Pasaporta i mbyll rrugët për biznesin kosovar
Prishtinë, 09.01.2002.
Kufizimin e qarkullimit të njerëzve e të mallrave nga Kosova nuk e bën vetëm gjendja e keqe e rrugëve dhe mospranimi i targave të veturave, por edhe mungesa e dokumenteve të udhëtimit. Këtë situatë më së rëndi e përjeton biznesi kosovar. Madje, ka biznesmenë që kanë humbur kontaktet afariste dhe nuk kanë mundur të shfrytëzojnë disponimin e investitorëve të huaj, vetëm pse nuk kishin një dokument udhëtimi.
Firma " Design House" e Prishtinës, fitoi një tender në Afrikën e Jugut, por mungesa e dukumentave të udhëtimit i pengoi pronarët e saj të udhëtojnë atje dhe të konkretizojnë detajet. Tenderi humbet. Dëmi që pësoi firma, sipas pronarit të saj, llogaritet në 150 mijë dollarë amerikanë. "Nuk kemi dashur në asnjë mënyrë që dikush nga kompania jonë të shkojë dhe të kërkojë pasaporta në zyrën jugosllave, edhe pse e kemi ditur se do ta humbim tenderin. Kemi aplikuar për dokumentat e udhëtimit që i jep UNMIK-u, dhe presim t'i marrim ato", thotë pronari i "Design House", Lulzim Ibrahimi.
Sipas tij, edhe në qoftë se njerëzit e kompanisë pajisen me dokumentat e UNMIK-ut, problem paraqet njohja e tyre nga shumë shtete.
Një nbiznesmen tjetër, z. Mazllom Krasniqi nga Prishtina, pronar i kompanisë "Pex", kishte marrë rrugë si edhe herave të tjera, pa pasur mëdyshje se mund të ballafaqohet me ndonjë problem. Në Bllacë, policia maqedonase atij ia konfiskon pasaportën, me arsyetimin se ajo është e falsifikuar. "Që nga viti 1999 unë kam udhëtuar me këtë pasaportë. Kam vizituar thuajse tërë Evropën, e asnjëherë, askush nuk ka pasur dyshim në pasaportën time. Tani ajo del e falsifikuar", shprehet z. Krasniqi. Z. Krasniqi është i brengosur edhe për shkak të dështimeve që do të ketë në biznes. Ai nuk do të mund të shfrytëzojë kapitalin turk për investime të përbashkëta në Kosovë.
Shumë nga biznesmenët kosovarë, për shkak të punëve të shumta që i lidhin ata me shtetet e tjera, dhe ngathtësisë së zyrave të UNMIK-ut për pajisjen me dokumente të udhëtimit, janë detyruar që pasaportën ta sigurojnë nga zyra jugosllave në Prishtinë. Çmimet që kjo zyrë i vendosi për një pasaportë jugosllave shpeshherë arritën deri në 2 mijë marka gjermane.
Por, një numër i këtyre pasaportave të lëshuara nga kjo zyrë janë të dyshimta, përkatësisht janë të shpallura të pavlefshme, çka ka shkaktuar një konfuzion të paparë.
"Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë ka urdhëruar që autoritetet e saj të konfiskojnë, nëse ndeshen me pasaporta që janë shpallur të pavlefshme apo të humbura nga Qeveria e RFJ-së dhe t'i kthejë mbrapsht poseduesit e tyre", ka deklaruar nënsekretari i Sekretariatit për të huaj në MPB e Maqedonisë, Nafi Dako.
Sipas kësaj ministrie, Qeveria e Maqedonisë e ka arsyetuar këtë akt me faktin se "MPB jugosllave përmes Interpolit ka shpallur të pavlefshme 18 mijë pasaporta të lëshuara në Kosovë nga zyra jugosllave gjatë periudhës së luftës dhe të pasluftës". Mbetet çështje e hapur pse pasaportat u shpallën të pavlefshme, kur ato i kanë lëshuar persona të caktuar nga pushteti jugosllav? E dyta, pse qytetarët e Kosovës (shqiptarët) kanë qenë të detyruar të paguajnë shuma të mëdha devizash për t'i marrë ato pasaporta? E treta, në cilët xhepa kanë përfunduar gjithë ato para dhe, fundja, a s'është ky një rast i ri për pushtetin jugosllav që nga po ata njerëz, për të cilët pasaporta është një dokument i domosdoshëm, të marrë përsëri para të "majme".
