Kurti dhe Koshtunica
Prishtinë, 14.12.2001.
Këta dy emra mbase nuk do të kishin asnjë lidhje mes vetes sikur ky i fundit të mos vinte në pozitë që të nënshkruajë një letër, me të cilën të parit do t'ia kthente lirinë, ndërsa vetes shpresat që të sigurojë koncesione. Albin Kurti, lider studentor nga Kosova, dhe Vojisllav Koshtunica, dikur lider opozitar në Serbi, tani president i RFJ, do të mund ta kenë njohur njëri-tjetrin nga intervistat në mjetet e informimit, ndërsa të vetmen pikë të përbashkët do të mund t'i kenë pasur qëndrimet kundër Sllobodan Millosheviqit, ish-president i Jugosllavisë, tash i akuzuar për krime lufte. Por, asgjë tjetër nuk i bashkonte. Të dy kishin synime të ndryshme dhe kërkonin rrugë të ndryshme për rrëzimin e Millosheviqit. Kurti, një student i ri që protestonte, ndërsa Koshtunica luftonte t'i sigurojë vetes elektorat për zgjedhjet e radhës.
Por, një luftë në mes i vuri në lidhje që të dy. Albin Kurti gjatë konfliktit të Kosovës filloi të veprojë si sekretar i zyrës së përfaqësuesit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Demaçit. Studenti i ri me flokë të gjatë, i rrahur shumë nga nami i "kryengritësit urban" dhe një nga drejtusit e protestave studentore të vitit 1997 që kërkonin kthimin në objektet e Universitetit të Prishtinës prej nga ishin dëbuar më 1991, u shndërrua në "të përkëdhelurin e zotit Demaçi". Megjithatë, flokët e tij të gjatë mbetën shenjë njohjeje deri më 28 prill të vitit 1999, kur u arrestua nga forcat serbe të sigurimit. Flokët e qethur po këtë ditë në burgun e Lipjanit ishin fillimi i rrugëtimit të tij gati trevjeçar, së bashku më rreth 2 mijë shqiptarë të tjerë të rrëmbyer gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s në fushatën hakmarrëse të Millosheviqit kundër shqiptarëve. Sikurse edhe shokët e tij, ai u transferua në burgjet e Serbisë më 10 qershor të vitit 1999, një ditë pasi oficerët jugosllavë e nënshkruan kapitullimin në Kumanovë para oficerëve të NATO-s. Të gjithë ata u shndërruan në pengje lufte, të cilat regjimi i Millosheviqit do t'i përdorte për "pazarin" politik që sapo kishte filluar me tërheqjen e trupave të tij nga Kosova. Emri i Kurtit ishte një ndër të shumtët, derisa një Gjykatë në qytetin e Nishit në Serbi nuk e dënoi atë me 15 vjet burgim nën akuzën "bashkim për veprimtari armiqësore dhe terrorizëm". (Nën këtë akuzë tashmë ishin dënuar shumë shqiptarë të Kosovës, ndërsa regjimi i Beogradit e trajtonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë terroriste). Kurti u bë i njohur gjatë një vizite të një grupi gazetarësh në burgjet serbe, me ç' rast theksoi se nuk i njeh gjyqet serbe, ndërsa veten e cilësoi si peng lufte. Një qëndrim të ngjashëm thuhej se kishin mbajtur edhe të burgosur të tjerë shqiptarë, por Kurti pati mundësinë që këtë ta thotë para kamerave televizive.
Megjithatë, pas kësaj filloi një valë presionesh mbi regjimin e Beogradit për lirimin e zotit Kurti, ndërsa në Kosovë zuri fill një fushatë në kërkim të lirimit të tij. Të rinjtë bartnin T-shirt me mbishkrimin "Free Albin Kurti" dhe mblidheshin në koncerte rock-grupesh që ekzekutonin këngët e preferuara prej tij. Kurti po ngritej në idhull, ndërsa regjimi i Milloshevqit tashmë kishte filluar lirimin selektiv të të burgosurve, të cilët në fakt bliheshin me para të mëdha nga familjet e tyre.
