KISHAT NE SLLOVENI - TE BARABARTAT DHE PAK ME TE BARABARTAT
Lubjanë:Dossier Lubjanë:
IGOR MEKINA, AIM Lubjanë
Kisha Katolike eshte "me e barabarte" se te tjerat, jo vetem se numeron me shume besimtare, por edhe per shkak te akteve nenligjore te ndryshme qe rregullojne statusin dhe marredheniet e saj ne shoqeri.
Nuk ka ende të dhëna zyrtare rreth numrit të pjestarëve të besimeve të ndryshme në Slloveni. Meqenëse po afrohet regjistrimi i popullatës, kishte ide se ky është një rast i mirë që kopeja të numërohet dhe të klasifikohet nëpër kisha. Kjo ka shkaktuar polemika të rrepta rreth temës nëse pyetja per përkatësinë religjioze të qytetarëve duhet të vendoset në listën e regjistrimit. Ithtarë të kësaj ideje kanë qenë komunitetet e ndryshme religjioze, ndërsa zyrtarët shtetërorë dhe ekspertët e pavarur qëndruan pranë vendimit që një pyetje e tillë të mos zinte vend në listë, meqenëse rezultati përfundimtar - me presupozimin se një pjesë e qytetarëve do të refuzonte të deklarohej - nuk do të ishte real. Kështu, regjistrimi i popullatës do të bëhet vitin e ardhshëm, por sic duket pa pyetjen kontestuese.
Përkundër gjendjes së përshkruar më lart, ekzistojnë vlerësime të besueshme rreth numrit të pjestarëve të besimeve të ndryshme religjioze. Sipas hulumtimeve relevante të opinionit publik (një projekt ky, të cilin e realizon prej 30 vjetesh Qendra për Hulumtimin e Opinionit Publik pranë Fakultetit të Shkencave Sociale në Lubjanë), në Slloveni jetojnë 68-72 % katolikë, 1.7% ortodoksë, 1% myslimanë, 0.7% protestantë dhe 1.3% të krishterë - pjesëtarë të kishave të tjera. Rreth 15% e të anketuarve janë deklaruar se nuk i përkasin asnjë besimi religjjioz, ndërsa të tjerët nuk janë deklaruar fare (rreth 6-10%). Sipas të dhënave më të fundit, ndërkaq, gjithsejt 19% e sllovenëve beson në sensin "kishtar", 21% e praktikon besimin e vet religjioz në mënyrë "autonome", ndërsa madje tri të pestat (rreth 60% e popullatës) - nuk ia dhuron shpirtin asnjë perëndie!
Sa u përket të dhënave zyrtare, del që ka më shumë komunitete fetare nga ajo që do të mund të konkludohej bazuar në të dhënat e thata statistikore. Kancelaria qeveritare për komunitetet religjioze i ka të regjistruara 32 komunitete të tilla - që nga Komuniteti Hebraik, Bashkësia e Kishave Baptiste, Dëshmitarëve të Jehovait, Bashkësisë për Ndërgjegjen e Krishnas, Kishës së Jezu Krishtit nga Ditët e Fundit, Bashkësisë Nacionale Bahame, Kishës Shri Rahvakunda, Kishës Ortodokse Maqedone, pastaj Kishës Scientologjike, Kishës së Bardhë Gnostike deri te grupet për të cilat qytetarët e rëndomtë të Sllovenisë dëgjojnë në mënyrë sporadike, më saktë - rrallë.
Të gjitha grupet e cekura e kanë një gjë të përbashkët -në kohën e socializmit pjesëtarët e komuniteteve religjioze, pa përjashtim, edhe pse formalisht të lirë për t'i shprehur bindjet e tyre, u ekspozoheshin kufizimeve dhe presioneve të ndryshme. Në këtë rrafsh në Slloveni ka ndodhur një hapje shumë heret, para të gjitha ndryshimeve shoqërore të tjera, ndërsa në rrafshin simbolik kjo kthesë ndaj besimtarëve u bë transparente kur Jozhe Smole, kryetar i atëhershëm i Lidhjes Socialiste (organizatë që "tubonte të gjithë qytetarët tjerë që nuk ishin në Lidhjen e Komunisteve"), nëpërmjet radios në dhjetor të vitit 1986 ua uroi të gjithë qytetarëve dhe besimtarëve - "Gëzuar Kërshëndellat". Nga organet federale jugosllave u lëshua një ortek kritikash për shkak të "shkatërrimit të shtetit", ndërsa në Slloveni urimi i Smoles u mirëprit. Jozhe Smole, duke iu falënderuar kësaj ngjarjeje, e mori madje edhe llagapin, i cili në opinionin publik e përcolli deri në fund të jetës - "Bozhiçek" (në përkthim - Babadimri ose Gjyshi i Kërshëndellave).
