NE SHENJE TE SKIZMES

Part of dossier RELIGJIONET NE BALLKAN Dec 6, 2001
Sofje:

Dossier Sofje:

GEORGI FILIPOV, AIM Sofje

Bullgaria nuk ka arritur qe ta kaperceje menyren e vjeter te te menduarit nga periudha e regjimit komunist, se shteti nuk duhet te perzihet ne veprimtarite religjioze.

Modeli pastotalitar i ndarjeve që zgjati dymbëdhjetë vjet - në të kuq dhe të kaltër, në komunistë dhe antikomunistë, në tanët dhe tuajt, nuk bëri përjashtim as sa u përket komuniteteve fetare në Bullgari. Sado e çuditshme të duket kjo, ndarja nuk u bë në besimtarë dhe ateistë, në të krishterë dhe myslimanë, në ortodoksë dhe katolikë. Dy religjionet kryesore në Bullgari - ortodoksia lindore dhe islami, kanë përjetuar dhe po përjetojnë periudha përçarjesh brenda radhëve të tyre. Për myslimanët duket se kjo periudhë tanimë është tejkaluar, mirëpo ndarjet brenda Kishës Ortodokse Bullgare ende janë latente. Bullgaria nuk ka arritur që ta tejkalojë mënyrën e vjetër të të menduarit nga periudha e regjimit komunist - se shteti nuk duhet të përzihet në veprimtaritë religjioze. Në themel të të gjitha luftërave brenda Kishës Ortodokse Bullgare (KOB) dhe Kryemeshihatit në dhjetëvjeçarin e fundit kanë qenë interesat politike dhe ekonomike si të partive të tëra, ashtu edhe të grupeve të caktuara të klerit.

Skizma në ortodoksinë bullgare, e cila është religjioni themelor në shtet sipas Kushtetutës së vendit, edhe më tej është plaga më e tmerrshme dhe më e thellë e shoqërisë në etapën e zhvillimit demokratik të saj. Ajo ka filluar që në vitin 1992, ka kaluar nëpër disa periudha të afrimit midis sinodit të patriarkut Maksim dhe sinodit të apostatëve, që e mbanin emrin patriarkut Pimen, tashmë të vdekur. Skizma është frymëzuar nga disa qarqe të Lidhjes së Forcave Demokratike (SDS), ndërsa ideja për dekomunizimin e kishës fillonte dhe mbaronte me thirrjet për largimin e patriarkut Maksim. Ithtarët e kësaj ideje i kontestojnë vendimet e kuvendit kishtar-popullor të mbajtur në vitin 1971 për zgjedhjen e patriarkut, me argumentin se Maksimin e ka imponuar pushteti komunist dhe që vetë ai është agjent i Sigurimit Shtetëror. Agjent a jo, komunist ose jo, por është fakt që pjesa më e madhe e klerit ortodoks bullgar ka mbetur pranë patriarkut Maksim. Kundërshtarët e tij janë dëbuar nga kisha. Si rezultat i gjithë kësaj, është krijuar Kisha Ortodokse Bullgare alternative, me Sinodin e Shenjtë alternativ, ndërsa përfundim i natyrshëm ishte zgjedhja e patriarkut alternativ në vitin 1996. Skizmatikët e gëzonin mbështetjen politike të SDS, ndërsa raporti i forcave midis dy sinodeve varej nga fakti nëse partia e kaltër ishte në pushtet apo në opozitë. Kështu, sinodi i gjyshit Pimen e kishte një periudhë lulëzimi gjatë dy viteve të para të qeverisjes së SDS (1997-1998). Sipas Ligjit aktual për komunitetet religjioze, regjistrimi i komuniteteve religjioze në Bullgari bëhet pranë Drejtoratit për komunitetet religjioze që është pjesë e ekzekutivit. Kontrolli i SDS mbi këtë institucion ka sjellë një situatë absurde dhe të regjistrohen dy kisha ortodokse, për shkak të pamundësisë që KOB e patriarkut Maksim të izolohet në tërësi. SDS nuk ka arritur t'ia dalë mbanë me patriarkun legjitim bullgar edhe për arsye se atë e mbështet gjithë kleri botëror. Me nismën e Maksimit, në vitin 1998 është ftuar kuvendi i të gjitha kishave ortodokse në Sofje, ku janë mbledhur të gjithë klerikët e lartë të kishave ortodokse. Në presionin e patriarkut të përbotshëm, Vartolomeut, apostatët e Pimenit qenë detyruar të kërkojnë falje. Ndërsa Maksimit iu vu kushti që t'i pranojë prape në gjirin e KOB të gjithë skizmatikët dhe që ata t'i marrin pozitat që i kishin para skizmës.

Këmbanat e katedrales së "Shën Aleksandër Nevskit" e paralajmëruan aktin e bashkimit. Mirëpo gëzimi zgjati gjithsejt një muaj. Sinodi alternativ së shpejti pas kësaj e ftoi kuvendin kishtar-popullor, në të cilin e ndryshoi statutin e KOB alternative dhe tregoi se nuk mendon fare që të pajtohet me sinodin e patriarkut Maksim. Kështu, bashkimi u ngri, ndërsa skizma - u ripërtërit. Vdekja e patriarkut Pimen dhe largimi i SDS nga pushteti i kanë zvogëluar ambicjet dhe afshin luftarak të skizmatikëve, të cilët mbajnë nën kontrollin e tyre një pjesë të vogël tempujsh dhe kishash.

