Planet për kthimin e serbëve të Kosovës

Pristina Dec 30, 2001

Prishtinë, 23.12.2001.

Në kohën kur Kosova po përballet me një krizë të rëndë parlamentare për shkak të polarizimeve politike ndërmjet vetë subjekteve shqiptare, një marëveshje e administratës së Kombeve të Bashkuara me përfaqësinë jugosllave në Kosovë për kthimin masiv të serbve të shpërngulur në disa rajone të Kosovës, vetëm sa e ka ashpërsuar edhe më tej klimën e ashpër politike në Kosovë. Kjo ka bërë që shqiptarët të mos merren aq shumë me krizën parlamentare, sa me problemin e kthimit masiv të serbëve, që këtu konsiderohet si rikolonizim i Kosovës.

Sidoqoftë, në dy vitet e ardhshme, në Kosovë do të ndërtohen disa vendbanime për të nxitur serbët e zhvendosur që të kthehen. Kështu janë marrë vesh përfaqësuesit e Qendrës Koordinuese Serbe për Kosovën dhe ata të Misionit të Kombeve të Bashkuara. Zëdhënësja e këtij Misioni, Susan Manuel, ka pohuar se qëllimi i këtij projekti është që vendbanimet të ndërtohen nëpër ato vende, të cilat premtojnë integrimin e serbëve në përditshmërinë kosovare. Zonja Manuel tha se fillimisht, autoritetet ndërkombëtare duhet të zbulojnë se në cilat rajone serbët do të jenë të mirëseardhur për fqinjët e tyre, duke shprehur bindjen se vende të këtilla tashmë ekzistojnë. "Nuk mund të them se cilat janë këto vende dhe këtu nuk do ta përfshija Prishtinën, por ka rajone ku njerëzit do të pranon kthimin e fqinjëve të tyre, ndonëse do të jetë e vështirë që këto lokalitete të përcaktohen saktësisht", tha zëdhënsja Manuel, duke shtuar se për komunitetin ndërkombëtar këtu kjo çështje do të ketë prioritet.

Në të vërtetë, marrëveshja më e re e administratës ndërkombëtare me zyrtarët e Beogradit është vazhdimësi e një projekti të përgatitur muaj më parë nga Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë, dy organizata këto që u kanë paraprirë përpjekjeve për përmirësimin e pozitës së pakicës serbe në Kosovë.

Projekti i përmendur parashihte që për kthimin e serbëve të sigurohej pasuri e patundshme - prona dhe shtëpi, dhe ky projekt do të realizohej, siç parashihej, duke u dhënë pasuri serbëve që duan të kthehen, pavarësisht nëse pasuritë e tyre të patundshme serbët ua kanë shitur shqiptarëve përmes avokatëve në Kosovë apo i kanë ende ato prona. Nga ana tjetër, ndërkohë që fillimisht qe vlerësuar se ende nuk kishte kushte për kthimin e serbëve nëpër shtëpitë e banesat e tyre edhe në vendbanime të përziera, projekti UNHCR-OSBE-UNMIK parashihte ndërtimin e disa vendbanimeve të reja për serbët që do të financoheshin nga fondet ndërkombëtare për ndihmë Kosovës. Këto vendbanime, sipas kërkesës së bashkëbiseduesve serbë të autoriteteve ndërkombëtaare, do të shtriheshin në një rrip të pashkëputshëm, që do të shkonte nga Mitrovica, në veri, e deri në Kamenicë, në lindje, duke bërë kështu një brez enklavash serbe që do ta ndanin përgjysmë Kosovën dhe duke i lënë shqiptarët nga të dyja anët.

Ndërkohë, sipas zyrtarëve të Misionit të Përkohshëm Civil të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, tani janë krijuar kushte edhe për kthimin e një pjese të serbëve në vendbanime të përziera, domethënë aty ku jetojnë shqiptarët me shumicë dhe kryesisht në qyteza të vogla në Kosovën qendrore, para së gjithash në Lipjan e Obiliq, e më pas edhe në Lindje, në Viti e Gjilan.