Edhe pse Sllovenia është kryesisht një vend katolik, ekziston ndjenja e pluralizmit fetar që e ka pamundësuar shkrirjen e plotë të identitetit religjioz me atë nacional. Sllovenia ka përjetuar pjesërisht gjatë historisë procesin e reformacionit, edhe pse protestantizmi në territorin e shtetit të tashëm për shumë vite ka qenë i përndjekur. Përkundër kësaj, protestantët kanë arritur t'i botojnë librat e parë në gjuhën sllovene në kohën kur nëpër kishat katolike përdoreshin gjuhë të huaja. Suksesi më i madh ishte botimi i Shkrimit të Shenjtë të përkthyer nga Primozh Trubar. Një arsye tjetër pse kisha katolike nuk e ka mbajtur primatin absolut në shoqërinë sllovene janë ngjarjet në Luftën e Dytë Botërore, kur kreu i kishës katolike të këtushme e ka mbështetur dhe ndihmuar organizimin e ushtrisë domobrane dhe kolaboracionin e saj me pushtetin okupues.
Sa i përket lirisë së besimit, ajo është e garantuar me Kushtetutën sllovene, ndërsa komunitetet religjioze konsiderohen si organizata nga fusha e të drejtës private, të cilat janë të barabarta mes vetes dhe të ndara nga shteti. Një fakt bizar është se punën e tyre e rregullon Ligji për komunitetet religjioze i vitit 1976, meqenëse ligji i ri është ende në procedurë e sipër. Mirëpo, përkundër barazisë së proklamuar zyrtarisht, të gjitha komunitetet religjioze nuk janë edhe "de facto" të barabarta midis tyre. Kisha Katolike është "më e barabartë" se të tjerat, jo vetëm pse numëron më së shumti besimtarë, por edhe për shkak të akteve nënligjore të ndryshme që e rregullojnë statusin dhe relacionet e saj në shoqëri. Lubjana zyrtare, për shembull, ka nënshkruar në vitin 1999 me Konferencën Ipeshkvnore në Slloveni "Pajtimin me pozitën juridike të Kishës Katolike". Në të vërtetë, një marrëveshje të ngjashme qeveria e Drnovshekut e ka nënshkruar edhe me komunitetin protestant, por, për më tepër, të dyja komunitetet e kanë edhe të drejtën në bazë të një marrëveshjeje të veçantë që me shpenzimet e shtetit të punësojnë kapelanë në ushtrinë sllovene, "me obligim që të përkujdesen për ushqimin shpirtëror" të ushtarëve besimtarë.
