Lufta për presidentin që shkon në muze
Prishtinë, 12.12.2001.
Në qendër të Prishtinës bie në sy një ndërtesë e lyer me ngjyrë të verdhë me shkallë të mermerta, rrethuar me kangjela të metalta, mbi të cilat valëvitet flamuri i Bashkimit Evropian. Vetura të shumta të parkuara në oborrin e saj dhe truprojat fshehin (jo me qëllim) një mbishkrim të harruar "Muzeu i Kosovës". Dikur strehë e eksponateve të çmuara (të transferuara pas luftës diku në Serbi), kjo ndërtesë ka shërbyer deri tash si zyrë e Bashkimit Evropian, ndërsa do të shndërrohet gjatë ditëve të ardhshme në rezidencë të presidentit të Kosovës. Duket se ajo për këtë arsye është shndërruar në një vend të lakmuar nga liderët politikë që e kanë dëshiruar këtë post për veten e tyre. Por, ndarja e posteve udhëheqëse pas zgjedhjeve të përgjithshme të 17 nëntorit në Kosovë duket se u shndërrua në mollë sherri ndërmjet partive politike shqiptare që kanë fituar numrin më të madh të votave në këto zgjedhje. Korniza Kushtetuese e miratuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në maj të këtij viti ka caktuar një parlament 120 vendesh, nga i cili duhet të dalin kryetari dhe kryesia e Kuvendit, Presidenti i Kosovës dhe një qeveri prej nëntë ministrish dhe një kryeministri. Ndonëse me kompetenca shumë të kufizuara, përfaqësuesit vendorë tashmë kanë mundësi të jenë pjesë e strukturave ligjvënëse dhe ekzekutive. Rezultatet e votimeve ishin të atilla që nuk i mundësojnë asnjë partie politike që të qeverisë e vetme, prandaj diskutimet për krijimin e koalicioneve qeveritare filluan menjëherë pas shpalljes së rezultateve. Lidhja Demokratike e Kosovës, që siguroi 47 vende në Kuvend, ishte ajo që do të duhej të fillonte e para bisedimet me partitë tjera politike dhe "ofertat" e saj për bashkëqeverisje (fjala më e stërpërdorur aktualisht në Kosovë) për të cilën ishin zotuar të gjithë. Rivalët e Lidhjes Demokratike, madje, menduan se ishte momenti i volitshëm për ta detyruar këtë parti që "t'u trokasë në derë". Por,lideri i kësaj partie, Ibrahim Rugova, duket se kishte vendosur të luante në një letër tjetër: blerjen e kohës. "Durimi" i tij i sprovuar tashmë 12 vjet me radhë doli më i fuqishëm se i rivalëve të tij, të cilët nuk mund të prisnin aq gjatë. Duke tërhequr vërejtjen në faktin se serbët ishin forca e tretë në Kuvend dhe kësisoji një forcë që nuk mund të mos përfillet, ata kërkuan që partitë politike shqiptare të krijojnë një koalicion të gjerë qeveritar. "Rolin e ndërmjetësuesit" e mori mbi vete partia që kishte vetëm 8 vende në Kuvend, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Lideri i kësaj të fundit, Ramush Haradinaj, kërkoi një takim me dy liderët tjerë, Ibrahim Rugovën, kryetar i Lidhjes Demokratike dhe Hashim Thaçin, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.
Mirëpo, kjo nuk ndodhi. Dr. Rugova priti që të thërrasë vetë së pari zotin Haradinaj për t'i ofruar atij një koalicion dypalësh. Mirëpo, ky i fundit tashmë ishte marrë vesh me zotin Thaçi që asnjëri të mos hyjë në koalicion dypalësh, por vetëm në një 'bashkëqeverisje'. Pas këtij takimi, dr. Rugova shfaqi shenja të "zbutjes" duke ftuar në një takim "kokë më kokë" liderin e Partisë Demokratike, Hashim Thaçin, në selinë e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Prishtinë. Ky takim, në të cilin të dy liderët thanë se "u pajtuan të vazhdojnë bisedimet", dhe buzëqeshjet e tyre para gazetarëve krijuan përshtypjen e shkrirjes së "akullit" ndërmjet pacifistit Rugova dhe ish-drejtorit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi. Mosdurimi ndërmjet tyre kishte arritur shkallën më të lartë gjatë luftës dhe menjëherë pas saj për shkak se pjesëtarët e UÇK-së asnjëherë nuk ia falën dr. Rugovës qëndrimin e tij dyshues ndaj tyre, ndërsa ky i fundit nuk ua fali kurrë vlerësimin që i bënë ata takimit të tij me Millosheviqin gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s.
Ky takim ishte hapi i parë para takimeve tripalëshe, "strehë" e të cilave u bë Zyra amerikane në Prishtinë, ndrësa mikpritës ambasadori John Menzies. Ky i fundit së bashku me përfaqësuesit diplomatikë të vendeve të tjera, si Andrew Lloyd, i Britanisë së Madhe apo Michael Shmunk i Gjermanisë, kanë luajtur një rol aktiv në përpjekjet për të arritur një marrëveshje ndërmjet partive politike. Ata kanë kërkuar vazhdimisht një qeveri gjithpërfshirëse, ndërsa liderët shqiptarë kanë pohuar se "në aspektin etnik" ajo tashmë është e tillë, meqë dy nga nëntë ministritë e saj u takojnë pakicave kombëtare, të cilat i kanë përfaqësuesit e tyre edhe në kryesinë e parlamentit. Ndërsa, një koalicion i mundshëm me deputetët serbë ishte përjashtuar qysh në start të diskutimeve. Më pak se tre vjet pas luftës së përgjakshme është heret të flitet për të, thanë përfaqësuesit politikë shqiptarë.
