Gjeneral Ademi ne kthetrat politike

Zagreb Dec 26, 2001

AIM, Zagreb, 23.12.2001

Gjeneral Ademi, oficier i ushtrisë Kroate, i cili para disa muajsh shkoi në burgun hetues të Hagës për shkak të padisë se kishte marrë pjesë në krimet luftarake të forcave kroate kundër civilëve serbë në Medaçki xhep në afërsi të Gospiqit, ditëve të fundit ka shpresë të madhe se së shpejti mund të gjendet në liri dhe kështu prej në liri të mund të vërtetojë pafajsinë e vet. Shpresat e Ademit i ringjalli dhe i përforcoi më shumë dalja e paradokohëshme në liri e gjeneralëve të Armatës së Bosnjë-Hercegovinës: Sefer Haliloviq, Mehmed Allagiq dhe Enver Haxhihasanoviq,si dhe të brigadierit Amir Kubura, mirëpo - me gjasë - Tribunali ndërkombëtar për krimet e luftës ndryshe i trajton kërkesat për mbrojtje prej në liri të cilat vijnë nga Kroacia nga ato që vijnë nga Bosnjë - Hercegovina. Shkaku: Qeveria e Republikës Kroate lejoi të mos burgos të akuzuarin e dytë të Hagës, gjeneralin Ante Gotovina, i cili mbi pesë muaj është arratisur, kurse krerët e policisë së vendit nuk dinë asgjë ku ndodhet gjenerali i arratisur. Të rikujtojmë se Ivica Raçan-i fletëarrestin për burgosjen e Gotovinës e mori plot një muaj ditë para publikimit të aktakuzës, gjegjësisht një muaj ditë më parë se Gotovina të dinte se ndodhej në fletëpadinë e Hagës. Ikja e gjeneralit Gotovina nuk është ndërkaq shkaku i vetëm që do të ndikojë për mbetjen e Rahim Ademit në Hagë, pa marrë parasysh garancën e Qeverisë Kroate se gjenerali i lartpërmendur - nëse është e nevojshme - vetë do të kthehet në celulën e Hagës.

" Në mbledhjen te këshilltari juridik i Gjyqit, në të cilën pasi Prokuroria dhe mbrojtja prezentuan se cilat dëshmi dhe dëshmitarë do të paraqiten para Gjyqit, ku u caktua dinamika e procedurës, haptas na është thënë se është në pikëpyetje garanca e Qeverisë, sepse Qeveria nuk ka parashtruar 2000 dokumentet për Medaçki xhep, të cilat Prokuroria i ka kërkuar prej saj nga muaji maj", ka thënë në "Feral" avokati i Ademit Çedo Prodanoviq dhe ka shtuar se: "Është e ditur se jam përpjekur që si njërin edhe tjetrin argument të Prokurorisë kam dashur ta rrëzojë me vërtetimin se gjeneral Ademi nuk mund të dënohet për lëshimet e Qeverisë dhe sjelljen e gjeneralit Gotovina. Përgjegjësia penale është përgjegjësi individuale dhe gjeneral Ademi nuk mund të dënohet për shkak të gabimeve të të tjerëve dhe të mosbashkëpunimit, sepse në të kundërtën ai do të ishte peng i marrëdhënieve të këqia aktuale në bashkëpunimin mes prokurorisë së Hagës dhe Qeverisë së RK".

Fatkeqësia e Ademit qëndron edhe në atë se marrëdhëniet e këqia aktuale ndërmjet Hagës dhe pushtetit kroat në të ardhmen mund të jenë ende më të këqia, kurse shkaku eventual plotësues për keqësimin e marrëdhënieve mund të jetë edhe ardhja e sërishme e Dragen Budishës në krye të partisë social-liberale kroate, parti kjo që sipas forcës paraqet partinë e dytë në koalicionin pesëantarësh qeveritar. Të kujtojmë se në korrik të këtij viti Budisha dha dorëheqje nga vendi i kryetarit të HSLS-së në kohën kur Qeveria mori vendim për dorëzimin e dy gjeneralëve kroatë Hagës; është kjo fytyra e njohur që tani bën çdo gjë që të ringjallet politikisht, kurse në intervistën e paradokohëshme në të cilën paralajmëroi ringjalljen e vet, Budisha doli me informatën se Carla del Ponte para shpalljes së aktpadisë kundër Gotovinës dhe Ademit, Goran Graniqit, zëvendësit të Raçanit, i kishte thënë se si "shpresonte se emrat e atyre të aktpadive, për shkaqe politike, do të përgjigjeshin para Qeverisë kroate". Nëse kjo është e saktë - por ka gjasë të jetë- kjo informatë dhe ajo bisedë e komprometojnë në masë jo të vogël edhe qeverinë kroate edhe Karla del Ponten. Në të vërtetë zonja Del Ponte nuk ka të drejtë të vlerësojë se cilët emra do t'i përgjigjen ose jo politikisht qeverisë kroate; detyra e saj është që të ngrejë padi kundër atyre njerëzve për të cilët mblidhen dëshmi të mjaftueshme. Qeveria kroate nuk ka poashtu kurrfarë të drejte që "për shkaqe politike" të bëjë tregëti me fatet e njerëzve, kështuqë të bëjë pazarrllëk se cilat dorëzime nuk do të shkaktonin reagime, ose cilat dorëzime do të shkaktonin reagime masovike dhe shqetësime të brendshme.