Por, Kurti dhe një pjesë e madhe e shokëve të tij të burgosur, nga të cilët edhe shumë studentë, u trashëguan edhe nga pushteti i ri në Beograd pas rrëzimit të regjimit të Millosheviqit. Trajtimi i tyre nuk ndryshoi shumë dhe ata edhe më tej trajtoheshin si "armiq", njëlloj sikurse nga regjimi pararendës. Vetëmse ata tashmë ishin pjesë e një "pazari" më të sofistikuar. Presidenti i ri jugosllav, Vojisllav Koshtunica, kishte trashëguar një "kapital" të mirë nga pararendësi i tij dhe duket se e kishte ndërmend ta shfrytëzojë akoma më mirë se i pari. Me namin e "presidentit demokrat", Koshtunica vazhdoi aty ku e kishte lënë Millosheviqi, me lirimin selektiv, varësisht nga momenti politik. Pak kohë pas zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, Koshtunica e filloi një turne diplomatike nëpër qendrat botërore të vendosjes dhe në kthim e sipër e nënshkroi vendimin për lirimin nga burgu të Albin Kurtit. Një letër e mirë në periudhën kur ai po merrte "lavdata" për daljen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, por kur njëkohësisht po përballej me trysninë për përmbushjen e zotimeve të bëra gjatë periudhës kur kërkonte përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa ardhmëria e shtetit të tij po varet nga lëvizjet politike në Mal të Zi...
Megjithatë, ishte zoti Kurti vetë ai që e shpalli lirimin e tij si një përpjekje për "pazarllëk politik". Fill pas hyrjes në Kosovë, djaloshi me flokë të prerë shkurt dhe me të folurën prej politikani bëri thirrje që lirimi i tij të mos shndërrohet në festë. Mbi 200 të burgosur shqiptarë sa vazhdojnë të mbahen në burgjet serbe, sipas Kurtit, janë në gjendje shumë të rëndë. Një pjesë e madhe vuajnë nga tuberkulozi (TBC), të tjera vuajnë nga pasojat e plagëve të marra gjatë luftës, të cilat nuk janë shëruar ndonjëherë. Për këtë arsye zoti Kurti tha se "momenti më i rëndë i jetës së tij ishte dita e lirimit"!
Sidoqoftë, kthimi i tij në shtëpi u shndërrua në ngjarje të bujshme mediale, ndërsa ish shefi i Kurtit, Adem Demaçi, tha se "ishte kthyer një forcë politike", ndërsa zoti Kurti nuk u kursye nga komentet që shkonin në këtë vijë, të cilat i arsyetonin pohimet e ish shefit që tashmë kishte shpallur se është "i gatshëm të jetë nën Albinin". Siç ndodh zakonisht në raste të tilla, emri i Kurtit zuri të bëhej pjesë e përditshmërisë politike dhe ngadalë po plotësohej ajo që ai vetë kishte kërkuar të mos ndodhte: "madhërimi i hapit të Vojisllav Koshtunicës". Ishte vetëm një organizatë humanitare nga Beogradi, e cila kërkoi "lirimin e menjëhërshëm të të gjithë shqiptarëve nga burgjet serbe, sepse me lirimin e zotit Kurti kishin marrë fund të gjitha arsyetimet për mbajtjen në burg të të tjerëve."
Lirimi i Kurtit vuri sërish në titujt e gazetave pyetjen retorike: "Sa është bërë për të burgosurit shqiptarë?" Por, edhe pergjigjet ishin një retorikë tashmë njohur: "Është bërë pak". Megjithatë, kjo temë ka vazhduar të trajtohet vazhdimisht pas luftës në Kosovë. Derisa gjatë kohës së Millosheviqit pritej rrëzimi i tij për ta zgjidhur, pas rënies së tij priteshin momente të volitshme politike. Në bisedimet ndërmjet shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Hans Haekkerup, me zyrtarët e Beogradit për përfshirjen e serbëve në zgjedhjet e përgjithshme ishte përmendur edhe kjo çështje dhe, sipas Haekkerupit, ishte arritur një formë e marrëveshjes për transferimin e të burgosurve shqiptarë në Kosovë, ku do të gjykoheshin nga gjykatës ndërkombëtarë. Mirëpo, qeveria serbe po rriste "pazarin" duke kërkuar lirimin e ndërsjellë të të burgosurve. Në shkëmbim duket se janë këkruar serbët e akuzuar për krime lufte dhe "serbët që mabhen në burgjet dhe kampet sekrete", një tezë kjo e lancuar nga Koshtunica, e cila është përgënjeshtruar së fundi prerazi edhe nga zyrtarët më të lartë të NATO-s.
Sido që të jetë, lirimi i Albin Kurtit ishte një lëvizje pozitive, pohojnë vëzhguesit, e cila mgjithatë nuk do të duhej t'i linte në hije të gjithë ata që nga prapa grilave kanë përcjellë rrugën e tij për në shtëpi.
AIM Prishtinë, Besnik BALA