REPUBLIKA SERBE: FEJA DHE IDENTITETI

Part of dossier RELIGJIONET NE BALLKAN Dec 6, 2001
Banja Luka:

Dossier Banja Luka:

SLOBODAN RELIQ, AIM Banja Luka

Kushtetuta e RS e ka vene Kishen Ortodokse Serbe gati ne poziten e kishes shteterore, me cka krijohet faktikisht pabarazia midis komuniteteve fetare.

As sot e gjithë ditën nuk është sqaruar pyetja, të cilën e shtron në librin e tij "Lufta botërore e religjioneve: kryqëzatat e amshueshme në Ballkan" gazetari gjerman në zë, Peter Shol Latur: "A është ky konflikt i egër shprehje e luftërave religjioze të ndrydhura nga e kaluara apo ai është shenja e parë e zgjimit të ri botëror të fundamentalizmit?" Natyrisht, ekzistojnë përgjigje që pranohen më së shpeshti, siç është ajo e sociologut gjerman, Hajne - Gynter Shtobe, "se aty nuk bëhet fjalë për një luftë të vërtetë religjioze, madje as për konflikte etnike a nacionale në kuptimin rigoroz të këtyre nocioneve".

Besojmë se për lexuesin do të jetë me interes konstatimi i Shtobes se stërtheksimi i dimensionit religjioz në luftën në ish-Jugosllavinë është "rezultat i një propagande të vetëdijshme me qëllim të fshehjes së thelbit të njëmendtë të konfliktit", i cili përbëhet nga tre komponentë. I pari është i ndërlidhur me pasojat e përgjithshme kulturore të sundimit komunist dhe shpërbërjes së tij të befasishme... Komponenti i dytë ka të bëjë me barrën shoqërore-ekonomike të trashëguar, e cila presupozon kushte katastrofale në industri, nivelin fatal të papunësisë. Komponenti i tretë ka të bëjë me synimin drejt pavarësisë nacionale dhe, lidhur me këtë, me një kompleks të tërë problemesh rreth pakicave".

Një interpretim i këtillë i kontekstit, pikëvështrimi përgjithësues, si dhe zhvillimi i pasluftës i ngjarjeve, i cili i zbulon disa aspekte nacionale-qytetare-fetare deri atëherë të panjohura të konfliktit në Bosnjë e Hercegovinë, gjithsesi nuk do të arrijë t'i ndryshojë pasojat. Kështu, është e qartë që RS si entitet në BH është një territor ku tani kryesisht jeton një popullsi ortodokse, si dhe që entiteti tjetër, edhe pse pa kufij të definuar, është një territor regjionesh më të mëdha a më të vogla të ndara në mënyrë rigoroze dhe "tepër të pastra" në pikëpamje religjioze. Plani i aksionit që kjo gjendje të ndryshojë ka dhënë rezultate tepër të papërfillshme në shtatë vjetët e pasluftës.

Lëvizja më e fundit për afrimin ndërreligjioz vjen nga organizata joqeveritare Këshilli Ndërreligjioz i BH në formë të një projektligji për lirinë e religjionit dhe pozitën juridike të komuniteteve fetare dhe kishave në BH, me të cilin do të siguroheshin të drejtat për lirinë e ndërgjegjes dhe religjionit në pajtim me standardet ndërkombëtare më të larta. Me projektin e këtij ligji prashikohet që nëpunësit religjioz të lirohen nga obligimi për të shërbyer në ushtri nëse nuk e dëshirojnë një gjë të tillë, themelimi i ministrisë për religjionet në nivel të shtetit të BH dhe obligimi i shtetit që ta paguajë sigurimin pensional-invalidor për nëpunësit religjioze.

