Gazetarët dhe mbrojtja e tyre

Pristina Jan 3, 2002

Prishtinë, 30.12.2001.

"Kosova është fushë e minuar për gazetarët", citohet të ketë thënë një gazetar kosovar që nuk ka dhënë emrin e tij, mbase për të shmangur shkeljen në "mina". Sido që ta marrësh, duket se ai ka pasur të drejtë. Kosova edhe ashtu doli nga lufta vërtetë e minuar dhe rreth 100 veta kanë humbur jetën nga "befasitë" që lanë pas vetes ushtria e policia serbe para se të largoheshin në qershor të vitit 1999. Duket se gazetarët kosovarë, që po ktheheshin nga "refugjatllëku", po bëheshin gati që të shkelnin në tokën e Kosovës "si mbi vezë", për shkak të minave të shumta, dhe shumë syresh tashmë në mendje kishin ravijëzuar "skicat" e shkrimeve të tyre për këtë pasojë të luftës. Por, "rënia në tokë" dëshmoi se minat edhe mund të detektoheshin nga forcat paqeruajtëse dhe organizatat e specializuara dhe shiritat e kuq me mbishkrimet "rrezik" vertët mund të të ngushtonin hapësirën e lëvizjes, por fajtori për këtë kufizim dihej. Rreziqe të tjera, shpesh "të padukshme", u shfaqën në skenë. Një anketim i zhvilluar nga departamenti për çështje mediale i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dëshmoi se 39 për qind e gazetarëve kanë qenë të kërcënuar në mënyra të ndryshme gjatë punës së tyre hulumtuese. 75 gazetarë nga mediat e shkruara dhe elektronike plotësuan një pyetësor tre faqesh të OSBE-së, duke dhënë hollësi rreth përvojave të tyre, por edhe propozimet për veprimet që duhet të ndërmirren. Nga numri i përgjithshëm i të anketuarëve, 22 nga të cilët ishin nga Prishtina, ndërsa 53 nga rajonet tjera të Kosovës, 23 ishin të përkatësisë kombëtare serbe, ndërsa 55 të asaj shqiptare. Sondazhi dëshmon se 35 për qind e të anketuarve serbë dhe 40 për qind e atyre shqiptarë thonë se kanë qenë të kërcënuar gjatë hulumtimit të rrëfimeve të 'ndieshme'. Karakteristike është se gazetarët që veprojnë në kryeqytet ndjehen më të kërcënuar (68 për qind) se ata në qendrat tjera (26 për qind). Në tërë Kosovën, 19 për qind e gazetarëve pohojnë se "janë përballur me kërcënim të caktuar ndaj sigurisë së tyre", 9 për qind thonë se "janë kërcënuar nga autoritetet lokale", 9 për qind "kanë pasur pengesa", ndërsa 7 për qind kanë qenë "pre e sulmeve të drejtpërdrejta fizike". Duket se të gjitha shtresat janë të përfshira në këtë "lojë të ndyrë" kundër gazetarëve. 46 për qind e të kërcënuarve pohojnë se kjo u ka ndodhur nga figurat publike, politikanë apo përfaqësues të tyre, 33 për qind janë kërcënuar nga burime anonime, ndërsa në 12 për qind të rasteve kërcënimi ka ardhur nga "grupe të caktuara të krimit të organizuar". Kërcënimet dhe denoncimi i tyre janë në diskrepancë të madhe. 53 për qind pohojnë se "kanë njoftuar redaktorët e tyre", 22 për qind nuk kanë ndërmarrë asgjë, ndërsa vetëm 14 për qind kanë pasur "guximin" apo "besimin" që t'i drejtohen për ndihmë policisë. 11 për qind janë mjaftuar që këtë t'ia paraqesin "një përfaqësuesi të bashkësisë ndërkombëtare". Por, "denoncimet" e tilla ishin të pafrytshme, pohojnë 61 për qind e gazetarëve.

