Euro ne Tirane: "Welcome" me shpresa dhe dyshime
AIM Tirana, 10.01.2001
Ndjenja të trazuara, skepticizëm, shpresë dhe frikë përzier bashkë, është kjo psikologjia që ka shoqëruar hyrjen e Euros në Shqipëri. Një javë pas mëngjesit të 3 janarit, kur monedha e re dhe elegante europiane u shfaq për herë të parë në sportelet e bankave, shqiptarët, vazhdojnë t'i afrohen asaj me shumë kujdes, ashtu sikundër sillemi me një kafshë të panjohur. Ndërkaq pasigurisë së natyrshme që ngjall e panjohura, i bashkangjitet jehona e falsikimeve të mundëshme apo alarmi se në këto momente, Shqipëria mund të shendërrohet në një lavatriçe gjigande për pastrimin e parave.
Ndonëse të 13 bankat të nivelit të dytë pohojnë për një rritje nga dita në ditë të fluksit të njerëzve që i drejtohen sporteleve për të këmbyer valutat e vjetra europiane me Euron, shumica e shqiptarëve vazhdon ta shikojë ende monedhën e re si një punë që i përket evropianëve. Por jo të gjithë. Interes më të madh kanë treguar në ditët e para agjencitë e këmbimit të valutës, të cilat kanë nisur të kembejne markat gjermane, liretat italiane apo dhrahmitë greke me Euro. Po kështu kanë vepruar me nxitim edhe kambistët. Këta të fundit, janë disa qindra individë që ndonëse të palicensuar, vazhdojnë prej vitesh të kryejnë në mes të ditës, në qendër të kryeqytetit dhe qyteteve të tjera kryesore të vendit, një vëllim të konsiderueshëm të transaksioneve valutore të ekonomisë.
Në ditët e para të qarkullimt monedha e re europiane u ble nga bankat me 116.33 lekë , dhe u shit me 122 lekë. Por ka një besim të fortë se ende e përgjumur nga festat e fundvitit, kërkesa tregtare për Euro nuk është shpalosur akoma. Në sportelet e bankave, por edhe në tregun valutor të rrugës, shprehen me siguri se shumë shpejt një valë e re kërkese për Euro do të vijë nga tregtarët. Një pritshmëri që duket se justifikohet nga vetë realiteti ekonomik i vendit.
Shqipëria, ende nje nga vendet me te varfra te kontinentit , pas daljes nga izolimi i hekurt komunist, ka vazhduar të rrisë integrimin e saj disi pasiv me ekonomitë e botës. Në fakt është ekonomia europiane që po depërton me mallrat e saj në Shqipëri, sepse mallrat e kësaj të fundit, shumë rrallë arrijnë në tregjet e Europës. Nga viti në vit vëllimi i importeve është shtuar me ritme shumë më të shpejta në krahasim me eksportet për të kapur në fund të vitit 2001 një defiçit tregtar që i afrohet vlerës së 1 miliard dollarëve amerikanë. Eshtë një aktivitet që ndonëse rezulton me shifra të kuqe në bilancin e pagesave të shtetit, mbetet jetik për qytetarët, ashtu si dhe për tregtarët që e zhvillojnë atë.
Pikërisht këta tregëtarë janë ata që shpresojnë të përfitojnë disa lehtësira nga hedhja në qarkullim e parasë së re. Pas domosdoshmërisë së konvertimeve fillestare të kapitaleve në Euro, nuk do të jenë më të detyruar të këmbejnë monedhë, duke fituar jo vetëm kohë, por dhe duke shmangur shumë komisione të kushtueshme. Sipas ekspertëve të sistemit bankar, gjysma e dytë e muajit janar do të dëshmojë një rritje të konsiderueshme të kërkesës për Euro nga ana e tregtarëve. Ende të pavendosur për t'u bashkuar me Euron mbeten ata që mbajnë në portofolet e tyre dollarë amerikanë. Të joshur dhe në mëdyshje disi nga starti spektakolar i Euros, ishte përsëri rigjallërimi i dollarit që i ka bërë t'i mbeten besnikë monedhës së gjelbër. Dominimi i ekonomisë shqiptare mbetet kështu një dyluftim i hapur mes Euros dhe dollarit amrikan. Sipas një thënie të vjetër shqiptare besohet se bashkimi bën fuqinë por, në këtë rast, është e ardhmja që do të tregojë nëse bashkimi i realizuar me Euron, do ta fuqizojë ndikimin e monetar të Europës apo do ta dollarizojë akoma më shumë ekonominë shqiptare. Gjithçka do të varet jo vetëm nga situata e gërshetuar ekonomike në Europë dhe Amerikë, por edhe nga raportet e çuditëshme apo paradokset e këmbimit që pjell ekonomia e deformuar dhe tregu informal shqiptar i valutës. Analistët e ekonomisë e kanë patur të vështirë të shpjegojnë sepse këto kohët e fundit se përse ndërsa ka fituar pikë ndaj Euros, dollari amerikan është shfuqizuar kundrejt monedhës vendase, lekut shqiptar.
