Simbolet kombëtare dhe identiteti 'i ri' kosovar
Prishtinë, 9.12.2001.
Flamuri i Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të jetë e vetmja "stoli" në ambientet e institucioneve të Kosovës. Ky është vendimi i Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK), i cili administron Kosovën edhe pas zgjedhjeve të përgjithshme të 17 nëntorit. Shefi i këtij Misioni, ish-ministri danez i mbrojtjes, Hans Haekkerup, ka nënshkruar një rregullore për mbledhjen e parë të Parlamentit të Kosovës, në të cilën është vendosur edhe çështja e përdorimit të flamujve, apo më mirë të thuhet e "mospërdorimit" të tyre. Ndonëse për më tutje ende nuk është marrë një vendim i prerë, duket se kjo rregullore do të vazhdojë të zbatohet edhe në të ardhmen, të paktën përderisa të mos vendoset ndryshe. Mirëpo, gjykuar në bazë të zhvillimeve të deritashme, zor se administratori Haekkerup do t'i ndryshojë vendimet e tij.
Çështja e flamurit dhe flamujve në Kosovë gjithnjë ka qenë (dhe vazhdon të jetë) shumë e ndjeshme. Shqiptarët e Kosovës për herë të parë e kanë "fituar të drejtën" e përdorimit të flamurit të tyre kombëtar pas vitit 1968, kur shpërthyen demonstrata të mëdha në kërkim të disa të drejtave që deri atëherë nuk vlenin për ta. Komunistët e Titos vendosën që për t'i "shuar" pakënaqësitë e shqipatrëve të bëjnë disa lëshime, duke ua mundësuar atyre mes tjerash edhe përdorimin e flamurit kombëtar me shqiponjën e zezë dukrenëshe me yllin komunist në mes, që ishte i njëjtë me flamurin e Shqipërisë. Serbët e kishin përjetuar shumë rëndë këtë hap, ndërsa shqiptarët kishin marrë frymë paksa më të lehtësuar. Deri kah mesi i viteve '80 ky flamur kishte mbetur i njëjtë. Por, ngjarjet e vitit 1981 bënë që komunistët, pasardhës të Titos, të merrnin vendimin që t'i dallojnë shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës, prandaj yllin pesërrembësh e tërhoqën nga hapësira ndërmjet dy krerëve të shqiponjës për ta vënë në cep të flamurit, por në përmasa shumë më të mëdha. Shqiptarët e vlerësuan këtë si përçudnim, por nuk arritën (as nuk guxuan) ta kundërshtojnë. E tërë "rezistenca" e tyre përmblidhej në mbështjelljen e flamurit përreth shtizës për ta mbuluar yllin që po shdnërrohej në një relikt të urryer komunist. Vitet '90 krijuan një mish-mash të përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar, që në të shumtën varej nga "disponimi" i patrullave të policisë. Akëcilës prej tyre mund t'i shkrepej që të ndalonte, p.sh., një kolonë dasmorësh dhe ta keqtrajtonte për orë të tëra qoftë për vetë prezencën e flamurit, apo për formën e tij. Ngritja e flamurit deri në "shenjtëri" nuk dihet nëse ishte dashuri "fanatike" e shqiptarëve, apo më shumë "meritë" e pushtetit që luftonte flamurin.
Fundi i sundimit serb në Kosovë nuk i dha fund odisesë së përdorimit të flamurit. Pas përfundimit të luftës shqiptarët u ngutën për ta shuar 'etjen' e tyre duke e vënë flamurin në çdo shtëpi, në çdo vend, madje dhe në çdo skutë. Jo rrallë çështja shkoi deri në banalitet dhe njerëzit filluan ta vendosin flamurin edhe në maje të stallave që po rindërtoheshin!
Por, një kolonë dasmorësh që po 'marshonte' rrugës magjistrale që lidh Prishtinën me Shkupin u ndalua një ditë prej ditësh në fshatin Çagllavicë, vetëm katër kilometra në dalje të Prishtinës, nga forcat paqëruajtëse (KFOR). Ushtarët kërkuan uljen e flamurit, meqë ai po "shqetësuaka pjesëtarët e pakicës kombëtare serbe" që jetojnë të izoluar në këtë fshat (sikurse edhe në të gjitha enklavat tjera). Hutimi dhe më pastaj zemërimi i dasmorëve shqiptarë kishte qenë i jashtëzakonshëm dhe po të mos ishte "dashuria ende e freskët me shpëtimtarët", situata do të mund të shkallëzonte në një konfrontim të hapur. Fill pas kësaj KFOR-i bëri të ditur se "nuk do të lejojë përdorimin e flamujve kombëtarë në zonat ku ata shkaktojnë shqetësim ndëretnik".
Çështja e përdorimit të flamurit mori përmasa politike posaçërisht pas zgjedhjeve lokale të 28 tetorit të vitit 2000. Deputetët e kuvendeve komunale nuk pranuan të bëjnë betimin pa flamurin kombëtar shqiptar dhe pa vendosjen e tij nëpër sallat e kuvendeve. Por, ish-administratori i Kosovës, francezi Bernard Kouchner, e zgjodhi këtë çështje lehtësisht. Thjesht, pranoi që në salla të vendosen flamujtë e të gjitha komuniteteve dhe çështja ashtu u mbyll, natyrisht e pazgjidhur.
