NE SHENJE TE DUALIZMIT

Part of dossier RELIGJIONET NE BALLKAN Dec 6, 2001
Podgorica:

Dossier Podgoricë:

VESELKO KOPRIVICA, AIM Podgoricë

Mali i Zi e ka një traditë dhe përvojë të gjatë dhe të pasur të tolerancës ndërkonfesionale. Ajo sot është deri në një masë e çrregulluar vetëm me mosmarrëveshjet midis Kishës Ortodokse Malazeze dhe asaj Serbe

Qytetarët e besimit ortodoks, komunitetit më të madh religjioz në Malin e Zi, u përkasin jo vetëm dy kombeve, por edhe dy kishave. Një pjesë e malazezëve, si komb shumicë, tash e gati dhjetë vjet ritet fetare i bën në Kishën Ortodokse Malazeze të ripërtërirë, ndërsa pjesa tjetër, bashkë me serbët, janë ithtarë të Kishës Ortodokse Serbe. Një dualizëm i këtillë i kishave dhe besimtarëve ortodoksë, në një shtet me rreth 700.000 banorë, do të mund të trajtohej si një veçanti interesante e jetës religjioze të Malit të Zi. Vetëm se, ky tipar manifestohet njëkohësisht edhe si rrezikim i të drejtave themelore të njeriut të malazezëve ortodoksë dhe si një problem serioz në skenën politike malazeze. Vetëm një e dhënë për ilustrim fillestar: gjithnjë gjer në vitin 1995 në kishat nën kontrollin e Kishës Ortodokse Serbe nuk ishte e lejuar që në rubrikën "kombësia" të shënohej dispozita - malazez!

Ndërkaq, me përkatësi fetare ortodokse (malazezë dhe serbë) janë rreth 72 për qind e qytetarëve malazezë, pjesëtarë të konfesionit islam (myslimanë dhe shqiptarë) janë rreth 17 për qind, ndërsa katolikët (shqiptarë dhe kroatë) përbëjnë rreth 4.5 për qind. Kjo nuk do të thotë se të gjithë ata janë besimtarë. Sipas disa hulumtimeve sociologjike më të hershme, Mali i Zi ka patur në ish-Jugosllavinë përqindjen më të vogël të qytetarëve religjiozë. Me rënien e komunizmit, numri i tyre, gjykuar në bazë të ritualeve fetare siç janë pagëzimet, festat dhe shkuarja në kishë, është rritur me shpejtësi, posaçërisht te popullata ortodokse. Mirëpo, edhe kjo pasi që fillimisht ishte "in" u bë më vonë gjithnjë e më pak një çështje mode dhe e një "ndjeshmërie të re".

Na bazë të përcaktimit të nenit 12 të Kushtetutës së Republikës së Malit të Zi, të gjitha konfesionet (kisha ortodokse, bashkësia islame, kisha katolike romane dhe të tjerat, ndërsa sipas të dhënave të Entit Republikan për Statistikën janë të regjistruara rreth dyzetë organizata religjioze) janë të ndara nga shteti dhe janë të barabarta dhe të lira në kryerjen e ritualeve dhe aktiviteteve fetare. Shteti mund t'i ndihmojë ato vetëm materialisht. Sipas nenit 34, Mali i Zi është një shtet deokratik dhe republikë, çka do të thotë se nuk është një shtet teokratik dhe një ndër të drejtat elementare të çdo qytetari është që në mënyrë të lirë, publike a private, ta ushtrojë besimin e vet religjioz.

Pra, sipas Kushtetutës, në Mal të Zi nuk ka kishë shtetërore. Në opinion ende nuk është dëgjuar ndonjëherë që ndaj këtyre dhe akteve të tjera ligjore, me të cilat rregullohet mënyra e themelimit, veprimit dhe pozita e komuniteteve fetare, të kenë paraqitur vërejtje përfaqësuesit e cilësdo qoftë organizatë religjioze, me përjashtim të ithtarëve të Kishës Ortodokse Malazeze, pra të malazezëve.

Për ç'arsye janë ata të pakënaqur? Malazezët, të cilët sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 1991 përbëjnë 61.86 për qind (myslimanët 14.57, serbët 9.34, shqiptarët 6.57 dhe rreth 1 për qind kroatë), janë të pabarabartë në raport me pjesëtarët e kombeve dhe konfesioneve të tjera kur është fjala për të drejtën e ushtrimit të lirë të besimit religjioz, konkretisht në Kishën Malazeze të tyre. Rrënjët e kësaj çështjeje datojnë që nga dhjetëvjetëshat e parë të shekullit të kaluar. Kisha Ortodokse Malazeze, e cila e ka një histori shumëshekullore, është shpërndarë në vitin 1920 me dekretin e regjentit të Mbretërisë SKS, Aleksandër Karagjorgjeviqit. Atëbotë Kisha Ortodokse Serbe u bë kishë zyrtare në Mal të Zi, duke i përvetësuar rreth 650 kisha, manastire dhe prona të Kishës Malazeze. Me rënien e pushtetit komunist, krahas rezistencave të mëdha të Kishës Serbe, të cilën e ka favorizuar edhe pushteti i ri malazez, Kisha Ortodokse Malazeze është ripërtërirë në vitin 1991 me iniciativën e ithtarëve dhe aderuesve të saj. Që nga ajo kohë e gjer më sot ajo po lufton për ta zgjidhur statusin e saj, mu ashtu siç po përpiqet edhe Mali i Zi për ta zgjidhur statusin shtetëror. Midis këtyre dy fenomeneve ekziston një korrelacion i ngushtë.