Kushtetuta e RS në nenin 28 e garanton lirinë e besimit. Sipas Kushtetutës, komunitetet fetare janë të barabarta para ligjit, të lira në kryerjen e punëve dhe ceremonive fetare, mund të themelojnë shkolla fetare dhe të zhvillojnë mësim feje në të gjitha shkollat dhe në të gjitha nivelet e arsimit, të merren me aktivitete ekonomike dhe të tjera, të marrin dhurata, të krijojnë fondacione dhe t'i drejtojnë ato në pajtim me ligjin. Mirëpo, teksti kushtetues e veçon Kishën Ortodokse Serbe, kështu që në pikën tre të të njëjtit nen ajo shpallet si 'kishë e popullit serb dhe popujve të tjerë të besimit ortodoks'. Nga një pozitë e tillë kushtetuese atypëraty ka buruar obligimi i shtetit që ta ndihmojë materialisht kishën ortodokse, 'duke bashkëpunuar me të në të gjitha fushat, e posaçërisht për ruajtjen, kultivimin dhe zhvillimin e vlerave kulturore, tradicionale dhe vlerave të tjera shpirtërore' (pika 4). Në këtë mënyrë, Kushtetuta e RS e ka vënë Kishën Ortodokse Serbe gati në pozitën e kishës shtetërore, me çka krijohet faktikisht pabarazia midis komuniteteve fetare.

Një pozitë e këtillë kushtetuese e KOS ishte një nga arsyet që e shtynë Alia Izetbegoviqin që, si kryesues i Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës (BH), të iniconte para Gjykatës Kushtetuese procedurën për vlerësimin e kushtetutshmërisë edhe të kësaj pike të Kushtetutës së RS.

Përcaktimi kushtetues për 'barazinë e komuniteteve fetare para ligjit' daton që nga dhjetori i vitit 1992, pra nga koha kur kishin marrë hov operacionet luftarake në hapësirën e BH. Gjatë gjithë luftës prelatët e KOS do të jenë në pëqi të politikanëve, duke zënë vendet e para në të gjitha sesionet e kuvendit. Në atë kohë askush nuk ka mundur të ulet në kolltukun e funksionarit nëse nuk e ka dhënë betimin para nëpunësve religjiozë. Nga ky obligim nuk ishin të përjashtuar as gjykatësit.

Ajo që po ndodh sot është pasojë logjike e gjendjes së krijuar në atë kohë. Kur pushteti ekzekutiv i RS sot deklaron se ka rindërtuar mbi njëqind tempuj, ndërsa "presin të rindërtohen rreth 150 objekte fetare të rrënuara në veprimet luftarake dhe rreth 140 tempuj që janë dëmtuar", në të vërtetë, bëhet fjalë vetëm për faltoret ortodokse, ndërsa nuk e merr në konsideratë faktin që në BH gjatë luftës janë rrënuar rreth 700 objekte fetare, të cilat ishin në pronësi të Kishës Katolike, dhe rreth një mijë objekte fetare të Komunitetit Islam. Meqenëse besimi në kohë dhe situata të tilla është më shumë se sigurimi "i nivelit më të lartë të të drejtave të njeriut të pranuara ndërkombëtarisht dhe lirive themelore" (sipas Kushtetutës së BH), atëherë duhet të pranohet se jetohet me reagimet jo aq të papritura të popullatës lokale ndaj rindërtimit të objekteve religjioze, të cilat para lufte ishin pjesë përbërëse edhe e trashëgimisë së tyre kulturore. Shembuj klasikë janë rindërtimi i xhamive të vjetra në Banjallukë dhe Trebinje.

Atje, askënd nuk e çudisnin atëbotë as lajmet se "kryeupeshkvi boshnjak, kardinali Vinko Puliq, dhe upeshkvi i Banjallukës, Franjo Komarica, kanë biseduar... për vendosjen e sërishme të marrëdhënieve, të prishura gjatë luftës, midis RS dhe Kishës Katolike". Thjesht, kisha, që ishte dikur vendase, tani vjen "nga jashtë". Dhe, pikërisht në vendin në të cilin ish-ministri për çështjet religjioze në qeverinë e RS (Jovo Turnjanin) kërkonte "bekimin peshkopal dhe pëlqimin e krerëve të Kishës Ortodokse Serbe". Ai para tij (Vojisllav Topalloviq) shpjegonte publikisht që ai ministër "duhet të jetë serb, besimtar i sinqertë, njohës i teologjisë dhe problemeve të të katër konfesioneve të pranishme në RS" dhe "duhet ta pranojnë shenjtëria e tij, patriarku Pavle, peshkopët, mitropolitët e RS, Shoqëria Serbe Kulturore-Arsimore dhe Lidhja e Shkrimtarëve të RS, konfesionet e tjera dhe deputetët në Kuvend". Retorika ndryshoi më vonë për arsye pragmatike, mirëpo klima shoqërore është diçka që është, megjithatë, shumë më konstante.

