KISHA AFER PUSHTETIT

Part of dossier RELIGJIONET NE BALLKAN Dec 6, 2001
Zagreb:

Dossier Zagreb:

Toni GABRIQ, AIM Zagreb

Folesit ne radiostacionin jozyrtar zagrebas Radio 101 e shfaqin spirituozitetin e tyre duke lexuar deklaratat e perkthyera te perfaqesuesve te pushtetit taleban me nje theks te shtremberuar boshnjak, ose duke u sherbyer me shqiptimin me te cilin e flasin gjuhen kroate shqiptaret.

Në kohën më të fundit po paralajmërohet gjithnjë e më hapur mundësia e një vizite tjetër të papës Gjon Pali i Dytë në Kroaci, e treta me radhë në më pak se dhjetë vjet. Duke patur parasysh nivelin dhe rëndësinë ndërkombëtare të saj, ardhja aq e shpeshtë në këtë vend është një precedent madje edhe për Papën, i cili prej kohësh ia ka vënë vetes epitetin - pelegrin botëror. Besimtarët në Kroaci dinë të thonë se Gjon Pali i Dytë e do vendin e tyre dhe me gëzim e viziton atë; disa sociologë me renome dhe historianë të Kishës thonë se kjo nuk është vetëm demagogji, por Papa 'vërtet' e do Kroacinë, sepse nuk e ka të largët tipin e katolicizmit që kultivohet atje.

Kroacia ka përjetuar në fillim të viteve nëntëdhjetë një kthesë të shpejtë nga një ndër vendet me më së paku besimtarë katolikë të deklaruar si aktivë në Evropë, në një vend religjioziteti manifestues jashtëzakonisht të theksuar dhe gjerësisht të përhapur. Se çfarë është gjendja tani, do të mund të thuhet me një siguri më të pamëdyshtë vetëm pas shpalljes së rezultateve të plota të regjistrimit të popullsisë, të kryer në pranverë. As regjistrimi s'do ta japë një pasqyrë të plotë, meqenëse pyetjeve anketuese rreth përkatësisë religjioze a etnike nuk ka qenë e domosdoshme që t'u jepen përgjigje. Kjo mundësi përfaqëson një hap përpara në mbrojtjen e sferës private, megjithëse ndonjë nga përfaqësuesit e pakicave, posaçërisht të asaj serbe-ortodokse dhe islame-boshnjake, ka droje se frika nga deklarimi do të mund të ndikonte në masë të konsiderueshme mbi të dhënat për pjesëmarrjen e pjesëtarëve të atyre komuniteteve në shoqëri.

Presupozohet që një pjesë e besimtarëve të deklaruar, të cilët pas rënies së sistemit monolit socialist të vlerave kanë kërkuar strehim nën vellon institucionale të Kishës Katolike, për shkak të një varg arsyesh, disa nga të cilat do t'i përmendim në këtë artikull, janë 'ftohur' ndaj Kishës. Po, shumë më shumë se kaq, te ndryshimet në pasqyrën religjioze të Kroacisë kanë ndikuar edhe proceset e fuqishme migruese. Politika e pastrimit etnik, të cilën në kushtet e luftës, e posaçërisht pas kthimit ushtarak në territoret e okupuara në verë të vitit 1995, e ka zbatuar HDZ, e ka reduktuar numrin e përgjithshëm të pjesëtarëve të minoritetit etnik serb, ndër të cilët duhet kërkuar shumica e ortodoksëve në Kroaci, nga 12 për qind në, siç presupozohet, nën 5 për qind. Për shkak të kushteve të luftës dhe recesionit ekonomik, një numër i madh kroatësh po ashtu e ka braktisur vendin, përderisa njëkohësisht kanë emigruar edhe kroatët nga Bosnja e Hercegovina, duke i sjellë me vete edhe përmbajtjet e religjiozitetit të tyre.

Që nga fillimi i viteve nëntëdhjetë, HDZ me mjaft vendosmëri e ka përuruar modelin e kroatizmit konservativ e tradicionalist, ku katolicizmi e kishte një vend të rëndësishëm, e meqenëse Kisha kultivon një vizion të ngjashëm të kroatizmit 'të vërtetë', që në fillim lindi një dashuri reciproke. Kishës si institucion kurrë nuk i kanë penguar së tepërmi manifestimet e fashizmit në regjinë e pushtetarëve, as praktika që mbështetej te këto manifestime, duke u nisur që nga përdhosja dhe shkatërrimi i përmendoreve shpirtërore të 'të tjerëve', deri te keqtrajtimi dhe dëbimi i tyre. Vetëm disa personalitete të veçanta në kuadër të Kishës i janë kundërvënë me kurajo që në fillim një zhvillimi të tillë të ngjarjeve, duke e akuzuar për mungesë sensibiliteti humanist edhe vetë komunitetin e tyre.

