Ekspertet simulojne platformen

Podgorica Dec 26, 2001

Nuk duhet mbajtur shumë shpresë se ekspertët do të zgjidhin atë që nuk arritën të zgjidhin politikanët serbo-malazezë. Ajo që është interesante lidhur me takimin paraprak në Beograd pasqyrohet në faktin se do të ketë më shumë negociatorë malazezë se sa serbë dhe se disa prej Malit të Zi në negociata do të mbështesin palën serbe dhe e tërë kjo për shkak të mbetjes së RFJ-së

AIM, Podgoricë, 23.12.2001

Pikërisht një javë pas takimit në Beograd të Solanës me të parët e RFJ-së, Serbisë dhe Malit të Zi, në përputhje me mendimin e përfaqësuesit të BE, Havijer Solanës, në Beograd do të mblidhen ekpertët e renditur në dy ekipe: serbo-federalistët dhe malazezët. Do të ulen në tri karrike dhe do të fillojnë seancën e parë për marrëdhëniet e ardhshme të Podgoricës me Beogradin. Për çështjet kushtetutare dhe për çështjet tjera juridike do të
debatojnë: akademiku Mijat Shukoviq, profesor i së drejtës ndërkombëtare, dr. Nebojsha Vuçiniq dhe shefi i misionit malazez në Bruksel, Sllavica Millaçiq - nga pala malazeze, këshilltarët e kryetarit jugosllav: dr. Sllobodan Samarxhiq dhe Zoran Lutovac, dhe funkcionari i SPJ të Malit të Zi, Vuksan Simonoviq - nga pala serbo&jugosllave. Çështjet ekonomike, monetare dhe temat sociale do t'i analizojnë: nënkryetari i Këshillit për privatizim i Qeverisë së Republikës së Malit të Zi, dr. Veselin Vukotiq dhe ministri malazez i financave, Mirosllav Ivanisheviq, respektivisht këshilltari për ekonomi i nënkryetarit të Qeverisë Federative, Boris Begoviq, ekonomisti Danijel Cvjetiçanin dhe njëri nga liderët e Partisë Popullore, Predrag Drecun. Përundimisht për aspektet e politikës së jashtme dhe atë të sigurisë do të polemizojnë: shefi i diplomacisë malazeze, Branko Lukovac, këshilltari i Gjukanoviqit, gjenerali Bllagoje Grahovac dhe komandanti i "speciallcave" malazezë, gjenerali Radosav Martinoviq, respektivisht këshilltari i Koshtunicës për sigurim, Rade Bullatoviq dhe analisti ushtarako - politik, gjenerali Radovan Radinoviq.

Menjëherë pas shpalljes së emrave të ekspertëve, "vështruesit" politikë të Podgoricës konstatuan se përveç Cvijetiçaninit, të gjithë të tjerët kishin mbiemra malazezë. Si atrakcion i posaçëm është pranuar vendimi i Koshtunicës që në ekipin e vet të radhis tre lojtarë të partive federaliste malazeze :Vuksan Simonoviq (SNP), Predrag Drecun (NS) dhe Radovan Radinoviq i cili jeton në Beograd, por që është, si flitet, përfaqësues i SNS-së (Partia Popullore serbe). Në pyetjen se cilët do t'i përfaqësojë në Beograd, Simonoviq u përgjigj: "Partinë time, koalicionin e qytetarëve të Malit të Zi".

Pesimizmi sa i takon rezultatit të takimit të ekipeve të ekspertëve nuk ngeli, pa dyshim, vetëm në qarkun e "vështruesve", as edhe në bazat e analogjisë historike. Si skeptik më i palakueshëm u tregua pikërisht ai i cili edhe thërriti mbledhjen e ekspertëve në Pallatin e Federatës - kryetar jugosllav Vojisllav Koshtunica. Duke folur në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike Serbe të Qytetit, ai kumtoi se si "as tani, ashtu sikurse edhe më 26 tetor" nuk besonte në suksesin e bisedimeve dhe se përgjigjja e fundit do të dilte nga referendumi malazez. Koshtunica bëri edhe një hap më tej duke shfaqur pakënaqësinë që ja, nën presionin e BE-së, deri te zgjidhja e marrëdhënieve ndërmjet Malit të Zi dhe Serbisë do të vinte nëpërmjet rrugës më të komplikuar. Sepse, bisedat e përsëritura ndërmjet Beogradit dhe Podgoricës do të vazhdonin deri në fund të shkurtit dhe se pika e pafshirë e vënë mbi ta më 26 tetor, referendumi, mund të thirrej që në mars. Kjo do të thotë se para majit asgjë kurse Beogradit i shpejtohet aq shumë. Sipas një inercioni të njohur qëndrimet e Koshtunicës i përsëriti edhe kryetari i NS (Partisë Popullore) Dragan Soç, duke vlerësuar se "nga mbledhja e ekspertëve nuk duhej pritur shumë", gjegjësisht se "ekspertët nuk duhet të zgjidhin çeshtjet politike".