Tani, parimi juridik në fuqi premton shumë dhe i lexuar në Kushtetutën e BH tingëllon madhështor: "Të drejtat dhe liritë të parapara me Konventën Evropiane për mbrojtje e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, dhe me Protokollet e tyre zbatohen drejtpërdrejt në BH dhe kanë përparësi ndaj të gjitha ligjeve të tjera". Mirëpo, jeta është shumë më komplekse, prandaj do të thuhet "se nuk do të ishte një gjë normale të vendoset gurthemeli për ndërtimin e xhamisë Ferhadia, ndërsa të mos vendoset njëkohësisht gurthemeli për ndërtimin e Katedrales ortodokse në pjesën boshnjake të Mostarit dhe gurthemelin për rindërtimin e manastirit Zhitomisliqi në pjesën kroate të Federatës BH".

Është paradoksale që një dëshirë të tillë dhe të shtruar ashtu vendosmërisht RS nuk mund ta realizojë financiarisht (ndërsa pushteti i Federatës, natyrisht, nuk do ta ndërmerrte një hap të tillë pa nevojë të madhe dhe pa presion nga jashtë), prandaj duhet pritur donacione nga jashtë, siç janë ato të Qeverisë gjermane, e cila për rikonstruktimin e kishës ortodokse në Mostar ka dhënë 250 mijë marka. Ose, ashtu si e ka rindërtuar Qeveria e Greqisë, para dy vjetësh me rastin e jubileut të përvjetorit të 780 të KOS në BH, "tempullin e Lindjes së të Shenjtes Virgjëreshë" (në Sarajevë).

Akuzat e ndërsjella të komuniteteve fetare që datojnë nga lufta ende nuk janë tejkaluar, përkundër takimeve të kohëpaskohshme pak a shumë për kurtoazi të krerëve lokalë. KOS, fjala vjen, është akuzuar "jo vetëm për heshtjen e krimeve serbe të luftës, por edhe për bekimin e ushtrisë serbe dhe mbështetjen e hapur të operacioneve kundër myslimanëve" (Norman Cigar: "Gjenocidi në Bosnjë - politika e 'pastrimit etnik'").

Ka patur edhe dëshmi të ndryshme për pohime të tilla, që nga fotografia e një murgu me mitraloz në krah, pastaj citate nga publikimi i Patrikanës Serbe "Ortodoksia", gjer te citimi i deklaratave të patriarkut Pavle. Autori i librit të përmendur më lart e citon rrëfimin e tij para gazetares së "Vanity Fair": "Bijë, më tha duke rrudhur krahët dhe me duar të hapura, nëse më pyesni se a duhet që serbët në Bosnjë të heqin dorë nga të gjithat që kanë bërë gjatë jetës së tyre atje, çka mund t'ju them unë? A mendoj që vrasja është një gjë e gabueshme. Natyrisht! Por, a mendoj unë që njeriu i ndershëm duhet t'u dorëzohet sulmuesve? Nëse kjo është zgjedhja, atëherë më duhet t'jua them se edhe unë do të detyrohesha të jem si politikanët, të cilët mendojnë se serbët duhet të luftojnë, tani si kurrë më parë, për ta shpëtuar jo vetëm kishën, por edhe vetveten".

Patriarku serb, Pavle, edhe nuk është personaliteti më i duhur për t'i bazuar akuzat për sjellje jo të krishterë. Është e vërtetë, natyrisht, që disa njerëz të Kishës kanë ndihmuar me autoritetin e tyre që, në periudhën e paraluftës dhe gjatë luftës, të (keq)përdoren mitet nacionale të serbëve, para së gjithash ai kosovar. Përmasat e kësaj dukurie janë matur me kute të ndryshme dhe janë interpretuar në mënyra të ndryshme: nga akuzat ekstreme gjer te mohimi i plotë.