Por, edhe bisedimet ndërmjet tyre duket se ishin dënuar që më parë të dështojnë. Ende pa filluar mirë u paraqitën kërkesa e kushte që e vështirësonin arritjen e ndonjë marrëveshjeje. Megjithatë, para fillimit zyrtar të tyre, liderët thanë se po hyjnë në procesin e krijimit të qeverisë së përbashkët pa kushtëzime. Dhe bisedimet ngecën aty ku edhe filluan. Lidhja Demokratike e Kosovës u ofroi partnerëve të saj pesë ministri, duke mbajtur për vete dy sosh, si dhe postet e presidentit të Kosovës, kryeministrit dhe të kryetarit të Kuvendit. Por, dy partitë tjera kërkuan që të bëhet ndarja e tërë pushtetit "presidencial, ekzekutiv dhe ligjvënës" që, përkthyer në gjuhën e përditshme, do të thoshte që Lidhja Demokratike të mbante postin e presidentit të Kosovës, ndërsa posti i kryeministrit t'i mbetej Partisë Demokratike, për t'ia lënë vendin e kryetarit të Kuvendit Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Mirëpo, për Lidhjen Demokratike kjo ishte e pamundur. Sipas Kornizës Kushtetuese, kryetari i Kuvendit zgjedhet nga partia me numrin më të madh të votave të fituara dhe kjo parti u ngut që këtë ta bëjë fakt të kryer, duke caktuar edhe njeriun që do të ushtronte këtë detyrë. Ndërkaq, kandidimi i dr. Rugovës për postin e presidentit të Kosovës ishte i pakontestueshëm për partinë e tij. Kësisoji, në një fazë të bisedimeve u duk se posti i kryeministrit ishte i vetmi post i negociueshëm. Por, LDK nuk hoqi dorë as nga ky post, duke u ofruar 'partnerëve' të saj postet e zëvendëskryeministrave dhe të nënkryetarëve të Kuvendit, poste këto që ajo ishte e gatshme t'i shpikte për të "ndihmuar" bashkëqeverisjen. Bisedimet që filluan në këtë pikë, në të njëjtën edhe përfunduan, dhe partitë politike hynë në Kuvend pa ndonjë marrëveshje paraprake. Fill pas seancës së parë të Kuvendit, që gati u shndërrua në skandal, dr. Rugova tha prerazi se "bisedimet kanë përfunduar dhe Lidhja Demokratike do të krijojë vetë institucionet e qeverisjes".
Partia Demokratike tha se nuk i ka "humbur shpresat për një marrëveshje, ndërsa më e "pashpresë" u shpreh Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kryetari i së cilës, Ramush Haradinaj, një ditë më vonë u takua me shefin e zyrës amerikane John Menzies, duket për të kërkuar mundësitë e fundit për të shpëtuar "shpresat për bashkëqeverisje".
Dështimi i përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje politike nxori në shesh (më shumë kuloareve) akuzat dhe kundërakuzat. Votimi i deputetëve serbë për kryesinë e Kuvendit të Kosovës (ata votuan për kandidatët e tyre), ku nuk morri pjesë Partia Demokratike, u shfrytëzua nga disa përfaqësues të kësaj të fundit për të pohuar se "Lidhja Demokratike po hyn në koalicion me koalicionin e serbëve 'Povratak'". Ndërsa, përfaqësues të Lidhjes Demokratike thanë se "qëndrimi i Partisë Demokratike e çon atë në të njëjta pozita me koalicionin 'Povratak', në elementë të obstruimit të Kuvendit". Megjithatë, kësaj radhe as njërës e as tjetërs palë nuk u ndihmoi shumë "folklori nacionalist", mosmarrëveshjet e tyre kësaj radhe nuk kishin të bënin fare me serbët.
Sidoqoftë, raporti i forcave në Kuvendin e Kosovës do ta bëjë shumë të vështirë krijimin e qeverisë së ardhshme dhe cinikët tashmë kanë filluar të vënë baste duke prognozuar periudhën pas së cilës do të mund të funksiononte një qeveri, baste që parashohin muaj të tërë diskutimesh. Në skenë duket se do të jetë shantazhi nëpërmjet votave. Lidhjes Demokratike i duhen 80 vota në dy xhirot e para të votimeve për ta zgjedhur presidentin e Kosovës, ndërsa në xhiron e tretë të mundshme i duhen të paktën 61 vota. Nëse bisedime të tjera nuk do të ketë (dhe kjo tash duket pak e besueshme), atëherë lufta duket se do të bartet në "blerjen" e votave shtesë që i duhen LDK-së, e cila ka 47 deputetë në Kuvend.
Deri atëherë, duket se telenovelat maratonike latino-amerikane, aq të shumta në televizionet e këtushme, do të zbresin në vend të dytë për nga shikueshmëria. Nëse Termocentralet (që prishen çdo ditë dhe të cilat duket se vonë do të vijnë në rend dite) do të jenë në gjendje të prodhojnë rrymë elektrike, qytetarët e Kosovës do të ndjekin serialin më të paparashikueshëm - Kuvendin e Kosovës!
AIM Prishtinë, Besnik BALA