Por, ekziston edhe një arsye tjetër, asgjë më e parëndësishme, për afërsinë e pushtetit të HDZ-së dhe Kishës Katolike. Kishës që në fillim i ishin dhënë premtime për kthimin e pasurive të mëdha që pas vitit 1945 i ishin nënshtruar nacionalizimit, të cilat përfshijnë sipërfaqe kolosale pyjesh dhe toke bujqësore, ndërtesa banimi dhe afariste në gati të gjitha qytetet më të mëdha. Si kundërshpërlim, Kisha i ofronte HDZ-së mështetjen politike eksplicite. Në vitin 1998 Kroacia ka ratifikuar katër konkordate, marrëveshje ndërkombëtare me Selinë e Shenjtë, me të cilat është rregulluar pozita e Kishës në çështjet juridike dhe ekonomike, në sferën e kulturës dhe arsimit, si dhe e drejta e saj për të vepruar në ushtri dhe polici. Vatikani i promovon ato marrëveshje si një model të dëshiruar për të gjitha vendet në transicion që kanë popullatë kryesisht katolike, por ato ndër intelektualët me orientim qytetar dhe ekspertët juridikë në Kroaci, të cilët kanë pasur kurajon ta thonë mendimin e tyre, kanë hasur në shumë vërejtje. Vërejtja themelore është se me këto marrëveshje Kisha Katolike është vënë në një pozitë të favorizuar në raport me komunitetet tjera religjioze, asaj i është bërë i mundur pasurimi i paskrupullt në kushtet e varfërimit të një pjese të madhe të shoqërisë, ndërsa është shkelur gjithashtu parimi i shtetit shekullor (laik). Pozita e Kishës është përcaktuar me një akt mbiligjor, në preambulën e të cilit pranohet 'roli i saj i pazëvendësueshëm në veprimtarinë shoqërore, etike, kulturore dhe karitative (mirëbërëse), respektivisht në edukimin e popullit kroat'. Kishës Katolike i është mundësuar puna në ushtri dhe polici, spitale, burgje dhe institucione të ngjashme, ku komunitetet e tjera religjioze deri tani nuk kanë patur mundësi qasjeje, as që në punën e këtyre institucioneve u kushtohej ndonjë vëmendje nevojave të tyre specifike, siç është zgjedhja e ushqimit për pjesëtarët e besimit islam. Një nga pikat më të kontestuara është mësimi i fesë, i paraparë për shkollat fillore dhe ato të mesme, krahas edukatës religjioze katolike në kopshtet e fëmijëve. Edhe pse nga pikëpamja formale mësimi i fesë është një lëndë shkollore joobliguese, ajo në praktikë, posaçërisht në mjediset rurale dhe ato më të vogla, është imperative; fëmijët e prindërve jokatolikë për shkak të mosvijimit të mësimit të fesë në një numër të madh rastesh u janë nënshtruar përqeshjes dhe presionit nga fëmijët e tjerë, por edhe nga arsimtarët, kështu që shpesh, për t'u vetëmbrojtur, ata e kanë regjistruar mësimin e fesë katolike.

Me kontratën për çështjet ekonomike, krahas restitucionit neutral ose dëmshpërblimit për pronat e nacionalizuara, si dhe me dëmshpërblimin adekuat për tjetërsimin pesëdhjetëvjeçar të pronave kishtare, janë paraparë edhe një varg lehtësirash të tjera. Shteti në bazë të kontratës është i obliguar që Kishës t'i sigurojë mjete monetare për pagat e dy fretërve në të gjitha famullitë, të financojë shpenzimet e ndërtimit dhe mirëmbajtjes së kishave dhe qendrave pastorale, si dhe veprimtarinë kishtare karitative. Shuma vjetore e atyre donacioneve i kalon 180 milionë kuna (rreth 47 milionë DEM). Krahas një varg kontributesh të tjera për Kishën (vetëm për punën e saj në ushtri shteti ndan për një vit rreth 10 milionë kuna, më shumë se 2.5 milionë DEM), aty është edhe obligimi i shtetit që ta ndërtojë godinën e Ordinariatit Ushtarak në Zagreb, dhe shpenzimet për këtë vlerësohet se do t'i tejkalojnë 10 milionë DEM. Ato që Kisha Katolike ia ka siguruar vetes që para disa vitesh, vetëm tani, me miratimin e Ligjit për komunitetet fetare, dalengadalë po vijnë në rend dite edhe të tjerat. Komuna Ortodokse Serbe në Zagreb do të duhej që së shpejti t'i marrë një numër të konsiderueshëm pronash të paluajtshme të marra pas vitit 1945, ndërsa po bëhen përpjekje për gjetjen e mënyrave për dëmshpërblimin e Komunës Hebraike, sinagogën e së cilës e kanë shkatërruar ustashët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Është e qartë, ndërkaq, se komunitetet fetare minoritare nuk do ta arrijnë as për së afërmi nivelin e privilegjeve që do të ishte proporcional me ato të Kishës Katolike, ndërsa pushteti aktual po i shmanget kafshimit të mollës së thartë për revidimin e konkordateve.