Thellësia e dallimeve të pikëpamjeve ndërmjet Beogradit dhe Podgoricës sa u përket marrëdhënieve reciproke në periudhën e ardhme nuk ofron shkaqe adekuate për hiperpesimizmën e përmendur. Këto shpresa do të duhej t'i arësyetonte improvizimi i thjeshtë gjatë përgatitjes së mbledhjes së parë të ekspertëve. Mirëpo derisa kryetari Gjukanoviq emrat e ekspertëve malazezë i shpalli që ditën e enjte, kurse të shtunën me anë të letrave në mënyrë zyrtare për këtë lajmëroi Solanën dhe Koshtunicën, Predrag Drecun-i dhe Zoran Lutovac-i, nga ana tjetër, deklaruan se për pjesëmarrjen e tyre në bisedime kishin kuptuar nga mediat! Drecun-it kjo nuk i kishte penguar aspak, kështu që me optimizëm të madh kishte porositur se " fare lehtë do të vërtetonte përparësinë ekonomike të konceptit federativ", gjegjësisht modelin e " unionit maksimal ekonomik dhe të unionit politik minimal".

Funkcionari i lartë i "popullorëve" njëkohësisht ishte "eksperti"i vetëm i cili pati guxim të prognozojë skenarin e bisedës të mbledhjes së parë. Mirëpo edhe ky duke bërë të njohur se si do të ishte "e arësyeshme" që së pari të caktohej metoda e punës, vërtetoi atë se në Beograd po shkonte "symbyllur" Edhe Zoran Lutovac vetëm një ditë para fillimit të mbledhjes pranoi se "ishte vështirë të thuhet se cila do të ishte tema e vërtetë e bisedimeve".

"Kam përshtypjen se politikanët më parë është dashur të caktojnë kornizat të cilat pastaj do të duhej t'i formësonin ekspertët. Kështu si janë punët më duket se ekspertët janë ftuar që të tejkalojnë "vakuumin" në të cilin nuk është bërër ndonjë lëvizje e dukshme përpara, por që vërrehet se nuk është e dëshiruar ndërprerja e dialogut dhe ekspertët këtu janë që të mund të shërbejnë që të formojnë diçka që politikanët t'i mbante pranë tryezës dhe t'u mundësonte që nëpërmjet bisedave të arrinin ndonjë lëvizje" - e racionalizoi Lutovac-i tërë muajin që do ta shpenzonte me bashkëbiseduesit tjerë.

Antarët e ekipit malazez u takuan disa herë dhe caktuan strategjinë e paraqitjes së tyre, por edhe qëndrimin se nuk do të jepnin kurrfarë deklaratash para përfundimit të rundit të parë të bisedimeve. Nuk mund të kuptohej gjë poashtu lidhur me atë se si do të dukej rendi ditor i takimit edhe nga kolegët e tyre nga Beogradi. Krahas kësaj, as të parët dhe as të dytët nuk dinin asgjë për ardhjen eventuale dhe rolin e ekspertëve të BE!
Kurse pranishmëria e tyre, të kujtojmë, u detajua që në takimin e javës së kaluar të liderëve të këtushëm politikë me Havijer Solanën.

Megjithatë, edhe nga qarqe të këtilla hermetike rrodhën lajmet se këto biseda gjithësesi do të kenë njëfarë rendi të caktuar. Sipas disa paralajmërimeve jozyrtare, njeriu kryesor për sqarimin e konceptit "të federatës funkcionale" do të duhet të jetë këshilltari i Koshtunicës, Sllobodan Samarxhiq-i. Detyra e tij, sipas këtyre burimeve, është që të imponojë platformën e qeverisë federative lidhur me temën qendrore të bisedimeve, kurse propozimin malazez për sovranitetin e shteteve të bashkuara ta shtyjë në plan të dytë. Kështu që ekspertët malazezë, sipas disa vlerësimeve të tjera, në Beograd shkojnë me bindje se pala tjetër ka "figurat e bardha" dhe prandaj në mbledhjet në Podgoricë ka përgatitur shumë variante të kundërlojës.

Kjo informatë jozyrtare, ndërkaq, nuk mund të ndikojë shumë në ndryshimin e përshtypjes se dy anët e konfrontuara, sidomos Beogradi, me një model të këtillë bisedimesh i afrohen kërkesës së domosdoshme të Brukselit. Në rast se Koshtunica dhe Gjingjiq-i kanë ndonjë qëndrim të përbashkët, atëherë ky është vlerësimi se marrëdhëniet me Malin e Zi duhet të zgjidhen një ditë e më parë. Çdo prolongim mujor i këtij vendimi, Serbinë e largon nga
aranzhmanet aq të nevojshme me kreditorët e jashtëm, kurse ekonominë e saj të dobësuar e shpje kah likuidimi i plotë. Imazhi i "djelmoshave të mirë" të cilët e përmbysën Millosheviqin i shtyn kah vetëkontrolli dhe lëshimet ndaj dorës që i ushqen.

Pala malazeze, si duket, nuk tregon shenja nervozimi, edhe pse, bazuar në rrethanat ekonomike, kjo do të ishte diçka e vetëkuptueshme. Bisedimet e ekspertëve Podgorica i sheh si shans që të rikthejë nisjativën e humbur; kështu që para ekspertëve të BE-së do të tregojë se si koncepti i federatës së shteteve sovrane është më i zbatueshëm si model integrimi i pesëmbëdhjetëshes se sa për federatën e dy antarëve plotësisht të pabarabartë. Faza e bisedimeve të ekspertëve në mënyrë të saktë dhe në mënyrë reale duhet të tregojë se cila nga platformat e ofruara siguron ardhmëri më të mirë për qytetarët e Malit të Zi dhe të Serbisë. Por, sado që të jetë bindëse llogaria matematikore nëpërmjet të sëcilës do të dilet te saldoja e caktuar, vendimin definitiv do ta sjellin ekspertët e lëmës tjetër, të asaj joekzaktes - politikës.

DARKO SHUKOVIQ