Burgosja e "humanitarëve" në Kosovë

Pristina Dec 30, 2001

Prishtinë, 27.12.2001.

Ka apo nuk ka "celula" të terrorizmit ndërkombëtar në Kosovë? Kjo çështje shumë e diskutueshme pas sulmeve të 11 shtatorit në New York dhe Washington që sikur ra nga "toplista", u ringrit sërish pas një aksioni të forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja (KFOR) në Prishtinë dhe Gjakovë, qytet ky në Kosovën perëndimore rreth 80 kilometra larg kryeqytetit. Tre pjesëtarë të organizatës humanitare "Global Relief Foundation" u arrestuan nga forcat paqeruajtëse nën dyshimin se, siç thuhet, "kanë marrë pjesë në organizimin dhe planifikimin e sulmeve terroriste". Çdo gjë u zhvillua në fshehtësi të plotë, ndërsa zyrtarët e KFOR-it u treguan tepër "dorështrënguar" në dhënien e hollësive rreth këtyre arrestimeve. E tëra që u tha ishte se "të tre të arrestuarit ishin shtetas arabë dhe se atyre u janë gjetur materiale inkriminuese, në mesin e të cilave edhe posterë të kryeterroristit botëror, Osama Bin Laden". Identiteti i dy personave të arrestuar u bë i njohur nga punëtorët lokalë të kësaj organizate, të cilët pohuan se ata janë veprimtarë irakianë, ndërsa për të tretin u tha se është "arab". Dyshimi se ata mund të jenë të përfshirë në rrjetin terrorist ishte "bombë" për punëtorët vendorë, të cilët thanë se "nuk kanë vërejtur ndonjë gjë që do të fliste në favor të dyshimeve".

Por, vulën kësaj çështjeje duket se ia vuri sekretari i përgjithshëm i NATO-s, lordi George Robertson, i cili në mbledhjen e ministrave të vendeve anëtare të Aleancës Veriatlantike tha se "celula të rrjetit terrorist "Al Quaida" janë zbuluar edhe në Kosovë", duke ju referuar arrestimeve të bëra nga KFOR-i. Ai theksoi po ashtu se "trupat e NATO-s në bashkëpunim me organet civile do të jenë vigjilente edhe në të ardhmen". Përmendja e mundësisë që në Kosovë të ketë celula të tilla, pohojnë vëzhguesit, duhet kuptuar si vërejtje ndaj lëshimeve të Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK), i cili ka lejuar që "nëpërmjet organizatave humanitare islamike të infiltrohen edhe elementë të terrorizmit islamik".

UNMIK-u, ndërkaq, pohon se "nuk ka një shërbim zbulimi për të siguruar pengimin e infiltrimit të elementëve terroristë". Një zëdhënëse e këtij Misioni tha se "gjykuar nga informacionet e shërbimeve të zbulimit të vendeve të ndryshme që veprojnë në Kosovë, nuk ekziston ndonjë organizim i zgjeruar i elementëve terroristë". KFOR-I, ndërkaq, sërish vetëm konfirmoi se "në arrest po mbahen tre personat e ndaluar prej tyre dhe se kjo ishte pjesë e një operacioni shumë të gjerë të luftës kundër terrorizmit, meqë të njëjtën ditë aksione ndaj të njëjtës organizatë janë zhvilluar në Kosovë, Bosnjë dhe në vetë Shtetet e Bashkuara. Mirëpo, çdo zhvillim tjetër rreth aksionit vazhdon të mbetet larg syve të opinionit.

"Ekzistimin e terrorizmit ndërkombëtar në Kosovë" deri tash e kanë pohuar vetëm Beogradi dhe Shkupi zyrtar, secili sipas nevojave të ditës. Zëvendëskryeministri serb, Nebojsha Çoviq, madje pati deklaruar se "në Kosovë ekzistojnë me qindra Bin Ladenë të vegjël", deklarata këto që nga UNMIK-u u cilësuan si "të pasinqerta e të pakuptueshme dhe si të tilla edhe ekstreme".

Përfaqësuesit e shqiptarëve, ndërkaq, thanë se këto janë deklarata të rrezikshme që vetëm mund të nxisin shtimin e tensioneve ndëretnike dhe të destabilizojnë Kosovën. Ibrahim Rugova, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se "kjo është propagandë serbe, e cila vazhdon që një shekull, dhe tash në 10 vitet e fundit ata dëshirojnë përsëri t'i njollosin shqiptarët". Ai tha se nuk është e vërtetë se këtu ka pasur apo ka dikush lidhje me terroristët ndërkombëtarë të tipit të Bin Ladenit. Akuza të tilla ka pasur edhe në të kaluarën, posaçërisht gjatë luftës në Kosovë, kur qarqet politike serbe pohonin se "në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka pasur 'muxhahedinë'".

