Hapet trashëgimia e Krlezhës

Zagreb Jan 14, 2002

AIM Zagreb, 05.01.2002.

Në fundvitin e kaluar u kujtua sërish një i vdekur. Emri i tij është Miroslav Krlezha: shkrimtari i parë i Jugosllavisë socialiste, veprat e të cilit ishin botuar me tirazh të madh dhe si botime luksoze, kurse ai vazhdimisht ishte në afërsi të Titos, por tridhjetë përqind e studentëve të letërsisë në Zagreb, sipas një hulumtimi, sot nuk janë të sigurtë se athua ai njeri për nga kombi ishte kroat. Sipas fjalëve të Dr. Zoran Kravarës, profesor i letërsisë krahasuese në Fakultetin Filozofik në Zagreb, Krlezha nuk lexohet nga studentët e tij, kurse gjeneratat e vjetra sillen ndaj personalitetit dhe veprës "me ambivalencë". Në të njëjtin hulumtim (të bërë nga historiani i letërsisë Vinko Breshiç) vendi i parë në Olimpin letrar kroat dhe jugosllav, ku qëndronte bindshëm Krlezha dyzetvjet me rradhë në periudhën e pasluftës, tani u zëvendësua me vendin e shtatë. Edhe atje u gjet në një shoqëri të mirë me Ranka Marinkoviçin, August Shenoen, Thomas Mannin dhe Marcel Proustin.

Krlezha, dy ditë para Vitit të Ri, jo rastësisht u bë ylli kryesor në opinionin publik kroat. Të premten më 28 dhjetor 2001 kaluan njëzet vjet nga ndalimi i botimit të trashëgimisë së tij të shkruar, që në katërmbëdhjetë arka qëndronin në bodrumin e Bibliotekës Nacionale dhe Universitare në Zagreb. Trashëgiminë, sipas porosisë së Krlezhës, e drejtonte Kreshimir Vraneshiç, djali i mjekut zagrebas dr Gjure Vraneshiçit i cili e fshehu Krlezhën në sanatoriumin e vet, duke ia shpëtuar jetën gjatë kohës më të keqe të Shtetit të Pavarur Kroat. Në hapjen e koleksionit u mblodh, siç thuhet, le tout Zagreb: përveç shkrimtarëve, poetëve, muzeologëve, arkivistëve, akademikëve dhe elitave intelektuale të të gjitha ngjyrave dhe simboleve, në ceremoninë e hapjes ishte edhe kryetari Stipe Mesiç me këshilltarin e vet për kulturë Zdravko Jelenoviç. Gazetarët vërejtën se vizita e tij nuk ishte protokolare, sepse Mesiçi në BNU qëndroi tre orë të plota, duke ndjekur me kujdes gjithçka që ndodhte aty. Për dallim nga ai kryeministri Raçan nuk erdhi në hapjen e trashëgimisë. Në Kroacinë e tanishme, edhe ky është një mesazh politik - përveç nëse Raçani me të vërtetë ka qenë tepër i zënë. Veç zyrtarëve politik dhe gjithë vargut të akademikëve, teoriticientëve të letërsisë dhe gazetarëve në hapjen e koleksionit kishte edhe shumë kureshtarë anonim.

Përse gjithë ky pompozitet? Natyrisht, do të ishte naive sikur motivi që grumbulloi një masë heterogjene të mendohej se ishte tërësisht estetik, intelektual ose artistik. Nga njëra anë masa erdhi të merrte pjesë në histori dhe me dëshirën e madhe të ketë sërish ndonjë skandal. Miroslav Krlezha, gjatë dyzet viteve të pasluftës, nuk ishte as hija e atij të vjetrit siç ishte ndërmjet luftës, ai kritiku, i ashpri, shkrimtari i pakompromis dhe polemisti i cili mohimin e konsideroi si mendim të shenjtë kurse dialektikën si fe të veten. Përveç incidentit të vetëm - firmosjes së Deklaratës famoze për gjuhën letrare kroate - Krlezha gjithnjë, gjatë kohës së pasluftës, ishte shkrimtar shtetëror, që nuk lëvizi as një milimetër nga ideologjia zyrtare komuniste dhe jugosllave e Titos. Privatisht kishte miqësi me mjaft njerëz që e kishin kaluar Rubikonin dhe ishin bërë disidentë: më i lavdishmi ndërmjet tyre u bë Dr. Franjo Tugjmani, më vonë kryetar i Kroacisë së pavarur si dhe Ivan Shibl dhe disa të tjerë që munguan nga jeta publike nga viti 1971. Ky shoqërim me ta krijoi shpresë te të interesuarit për Krlezhën se në arkivin e pabotuar do të mund të gjenin më shumë fakte se sa njiheshin - se ai kishte simpatizuar pranverën kroate, gjegjësisht, idenë për shtetformësinë kroate.