Ndërkaq një kërkesë e madhe për Euro pritet të vijë nga familjet e mbi 400 mijë emigrantëve të punësuar në Greqi, Itali, Gjermani apo Zvicër. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, dërgesat e emigrantëve pranë familjeve kapën në fund të vitit 2000 shumën e mbi 438 milion dollarëve, ndërsa vetëm për 6 mujorin e parë të vitit 2001 këto dërgesa kapën shumën e 200 milion USD. Të depozituara në banka ose të ruajtura nën sofa, pritet që këto masa valute – që në pjesën dërrmuese janë marka gjermane, lireta italiane dhe dhrahmi greke - të konvertohen shumë shpejt në Euro. Ndërkaq të gjitha bankat e nivelit të dytë, vendase dhe me kapital të përbashkët apo të huaj, kanë deklaruar publikisht se janë të përgatitura të përballojnë këtë kërkesë në rritje. Gjithashtu bankat kanë deklaruar se do të jenë shumë të kujdesëshme për të mos lejuar konvertimin në Euro të monedhave të vjetra europiane të falsifikuara, të cilat, besohet se janë prezente edhe në kanalet shqiptare të qarkullimit jashtë bankar.
Por ai që mund të ofrojë surpriza të pakëndëshme, është tregu i palicensuar, që vendasit e quajnë tregu i lirë i valutës. Në fakt ai është i lirë në dy kuptime. I lirë nga rregullat, por edhe më kurse më të lira shitjeje dhe blerjeje të parasë krahasuar me agjencitë e licensuara të këmbimit apo bankat. Duket se është kjo lirësi dhe shkalla e lartë e likuiditetit që për mëse 10 vjet, e ka bërë këtë treg mjaft të preferuar për shumë tregëtarë dhe individë. Sipas një vëzhgimi të Bankës së Shqipërisë, vëllimi vjetori i transaksioneve të valutës në “tregun e lirë” kap vlerën e 2.4 miliard dollarëve. Dhe janë pikërisht përmasat e këtij tregu jashtëbankar dhe të parregulluar, që ngjallin frikë se ai do të shërbejë si një lavatriçe për këmbimin me Euro të milionave të pista deri sot në monedha të vjetra europiane që posedojnë trafikantët vendas. Por jo vetëm kaq. Shumë biznese ilegale në vendet fqinje me Shqipërinë (si Greqia apo Italia), në pamundësi “përkthimi” në Euro në sportelet e bankave të tyre të kartëmonedhave europiane që po u afron ora e vdekjes, dyshohet se do të kërkonin shpëtim për të përkthyer milionat e vjetra në një treg të parregulluar ku askush s'të kërkon llogari për origjinën e tyre. Dhe “tregu i lirë” me zemër në qendër të kryeqytetit Tirana dhe degë në shumë qytete të tjera të vendit, duket sikur i ofron të gjitha këto mundësi. Këto dyshime të pasqyruara edhe në median vendase, mbështeten edhe nga të tjera gjurmë. Eshtë fakt se Shqipëria, për shkak të dobësive të strukturave të saj kontrolluese, ka nisur të frekuentohet gjithnjë e më shumë nga trafikantët e parave të pista. Në çdo tavolinë kafeneje mund të dëgjosh rëndom për linja transporti të parave të pista që zbresin nga lartësitë e Zvicrës, ndërkohë që vetëm pak muaj më parë, policia shqiptare kreu në Tiranë disa arrestime personash të akuzuar për organizimin e një rrjeti që kish për qëllim pastrimin e parave.
ANDREA STEFANI