"Shpresoj se Ademi deri tani është i akuzuari i vetëm për Medaçki xhep nga shkaku se Prokuroria e Hagës ende nuk i ka shqyrtuar të gjitha faktet ", thotë në "Feral" avokati Çedo Prodanoviq dhe më tutje shton: "Nuk do të ishte mirë nëse vendimi për atë se kush do të shkojë në Hagë si i akuzuar të sillej në bazë të vlerësimeve për shkak të të cilave në rivierën e Splitit do të mblidheshin ose nuk do të mblidheshin njëqind mijë njerëz". Askush ndokund nuk është tubuar për shkak të shkuarjes së gjeneralit Ademi në Hagë, kurse për shkakun e aktndjekjes së gjeneralit Mirko Norac në Split u mblodhën mbi njëqind mijë njerëz. Norac nuk shkoi në Hagë për shkak të atyre njëqind mijë njerëzve, sepse Raçani bëri marrëveshje me Hagën që gjenerali në fjalë - i cili është i akuzuar për krimet ndaj civilëve serbë në Gospiq, të përgjigjet para gjyqit kroat. Por, në rast se ky gjykim vazhdon ashtu si po zhvillohet tani, fare lehtë dhe shumë shpejt mund të ndodhë që procesi kundër Noracit dhe shoqërisë së tij të shpërngulet në Hagë: fjala është te prolongimi ose më drejtë zgjatja e procesit gjashtë muaj, kuse sipas deklaratave të Tihomir Oreshkoviq-it, njërit nga të akuzuarit, Norac qëndrimin e tij para gjyqit të Rijekës e akordon në marrëveshje me pushtetin i cili ia sugjeron mbrojtjen me heshtje dhe si kundërvlerë i premton burgim të vogël, i cili mund të zvogëlohet edhe për shkak të meritave të tij luftarake. Qëllimi kryesor është që konflikti të mos shkojë në Hagë dhe që Raçani përsëri mos ketë kokëçarje me dhjeta mijra kundërshtarë djathtistë. Kjo është një dëshmi se Carla del Ponte lehtë i pranon marrëveshjet
politike në përgjithësi, domethënë pa pyetur për rolin e gjeneralit Mirko Norac në masakrat e civilëve serbë në Medaçki xhep, për gjakderdhjen për të cilën është i akuzuar vetëm Rahim Ademi.

Fakti i dytë për tregëtinë politike ndërmjet Hagës dhe Qeverisë kroate mund të jetë rasti i kryeshefit dhe strumbullarit kryesor të Ushtrisë kroate, gjeneralit Janko Bobetko. Në një stenogram nga kabineti i Tugjmanit është shënuar se kryetari i dikurshëm kroat pikërisht Bobetkon e akuzon për planifikimin dhe zbatimin e akcionit në Medaçki xhep, mirëpo duket qartë se Haga nuk guxoi t'i vërsulet Bobetkos duke vlerësuar (ose kështu ka vlerësuar Ivica Raçan) se kjo në Kroaci do të shkaktonte shqetësime të mëdha. Në këtë mënyrë Carla del Ponte ra në kurthin Tugjman - Shushko: këta, si duket, që në vitin 1993 kishin vendosur që tërë fajin për masakrat në rrethinën e Gospiqit t'ia ngarkonin Ademit, edhe pse ky njeri nuk ka patur kurrfarë ndikimi në zhvillimin e operacionit të njohur luftarak. Ai në të vërtetë në atë kohë ka qenë ushtrues i detyrës së komandantit të zonës operative të Gospiqit, mirëpo të gjitha urdhërat kanë ardhur prej Bobetkos drejt te gjenerali Mirko Norca, i cili askohe ka komanduar me brigadën e ushtrisë kroate të Gospiqit.

"Sipas zakonit deritani të pashkruar, por të zbatur sa herë, të akuzuarit kanë patur mundësi që të lëshohen që të mbrohen prej në liri në rast se vullnetarisht i dorëzoheshin gjyqit të Hagës ose në rast se bashkëpunonin me prokurorinë e Hagës", ka thënë avokati i Ademit, Prodanoviq. Çfarë domethënie ka në të vërtetë të jeshë kooperativ apo të bashkëpunosh me gjyqin e Hagës? Kjo, sipas të gjitha gjasave, do të thotë të japësh deklarata para se të fillojë gjykimi dhe në ato deklarata të zbulosh sa më shumë detaje për krimet dhe sa më shumë emra të atyre njerëzve që kanë dhënë urdhëra. Sipas asaj që dihet deri tani, gjenerali Rahim Ademi fajin për krimet e bëra në Medaçki xhep nuk ua ka hudhur personave të tjerë konkretë dhe pikërisht kjo - krahas arratisjes së gjeneralit Gotovina - mund t'i kushtojë vazhdimin e qëndrimit në Hagë. Sidomos në rast se në ndërkohë nuk ndryshon mendimin dhe në rast se Qeveria kroate vazhdon t'i mbajë të fshehura disa dokumenta të cilat flasin për operacionin në Medaçki xhep. Sido që të jetë, del se Ademi, pak a shumë, është peng i Qeverisë kroate.

IVICA GJIKIQ