Këtu do ta citojmë vetëm mendimin e psikologut të njohur ortodoks, Vlladeta Jerotiq: "Megjithëse shumëçka ka ndryshuar te tiparet psikike dhe ato të karakterit të njeriut serb, pra edhe të popullit serb, pastaj edhe të kishës së tij, që nga viti 1918 e deri sot, nuk do të duhej të ekzistonin, as sot, arsye të bindshme dhe të bazuara për dukurinë e prirjeve fundamentaliste, të urrejtjes apo të fanatizmit, ndaj popujve dhe religjioneve të tjera në kuadër të ortodoksisë serbe. Prirje të tilla megjithatë janë shfaqur, diku që nga viti 1989, së pari të manifestuara drejtpërdrejt në shtyp, publikime më të vogla a më të mëdha, pastaj në radio dhe televizion, për të përfunduar gjithçka në mënyrë tragjike".

Kritikës së matur, prof. Jerotiq do t'ia shtojë edhe disa pyetje që, në një sens të caktuar, e përmbledhin qasjen mbizotëruese serbe ndaj këtyre dilemave: "Do të pyesnim, si është dashur të reagojë ndryshe populli serb ose individë nga ai popull, ndaj rrezikimit të përsëritur të vet mijetesës së tij në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë, dhe pikërisht të rrezikuar ndoshta në rend të parë nga kërcënimi agresiv dhe fundamentalist, që buron nga bindje nacionale, të krerëve të Kroacisë katolike-romane dhe të pjesës myslimane të Bosnjës e Hercegovinës? A është "identifikimi me agresorin" (një fenomen të cilin e ka definuar Ana Frojd) e vetmja mënyrë adekuate e reagimit të një populli, i cili mezi të ketë shfaqur dy a tri herë gjatë tërë historisë së tij ndonjë agresion ekspansiv ndaj popujve të tjerë dhe kryesisht gjithmonë pa sukses?"

Edhe përfundimin e kësaj lufte kisha serbe e ka pritur me humbje të rënda. Përllogaritja e drejtorit të Muzeut të KOS në Beograd, Sllobodan Milleusniq, tregon se në perëndim të lumit Drina janë "rrënuar 212 kisha dhe janë dëmtuar 376 të tjera": janë asgjësuar galeri të tëra me ikona mbi ikonostase, veprat e ikonografëve dhe piktorëve më të njohur nga shekulli XIV deri në shekullin XX...., arrihet te shuma prej më shumë se 7000 ikona të asgjësuara. Kaq vepra figurative të shkatërruara përfaqëson për çdo popull një katastrofë nacionale".

Ndërsa, lidhur me raportin ndaj simbolikës religjioze në këtë luftë flet edhe fakti që në BH nga pesë rezidenca të peshkopateve ortodokse (e Banja Lukës, e Bihaqit-Petrovcit, e Zahumles-Hercegovinës, ajo Dabroboshnjake dhe eZvornikut-Tuzlës) "janë rrënuar ose dëmtuar rezidencat peshkopale në Mostar, Sarajevë dhe Tuzla".

Si pasojë e ndjenjës së rrezikimit të drejtpërdrejtë KOS në Republikën Serbe ka qenë në një pozitë të veçantë, mjaft të ndryshëm edhe në raport me pozitën e KOS në shtetin amë, RF të Jugosllavisë. Mësimi i fesë, që vetëm tani po futet në Serbi, është i pranishëm me vite të tëra në shkollat e RS. Administrata e RS ka një prirje shumë më pozitive ndaj kontesteve pronësore-juridike. Fjala e kishës, rëndom e shqiptuar nëpërmjet Këshillit Peshkopal të peshkopëve nga RS dhe Unioni i BH, ka një peshë specifike të rëndësishme dhe atë askush, që është i detyruar t'i përcjellë reaksionet e opinionit publik në RS, nuk mund ta injorojë.