FEJA SI REZISTENCE NDAJ MODERNIZIMIT
Beograd:Dossier Shkup:
OLIVERA MAMUZOVIC, AIM Beograd
Thelbi i konfliktit te dekades se kaluar te lufterave do te mund te definohej edhe si nje perpjekje e fundit e Serbise dhe e Kishes Ortodokse Serbe per t'i rezistuar modernizmit.
Magjepsja me mitin e Kosovës dhe besimin se serbët në të gjitha luftërat në këto hapësira kanë qenë ata që e kanë pësuar, kanë patur një influencë të fuqishme në rolin e Kishës Ortodokse Serbe (SPC) në dhjetëvjetëshin e fundit luftarak në ish - Jugosllavinë. Pësimi mesjetar e serbëve nën pushtuesit turq, simboli më i madh i të cilit është Beteja e Kosovës në Gazimestan e vitit 1389, pësimi në Luftën e Parë, pastaj edhe në Luftën e Dytë Botërore dhe pamundësia për t'u çliruar nga kjo trashëgimi kanë qenë arsye që KOS (SPC) luftërat në ish-republikat jugosllave t'i identifikojë me mbrojtjen e serbizmit dhe të ortodoksisë. Deri në fund të shekullit tashmë të kaluar, Kisha do të mbetet në linjën që serbët në luftërat në Kroaci, Bosnjë dhe në Kosovë kanë mbrojtur të drejtën në jetë, identitetin nacional dhe fetar. Raportet mbi krimet e serbëve mbi popullatën joserbe KOS (SPC) për një kohë tepër të gjatë do t'i quajë gënjeshtra dhe hapur do të vihet në mbrojtjen e atyre që bota i ka akuzuar për krime lufte, si në rastin e ish - liderit të serbëve boshnjakë, Radovan Karaxhiqit.
Zhvendosja e KOS (SPC) nga margjinat e zhvillimeve shoqërore dhe politike, ku kishte qenë në Jugosllavinë e Titos pas Luftës së Dytë Botërore, ndodhi paralelisht me valën e madhe nacionaliste në Serbi. Se Kisha kishte dalë nga hija ishte e qartë që në vitin 1989, kur serbët në Gazimestan shënuan 600 vjetorin e betejës së Kosovës - me ikona ortodokse, fotografitë e prijësit të madh të ardhshëm dhe me korin e priftërinjve të KOS (SPC). Kisha, atëbotë, dy vjet para fillimit të luftës, e ndihmoi shefin partiak të atëhershëm të socialistëve serbë, Sllobodan Millosheviqin, për rehabilitimin e programit nacionalist, i cili do të bëhet shkëndija vendimtare në përleshjet e përgjakshme që do të pasonin. Luftërat, të cilat, me alibinë e ruajtjes së shtetit të përbashkët të Jugosllavisë, i udhëhoqi Millosheviqi, KOS (SPC) i ka mbështetur, duke ia mveshur popullit serb edhe rolin mesianik bashkë me atë të popullit viktimë. Mitropoliti malazez-bregdetar, Amfillohije, në fillim të konflikteve luftarake e porosiste popullin serb se "fati i tij është që ta bartë kryqin në këtë udhëkryq të zjarrtë të botërave të ndryshme", dhe "për këtë arsye populli serb është një popull hyjnor". KOS (SPC) e ka identifikuar religjiozen me nacionalen, duke iu falënderuar rolit historik kompleks - në kohën e sundimit shumëshekullor otoman KOS e ka ruajtur identitetin nacional serb, ndërsa në shekullin 19 ka luajtur një rol vendimtar në emancipimin nacional dhe krijimin e shtetit serb të pavarur.
KOS (SPC) gjatë luftërave në ish-Jugosllavinë kurrë nuk ka deklaruar zyrtarisht me një gjuhë të hapur urrejtjeje kundër myslimanëve apo kroatëve, por e ka mohuar që serbët e Bosnjës të kenë kryer çfarëdo krimesh mbi ta, duke pohuar se ata vetëm janë mbrojtur. Kështu, në vitin 1993, në deklaratën e Sinodit të Shenjtë Peshkopal është thënë që KOS "në bazë të dëshmive të vëllezërve peshkopë nga BH, vërteton, duke marrë mbi vete përgjegjësinë morale të plotë, që kampe përqendrimi të tilla as që kanë ekzistuar dhe as që ekzistojnë". Gjatë kësaj kohe, në vetë Serbinë, KOS (SPC) ka kultivuar në nivelin protokollar marrëdhënie të mira me Bashkësinë Islame, si dhe me Kishën Katolike.