Zgjedhjet e përgjithshme të 17 nëntorit në Kosovë e nxorën sërish në pah këtë problem. Disa vendvotime nuk u hapën me kohë për shkak se zgjedhësit nuk pranuan të votojnë pa flamurin kombëtar, ndërsa administratori i Kosovës, Hans Haekkerup, tashmë po shqytronte seriozisht përdorimin apo jo të flamujve kombëtarë. Por, ai tashmë kishte vendosur që në Parlamentin e Kosovës që do të dilte nga këto zgjedhje të vendosej vetëm flamuri i Kombeve të Bashkuara. Shtatë komunitete të ndryshme kanë siguruar vende në këtë Parlament, ndërsa përdorimi i të gjithë flamujve do të paraqiste vështirësi për zyrtarët ndërkombëtarë, duke pasur parasysh se disa syresh i kanë flamujtë e vendeve fqinje të Kosovës, e ndonjëri prej komuniteteve (që më vonë ka filluar procesin e diferencimit kombëtar) ende nuk ka një flamur të përcaktuar. Vendimi i tij u kundërshtua nga përfaqësuesit shqiptarë, të cilët ngulin këmbë që kjo çështje të zgjidhet nga parlamenti i Kosovës. Danezi Haekkerup shpjegoi se çështja e flamurit mund të zgjidhet së bashku me çështjen e statusit përfundimtar të Kosovës, ndërsa kjo e fundit duhet të presë edhe një kohë. Së këndejmi, çështja e flamurit duket se nuk është më punë "emocionesh".
Shqiptarët që synojnë pavarësinë e Kosovës tashmë po përballen me dilemën se cilat duhet të jenë simbolet e tyre të ardhshme nëse realizohen aspiratat e tyre. Gjithnjë e më të shpeshtë janë zërat se Kosova duhet të ketë flamurin dhe simbolet e veçanta që do ta dallonin nga Shqipëria, e cila tashmë 90 vjet e ka pavarësinë e saj. Kjo pavarësi vazhdon të kremtohet nga të gjithë shqiptarët edhe jashtë kufijve të saj, si ditë e shtetësisë së tyre. Këtë vit madje 28 nëntori (pavarësia e Shqipërisë është shpallur më 28 nëntor të vitit 1912) në Kosovë ishte ditë e veçantë. Në qendër të qytetit u vendos një shtatore e lartë e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, që shqiptarët e cilësojnë si kryeheroin e tyre për shkak të luftës 25 vjeçare kundër Perandorisë Osmane. Kremtimet më rastin e vendosjes së kësaj shtatoreje ishin nga më të mëdhatë të organizuara ndonjëherë në Kosovë, ku arritën delegacione shqiptarësh nga të gjitha anët e botës. Arritja e shtatores nga Tirana, ku është punuar, deri në Prishtinë, kishte një simbolikë të veçantë për shqiptarët që po "thyenin" kësisoji kufirin dikur më të ruajtur në Evropë, duke ju afruar bashkimit shpirtëror kombëtar, por edhe atij politik. Por, duket se ata kësaj radhe dëshironin t'i japin një theks të posaçëm "përkatësisë evropiane" të shqiptarëve. Skënderbeu ishte edhe heroi i krishterimit dhe Evropës. Për një çerek shekulli, thonë shqiptarët, ai e mbrojti qytetërimin evropian nga terri aziatik!
Sidoqoftë, flamuri kombëtar shqiptar tashmë është shndërruar në çështje diskutimesh madje edhe brendapërbrenda komunitetit shqiptar. Procesi i krijimit të kombit për pjesën më të madhe ka përfunduar kaherë, mirëpo çështja kombëtare vazhdon të mbetet e pazgjidhur. Opsioni i bashkimit kombëtar tash për tash duket pak i pranishëm te shqiptarët, po të nisemi nga fakti se në zgjedhjet e fundit të përgjithshme partia politike që angazhohej në mënyrë të drejtpërdrejtë për këtë opsion ka fituar vetëm një vend në Parlamentin e Kosovës. Mëgjithatë, kjo nuk e bën këtë opsion të papranueshëm për shqiptarët, por sipas analistëve duket të jetë rrjedhojë e një qasjeje më pragmatike të tyre. Ata janë të vetëdijshëm se lufta për bashkimin kombëtar do të ishte tepër e mundimshme dhe do të përfshinte hapësira të gjëra përreth Kosovës. Shqiptarët pohojnë se shteti aktual shqiptar është paradoksi më i madh në botë: ai kufizohet nga të gjitha anët me shqiptarë. Së këndejmi, pavarësia e Kosovës për shqiptarët e këtushëm duket opsioni më real, por kjo ngre një çështje shumë të ndjeshme. A duhet të diferencohen ata nga shqiptarët e Shqipërisë. Një grup i analistëve pohon se kjo është e pashmangshme, duke propozuar madje përdorimin e termit "kosovar", me çka do të përfshiheshin të gjithë qytetarët e saj. Grupe të tjera e kundërshtojnë rreptë këtë formë të "joshjes" së bashkësisë ndërkombëtare për ta pranuar pavarësinë e Kosovës, meqë kjo për ta nënkupton heqje dorë nga identiteti i tyre kombëtar. Për qytetarët që kanë kaluar nëpër burgjet serbe mbi 25 shekuj (aq llogariten vetëm dënimet e shqiptuara kundër shqiptarëve gjatë viteve '80) për shkak të luftës për ruajtjen e identitetit, ky duket një çmim tepër i lartë, qoftë ky edhe për pavarësinë!
AIM Prishtinë, Besnik BALA