Masat parapërgatitore për këtë kryeadministratori i Kosovës, Hans Haekkerup, i ka marrë me kohë, kur ka nënshkruar një regullore që ua "ndalonte" shqiptarëve blerjen e pasurisë së serbëve në disa vendbanime të përziera, që UNMIK i kishte vlerësuar si shitblerje strategjike, pasi ndikonin për largimin masiv të serbëve nga Kosova. Kjo rregullore qe kundërshtuar nga përfaqësuesit shqiptarë të një trupi këshillëdhënës të përbashkët me UNMIK-un, ku përfaqësoheshin para zgjedhjeve përfaqësuesit e tri partive më të mëdha shqiptare dhe një përfaqësuese e minoritetit serb në Kosovë. Në këtë mënyrë, shqiptarët nuk mund të blenin pasuritë e patundshme të serbëve nëse për këtë nuk e jepte lejen administratori ndërkombëtar i komunës përkatëse, dhe mund të thuhet se kështu është ruajtur një pjesë e mirë e pronave të serbëve dhe kthimi i tyre mund të jetë më i lehtë.

Mirëpo, zyrtarët e Misionit të Kombeve të Bashkuara kanë thënë se fakti që një pjesë e mirë e serbëve tashmë kanë shitur pronat e tyre në Kosovë nuk do të jetë pengesë për kthimin e tyre. "Atyre do t'u jepen prona të reja në vendbanimet që janë caktuar me projektin për kthimin e 180 mijë serbëve", ka thënë një zyrtar i UNMIK-ut. Kështu, serbëve që kanë shitur pasuritë u është krijuar mundësia që të marrin prona të reja falas, ndërkohë që me paratë e pasurisë që e kanë shitur më heret në Kosovë, tashmë kanë jo vetëm pasuri të patundshme, por edhe biznese të vogla në Serbi.

Nga ana tjetër, publikimi i disa hollësive të këtij projekti pason pikërisht në kohën kur shqiptarët nuk kanë arritur t'i vizitojnë shtëpitë e tyre të djegura në pjesën veriore të Mitrovicës për shkak të rezistencës së serbëve të atjeshëm, një shumicë e madhe e të cilëve janë koncentruar pikërisht në enklavën më të madhe veriore të serbëve, në Mitrovicë, Leposaviq e Zubin Potok, një rajon gati krejtësisht i pastër etnik i banuar vetëm me serbë. "Ne po ashtu jemi duke bërë trysni që të kthejmë shqiptarët në veriun e Kosovës. Siç e keni parë edhe vetë, disa serbë kanë rezistuar ndaj vizitave të tyre në veri, por kjo nuk do të thotë se kanë qenë fqinjët, zakonisht kjo rezistencë vjen nga aktivistët dhe ekstremistët", ka thënë zëdhënësja e UNMIK-ut, Susan Manuel, duke mos mundur ndërkohë të pohojë nëse ekziston një plan i qartë edhe për kthimin e shqiptarëve në veriun e Kosovës të dominuar nga serbët.

Sidoqoftë, me projektin e ri parashihet që në Kosovë të kthehen jo vetëm personat e moshuar dhe bujqit, por edhe intelektualët e të rinjtë, meqë 20 për qind të vendeve të punës në strukturat e ardhshme vetëqeverisëse janë paraparë për joshqiptarët, ndërkohë që serbët sipas rregullit kanë marrë më shumë se gjysmën e vendeve të rezervuara për pjesëtarët e pakicave. Zëdhënësja e Misionit, Manuel, tha se nuk do ketë kurrfarë seleksionimi të atyre personave që duan të kthehen, pra nëse një qytetar serb e ka shitur pronën e vet në Kosovë, ai sërish mund të kthehet në vendbanimin që do të ndërtohet enkas për të, e madje do të ketë edhe vendin e punës.

