Lobimi pa mbulesë

Ljubljana Jan 14, 2002

Ministria e punëve të jashtme sërish angazhoi Bob Dolin të lobojë për anëtarësim sa më të shpejtë të Sllovenisë në NATO, përkundër paralajmërimeve të kritikëve se ky harxhim i parave të obliguesve tatimor është pa mbështetje demokratike.

AIM Lubjanë, 07.01.2002.

"Edhe mëtej do të vazhdojmë të angazhohemi që Sllovenia të inkuadrohet në Bashkësinë Evropiane dhe NATO". Kështu tha në fjalën e vet drejtuese gjatë Vitit të Ri, kryetari slloven Millan Kuçani, drejtuar të gjithë "qytetarëve dhe qytetareve të Sllovenisë, slloveneve dhe sllovenëve". Kështu në vitin e ri 2002 vazhdon fushata për inkuadrimin e Sllovenisë në NATO. Është interesant se Kuçani dy gjëra kryesore të politikës së jashtme sllovene - inkuadrimin në NATO dhe anëtarësimin në Bashkësinë Evropiane - kësaj here i barazoi. Inkuadrimi i Sllovenisë në Unionit Evropian më shumë se dhjetë vjet ka qenë qëllimi kryesor i politikës së jashtme sllovene, që nuk mund të thuhet edhe për hyrjen në NATO. Dëshira për anëtarësim në NATO zyrtarisht u shpreh vetën në disa vite të fundit, kur u shtua pas mossuksesit më 1998, kur Sllovenia nuk u pranua në NATO së bashku me Poloninë, Çekinë dhe Sllovakinë; shkaku i përvojës së hidhur zytarët slloven që para disa muajsh paralajmëruan se nuk duhet pritur anëtarësim të shpejtë. Për këtë shkak potencimi i Kuçanit për anëtarësim në Bashkësinë Evropiane karshi inkudrimit në NATO paraqet risi të rëndësishme.

Se anëtarësimi i NATO-s është prioritet i politikës së jashtme dëshmon edhe veprimi tjetër i qeverisë sllovene. Përveç mjeteve të shumta që harxhon Qeveria e Drnovshekut për "informimin e opinionit" mbi veprimin e NATO-s, tani i kushton kujdes të veçantë afrimit me qendrat botërore të fuqisë. Kështu ministri i jashtëm slloven Dimitrij Rupel firmosi marrëveshjen njëvjeçare me firmën "Verner, Lipfert, Bernard, Mekprsen end Hend" (Verner, Liipfert, Bernhardt, McPherson & Hand) nga Uashingtoni - që bashkëpunëtorët e saj të lobojnë për anëtarësimin e Sllovenisë në NATO. Puna e tyre është lobimi, që d.t.th. të bindin individët më të rëndësishëm dhe më me ndikim në administratën amerikane, veçmas në Kongres dhe Senat, për nevojën e Sllovenisë që sa më shpejtë të bëhet pjesë e NATO-s. Një nga bashkëpunëtorët e kësaj firme është edhe nënkryetari i dikurshëm amerikan dhe kandidati për kryetar amerikan Bob Dol. Në bazë të marrëveshjes Bob Dol është i angazhuar që një ose dy herë në muaj të takohet me ambasadorin slloven në SHBA, kurse njëkohësisht "përmes lidhjeve të tij" doemos duhe të promovojë interesat sllovene për sa i përket anëtarësimit në NATO. Nuk është çudi se Dolin në Sloveni e konsiderojnë politikan me ndikim që mundet "vetëm me një të ngritur të telefonit të arrijë shumë". E gjithë kjo, natyrisht, kushton. Llogaria për shërbimet e Bob Dolit dhe firmës, sipas të dhënave zyrtare, peshon 516.000 dollarë amerikan për një vit, madje sipas shtypit slloven mund të jetë edhe shumë më i madh - rreth 174 mijë dollarë në muaj, gjegjësisht mbi dy milionë dollarë amerikan për një vit.

Është fakt se shërbimet e lobistëve profesionistë janë praktikë e rëndomtë në Uashington, Bruksel dhe në disa qendra tjera politike dhe ekonomike botërore.

