Refugjatët: Statistika dhe premtime të shumta
AIM Banjallukë, 05.01.2002
Sipas statistikave zyrtare rreth 2,2 milionë persona që gjatë luftës braktisën shtëpitë e veta në Bosnjë e Hercegovinë (BeH) janë kthyer më shumë se 800 mijë, kurse gjatë vitit të kaluar rreth 75 mijë. Prej tyre në Federatën BeH janë kthyer 46 përqind, në RS 27 përqind dhe në distriktin Brçko 30 përqind.
Edhe pse numri i të kthyerve gjatë vitit të kaluar ishte në nivelin e viteve të mëparshme, ministri për të drejtat e njeriut dhe për refugjatët në Këshillin e ministrave të BeH Kreshimir Zubak shpreh optimizëm sepse në strukturën e të kthyerve dominojnë pakicat.
"Numër gjithnjë e më i madh i serbëve kthehen në Federatën BeH, gjegjësisht kroatë dhe boshnjakë", thotë Zubak. Ai pohon se deri te kjo solli edhe harmonizimi i rregullores që barazon të drejtat e personave të ikur dhe të zhvendosur dhe harmonizimi i të drejtave në sferën e mbrojtjes shëndetësore dhe sociale.
Zubak beson se gjatë viteve të fundit janë krijuar kushte për kthim të shpejtë. Para së gjithash, beson në sigurinë më të madhe të të kthyerve. "Edhe mëtej ndodhin incidente individuale, por këto janë gjithnjë më të paktë", thotë Zubak. Për atë edhe Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të BeH për konstituivitetin e popujve është stimulues për të kthyerit: "Tani njerëzit shohin në perspektivë, besojnë se të drejtat e tyre do të barazohen dhe se do të mund të merren me biznes". Megjithatë, Zubak nuk beson se në BeH do të kthehen edhe rreth 280 mijë refugjatë, që kanë zgjidhur statusin e tyre në shtetet ku ndodhen.
Për dallim nga ministri Zubak, kryetarja e Lidhjes së refugjatëve dhe të shpërngulurve në BeH Mirhunisa Zukiç nuk është optimiste. Ajo thotë se 500 mijë njerëz ende nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre shkaku i injorimit nga ligjet ekzistuese edhe obstruksionet politike. Ajo thotë se numër i madh i personave me vendimet për kthim të pronave të tyre nuk mund të hyjnë aty shkaku i obstruksioneve të ndryshme të organeve që i kanë dhënë këto vendime. Sipas fjalëve të saj, politika lokale është faktor për pengimin e kthimit. Zukiç pohon se në BeH edhe mëtej ka 15.200 shfrytëzues të dyfishtë të pronave dhe shpjegon: "Në mesin e tyre kryesisht ka personalitete politike, kurse në të njëjtën pjesë të RS ka edhe shumë njerëz nga gjyqësia që shfrytëzojnë pronat e dyfishta". Lidhja e refugjatëve dhe të shpërngulurve, thotë Zukiç, në vitin e ardhshëm do të kërkojnë zbatim të barabartë të ligjit të pronës si dhe të ndihmohet ekonomikisht kthimi.
Ministria për refugjatë dhe të shpërngulur të RS është e kënaqur me rezultatet e arritura në këtë vit. Përqindja e të kthyerve, sipas fjalëve të ministrit Mica Miçiç, për dhjetë muaj të vitit 2001 është zmadhuar nga 13 përqind sa ishte në fillim të vitit në 28 përqind. Me qëllim që të zgjidhet problemi i refugjatëve dhe të shpërngulurve Ministria ka ndërtuar 812 banesa për vendosje alternative, ku, deri tani, 728 janë të gatshme për banim. Banesat tjera ende nuk janë gati shkaku i vonesës së komunave në ndërtimin e objekteve. Lëshimi i qendrave pranuese pritet të bëhet deri në gjysmën e këtij viti. "Ministria ka përkrahur projektin për kthimin e serbëve në Federatë, por edhe kthimin e boshnjakëve dhe kroatëve në RS kurse në shumë qytete kësaj kategorie të popullatës u ka ndarë pjesë të caktuara për ndërtim", thotë Miçiç.
Qeveria e RS gjatë vitit të kaluar për kthimin e boshnjakëve dhe kroatëve në Republikën Serbe 4,5 milionë Marka Konvertibile. Në buxhetin e këtij viti qeveria planifikon të ndajë për këtë problem 21,2 milionë MK. Prej tyre gjysma e mjeteve do të shfrytëzoheshin për kthimin e refugjatëve, kurse pjesa tjetër për të siguruar vendosjen alternative. Gjysma e paraparë për të kthyerit do të ndahej në atë mënyrë me ç'rast boshnjakëve dhe kroatëve të kthyer do tu takonin gjashtë milion, kurse serbëve të kthyer në Federatën BeH katër milionë. Me këtë projektim buxhetor nuk ishin të kënaqur përfaqësuesit boshnjak dhe kroat më Kuvendin Popullor të RS-së, për çka vunë veto në miratimin e buxhetit, duke pohuar se kjo shumë e vogël e ndarë për kthim cenon interesat vitale të boshnjakëve dhe kroatëve.
