Dhjetë vjet të RS: Nën fanarin e Pales

Sarajevo Jan 16, 2002

AIM Banjallukë, 9.01.2002

"E kujtojmë dhe nuk e harrojmë Palen, fanarin tonë në shtrëngatën e luftës, vendi ku sollën gjithë vendimet historike dhe vendi i cili me të drejtë përjetësisht ka mbetur në zemrat tona. Shumë personazhe dhe emra që kanë shënuar këtë kohë sot nuk janë në mesin e të gjallëve!". Kështu e filloi fjalën e tij në akademinë solemne me rastin e shënimit të dhjetë vjetorit të ekzistimit të Republikës Serbe (RS) kryetari i Republikës Mirko Sharoviç. (Si përkujtim - më 9 janar 1992 Kuvendi i popullit serb në BeH solli Deklaratën për shpalljen e Republikës Serbe, e cila Kushtetutën e vet e miratoi më 28 shkurt, kurse formimi i Ushtrisë së RS në maj të të njëjtit vit).

Paraqitja epike nuk mungoi në leximin njëzet minutësh të dhjetra faqeve të fjalimit të rastit: "Para dhjetë vitesh fati ynë ishte në pikë uji në detin e trazuar. Sot Republika Serbe është farë që askus nuk mund ta mbys. Shkruajmë faqe të re të ekzistimit tonë. Republika Serbe është në fillim dhe jo në fund të udhës së vet. Ardhmëria jonë është më e gjatë se sa e kaluara". Dhe kështu me rradhë!

Madhërimi i 'farës së pashkatërruar' nuk mund të kalonte pa rezymenë e formimit të saj. "Duke kthyer kokën pas, ne nuk kemi çka arrijmë. Udha jonë ishte udhë e drejtë dhe sikur të ktheheshim sërish ne do të niseshim udhës së njëjtë!", tha me zë të lartë kryetari Sharoviç. Në asnjë fjali zyrtari më me përgjegjësi i pushtetit shtetëror në RS, gjashtë vjet pas përfundimit të luftës, nuk pa nevojën të gjykonte krimet masovike, shkatërrimin e altareve, djegien e fshatrave dhe rrënimin e qyteteve. Dy milionë refugjatë dhe të zhvendosur të vendit ku është në pushtet Sharoviçi janë pasojë e 'udhës së drejtë' dhe luftës së ndershme!

Me një etikë të këtillë shtetërore dhe me këtë moral politik kryetari Sharoviç i bind qytetarët e RS dhe BeH për 'faqe të re të ekzistimit tonë'. "Këtë vijë të luftës sonë të drejtë dhe pastërtinë dhe dinjitetin e saj doemos duhet ta mbrojmë në kohën që është para nesh", porosit kryetarin e Zyrës së Përfaqësisë së Lartë(OHR) dhe Volfgang Petriçin, i cili pret që udhëheqësia e këtij entiteti të tregojë vendosmëri në implementimin e Marrëveshjes së Dejtonit, e veçmas për sa i përket kryerësve të krimeve të luftës dhe dorëzimin e të dyshuarve për krime lufte. Në vend se të dënonte krimet, Sharoviçi u bëri thirrje të pranishmëve të kujtonin 'protagonistët dhe emrat që kishin shënuar këtë kohë, që sot nuk janë në mesin e të gjallëve'!

Pas vlerësimit etik dhe moral të luftës, Sharoviçi kaloi në sugjerimet politike sesi duhej ruajtur RS. Në këtë pjesë ai theksoi kategorikisht imperativin: "Nga pozicionet e krijuara ne nuk do të shmangemi, sepse nuk kemi ku të shkojmë prapa. Ka aq varre për ta bërë këtë!" Pastaj pason marketingu i theksuar politik: afrimin politik rreth platformës për ruajtjen e RS-së, do ta mbrojë shumica stabile qeveritare, dashuria ndaj atdheut, uniteti, përgjegjësia.

Dhe tek pastaj vijnë në rradhë dhjetra fjali protokolare ku përmendet kthimi i refugjatëve gjatë dy viteve të ardhshme, ndërtimi dhe rindërtimi i objekteve, ndryshimet kushtetuese 'që do të mundësojnë mosdiskriminimin dhe barabarësinë e përgjithshme, integrimin rajonal dhe bashkëpunimin me Federatën. Dhe si kurorë e gjithë kësaj: "E ggjithë kjo është e nevojshme dhe ne vet, sa më parë, të marrim përgjegjësinë e plotë në këtë vend!"

Duket se Sharoviçi dhe grupimi qeveritar kaherë janë të vetmuar! Në kremten solemne në mesin e zyrtarëve nuk kishte deputetë kroatë dhe boshnjakë, asnjë përfaqësues nga Federata e BeH, asnjë zyrtar i lartë nga organizatat ndërkombëtare. Kryeministri i RS Mladen Ivaniç komentoi këtë me fjalët se ky është fakt se si është raporti i tyre ndaj Marrëveshjes së Dejtonit dhe RS. As Ivaniç nuk pyeti se a do të ishte e këndshme për boshnjakun ose kroatin të dëgjonte panegjirikun epik të Sharoviçit për RS.

Në kremten e "jubileut" të RS nuk erdhi askush nga Beogradi zyrtar. Në Banjallukë u paraqit pa paralajmërim princ Aleksandar Karagjorgjeviç me princezën Katarina, të cilët, në të vërtetë, nuk dhanë deklarata politike, por bënë mjaft për të demonstruar qasjet e veta politike. Gjesti i tyre padyshim se do të eksloatohet fuqishëm në qëllimet politike - propagandistike.

Duke bërë një rezyme për regjinë, efektet skenike, retorikën dhe pjesëmarrësit e spektaklit kremtues, jubileu shtetëror nuk ishte shënim i stabilitetit ekonomik dhe politik të RS, por një promovim spektakular parazgjedhor i SDS. Kjo punë ishte bërë me mjeshtëri në koordinim me Kishën Ortodokse Serbe, në objektet fetare të së cilës në mbarë RS-në pati liturgji dhe përkujtime solemne për serbët e vrarë në luftë. Asnjë nga të pranishmit nuk ishte e thënë të mos e hetonin nën fanarin e Pales mungesën e Radovan Karaxhiqit, Momçilo Krajishnikut, deputetët e dekoruar nga përbërja e parë e Kuvendit Popullor dhe luftëtarët e parë. Fluturoi shpirti i tyre!

BRANKO PERIQ