Diplomacia sllovene, megjithatë, deri tani nuk ka vepruar me këto mjete. Madje pjesëtarët e qeverisë sllovene pohonin Lubjana zyrtare asnjëherë deri më sot nuk ka angazhuar lobistë të huaj, kurse hulumtimi i arkivave ka treguar se në dy raste ky konstatim nuk ka qenë i vërtetë. Herën e parë më 1992 janë paguar disa artikuj në shtypin amerikan për Slloveninë, kurse gjashtë vjet më vonë (1998) me firmën ku merr pjesë Bob Dol Slloveni nënshkruajti marrëveshje për lobim në NATO. Puna nuk pati sukses sepse Sllovenia nuk pati sukses për tu anëtarësuar në NATO (së bashku me Rumuninë dhe disa kandidatë të tjerë). Një angazhim nuk ishte i mjaftueshëm.

Siç qëndrojnë punët më së miri tregon fakti se nuk është menduar për të paguar lobistë për anëtarësim në Unionit Evropian. Sipas fjalëve të zyrtarëve nga Zyra qeveritare për lobim evropian në Bruksel "nuk do të kishte kuptim", sepse "kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët janë të qarta, kurse dihet edhe vendimi politik për zgjerim". Qeveria sllovene ndonjëherë paguan edhe disa ekspertë për të sqaruar disa çështje probblematike negociatorëve slloven, por ky nuk është lobim në kuptimin e plotë të fjalës. E njëjta gjë nuk ndodh për NATO-n - pjesërisht sepse vendimi politik për zgjerimin ende "nuk është lidhur", dhe me siguri edhe shkaku i kritereve për anëtarësim në NATO, që duket se nuk janë aq të qarta siç janë ato për anëtarësim në Unionin Evropian.

Në opinionin e këtushëm publik reagimet ishin të ndryshme pas njohurive për angazhimin e agjencive të lobistëve të huaj për anëtarësimin e Sllovenisë në NATO; Borut Grgiç, ekspert për Evropën Lindore në Qendrën për studime strategjike dhe ndërkombëtare në Uashington vlerëson se "vendimi i Lubjanës për të angazhuar firmë për lobim ishte e drejtë" sepse "ftesa për xhiron e dytë për anëtarësim nuk do të vijë nga Brukseli por nga Uashingtoni", por "jo nga Stejt Departmenti apo nga Shtëpia e Bardhë" por "nga Senati". Dhe përse pikërisht Senati amerikan është kaq i rëndësishëm? "Thjesht - sepse në vendimet e tij pushteti ekzekutiv nuk mund të ndikojë. Çdo marrëveshje ndërkombëtare që diplomacia amerikane e vendos në planin ndërkombëtar doemos duhet ta ratifikojë Senati amerikan", sqaron Borut Grgiç. Me fjalë të tjera - për zgjerimin e NATO-s janë të nevojshme më së paku 76 vota "për" në Senatin amerikan.

Disa komentator të tjerë nuk shohin asgjë të mirë në angazhimin e lobistëve të huaj, madje edhe ata sikur të ishin të kalibrit të Dolit; para së gjithash se projekti i Drnovshekut për anëtarësim të Sllovenisë në NATO nuk ka përkrahjen shumicë në opinionin vendës. Më së shumti kritika arrijnë nga ana e organizatave joqeveritare të grumbulluara rreth "Forumit social" që në muajt e ardhshëm kanë paralajmëruar fushatë të ashpër anti-NATO. Ndaj këtij projekti pro-NATO-s kanë dyshim edhe një pjesë e mediumeve: "Sllovenia do t'u paguajë firmave për lobim nga 174 mijë dollarë në muaj, të holla nga obliguesit tatimor dhe përse tu merren për diçka që për njerëzit nuk është e dashur, edhe pse liderët politikë të të gjitha ngjyrave pohojnë se 'populli është për anëtarësim të Sllovenisë në NATO'. Por - për këtë i mashtrojnë. Nëse tani na duhet Doli për të lobuar, atëherë shtrohet pyetja se përse paguajmë ambasador në SHBA dhe metropolet tjera në botë, kur, sipas mendimit të qeverisë, për interesat sllovene në botë më së shumti mund të bëjnë firmat për lobim a la Dol", pyet në "Panorama" të Lubjanës redaktori Marjan Horvat. Dilemat për justifikimin e kësaj politike dhe ndarjes nga buxheti do të mund t'i largonte referendumi për inkuadrimin në NATO mu për shkak të kundërshtimit të pjesëtarëve që kundërshtojnë anëtarësimin e Sllovenisë në NATO - që për momentin nuk duket askund në horizont.

IGOR MEKINA