Kolapsi i bujqësisë kroate

Zagreb Dec 12, 2001

Aim, Zagreb, 9.12.2001.

Gjatë dhjetë viteve të kaluara Kroacia importoi ushqim më shumë se 10 miliardë dollarë amerikan, që në përqindje nënkupton diç më shumë se një miliardë dollarë amerikanë në vit! Për këtë shumë të madhe parashë më së miri flet krahasimi me buxhetin vjetor kroat që është diç më shumë se 9 miliardë dollarë. Një nga vërejtjet e pushtetit të tanishëm përderisa ishte në opozitë, që ia adresonte BDK-së, kishte të bënte me vërejtjet e fshatarëve dhe importimin e madh të ushqimit. Me këto kritika printe Partia Fshatare Kroate (PFK), sot një pjesëmarrëse e rëndësishme në Qeverinë e kryeministrit Ivica Raçan. Edhe pse ministri i bujqësisë dhe pylltarisë, Bozhidar Pankretiç, erdhi nga rradhët e PFK, trendi i sivjetëm i importit të ushqimit - gjykuar sipas bilansit nëntëmujor - sërish do ta tejkalojë një miliard dollarëshin. Kjo do të thotë se pushteti i ri nuk arriti të bënte asgjë jo vetëm në përmirësimin e bujqësisë kroate, as në zvogëlimin e importit të ushqimit.

  • Në Kroaci importohet gjithçka, sikur të mos ekzistonte bujqësia jonë prodhuese - thotë hidhërim Stanko Zdravçeviç, sekretar i Bashkësisë së Shoqatës së Fshatarëve të Sllavonisë dhe Baranjës. Bashkësia e tij u bë e njohur në Kroaci duke organizuar shumë protesta të fshatarëve, por kryesisht këto bllokada të shpeshta që shkaktuan zhurmë në pushtet, ishin të frymëzuara nga pagesa e vonuar e grurit të grumbulluar, misrit dhe ndonjë prodhimi tjetër bujqësor,dhe shumë pak, apo gati aspak, shkaku i mungesës së strategjisë së qartë të qeverisë për sa i përket fshatit.

Zdravceviç ka të drejtë: Kroaci me të vërtetë o,porton gjithçka, kurse në deklaratat doganore për importim mund të gjenden edhe gjethe dhe degë për lule, por edhe kashtë dhe fara dardhe! Vetëm qershi Kroacia ka importuar për 2,7 milionë dollarë, edhe pse ky prodhim bujqësor kultivohet mjaft në fushat e vendit.

  • Nga 1995 kur filluan trendet negative të bilanseve tregtarem përfshirë edhe periudhën e Qeverisë së Raçanit, nuk ndryshoi asgjë. Kuotat importuese janë gjithnjë e më të mëdha - thotë Antun Debrecin, drejtor shumëvjeçar i Kombinatit Belje dhe kryetar i kuvendit të ekspertëve të kryetarit Stipe Mesiç, që ka përpunuar strategjinë e zhvillimit të bujqësisë, por që nuk e pranoi Qeveria e Raçanit.

Në fillim të nëntëdhjetave, në tregëti me botën, Kroacia shënoi 16 milionë dollarë suficit kur është në pyetje eksporti dhe importi i prodhimeve bujqësore. Sot kjo shkallë është ndryshuar tërësisht, por në dëm të Kroacisë, kurse deficiti i tanishëm gjatë këmbimeve tregtare me botën ka arritur në gjysëm miliardë dollarë amerikan për një vit. Vetëm ky fakt flet se gjatë dhjetë viteve të fundit bujqësia kroate ka përjetuar rënie të plotë.

Është tragjike se bujqësia kroate sot ka vetëm pesë prodhime të mjaftueshme për nevoja të vendit. Këto janë: vera, misri, vezët dhe mishi. Gjithë prodhimet tjera bujqësore nuk mund i plotësojnë nevojat e vendit. Ky absurd është më i shprehur, bie fjala, në prodhimin e vajit dhe sheqerit: Kroacia ka kapacitete të përpunimit të vajit dhe sheqerit jo vetëm për nevoja të vendit, por edhe për eksport. Problemi qëndron aty se fshatarët nuk duan që ta kultivojnë karotëne e sheqerit dhe lulediellin sepse çmimi i blerjes që ofrojnë fabrikat e sheqerit dhe vajit nuk mund të mbulojë as harxhimet e prodhimit dhe nuk siguron kurfarë fitimi.