Një sukses të vërtetë të kishës katolike e përfaqëson fakti që ajo ka arritur të sigurojë nga shteti një numër privilegjesh në pikëpamje të pozitës juridike në shoqëri, të gjitha të shënuara shumë bukur në disa nene të "Pajtimit" tashmë të përmendur, kështuqë kisha katolike në Slloveni gëzon një pozitë të veçantë, gati "eksterritoriale", si dhe respektimin e të drejtës kishtare. Edhe një dëshmi pse kisha katolike ka një pozitë të privilegjuar është vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Sllovenisë, e cila e ka ndaluar që në procesin e denacionalizimit t'u kthehet prona e karakterit feudal pronarëve të dikurshëm - ku është përjashtuar kisha katolike, të cilës i është lejuar, për shkak të "rëndësisë së veçantë" të saj, që ta marrë pronën e dikurshme, madje edhe atë të konfiskuar në periudhën e reformave agrare në kohën e Mbretërisë SKS aspak socialiste, e cila ngjashëm me shumë shtete evropiane të përparuara i ka shpronësuar pronarët e mëdhenj, e midis tyre edhe kishën katolike. Në këtë mënyrë kisha katolike sllovene i ka siguruar vetes një pozitë favorizuese në periudhën e postsocializmit dhe tranzicionit, duke e arritur atë që nuk kanë mundur ta bëjnë me zbatimin e zgjidhjeve të ngjashme gjatë denacionalizimit në Çeki, Poloni, Hungari... Atje kishës katolike vetëm në raste të jashtëzakonshme i është ofruar kthimi i të mirave në natyrë. Për këtë arsye ligji slloven mbi denacionalizimin për Kishën është unik, meqenëse e ofron mundësinë e kthimit të pronës në formën që edhe është marrë. Një ligj i tillë është aprovuar menjëherë mbas ndryshimeve demokratike të vitit 1991, dhe asnjë qeveri e mëvonshme nuk ka arritur që ta korrigjojë atë, përkundër faktit se në shumë raste është treguar si një zgjidhje e keqe - kisha katolike në Slloveni po bëhet dalengadalë pronari më i madh i tokave në shtet, i cili që tani e kontrollon një fond kolosal pyjesh dhe parqesh nacionale, si dhe resurse të tjera të rëndësishme.
Kjo i ka dhënë kishës katolike një vullnet shtesë të jetë këmbëngulëse për "të fituar të gjitha ato që janë të saj", po që i qe marrë nga ky apo ai pushtet; për këtë arsye opinionin vazhdimisht e trondisin kontestet midis Kishës dhe shtetit. Çështja më e fundit e hapur është pronësia mbi ishullthin e njohur midis Liqenit të Bledit. Parlamenti slloven në fund të tetorit të vitit 1999 ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Denacionalizim, sipas të cilit kështjella Betnava dhe ishulli në Bled (bashkë me 41 monumente kulturore të tjera) - bëhen pronësi shtetërore. Më pas deputetët e të djathtës kanë pohuar se parlamenti ka miratuar një "nacionalizim të ri", mirëpo manovra e tyre nuk pati sukses dhe dy herë u mbivotuan. Herën e parë për "heqjen" e Betnavës dhe ishullit të Bledit nga lista e monumenteve shtetërore kanë votuar 33 deputetë, ndërsa kundër 37, po as herën e dytë nuk ishte më mirë - për heqjen e ishullit dhe kështjellës që dominojnë mbi Bledin kanë votuar 26, ndërsa kundër kanë votuar 37 deputetë. U pa se madje as deputetët e SDS të Janshës (të cilët janë me orientim prokatolik) nuk ishin për kthimin e ishullit në Bled në duart e Kishës. Fundja, ky ishull jo vetëm që është ishulli i vetëm në Slloveni, por edhe vite me radhë është njëri prej simboleve të shtetit të ri dhe ofertës së tij turistike. Megjithatë, ishulli një herë pati përfunduar në duart e Kishës - në kohën e qeverisë djathtiste të Bajukut, kur transferimin e pati realizuar Ministria e Kulturës. Më vonë përsëri iu kthye shtetit me vendimin e po asaj ministrie, në qeverinë e tashme të Drnovshekut. Natyrisht, kisha ka paralajmëruar mbrojtjen e të drejtave të saj në Bled nëpërmjet gjyqit, çka do të thotë se ishulli mbetet temë që do t'i shqetësojë shpirtrat edhe në të ardhmen.
