Obstruksionet e mundshme!?
Prishtinë, 12.12.2001.
Me diskutime te ashpra dhe me disa orë vonesë për shkak të mosardhjes me kohë të kryeadministratorit të Kosovës, Hans Haekkerup, në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, ka filluar mbledhja e parë konstituive e parlamentit të Kosovës të dalë nga zgjedhjet e 17 nëntorit, të mbikëqyrura ndërkombëtarisht.
Dhe, ashtu si për të gjitha premierat e mëdha, edhe për këtë, skenari siç duket ishte i shkruar me kohë - gazetarëve të mbërdhirë dhe të strukur në një sallë me katër televizorë, zyrtarët për media të UNMIK-ut ua shpërndanë disa kopje të skenarit, në të cilin ishte shkruar fjalimi i kryeadministratorit, Hans Haekkerup, dhe didaskalitë si për një shfaqje të vërtetë, ku ndër të tjera thuhej: 'Nëse kryetari i PDK-së nis të kontestojë procedurat, duhet t'i ndërpritet mikrofoni'. Një pjesë e këtyre kopjeve të 'udhëzimeve teknike' u kërkua u mor mbrapa nga zyrtarë të tjerë të UNMIK-ut që u tmerruan nga pakujdesia e tyre, ndërkohë që një pjesë e kopjeve u ruajt me xhelozi nga gazetarët, si një 'argument i fortë i kontestimit të rregullsisë së seancës parlamentare', që u përdor më vonë nga partia e përmendur.
Kronistët e zhvillimeve politike kosovare patën kështu rastin të konstatojnë se mbledhja e parë e parlamentit të Kosovës pas 12 vjetësh filloi pa himnin kombëtar, pa flamur dhe pa betim të deputetëve. Danezi i ftohtë (siç e konsideron atë një pjesë e opinionit kosovar), Hans Haekkerup, tha se parlamenti ishte inauguruar dhe vlerësoi se ky ishte një hap i rëndësishëm drejt implementimit të Rezolutës 1244. Më pas, zoti Haekkerup ftoi kryetarin e LDK-së, Ibrahim Rugova që t'i propozojë dy anëtarë për kryesinë e parlamentit nga partia e tij, njëri prej të cilëve do të zgjedhej për kryetar në bazë të Kornizës Kushtetuese të Kosovës.
Njohësit e mirë të skenës politike këtu nuk i befasoi fakti që Partia Demokratike e Hashim Thaçit, nuk i kishte të gatshëm emrat e përfaqësuesve për kryesinë e parlamentit. Fatmir Limaj, një nga njerëzit më me ndikim në partinë e Thaçit, tha se "Ne kemi kërkuar nga Haekkerup që në mesin e mysafirëve të ftohet edhe familja Jashari.." Këtu u këput zëri i zotit Limaj, pasi zoti Haekkerup ia ndërpreu mikrofonin duke u arsyetuar se kishte dalë jashtë temës së diskutimeve të agjendës. "Zoti Limaj, më duhet t'ju them se duhet të mbeteni në kuadër të pikës në agjendë", tha Haekkerup, duke e ndërprerë përfaqësuesin e PDK-së.
Mikrofoni iu ndërpre edhe përfaqësues së serbëve, Rada Trajkoviq, për shkak të daljes jashtë temës, por pas nja dy-tre minutash observime, ku ajo " shprehu keqardhjen që përfaqësuesit e koalicionit "Povratak" kanë pasur vështirësi për të ardhur në këtë mbledhje, si dhe për faktin se në këtë mbledhje nuk janë edhe njerëzit nga komiteti jugosllav". Megjithatë, ajo propozoi deputetët Gojko Saviq e Oliver Ivanoviq për anëtarë të kryesisë. Ashkalinjtë, romët dhe egjiptasit e propozuan një përfaqësues të tyre, por kanë informuar se vitin e ardhshëm do ta zërë vendin në kryesinë e parlamentit përfaqësuesi i boshnjakëve, ndërsa vitin e tretë edhe përfaqësuesi i komunitetit turk.
Ndërkohë, për shkak se iu mor fjala përfaqësuesit të tyre, deputetët e PDK-së demonstrativisht e lëshuan mbledhjen për t'u kthyer pas përfundimit të votimeve. Me 78 vota për, 3 kundër dhe dy abstenime, akademik Nexhat Daci u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës, ndërkohë që gjatë votimit nuk ishin të pranishëm 27 deputetët e PDK-së, si dhe nuk votuan 8 deputetët e AAK-së të Ramush Haradinajt.
Pas një pushimi të shkurtër, pasi që Nexhat Daci e kishte marrë funksionin e kryetarit të parlamentit dhe, pas konsultave të bëra, shpalli se ka rënë dakord me anëtarët e kryesisë që sesioni të vazhdonte pas tri ditësh, në foltore doli kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, i cili kërkoi shpjegime të argumentuara për arsyet e shtyrjes së sesionit dhe shfrytëzoi rastin për ta elaboruar kundërshtimin e tij për mënyrën e udhëheqjes së sesionit të parë të parlamentit, duke pohuar se deputetëve të partisë së tij u ishte shkelur imuniteti i deputetit. "Meqenëse sot është 10 dhjetori, Dita e të Drejtave të Njeriut, mund t'iu them qytetarëve dhe zyrtarëve të bashkësisë ndërkombëtare këtu në sallë se z. Haekkerup sot e bëri shkeljen më të madhe të të drejtave të njeriut në botë". Pas kësaj, z. Thaçit iu ndërpre mikrofoni. Kryetari I parlamentit, z. Daci, deklaroi më pas se foltorja e parlamentit nuk mund të shërbente për ta kritikuar përfaqësuesin special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, duke e përfunduar sesionin. Në këtë mënyrë përfundoi mbledhja konstituive e parlamentit të Kosovës.