Deklaratat publike të pjesës më të zëshme të Kishës të kohës më të fundit, ku janë të përfshirë edhe grupi me influencë i anëtarëve të Konferencës Ipeshkvnore Kroate, shprehin një identifikim me zyrtarë të lartë ushtarakë dhe policorë, të cilët prokuroritë kroate dhe ajo e Hagës i ngarkojnë për krime lufte, siç është Norac, Gotovina, Oreshkoviqi ose Bllashkiqi - me dënim ende jo të plotfuqishëm. Rreth solidarizimit me të akuzuarit për krime lufte, sidoqoftë, po mblidhet e djathta radikale gjithnjë e më e fuqishme, ndërsa ipeshkvinjtë, duke përfshirë këtu edhe ordinarin ushtarak, Juraj Jezerincin, janë pjesë integrale e saj. Kjo është pasojë logjike e asaj që ka ndodhur viteve të fundit në kuadër të Kishës: prej bekimit të armëve me ujin e bekuar në kohë lufte, nëpërmjet relativizimit këmbëngulës dhe sistematik të NDH-së (shteti i pavarur kroat gjatë Luftës II Botërore), gjer te meshat e rregullta të përshpirtshme për kreun ustash, Ante Paveliqin. 'Në sytë e të gjithë atdhetarëve të ndershëm, NDH edhe sot është një emër i shenjtë. Koha e saj është një periudhë e ndritshme, ndërsa 10 prilli është një datë e shenjtë për kroatët', ka thënë para disa vitesh famullitari i dalluar, Vjekosllav Llasiq. Kreu kishtar me në krye Franjo Kuhariqin kurrë nuk e ka dënuar qartas, zëshëm dhe pa ekuivoke shovinizmin dhe përndjekjet në regjinë e HDZ-së, pra as shkatërrimin e kishave, varrezave dhe simboleve të tjera të spiritualitetit ortodoks, si dhe mosdurimin që nxitej në opinion kundër islamit në kohën kur Tugjmani bënte përpjekje me Millosheviqin për ndarjen e Bosnjës. Ky mosdurim ndaj myslimanëve ka shkuar aq larg saqë në Rijekë, për shkak të reagimit të qytetarëve, me vite të tëra nuk ka mundur të fillojë ndërtimi i paraparë i një xhamie.

Perbuzja ndaj islamit është e theksuar edhe sot, në kohën e 'luftës kundër terrorizmit' të shpallur globalisht, megjithëse bartësit më me ndikim të pushtetit shtetëror kryesisht u shmangen deklaratave politikisht jokorrekte. Në komentet e aksioneve terroriste në Amerikë disa profesorë universiteti kanë shprehur publikisht mendimin se, për dallim nga besimet tjera monoteiste, terrorizmi është karakteristik për islamin, duke i interpretuar në këtë sens citatet nga Kur'ani. Një pjesë e mirë e massmedias përpiqet ta krijojë atmosferën se na kërcënon rreziku terrorist nga Bosnja myslimane (megjithëse pjesa më e madhe, jashtë çdo krahasimi, e aksioneve terroriste në Kroaci në dhjetëvjetëshin më të fundit vinte nga mjedise të krishtera, ortodokse dhe katolike, ndërsa ai islamik praktikisht as që ka ekzistuar). Folësit në radiostacionin jozyrtar zagreas, Radio 101, e shfaqin spirituozitetin e tyre duke lexuar deklaratat e përkthyera të përfaqësuesve të pushtetit taleban me një theks të shtrembëruar boshnjak, ose duke u shërbyer me shqiptimin me të cilin e flasin gjuhën kroate - shqiptarët.