Që e tëra të jetë edhe më interesante, përkundër pronave që i janë kthyer, kisha nuk është e obliguar të përkujdeset për veten, por për monumentet kulturore kishtare përkujdeset edhe më tej shteti. As kjo nuk është e tëra - shteti jo vetëm që financon rindërtimin e monumenteve kulturore kishtare, por paguan edhe kontribute për sigurimin social dhe shëndetësor të të punësuarve në komunitetet religjioze. Është e vërtetë që në shkollat publike nuk ekziston mësimi i fesë, por pas reformës së sistemit shkollor është futur një lëndë e veçantë me emrin "Feja dhe etika", e cila i dedikohet njohjes së nxënësve me religjionet më të rëndësishme botërore. Kisha nuk ka arritur ta sigurojë të drejtën që vetë ta përgatisë programin për këtë lëndë, por ndikon në zhvillimin e mësimin tërthorazi, meqenëse një numër i konsiderueshëm arsimtarësh që e ligjërojnë "Fenë dhe etikën" vijnë nga Fakulteti i Teologjisë në Lubjanë, i cili zyrtarisht është pjesë e Universitetit të Lubjanës. Njëkohësisht, të gjitha komunitetet religjioze kanë të drejtë të themelojnë kopshte fëmijësh ose shkolla, ndërsa shteti, nëse ato institucione zbatojnë programin mësimor në fuqi, i financon 85% të shpenzimeve të mësimit.
Kisha katolike në vitet e fundit ka patur një rol posaçërisht të theksuar në zgjimin e ndërgjegjes nacionale në Slloveni, posaçërisht me predikimin mbi veçantinë nacionale dhe përkatësinë kulturës perëndimore (të krishterë). Në disa raste kreu i Kishës, në krye me kryeupeshkun e tashëm slloven, Franc Rode, shkon aq larg sa pa kurrfarë ngurrimi dhe në dëm të kombeve të tjera në fqinjësi e thekson ngjashmërinë midis sllovenëve dhe kombeve e racave të tjera perëndimore, duke mos ngurruar që t'i ofendojë ateistët (të pafetë) në çdo rast. Kryeupeshku slloven Rode proklamon se besimtarët e tij duhet të dinë si ta ruajnë "të vërtetën e vet të vetme dhe të drejtë", si dhe që tani e tutje duhet punuar që të gjithë sllovenët ta arrijnë "njohjen e vlefshme për lavdatë" se janë "një popull sovran, zotëri". Kryeupeshku slloven është i njohur për rrëshqitje të tilla; para një viti ka vlerësuar se shkolla e tashme në Slloveni "nuk është shkollë e jona", dhe për këtë arsye "ajo do të ndryshohet sa më parë që të jetë e mundshme", ndërsa ateistët i ka sulmuar për mungesë etike dhe morali. Një pjesë e mirë e opinionit publik slloven konsideron se ky është fjalori i një prijësi të ndonjë partie politike ekstremiste, dhe jo e atit të Kishës. Kritikët e Kishës pohojnë se kreu katolik në Slloveni "e nxit pandërprerë urrejtjen fetare dhe jotolerancën, me apostrofimin e vazhdueshëm negativ të atyre që nuk janë besimtarë", ndërsa i glorifikon ata që në Luftën e Dytë Botërore kanë bashkëpunuar me okupatorin.
Megjithatë, përkundër kësaj, raporti i kishës katolike dominante me komunitetet tjera religjioze është solid. Nëse ka vërejtje, ato janë të shqiptuara në mënyrë perfide dhe zakonisht janë të drejtuara në llogari të ateistëve ose komuniteteve të tjera, por gjithçka në rrafshin joformal. Janë shfrytëzuar disa raste që mënyra e "rekrutimit" të anëtarëve dhe zhvillimi i ritualeve të disa komuniteteve fetare më të vogla të trajtohet nëpërmjet shkrimeve kritike në gazeta, por kjo nuk ka qenë arsye për ndonjë larje më të madhe hesapesh ndërfetare ose për depërtimin e njëmendtë të grupeve religjioze fundamentaliste. Është e vërtetë që luftërat në Ballkan Slloveninë e kanë prekur vetëm tërthorazi, por kjo nuk e ka penguar shumicën katolike që t'i mbështesë haptas interesat e banorëve katolikë ose myslimanë të RSF të Jugosllavisë së dikurshme. Vetëm në kulmin e fushatës botërore antiterroriste janë shpeshtuar vërejtjet në llogari të myslimanëve, prandaj para pak kohësh është dëgjuar paralajmërimi nga goja e një prelati të lartë kishtar në Slloveni se Islami "ka përfaqësuar një rrezik të vazhdueshëm për sllovenët", krahas përkujtimit të vuajtjeve të popullatës së këtushme në kohën e invazionit turk - para më shumë se pesëqind vjetësh!