Priftërinjtë e KOM ceremonitë fetare i kryejnë kryesisht nën qiellin e hapur, sepse Kisha Serbe nuk dëshiron t'i kthejë tempujt e përvetësuar. Shteti i ndihmon financiarisht Kishën Serbe dhe atë Katolike, si dhe Bashkësinë Islame, por jo edhe Kishën Malazeze. Nga buxheti i Malit të Zi është financuar pjesërisht rikonstruksioni i katedralës së Shen Tripunit në Kotorr, ndërtimi i tempullit të Ringjalljes së Krishtit në Podgoricë, të cilin po e ndërton Kisha Serbe, si dhe të disa xhamive. Mirëpo, KOM është e vetmja kishë në Mal të Zi të cilës i japin donacione pjesëtarë të të tri konfesioneve - ortodokse, katolike dhe islame - edhe në Mal të Zi edhe jashtë.

Mali i Zi, ndërkaq, ka një traditë dhe përvojë të pasur dhe të gjatë të tolerancës konfesionale e nacionale. Në ekspozimin tradicional të kryqit të shën Vlladimirit para një kishe jo larg Tivarit edhe sot marrin pjesë ortodoksë, katolikë dhe myslimanë. Ose, në ky kisha të Tivarit ekzistojnë nga dy altarë - njëri për katolikët, tjetri për ortodoksët. Kisha Orodokse Malazeze e ripërtërirë e ndjek këtë traditë duke kultivuar marrëdhëniet shembullore me fretërit dhe besimtarët e Kishës Katolike dhe Bashkësisë Islame. Krerët e tyre mund të shihen bashkë në të gjitha tubimet e rëndësishme, ku janë të pranishëm edhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare, por jo edhe me kreun e Kishës Serbe.

Në të vërtetë, në Mal të Zi janë prishur marrëdhëniet vetëm midis Kishës Malazeze dhe asaj Serbe, kryesisht për shkak të pronave dhe për faktin që Kisha Serbe nuk e njeh Kishën Malazeze si kishë kanonike. Kisha Malazeze ka paralajmëruar që kontestin rreth tempujve do t'ia lërë gjykatës, respektivisht që do të kërkojë nga gjykata kthimin e ish-objekteve të veta sakrale. Lidhur me këtë i ka njoftuar edhe organizatat relevante ndërkombëtare, duke ua bërë me dije se statusi i pazgjidhur i Kishës Ortodokse Malazeze është shndërruar në një çështje politike të rëndësishme dhe delikate.

"Po të mos ishte në krye të Kishës Serbe mitropoliti Amfillohije, ne me Kishën Serbe do ta gjenim shumë lehtë një gjuhë të përashkët", është i bindur mitropoliti i Kishës Malazeze, Mihaillo, të cilin priftërinjtë serbë e kanë sulmuar edhe fizikisht. Edhe priftërinj të tjerë të Kishës Ortodokse Malazeze janë penguar në mënyrë shumë të vrazhdë në raste të shumta gjatë mbajtjes së liturgjisë, ndërsa ithtarët e Kishës Serbe i kanë penguar ata edhe me rastin e festimit të Kërshëndellave në Cetinë dhe Podgoricë. Madje, kordonet policore kanë qenë të detyruara t'i mbrojnë tubimet religjioze të ithtarëve të këtyre dy kishave.

E gjithë kjo ka ndikuar edhe në thellimin e ndarjeve të vjetra nacionale e politike në Mal të Zi midis malazezëve dhe serbëve. I kanë nxitur në mënyrë të veçantë, dhe këtë e bëjnë edhe më tej kohë pas kohe, partitë politike dhe mediat proserbe, me mbështetjen logjistike të Beogradit zyrtar dhe Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Serbe. Disa herë, posaçërisht në kohën e zgjedhjeve dhe gjatë sulmeve të NATO-s kundër RFJ-së, situata konfliktuoze i afrohej pikës së vlimit dhe kërcënonte me rrezikun që edhe në Mal të Zi të shpërthenin trazirat dhe përleshjet qytetare. Mirëpo, durimi megjithatë i ka mbizotëruar pasionet.