Veç dokumenteve të udhëtimit, problemi tjetër për biznesmenët kosovarë është sigurimi i vizave hyrëse për të udhëtuar në shtetet e ndryshme të botës. Zyra italiane në Prishtinë, në momentet e fundit kishte refuzuar të jepte vizat për 30 biznesmenë kosovarë, të cilët të udhëhequr nga Oda Ekonomike e Kosovës, dëshironin të merrnin pjesë në dy panaire që po organizoheshin në disa qytete italiane. "Nuk mund t'i ndihmojmë biznesmenët që nuk kanë pasaporta", thotë Drejtori për Marrëdhënie me Jashtë në Odën Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj.
Trajtimin e biznesmenëve kosovarë si çdo individ tjetër, sa i përket procedurës për ta marrë dokumentin e udhëtimit, e konfirmon përgjegjësja për dhënien e dokumenteve të UNMIK-ut në Komunën e Prishtinës. "Të gjithë personat që aplikojnë për dokumentat e udhëtimit që lëshon UNMIK-u trajtohen njësoj. Nuk ka dallime për lëshimin e dokumentit qofshin këta individë mjekë, biznesmenë, gazetarë apo njerëz të thjeshtë ", thekson znj.Valbona Buçinca.
Nëse një biznesmen do të bëjë biznes me dikë nga shtetet europiane, veç mungesës së dokumentave të udhëtimit, problem të madh për të, paraqet edhe viza hyrëse për në këto shtete, e cila sigurohet shumë vështirë. Mënyra e vetme e udhëtimit, pa iu nënshtruar procedurave të zakonshme për të cilat duhet pritur me muaj, janë vizitat që i organizon Oda Ekonomike e Kosovës.
OEK është i vetmi institucion që kujdeset që biznesmenët kosovarë të krijojnë kontakte me kolegët e tyre jashtë Kosovës. "Ne përpiqemi të ndihmojmë në këtë drejtim. Kemi kontakte me odat ekonomike të shteteve të tjera, të cilat kanë ndihmuar shumë që biznesmenët tanë të udhëtojnë jashtë Kosovës për qëllime tregtare", thotë z. Besim Beqaj. Sipas tij, Oda Ekonomike e Kosovës deri më tash, ka organizuar vizita zyrtare të grupeve të biznesmenëve kosovarë në Slloveni, Kroaci, Gjermani, Austri, Kore, Kinë, Malajzi dhe Egjipt. Z.Beqaj pohon se veç me Italinë që kanë pasur problem për të siguruar viza për biznesmenët, me probleme të kësaj natyre nuk janë ndeshur herë tjetër. "Italianët kërkuan që biznesmenët të shkonin në Beograd për t'u pajisur me viza, të cilën ne nuk e pranuam", thekson z.Beqaj.
Megjithatë, gjykuar nga efektet në fushën e zhvillimit të kapaciteteve ekonomike dhe përgjithësisht të ekonomisë në Kosovë, madje me gjithë ndihmën që e ofron Oda Ekonomike e Kosovës, rezultatet janë gati të papërfillshme. Ekspertët e ekonomisë e dinë se pa njohjen për së afërmi me partnerët e mundshëm dhe teknologjitë e reja, nuk mund të ketë as zhvillim në nivelin lokal. Vetëm e dhëna që OEK organizon udhëtime të afaristëve vetëm një herë në dy muaj, flet mjaft për gjendjen e përgjithshme në ekonominë e Kosovës, si edhe për gjendjen sociale në tërësi.
AIM Prishtinë, Ibrahim REXHEPI