Hans Haekkerup ka dhënë dorëheqje!
Prishtinë, 29.12.2001.
I dërguari special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën, ish-ministri danez i mbrojtjes, Hans Haekkerup, megjithatë po largohet nga posti i shefit të Misionit Civil, me çka u vërtetuan hamendjet dhe spekulimet e mediave kosovare gjatë javës së fundit. Ai, pas festave të Krishtlindjes, u kthye para dy ditësh në Prishtinë dhe pas dyersh të mbyllura u takua me liderët e shqiptarëve të Kosovës, të nesërmen edhe me përfaqësuesit politikë të serbëve. Më pastaj, ai në një intervistë speciale për Radiotelevizionin e Kosovës i shpalli publikisht edhe arsyet për dorëheqjen e tij. "Po tërhiqem nga Kosova dhe Misioni Civil për arsye personale. Këtë askush nuk e ka kërkuar nga unë. Kjo është zgjedhje ime personale për të cilën jemi pajtuar edhe me Koffi Annanin", ka deklaruar Haekkerup, duke i hedhur poshtë presupozimet dhe hamendësimet e gazetarëve që dorëheqja e tij ka të bëjë me çfarëdo presionesh të zyrtarëve perëndimorë. Ai iu drejtua po ashtu edhe qytetarëve dhe liderëve politikë të Kosovës, duke nënvizuar se është e rëndësishme që t'ua kthejnë shpinën njerëzve të këqij, të ndërpriten aktivitetet kriminale, t'i jepen policisë sa më tepër informacione dhe që këta të fundit të merren me ato raste. Haekkerup e përsëriti po ashtu opinionin e tij që në Kosovë duhet të ndërtohet një demokraci stabile, ku të gjitha komunitetet do të jetojnë së bashku dhe do të ndërmarrin hapa të përbashkët...
Haekkerupi u largua nga Kosova më 13 dhjetor, vetëm një ditë pas konstituimit të Parlamentit të Kosovës me punën e të cilit ai kishte udhëhequr gjer në zgjedhjen e kryetarit të tij, me arsyetimin e festat e fundvitit dëshironte t'i kalonte në gjirin familjar. Ai kishte thënë se për arsye familjare do të kthehej në Kosovë tek në muajin shkurt. Zyrtarët e UNMIK-ut, në dyshimet e gazetarëve se ai, megjithatë, nuk do të kthehej më në Kosovë, e refuzonin me vendosmëri një mundësi të tillë, për të paralajmëruar para ca ditësh se ai megjithatë do të kthehej për t'i "përfunduar disa çështje me rëndësi". Por, fakti që ai ofroi dorëheqjen nuk përfaqësonte ndonjë befasi për opinionin e këtushëm politik dhe më gjerë. Më interesant është fakti që Kosova do të mbetet për një kohë pa një administrator ndërkombëtar, që ende nuk është emëruar shefi i ri i Misionit të OSBE-së, po edhe pse të gjitha këto po ndodhin në kohën kur është evidente një krizë palamentare, sepse ende nuk janë zgjedhur as presidenti i Kosovës dhe as që është konstitutuar Qeveria. Për këtë arsye në disa qarqe dorëheqja e Hans Haekkerupit nuk konsiderohet si një zgjidhje më e mirë në këtë moment, me arsyetimin se kështu shtyhet për më vonë institucionalizimi dhe përgjithësisht procesi i transicionit në Kosovë. Ata vënë re se shefi i gjetanishëm i Misionit Civil të OKB-së nuk ka mundur ta kuptojë "mënyrën ballkanike të vendimmarrjes", meqenëse vinte nga një vend demokratik.
