për të përfituar nga sherri Nano-Meta e për të kontrolluar garën presidenciale boll të komplikuar në mënyrë kushtetuese e për ta çuar kështu vendin në zgjedhje të parakohshme, në gjithë këtë debat pra ka rënë në sy cinizmi tradicional i politikës shqiptare. Mbahen fjalime e konferenca të përditshme për shtypin, por vendi që zë në to kriza energjitike e zgjidhja e saj, izolimi dramatik i veriut të vendit nga të ftohtit dhe kriza të tjera të karakterit jo politik, është i papërfillshëm. Duket se për politikanët shqiptarë, politika është një art në shërbim të vetvetes e nuk ka lidhje me asnjë lloj shërbimi në interes të qytetarëve. Këta të fundit nuk e lënë megjithatë pa ndjekur spektaklin e politikës. Fjalimet në kohë të errësirës nuk janë pa spektatorë.

MUSTAFA NANO