Përmes këtij shembulli shihet i gjithë paradoksi i prodhimtarisë bujqësore në Kroaci: është shumë më shtrenjtë se sa në vendet ku Kroacia eksporton prodhimet më të mëdha bujqësore, kryesisht vendet e Bashkësisë Evropiane. Atje, siç është e njohur, prodhimtaria bujqësore është mjaft e subvencionuar, kurse fshatarët e atjeshëm kanë motiv sepse gjithë malli që grumbullohet edhe blihet sipas një çmimi që siguron edhe fitim të majmë. Në Kroacia gjithçka ështtë ndryshe - subvencionet janë të pakta, çmimet e ulëta, kurse pagesa e mallit të blerë bëhet vetëm atëherë kur revolta fshatare fillon të cenojë stabilitetin e Qeverisë.

Në vendet e Bashkësisë Evropiane rreth 93 përqind e nevojave për ushqim realizohen përmes prodhimeve brenda vendit kurse importojnë vetëm ato prodhime që shkaku i kushteve klimatike nuk mund ta prodhojnë. Në Kroaci import-eksporti, zyrtarisht, është rreth 60 përqind, por në këtë të dhënë mund të numërohet vetëm ajo sasi e ushqimit që importohet me të madhe. Një pjesë të madhe qytetarët e importojnë vetë nga vendet fqinje (veçmas nga Sllovenia dhe Hungaria, e gjithnjë e më tepër nga Bosnjë e Hercegovina) ku ushqimi, shkaku i tatimit më të vogël, është shumë më i lirë.

Për sa kohë që prodhimet bujqësore kroate janë të shtrenjta dhe jo konkurruese në tregun botëror, është joreale të ndikoj kjo në eksport, që bëhet gjithnjë e më pak i importues me ç'rast marrin provizione të majme. Falë luftës së vazhhdueshme për provizion të importit në Kroaci gjithnjë e më tepër importohet malli i keq ose i kualitetit të dyshimtë, prandaj kanë të drejtë ata, sikurse sekretari i Bashkësisë së Shoqatave të Fshatarëve të Sllavonisë dhe Baranjës, Stanko Zdravçeviçit, që thotë se në Kroaci përfundon plehu ushqimor europian.

Inkuadrimi i Kroacisë së Organizatën Tregëtare Botërore (WTO), që Qeveria e Raçanit e cilësoi si një sukses të madh të politikës së jashtme, us hpreh negativisht në prodhimtarinë bujqësore. Marrëveshja për tregëti të lirë, sikurse është për shembull me Hungarinë, ka rezultuar me importin e shtuar të ushqimit (në gjysmën e parë të këtij viti nga Hungaria ky import ka qenë madje 34 përqind!). Zvogëlimi i doganës dhe hapja e mëtejshme e tregut (që duke qenë anëtare e WTO gjatë periudhës kalimtare shtatëvjeçare Kroacia është e detyruar që ta bëjë),do të shkaktojë vështirësi gjithnjë e më të shumta për prodhimtarinë bujqësore të vendit, kurse mundësia për eksport do të jetë vetëm teorike. Prodhimet e shtrenjta dhe jo konkurente të Kroacisë duket se askush nuk i dëshiron në vend, e ku më jashtë.

Megjithatë është më tragjike se Kroacia gjithë strategjjinë e zhvillimit e bazon në prodhimtarinë ushqimore dhe në turizëm. Bashkëdyzimi i këtyre dy veprimtarive mund t'i sjell prosperitet vendit, por nëse ushqimi i prodhuar do të ishte i lirë dhe do të kishte një organizim tjetërfare dhe kur do të plotësonte nevojat e vendit, si dhe do të plasohej jashtë përmes një eksporti klasik. Por tani kemi një gjendje krejtësisht tjetër. Në hotelet e Adriatikut kroat, mysafirët e huaj, veç qumështir të importuar, djathit, mishit dhe frutave, madje hanë edhe peshk të importuar. Ndërkohë që shiten edhe hotelet e Adriatikut, turizmi së shpejti do të gjendet në të njëjtën gjendje siç është tani bujqësia. Mysafirët kroat do të flenë në hotelet pronarë të të cilëve janë të huajt, do të hanë ushqim që arrin nga importi, kurse pjesa më e madhe e fitimit nga turizmi do të dalë jashtë kufinjve të Kroacisë. Mysafirët do të lahen në detin kroat dhe do të shijojnë rrezen kroate, por këto shërbime - për fatkeqësinë e strategëve të zhvillimit të turizmit kroat - nuk do të paguajnë.

DRAGO HEDL