Shifrat e tilla tingëllojnë shumë shqetësuese dhe 78 për qind e gazetarëve thonë se "nuk mund të ndërmarrin projekte të hulumtimit të rrëfimeve, pa frikë nga kërcënimet dhe masat ndëshkuese". Ndonëse asnjë nga gazetarët duket se nuk ka pasur guximin të "zbulojë" burimin e frikës, fushat që paraqesin interesimin më të madh për t'u hulumtuar janë: "korrupsioni, jeta politike, krimi ekonomik, trafikimi i drogës dhe i njerëzve dhe, në përgjithësi, krimi i organizuar". Këto janë "vrimat e zeza" prej nga vijnë edhe kërcënimet në rast të përpjekjeve për të "futur duart" atje. Nga kjo, shkrimet për këto çështje janë ende të pakta, ndërsa edhe ndonjë orvatje e bërë ishte shumë e cektë dhe sipërfaqësore. "Gazetarët s'ka kush t'i mbrojë", ata punën e tyre duhet ta bëjnë duke u mbështetur në "fatin" e mirë, por shumë pak duke u mbështetur në "ligjet" që për ta nuk ekzistojnë. Për këtë arsye, kërkesa më e shpeshtë e tyre është miratimi i ligjit që nuk do të ishte vetëm në letër, por do të shndërrohej në ligj efikas dhe të zbatueshëm. Po ashtu, ata kërkojnë liri të lëvizjes dhe posaçërisht një forcë policore më efikase dhe të paguar mirë. Të gjitha këto duken ende shumë të largëta, ndërsa për disa tashmë të vonuara. Shefki Popova, gaeztar i të përditshmes "Rilindja" dhe Bekim Kastrati, i të përditshmes "Bota Sot", e kanë paguar me kokën e tyre "pasigurinë". Të dy janë vrarë në incidente të pasqaruara dhe nga autorë që edhe sot e kësaj dite mbeten të panjohur. Autoritetet gjithmonë janë përgjigjur se "hetimet vazhdojnë", ndërsa gazetarët janë përballur me mesazhin e qartë: "fjalët e tyre duhet të jenë të shkurtra, nëse i duan kokat mbi supet e tyre". Policia ndërkombëtare thotë se "gazetarët, si edhe të gjithë qytetarët e tjerë, duhet të punojnë së bashku me forcat e rendit për të denoncuar krimet dhe kriminelët". Por, përvoja e gazetarëve që kanë pasur guximin të "raportojnë" në polici për problemet e tyre tregon se "raportimi" nuk ka ndihmuar fare, përkundrazi.

Por, edhe ky rrëfim i ka dy anët e medales. As gazetarët nuk janë "engjëj". Mbi 80 media që veprojnë aktualisht në Kosovë mbledhin rreth vetes kuadro që jo të gjithë mund të plotëzojnë kriteret themelore për ta kryer këtë punë. Ndërsa midis tyre ekzistojnë edhe media që mbajnë këtë apo atë anë, duke u bërë kësisoji zëdhënës të grupeve politike dhe të interesit dhe, rrjedhimisht, jo rrallë edhe nxitës të urrejtjes e madje edhe dhunës. Për fat të mirë, numri i këtyre mediave është i vogël, ndërsa identifikimi i tyre ka ndodhur gjatë procesit të zgjedhjeve të nëntorit. Në "luftën" e tyre krahas grupeve të caktuara, gazetarët e mediave të tilla kanë provuar të nxjerrin "përfitime", duke ngatërruar qëllimisht edhe problemet. Mospëlqimi i mënyrës së raportimit të tyre jo rrallë është paraqitur në dritën e "kërcënimeve", ndërsa "kërcënuesit" u janë nënshtruar sharjeve, denoncimeve të së kaluarës së tyre, pa respektuar madje as kriteret themelore të kodeksit gazetaresk.

Nga ana tjetër, organizimet e vet gazetarëve janë shumë të plogështa. Shifrat frikësuese të gazetarëve të kërcënuar u publikuan në një konferencë të organizuar nga komisioneri për media, një institucion ky i krijuar nga OSBE-ja që ka për qëllim "kontrollimin e mediave", ndërsa të "kontrolluarit" për herë të parë patën mundësinë të "qahen" për problemet e tyre. Konferenca të paktën regjistroi problemet, i bëri ato publike dhe shtroi diskutimet për zgjidhjen e situatës. E zgjidhja duhet të pritet.

Deri atëherë, Kosova duket se do të vazhdojë të jetë "fushë e minuar për gazetarët".

AIM Prishtinë, Besnik BALA