Shteti e ka luajtur një rol të madh në nxitjen e skizmës. Duke filluar që nga ndikimi i drejtpërdrejtë i partive politike dhe gjer te ligji për besimet religjioze dhe disa vendime gjyqësore. Vitin e kaluar, Gjykata Supreme Administrative ka prurë vendimin pro mundësisë që në Bullgari të ekzistojnë më shumë kisha ortodokse. Sipas gjykatësve, gjithë ata që nuk u pëlqen patriarku Maksim, janë të lirë për të krijuar një kishë të re ortodokse. Njerëzit megjithatë shpresojnë se qeveria e re e Simeon Sakskoburgotskit do t'i japë fund kësaj skizofrenie shtetërore-administrative. Simeoni i Dytë e ka treguar respekti e tij publik ndaj patriarkut Maksim, i cili nga ana e vet e ka bekuar qeverisjen e kryeministrit të ri dhe ish-mbretit. Ky akt ishte një sinjal i qartë drejt legjitimimit të Kishës Ortodokse Bullgare unike.

Gjatë nëntë vjetëve të shkuar të skizmës, patriarku Maksim ka treguar që, pa marrë parasysh anën e errët të së kaluarës së tij, nuk do ta lejojë mosrespektimin e kanuneve kishtare. Është bërë po ashtu e qartë - që për sa kohë të jetë ai gjallë, kisha nuk mund të bashkohet. Megjithëse ajo do të mund të mbetej kështu e ndarë edhe pas tij, për arsye se pas qëllimeve ideale të skizmatikëve fshihen synime jo edhe aq altruiste. Kisha disponon një fuqi kolosale ekonomike dhe pikërisht kjo fuqi ishte shënjestra themelore e sulmit të ithtarëve të patriarkut Pimen. Burimi kryesor për të ardhurat e kishës gjithmonë ka qenë prodhimi i qirinjve. Me dekretin e vitit 1961 ai është prioritet vetëm i KOB. Nga 200 tonë për një vit në vitet tetëdhjetë, prodhimi u rrit me shpejtësi dhe arriti në 800 tonë për vitin 1991. Gjëja e parë që bënë skizmatikët në vitin 1992, pas okupimit të pallatit të sinodit, ishte të suleshin mbi shkritoren e qirinjve. Sipas përllogaritjeve, nga qarkullimi vjetor prej rreth 30 milionë leva, gjithsejt 10 milionë i shkojnë Sinodit të Shenjtë, ndërsa pjesa tjetër i mbush xhepat e dikujt që është i huaj për kishën. Pjesa e dytë e shijshme e kulaçit janë pasuritë e paluajtshme. Përsëri për shkak të skizmës, Sinodi i Shenjtë nuk mund ta kthejë pronësinë mbi një pjesë të madhe të pasurisë së paluajtshme, ndërsa për pjesën tjetër nuk e merr qiranë për shkak të kontesteve dhe pretendimeve të ndryshme gjyqësore. Sipas të dhënave nga vitet pesëdhjetë, kisha kishte në dispozicion 40.000 ha ara, pyje dhe sipërfaqe të palëvruara. Tani, kjo pronë duhet t'i kthehet në pajtim me Ligjin për restitucionin. Kjo, ndërkaq, nuk po ndodh për arsye se në "marrëdhëniet midis shtetit dhe kishës nuk ekziston një përfaqësues legjitim i besimit religjioz themelor në Bullgari", sipas ish-drejtorit për komunitetet religjioze, L. Mlladenovit.

Një valë e ngjashme politiko-ekonomike e ka tronditur edhe Kryemeshihatin, që përfaqëson grupimin e dytë për nga madhësia të besimtarëve në Bullgari. Gati 15% e popullsisë në vend është e besimit islam, si turq, ashtu edhe bullgarë-muhamedanë. Në mesin e viteve '90, edhe ky komunitet religjioz kishte dy myftinj - Nedim Genxhevin dhe Fikri Salin. Në vitin 1995 Fikri Sali e shpalli veten për myftiun kryesor në bazë të vendimit të Këshillit të Lartë Islam. Konsiderohet që pas zgjedhjes së tij ka qëndruar Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë (DPS) dhe lideri i saj, Ahmed Dogan. Ka pasuar një betejë e gjatë pranë gjykatave: Genxhevi kundër Salisë, si shkrimi i deklaratave drejtuar qeverisë dhe themelimi i komiteteve nismëtare për mbajtjen e konferencës së bashkimit të myslimanëve në Bullgari. Më në fund, u arrit njëë kompromis - në vitin 1997 për kryemyfti u zgjodh Mustafa Alish Haxhi. Pa marrë parasysh që është një muhamedan bullgar, ai arriti ta konsolidojë klerin mysliman dhe ta ndajë religjionin nga politika. Siç duket, kjo nuk i shkonte për qejf DPS, sepse në tetor të vitit 2000 u mbajt konferenca nacionale për zgjedhjen e një kryemyftiu të ri. Asaj konference i parapriu një luftë e njëmendtë - Alish Haxhi u shpall si njeri i SDS, si zbatues i fundamentalizmit islamik, si kryemyftiu më i korruptuar, etj. Rezultati i konferencës i kënaqi të gjitha palët - Mustafa Alish ia dorëzoi vendin e kryemyftiut Selim Mehmedit, por e mbajti postin e kryetarit të Këshillit të Lartë Mysliman.

Pasionet në radhët e myslimanëve bullgarë u qetësuan, DPS e përmbushi rolin e vet unifikues dhe përsëri u përmirësuan marrëdhëniet me Kryemeshihatin. Marrëveshja rreth posteve pati për pasojë bashkimin e turqve dhe muhamedanëve bullgarë, të cilët ishin ndarë artificialisht për shkak të zgjedhjes së Mustafë Alishit. U eliminua edhe influenca e Nedim Genxhevit, i cili konsiderohet si njeri besnik i Partisë Socialiste Bullgare. Myslimanët në Bullgari e arritën bashkimin e plotë - si politik, rreth DPS, ashtu edhe religjioz.