Hans Haekkerup është emëruar si i derguar special i OKB-së për Kosovën në janar të këtij viti dhe, siç ka theksuar ai vetë, asohere kishte para vetes katër prioritete: vendosjen e autonomisë substanciale, mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme, fillimin e dialogut me udhëheqësinë jugosllave dhe forcimin e sundimit të ligjit dhe rimëkëmbjen e ekonomisë. Por, Haekkerupi gjithsesi do të mbahet mend si një administrator që kishte suksese dhe rënie, nga pikëshikimi i politikanëve lokalë, por edhe të pjesës më të madhe të opinionit shqiptar. Nga njëra anë, ai gjatë kësaj periudhe njëmbëdhjetë muajshe arriti ta aprovonte Kornizën Kushtetuese të Kosovës, të nënshkruajë disa dokumente me zyrtarët e Beogradit dhe ashtu t'i përfshinte serbët e Kosovës në procesin e regjistrimit dhe të siguronte pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e përgjithshme, respektivisht t'i përfshijë ata në institucionet kosovare. Nga ana tjetër, mori kritika nga liderët politikë shqiptarë (dhe gati i gjithë shtypi), të cilët theksonin që marrëveshjet e nënshkruara midis Haekkerupit dhe pushtetit në Beograd ata nuk i obligonin dhe nuk do të merrnin pjesë në punën e grupeve të përbashkëta. Goditjen më të madhe e mori në sesionin e parë të Parlamentit të Kosovës, kur nga filtorja e tij ai u akuzua nga Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, për shkelje të të drejtave të njeriut të deputetëve duke ua ndërprerë mikrofonin, respektivisht duke mos lejuar që deputetët t'i parashtronin qëndrimet, sugjerimet dhe kritikat e tyre. Edhe kryetari i sapozgjedhur e Parlamentit, Nexhat Daci, në një takim me gazetarë para disa ditësh deklaroi se Haekkerup nuk është shef i tij, por populli i Kosovës, dhe se për lartësinë e pagës së tij do të vendosë vetë Kuvendi e jo UNMIK-u, duke refuzuar kështu rrogën prej 1000 markash gjermane. Ai po ashtu e ka kritikuar Haekkerupin për vendimin që mbi 40 për qind të buxhetit të Kosovës të mbetej në kompetencat e administratës ndërkombëtare... Marrëdhëniet midis përfaqësuesve politikë shqiptarë dhe shefit të Misionit Civil, Haekkerup, në kohën më të fundit ndoshta më së miri i pasqyron pamundësia për mbajtjen e mbledhjeve të Këshillit të Përkohshëm Administrativ të Kosovës në përbërje të plotë, i cili ishte i konceptuar si një trup këshillëdhënës deri te konstituimi i të gjitha institucioneve të pushtetit. Kolë Berisha, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës të Ibrahim Rugovës, konsideron se largimi i nxituar i shefit të Misionit Civili dhe largimi i shefit të Misionit të OSBE-së, Daan Evertsit, nxit dyshime te kosovarët, duke shpjeguar se kjo "lë hapësirë për të kuptuar se fjala është për gjëra të dyshimta dhe që ka diçka enigmatike në gjithë këtë". Fatmir Limaj, i ngarkuar me marrëdhëniet me opinionin publik në Partinë Demokratike të Hashim Thaçit, dhe Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thonë që dorëheqja e Haekkerupit ishte një gjë e pritur: "Ky është një akt moral dhe i pritur", ka thënë Haradinaj, duke shtuar se ka patur vështirësi të caktuara, posaçërisht për shkak të mungesës së bashkëpunimit midis shefit të Misionit Civil dhe liderëve shqiptarë. "Kjo dorëheqje nuk do ta pengojë bashkëpunimin e mëtejshëm dhe të suksesshëm me faktorin ndërkombëtar, por në rrethana të reja dhe me një 'faktorizim më të madh të faktorit kosovar'", ka theksuar Ramush Haradinaj. Rada Trajkoviq, shefe e klubit të deputetëve të Koalicionit "Kthimi", shpreh keqardhjen për tërheqjen e administratorit civil: "Më vjen keq që ai po largohet, përkundër faktit që të gjithë ne kemi një varg vërejtjesh, ai i ka realizuar përafërsisht të gjitha ato që i kishte premtuar. Haekkerup ishte një njeri me integritet, i cili nuk lejonte që emocionet e serbëve apo të shqiptarëve të ndikojnë te vendimet e tij racionale", konsideron Trajkoviq...
Megjithatë, çështja që mbetet në këtë çast pa një përgjigje është - kush do të emërohet në vend të "danezit të ftohtë dhe autist" (siç e përshkruajnë disa nga bashkëbiseduesit e tij, por edhe pjesa më e madhe e shtypit të këtushëm) - Haekkerupit? Lista e kandidatëve potencialë është e gjatë, ndërsa midis tyre përmenden edhe emrat e ish-komandantit të KFOR-it, Klaus Rajnhardtit, pastaj Ema Boninos, Sergjo De Melos, Volfgang Petriçit... Analistët konsiderojnë se gjasat më të mëdha i kanë kandidatët që vijnë nga Gjermania ose Italia, duke e shpjeguar një presupozim të këtillë edhe në këtë mënyrë: Britania e Madhe tashmë është e angazhuar me Pedi Eshdaunin në Bosnjë, nga Franaca mandatin e administratorit civil e ka përfunduar Bernar Kushneri, ndërsa edhe komandanti aktual i KFOR-it, Marsel Valentë, është nga ky vend. Ka edhe zëra që theksojnë faktin se Gjermania dhe Italia kanë investime të posaçme dhe një rol të veçantë në kuadër të Bashkimit Evropian, po nëse kjo vëzhgohet nga këndi i marrëdhënieve diplomatike, atëherë gjithsesi që këto dy vende kanë edhe kontakte të mira me Beogradin zyrtar, të domosdoshëm për bashkësinë ndërkombëtare për realizimin e Misionit të saj në Kosovë. Liderët shqiptarë më me dëshirë do ta shihnin dhe më shumë besim do të kishin nëse në vendin e njeriut të parë të administratës civile do të emërohej një personalitet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ose të paktën një personalitet që i njeh mirë rrethanat kosovare dhe ato në regjion. Ajo që dihet tashmë, është fakti se detyrën e administratorit të Kosovës, deri në emërimin e një administratori të ri, do ta ushtrojë zëvendësi i gjertanishëm i Hans Haekkerupit, amerikani Charles Brayshaw.
AIM Prishtinë, Violeta OROSHI