Kohë më parë, ndërkaq, autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare, kanë publikuar rezultatet e hulumtimeve të tyre për kushtet në të cilat jetojnë kosovarët, duke vlerësuar se mbi 50 për qind e popullatës jeton në varfëri të madhe, kurse mbi 16 për qind në varfëri të skajshme. Prof. Dr. Rifat Blaku, Drejtor i Qendrës për Migracion dhe ligjërues në Fakultetin Juridik, thotë se këtij projekti i kanë paraprirë krijimi i Komitetit për Kthimin e Serbëve në Graçanicë, Projekt-Operacioni Trojan 1 e Trojan 2, projekti për kthimin e 180 mijë serbëve të zhvendosur dhe marrëveshja e nënshkruar në Beograd ndërmjet zyrtarëve të UNMIK-ut dhe Beogradit zyrtar. "Mundësitë e realizimit do ta përshkallëzojnë gjendjen aktuale ekonomike dhe sociale në Kosovë", ka pohuar zoti Blaku, për të shtuar se në Kosovë mungon një strategji e njësuar dhe e qartë e autoriteteve vendore për të krijuar një ambient të qëndrueshëm dhe demokratik dhe pikërisht për këtë arsye u mbetet hapësirë qarqeve të caktuara për të thënë se Kosova shumëkombëshe mund të realizohet vetëm me kthimin masiv të serbëve të zhvendosur.

Nga ana tjetër, as serbët nuk kanë mjaft besim se UNMIK-u do të përmbushë të gjitha premtimet, qoftë me marrëveshjen e fundit, qoftë me dokumentin e Beogradit apo me projektin për kthimin e 180 mijë serbëve dhe ndërtimin e vendbanimeve në brezin strategjik veri-lindje. Ata nuk e kanë të qartë nëse marrëveshja më e re e nxjerr "jashtë ligjit" projektin e ndërtimit të vendbanimeve të reja për serbët, pasi projekti më i ri parasheh kthimin e serbëve në vendbanime të përziera, në përpjekje që të mbulohen gabimet e shumta të UNMIK-ut që përmes ndarjeve dhe izolimit të serbëve nëpër enklava ka shkaktuar ndarjet dhe përçarjet më të thella ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. "Është mirë që më në fund jeta të normalizohet dhe të fillojë kthimi i serbëve", ka thënë Rada Trajkoviq, përfaqësuese e serbëve në strukturat e përbashkëta me UNMIK-un dhe deputete e koalicionit serb në parlamentin e Kosovës, me emrin simbolik "Kthimi", që nënkupton kthimin e serbëve në Kosovë dhe kthimin e Kosovës në Serbi.

Pavarësisht nga kritikat dhe vërejtjet, UNMIK-u asnjëherë nuk ka dashur të merret seriozisht me çështjen e kthimit selektiv të serbëve, që do të ishte në funskion të garantimit të një stabiliteti. Në të vërtetë, kthimi selektiv, do të nënkuptonte të sigurimin e të dhënave për të kaluarën e atyre që kthehen, pasi një pjesë e madhe e serbëve ishte e inkuadruar me ose pa vullnetin e tyre në forcat ushtarake dhe paramilitare të Millosheviqit, në kohën kur i kryen krimet më të rënda mbi shqiptarët e Kosovës. Identifikimi i keqbërësve dhe kriminelëve serbë dhe burgosja ose së paku moslejimi i kthimit të tyre në këtë fazë në Kosovë, do t'u krijonte kushte më të mira serbëve për t'u integruar në shoqërinë e Kosovës dhe do t'i ndihmonte edhe shqiptarët që si shumicë të bëjnë punën e tyre për të siguruar të drejtat e pakicës serbe në Kosovë, kanë thënë intelektualë dhe veprimtarë për të drejtat e njeriut, shqiptarë, serbë e boshnjakë në një tryezë të mbajtur në Prishtinë me temën "Shqiptarët dhe joshqiptarët".

AIM Prishtinë, Rrahman PAÇARIZI