Analistë të huaj, por edhe vendorë, thanë se akuzat e tilla janë përpjekje për të shfrytëzuar situatën e re të krijuar pas sulmeve terroriste ne Shtetet e Bashkuara. Ata tërheqin vërejtjen se "akzua të tilla janë dëgjuar në Serbi edhe në vitin 1999, veçse atëherë nga goja e ish-presidentit jugosllav, tash të akuzuar për krime lufte, Sllobodan Millosheviq. Deklaratat akuzuese të Çoviqit nuk janë tjetër "veçse përpjekje e qarqeve të caktuara për të shfrytëzuar tragjedinë amerikane për agjendat e tyre", pohojnë analistët. Ish-ndihmës sekretari i shtetit, James Rubin, tha në një intervistë për një gazetë prishtinase se "shqiptarët janë në anën e Perëndimit - ata që i lidhin me Bin Ladenin nuk janë miq të Amerikës".

Sidoqoftë, arrestimi i tre "arabëve" në Kosovë nuk nënkupton përfshirjen e shqiptarëve në rrjetin terrorist. Këtë e pohuan edhe zyrtarët e lartë të NATO-s, të cilët pohuan se "në Kosovë nuk ekziston ndonjë qëndrim armiqësor ndaj kësaj Aleance, ndërsa ekzistimi eventual i njerëzve që mund të jenë të lidhur me rrjetet e terroristëve ndërkombëtarë islamikë nuk kanë të bëjnë kurrsesi me qëndrimin e shumicës së qytetarëve të Kosovës, të cilët janë shprehur qartë kundër terrorizmit. Duket se Aleanca ende i ka të freskëta pamjet e periudhës pas 11 shtatorit, kur kosovarët demonstruan hapur "qëndrimin pro SHBA-ve dhe kundër sulmeve terroriste". Kjo periudhë madje ka shënuar edhe një shtim të mosdurimit ndaj personave që vijnë nga vendet e lindjes. Gurët kishin thyer xhamat e dritareve të organizatave humanitare islamike, ndërsa përbuzja (kryesisht e të rinjëve) ndaj personave që bartin rroba apo mjekrra të ngjashme me ato të qytetarëve të disa vendeve arabe filloi të shprehet hapur. Shqiptarët që nuk vuajnë shumë nga "devotshmëria" fetare (megjithë faktin se shumica i përket konfesionit islam), nuk mund të mbrojnë (as të duan) asgjë që mund të bjerë ndesh me "shpëtimtarët e tyre" - NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Megjithatë, shqetësimet e tyre për mundësinë e depërtimit të "elementëve radikalë islamë" nuk janë të periudhës së pas 11 shtatorit. Ajo që është qujatur "porozitet" i kufijve të Kosovës ka krijuar gjithmonë hapësirë jo pak të volitshme për veprimin e grupeve të ndryshme, posaçërisht nën petkun e "ndihmave humanitare". Shetitjet nëpër rrugët e Kosovës të vajzave të reja të mbështjella me perçet islamike dhe me vetura luksoze s'ishin veçse shenja të një përpjekjeje të organizuar për "krijimin e një rrethi të gjerë të tifozëve të organizatave islamike që predikonin 'sheriatin'" (ligjin e shenjtë islam). Ndërsa burrat me pantallona të shkurtra deri pak nën gju dhe me mjekrrat e gjata, ishin pjesa tjetër e "shqetësimit" që tashmë ka nxitur edhe format e organizuara të kundërvënies nga grupe të rinjësh që nuk duan në asnjë mënyrë të lejojnë çfarëdo identifikimi të tyre me "Lindjen".

Por, vëzhguesit pohojnë se dukuritë e tilla të stimuluara nëpërmjet shumave të mëdha të parave të derdhura nga organizata të caktuara nuk kanë përmasa që do të rrezikonin përfshirjen e këtyre njerëzve në veprimtari të dhunshme, e aq më pak të involvimit në rrjetin ndërkombëtar të terrorizmit. Ishte ndërhyrja relativisht e shpejtë perëndimore në Kosovë që përjashtoi me kohë çdo mundësi që shqiptarët të joshen nga ndonjë ndihmë e vendeve të lindjes, ku ka mundur t'i shtyjë vetëm dëshpërimi.

AIM Prishtinë, Arbnora BERISHA