Pushteti malazez nuk është i prirë ndaj Kishës Malazeze. Ndaj saj ka një raport diskriminues. Kështu, për shembull, asnjë nga ministrat e gjertanishëm për çështjet e feve në Qeverinë e Malit të Zi, edhe pse ata sipas ligjit ishin ministra për të gjitha religjionet, nuk e ka njohur Kishën Malazeze. Tani më nuk ka ministra, sepse është shuar Ministria e feve, mirëpo edhe koordinatori për fetë në figurën e kryeministrit, Filip Vujanoviq, deklaron publikisht që për të Kisha Ortodokse Serbe ështe kishë e vetme kanonike në Mal të Zi.

"Duke e trajtuar Kishën Ortodokse Serbe si një lloj kishe shtetërore dhe të privilegjuar, Qeveria e Malit të Zi shkel ashtu më shumë nene të Kushtetutës - mbi ndarjen e konfesioneve religjioze nga shteti, mbi barazinë e konfesioneve, mbi lirinë e kryerjes së riteve dhe punëve religjioze, mbi lirinë e mendimit dhe bashkimit. Ajo, gjithashtu, shkel edhe një varg nenesh të dokumenteve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilat edhe Mali i Zi duhet t'i zbatojë, ka tërhequr para ca kohësh Sllobodan Franoviq, kryetar i Kommitetit Malazez të Helsinkit. Mitropoliti i KOS, Amfillohije, ka patur një kohë marrëdhënie të afërta edhe me kryetarin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq. Mirëpo, ato marrëdhënie janë ftohur pas qëllimeve të deklaruara të Gjjukanoviqit për mëvetësimin e Malit të Zi. Tani, mitropoliti Amfillohije është shumë i afërt me kryetarin e RFJ, Vojisllav Koshtunicën, i cili e mohon po ashtu ekzistencën e Kishës Ortodokse Malazeze.

Pushteti malazez nuk i kushton kujdes as dëmtimit të kishave dhe manastireve malazeze nga Kisha Serbe, madje as kur bëhet fjalë për monumente të rëndësishme kulturore-historike. Ato Kisha Ortodokse Serbe ia përshtat frymës së Shën Savës, çfarë ka shkaktuar protesta të besimtarëve, qytetarëve, organizatave joqeveritare. Pikërisht këto ditë, një OJQ nga Cetina ka dorëzuar një aktpadi pranë gjykatave kundër KOS për arsye të dëmtimit të autenticitetit të Kishës Vllahe, godinës më të vjetër në Cetinë dhe monumentit kulturor të parë të shpallur zyrtarisht në Mal të Zi. Është dëmtuar edhe autenticiteti i manastirit Ostrog, tempullit më të njohur malazez në botë, me ikonat e shenjtorëve serbë, të cilët kurrë më parë nuk kanë qenë atje. Edhe tempulli monumental i Ringjalljes së Krishtit në Podgoricë, i cili është në ndërtim e sipër dhe për të cilin ka dhënë një ndihmë të konsideruesme edhe Qeveria e Malit të Zi, po ashtu inkuadrohet plotësisht në ndërmarrjet ndërtimore të rikomponuara të Kishës Ortodokse Serbe.

Paralelisht më këtë, nga thesaret kishtare zhduken pa gjurmë panagitë me vlerë, ikonat, librat... Këto ditë nga Manastiri Ostrog është zhdukur kryqi i argjendtë i rëndë dhjetë kilogramë, dhuratë e carit rus, Nikollaj.

Kisha Serbe po i përvetëson edhe objektet sakrale që, sipas dokumenteve historike, kanë qenë pronësi e konfesioneve të tjera. Për këtë arsye ajo ka patur konflikte edhe me Kishën Katolike në Mal të Zi. KOS kështu dëshiron që ta zhvendosë në një të kaluar sa më të largët zanafillën e kishës së saj në hapësirat e Malit të Zi dhe ta sigurojë ashtu edhe një argument më shumë që malazezët janë serbë dhe që kurrë nuk e kanë pasur kishën e tyre të pavarur. Mbi këtë bazament, posaçërisht gjatë viteve të luftës, është intensifikuar propaganda rreth mitit mbi shenjtorin serb Savën dhe gjithpraninë e tij të përhershme në Mal të Zi, edhe pse dokumentet shkencore dëshmojnë se për të është dëgjuar për herë të parë në këto hapësira tek para 150 vjetëve. Njëkohësisht, Kisha Serbe e kishte filluar një kohë fushatën për futjen në shkolla të mësimit të fesë. Mirëpo, kjo ide nuk ka hasur në një truall të plleshëm dhe u shua vetvetiu. Një fat të tillë e pati edhe sforcimi i tepruar i temave religjioze në media. Ato janë tani të pranishme vetëm në mediat private proserbe, por edhe atje në një vëllim modest. Tanimë nuk janë në modë as kryqet rreth qafe dhe në makina, as blerja e ikonave dhe shenjave të tjera religjioze. Ashtu siç qe ngritur kjo valë me shpejtësi, ashtu edhe u fashit shpejt. Qytetarët malazezë po u kthehen përsëri dhe në masë problemeve të kësaj bote.