Për obstruksione përsa i përket kthimit autoritetet në RS akuzuan peshkopin e Banjalukës Franjo Komariçin. Akuzat e tyre ata i mbështesin në të dhënat se para luftës në rajonin e dioqezën e Banjallukës jetonin rreth 70.000 kroatë , kurse deri tani janë kthyer vetëm 3.500. Sipas të dhënave të Karitas-it banjallukas, në rajonin e Dioqezës së Banjallukës, që përfshin Banjallukën, Gradishkën, Dragalovcin, Kotor Varoshin, Laktashin, Prijedorin, Prnjavorin, Stara Rijekën dhe Mrkonjiç Gradin janë kthyer rreth 1.700 veta. Në Karitas vlerësojnë se ky proces zhvillohet shumë ngathtë, duke e mbështetur në të dhënat se nga 1997 deri më sot vetëm 427 persona janë kthyer në pronën e vet, kurse vendime për kthim, që ende nuk është realizuar, kanë marrë rreth 2.000 njerëz nga gjithsejt 6.000 kërkesa të parashtruara. Drejtori i Karitasit të Banjallukës Miljenka Aniçiç thotë se ka njerëz që kanë ardhur për të pesëdhjetën herë me rradhë me kërkesën që tu kthehen prona dhe të cilët nuk kanë të holla të paguajnë biletat e autobusit, kurse shumica e tyre në pritje t'u kthehet prona jetojnë tek miqtë dhe farefisi i tyre.
Dhe derisa politikanët merren me statistika, të kthyerit mezi ia dalin mbanë me problemet e shumta. Në Karitas thonë se gjithnjë e më shpesh arrijnë letra ku të kthyerit pohojnë se nuk kanë as për të ngrënë. "Nuk ka vend në botë ku dhjetë vjet të ndahen ndihma për të mbijetuar", thotë Aniçiç. Në Merhametin banjallukas gjithashtu pohojnë se të kthyerit jetojnë nga ndihmat humanitare, se ballafaqohen me papunësinë dhe statusin e parregulluar shëndetësor. Merhamet paralajmëron se në bashkëpunim me Bashkësinë Fetare Islame do të hapen edhe kuzhina publike për të kthyerit boshnjak në RS. Situata nuk është më e mirë as për popullatën vendase, sepse në fillim të dhjetorit kuzhina popullore u hap për 400 personat pleq dhe të varfërit.
Përfaqësuesi i Lartë për BeH Volfgang Petriç gjatë fjalimit të Vitin e Ri drejtuar qytetarëve të BeH u premtoi të kthyerve se do të kenë përkrahjen e tij të fuqishme dhe shprehu shpresë se ndryshimet më të reja në ligjin për pronën do të sjellin përparim në këtë sferë dhe do të lehtësojnë dhe shpejtojnë kthimin e pronës me shmangie të pengesave burokratike që qendrojnë në këtë rrugë, thotë Petriç.
Edhe ministri Zubak pret që këtë vit të zgjidhen shumica e kërkesave për pronën. "Është vështirë të prognozohet se kur do të kthehen gjithë njerëzit në shtëpitë e tyre sepse ekzistojnë numër i madh i objekteve të dëmtuara banesore", thotë Zubak. Megjithatë, besohet se vizioni optimist do të ishte që gjithë të kthyerit të ktheheshin në shtëpitë e tyre deri në fund të vitit 2003, por do të ishte më reale të ktheheshin deri në fund të vitit 2004.
Rrëfimet për kthim sipas shifrave statistikore e ngatërrojnë thelbin e problemit, kurse kjo për faktin se vetëm 'kulmi mbi kokë' nuk e ndihmon kthimin. Fshatrat në kusht të një shoqërie të varfër nuk kanë perspektivë zhvillimore dhe nuk janë atraktive për kthim. Përvoja e deritanishme tregon se një pjesë e madhe e refugjatëve kthehen që juridikisht të jenë pronarë të pronës, presin ndarjen e banesës dhe rastin për ta shitur, kurse pastaj kërkojnë vend të ri për qëndrim të përhershëm. Në popullatën e kthyer nuk ka të rinj, nuk ka pjesë të aftë për punë dhe nuk ka fëmijë. Fatkeqësisht, edhe mëtej nuk ka ulumtime serioze për perspektivat dhe qëllimet e njëmendëta të atyre që kthehen.
Edhe gjashtë vjet pas luftës mund të thuhet se kthimi bëhet ngadalë. Të gjithë dalin te konkluzioni se ngathtësinë e krijojnë edhe ministritë e entiteteve, edhe politikanët, dhe shfrytëzuesit e dyfishtë të banesave. Megjithatë, nuk ka hulumtime gjithëpërfshirëse se sa situata ekonomike në BeH destimulon kthimin e vërtetë. Duket se kthim nuk do të ketë për sa kohë që kthimi do të jetë udhë drejt të panjohurës. Të drejtat e barabarta për punësim, mbrojtja shëndetësore dhe sociale, e drejta për pension, si dhe kushte të njëjta për shkollim, janë vetëm një pjesë e kushteve për kthim të përhershëm. Kushti paraprak është edhe rimëkëmbja ekonomike dhe një shoqëri e qëndrueshme ekonomike.
BRANKA STEVANDIQ