Pas mbledhjes, dr. Ibrahim Rugova tha se se bisedimet për koalicion qeveritar kishin dështuar tashmë. "Nuk kemi arritur marrëveshje, prandaj sot u zgjodh kryetari i parlamentit, pastaj do të zgjidhet kryetari dhe LDK-ja do të bëjë qeverinë. Kemi propozuar që PDK dhe AAK t'i kenë pesë ministri, dy zëvendëskryeministra dhe nënkryetar të Parlamentit", tha Dr. Rugova, i cili të enjten do të kandidohet për kryetar të Kosovës.
I tërë tensioni nga Kuvendi ka kaluar më pas në selitë e partive politike. Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur një takim me gazetarët ku e ka quajtur mbledhjen të dirigjuar dhe të manipuluar dhe duke kritikuar sjelljet e zotit Haekkerup që i ka ndërprerë mikrofonin përfaqësuesit të kësaj partie, ata i kanë bërë një letër- proteste Sekretarit të Përgjithshëm të KB, Kofi Anan, nga i cili kanë kërkuar masa disiplinore ndaj zotit Haekkerup. Të hidhëruar kanë qenë edhe përfaqësuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që udhëhiqet nga një tjetër njeri autoritativ i luftës së Kosovës, zoti Ramush Haradinaj. "Dr. Rugova e di fare mirë edhe vetë se ka shpikur funksione, pasi me Kornizën Kushtetuese nuk ka zëvendëskryeministër dhe as nënkryetarë të parlamentit", ka thënë Bujar Dugolli, deputet i AAK-së, e cila kishte bërë përpjekje të mëdha të siguronte një koalicion bashkëqeverisës të shqiptarëve në Kosovë. "Rugova ka vendosur të bëjë koalicion me serbët. Le ta bëjë.", ka komentuar zoti Dugolli. "Me fat i qoftë koalicioni me 'Povratak'-un" - ka porositur edhe Driton Lajçi nga PDK-ja. Ndërsa në anën tjetër, kryetari i grupit Parlamentar të PDK-së, Jakup Krasniqi, ka thënë se nuk besonte se do të arrihej ndonjë lëvizje pozitive deri në ditën kur kuvendi do të vazhdonte me punimet. "Nuk besoj se zoti Rugova është i gatshëm të bëjë koalicion me faktorin shqiptar", tha Krasniqi.
Në këtë mënyrë, tehu i kritikës i asaj që përfundimisht do të jetë opozita në parlamentin e Kosovës është e drejtuar kah njollosja kombëtare e LDK-së dhe liderit të saj të moderuar, Dr. Ibrahim Rugova, duke e akuzuar atë se kishte zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe synonte të zgjedhej kryetar i Kosovës me votat që do të merrte në një rreth të tretë të votimeve nga koalicioni i serbëve "Povratak".
Nga ana tjetër, të nesërmen e mbledhjes së parlamentit, siç pohojnë burime pranë LDK-së, Dr. Rugova ka 'stopuar fuqishëm edhe reaksionin e brendshëm në parti'. Sipas tyre, ai 'ua ka treguar vendin' deputetëve të LDK-së të cilët kanë pasur guximin të kundërshtojnë vendimin e tij për t'i hyrë krijimit të institucioneve të Kosovës pa dy partitë e tjera të fuqishme shqiptare, të cilat në zgjedhjet e sivjetme kanë shënuar një ngritje të lehtë, për dallim nga një rënie e LDK-së prej 12 për qind në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit të kaluar. Në mbledhjen e deputetëve të LDK-së, zoti Rugova u ka thënë atyre se nuk e kishte ndërmend të lëvizte nga pozicioni i tashëm, pavarësisht nga pasojat.
Dhe, pasojat, sipas analistëve, do të jenë një dekompozim i plotë i skenës politike shqiptare apo krijimi i dy blloqeve të fuqishme, njëri pozitë që do të arsyetohet me legalizmin e vet duke vepruar në kuadër të institucioneve të Kosovës dhe tjetri, një bllok opozitar, që do të kundërshtojë çdo gjë të të parit, duke u përpjekur ndërkohë që deputetët serbë t'i vërë aleatë të Dr. Rugovës.
Në këtë,mënyrë, 22 deputetët serbë të koalicionit "Povratak" do të arrijnë të bëhen boshti kryesor i zhvillimeve në parlament. "Ata do të arrijnë të ndezin një sërë sulmesh ndërmjet dy blloqeve shqiptare, duke u vënë herë në anën e institucionalizmit të përfaqësuar nga Rugova e herë në anën e bllokuesve të procesit, duke u identifikuar kështu me krahun bllokues të kudërshtarëve të Rugovës, të cilët do të votojnë kundër ose do të abstenojnë pothuaj rregullisht", pohojnë analistët kosovarë.
Dhe, gjatë tre vjetësh të gjatë - sa zgjat mandati i institucioneve të zgjedhura të Kosovës - deputetët do të harrojnë premtimet e dhëna para elektoratit: se janë të gatshëm të punojnë në të mirë të Kosovës, mbi interesat partiake.
AIM Prishtinë, Rrahman PAÇARIZI