Shumica dëshironin të dinin se athua arkivi dëshironte të kishte edhe eseun e shkruar kaherë, por asnjëherë të botuar, mbi Mili Budakun - përmes së cilit do të mund të lexoheshin mendimet disonante të shkrimtarit të madh. Një numër i teoriticientëve ishin të interesuar për diçka tjetër: elementet politike të Krlezhës së panjohur. Sigurisht se mes tyre çështja që kërkon përgjigje është: athua në trashëgiminë është fshehur libri i gjashtë, romani i pabotuar "Flamujt", a ekziston roman mbi Jurju Krizhaniçin, ndaj të cilit Krlezha kishte obsesion dhe a janë ruajtur dorëshkrimet e poezive të para të Krlezhës nga viti 1912 - të cilat Krlezha - pasiqë nuk kishte mundur t'ia tregonte A.G. Matoshit - i kishte fshehur diku qëllimisht, duke i botuar - sipas tezës së Dr. Kravarit - në veprat e veta prozaike, duke ua mveshur personazheve.

Mjaft interesim zgjuan edhe letrat e pabotuara. Enigmën e personalitetit të Krlezhës e zmadhon edhe fakti se vozitësi i tij i përhershëm, Josip Jozha Zhivkoviç - i cili e voziti Krlezhën njëzet vite me rradhë - deri më sot për opinionin e gjërë publik nuk dha asnjë fakt, asnjë intervistë për bashkëpunimin e tij me shkrimtarin e madh.

Pas hapjes së koleksionit, megjithatë nuk pati kurfarë senzacioni. As që mund të kishte. Tash duhet të formohet një ekip ekspertësh i cili viteve të ardhshme duhet të seleksionojë shkrimet e Krlezhës, të lexojë përmbajtjen e tyre dhe t'i përgatis për botim - por tërësisht. Mund të ketë përjashtim vetëm nëse në trashëgiminë gjendet diçka spektakulare, sikurse dorëshkrimi i librit të gjashtë "Flamujt". Një zbulim i këtillë, sipas paralajmërimeve të ekspertëve, do të ishte botuar në afat mjaft të shkurtë. Kureshtarët, në maje të arkës mund të vërenin tekstin e Krlezhës mbi Josip Broz Titon, "Diskutimi mbi çështjen kombëtare" nga 1922 (mbi çështjen kombëtare kroate) dhe një tekst të Banketit në Blitva, në gjuhën gjermane. Kjo ishte e gjitha.

Paralelisht me hapjen e trashëgimisë, tash një kohë, rrjedh edhe karnevali i dytë ku Kërlezha është në qendër. Në Osijek, për shembull, para disa javësh u mbajt simpozium mbi Krlezhën, ku njëri nga shkrimtarët më të njohur kroat nga diaspora, Radovan Ivshiç, e akuzoi për pengim të ndikimeve evropiane në letërsinë kroate ndërmjet dy luftërave, duke e shpallur si fajtorin kryesor për stagnimin e kësaj letërsie në të njëjtën periudhë. Branko Brezovac gjatë vitit të kaluar e inskenoi në ZKM, "Mjeshtri i madh përkul faqeziun"- inskenim i novelës së Krlezhës nga koha e Luftës së Parë Botërore, ku u ekspozua një kritikë Kroacisë - përgjatë dhjetë viteve të shkuara. Predrag Matvejeviçi botoi librin e bisedave të tij me Krlezhën (me elemente që më parë nuk ishin botuar), kurse qyteti i Zagrebit e rregulloi një pjesë të vilës së Kërlezhës në Tushkanc - Gvozdin famoz - dhe e hapi për opinionin publik. Opinioni gjithsesi priti rregullimin dhe hapjen e vilës së Krlezhës.

Kështu, gjithë gjërat që kanë të bëjnë me Krlezhën janë publikuar pjesërisht. Shtëpia e tij është hapur aq sa autoritetet e qytetit të mund të thoshin se kishin plotësuar premtimet parazgjedhore. Trashëgimia u hap, por për rezultatet duhet të presim me vite. Miti ngadalë i rrëzohet, por vetëm për t'i dhënë fuqi të re. Nga fakti se Krlezhën sot thuajse askush nuk e lexon, kurse më keq është e vërteta e dhimbshme se në letërsinë e sotme kroate nuk ka asnjë shkrimtar - që në çdo pjesë të opusit - që do t'i bënte konkurencë. Kështu me Krlezhën e vdekur, duket se do të shtyhen edhe dhjetëvjeçarë.

BORIS RASHETA