Një kthesë në marrëdhëniet midis prijësit serb dhe KOS (SPC) ka ndodhur së pari në vitin 1994, kur Millosheviqi e vendosi embargon kundër serbëve të Bosnjës nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare. Kisha atëbotë e anatemoi publikisht Millosheviqin. Sinodi i Shenjtë e dënon bllokadën "kundër vëllezërve të pagëzuar" në gusht të atij viti, ndërsa disa peshkopë bëjnë thirrje të hapura për rezistencë ndaj "tradhtarit Millosheviq". Kisha, ndërkaq, një vit më vonë e mbështeti kthesën e re në politikën e Millosheviqit, i cili, nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare dhe problemeve në shtetin e tij, i kthehet rolit të krijuesit të paqes. Kështu, patriarku serb Pavle do ta vendoste edhe nënshkrimin e tij në "autorizimin" me të cilin Millosheviqi, si negociator universal serb, do të udhëtonte në Dejton. Një ftohje e re në marrëdhëniet midis KOS (SPC) dhe pushtetit serb pasoi gjatë protestave qytetare për shkak të vjedhjes së votave në zgjedhjet lokale të vitit 1996. Kisha, pas një hezitimi të shkurtër, i mbështeti protestat pasiqë ato u bënë masovike dhe policia filloi të ushtrojë forcën mbi demonstruesit.
Aleanca e SPC dhe Millosheviqit u shkëput definitivisht me luftën që e përfshiu Kosovën. Që nga konflikti në Kosovë, nga shkurti i vitit 1998, KOS (SPC) nuk e dënonte pushtetin serb për shkeljet brutale të të drejtave të njeriut të popullatës shqiptare, por e dënonte Millosheviqin për arsye se më nuk e respektonte si bashkëbiseduese lidhur me një çështje aq të rëndësishme për të. Millosheviqi i ka injoruar përpjekjet e KOS (SPC) që të jetë një ndër negociatorët në Rambuje, si dhe aleancën e Kishës me liderët e serbëve të Kosovës, të cilës i prinin peshkopi i Rashkës-Prizrenit, Artemije, dhe Momçillo Trajkoviq, lider i Lëvizjes Serbe të Rezistencës (SPOT) nga Kosova.
Për KOS (SPC) Kosova është një tokë e shenjtë shekullore serbe dhe për këtë arsye e ka përjetuar në mënyrë aq tragjike fitoren e forcave të NATO-s dhe tërheqjen e ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova. Pas eksodit të serbëve të Kosovës, Kisha e ka akuzuar publikisht Millosheviqin për tradhti të interesave serbe. Në qershor të vitit 1999, KOS ka kërkuar dorëheqjen e tij dhe ky ishte fundi faktik i aleancës. Populli serb i kishte bartur pranë e pranë fotografitë e shenjtorëve me ato të Millosheviqit, dhjetë vjet më pas KOS (SPC) ishte e mundur ashtu si edhe Millosheviqi. KOS (SPC), e cila kishte vendosur ta mbështesë pushtetin për mbrojtjen e idesë së madhe nacionale, ishte e zhgënjyer dhe fliste hapur se kishte qenë e manipuluar. Si në rastin e KOS (SPC), u tregua se shumë njerëz në Serbi e braktisën Millosheviqin jo për shkak të luftërave që i kishte zhvilluar, por pse i kishte humbur ato. Anketat e opinionit publik nga ajo periudhë tregonin që gati dy të tretat e qytetarëve të Serbisë e kishin humbur besimin te KOS (SPC) dhe e konsideronte kontestues rolin e saj në ato luftëra.
Edhe pse dukej që KOS ishte tronditur rëndë me humbjen e atdheut të shenjtë kosovar dhe që vështirë do ta gjente përsëri vendin e saj, nuk qe ashtu. Kisha, duke iu falënderuar mbështetjes së hapur për opozitën serbe, e cila shkonte ngadalë dhe sigurt drejt bashkimit, megjithatë arriti të "ringjallet" duke mos folur hapur kurrë për rolin e saj negativ në luftërat e zhvilluara. Në të vërtetë, patriarku Pavle ka pranuar publikisht se ka patur krime serbe. Analistët vlerësojnë se roli i KOS (SPC) në luftërat nuk është damkosur publikisht kurrë deri në fund, sepse edhe shumë nga liderët e Opozitës Demokratike të Serbisë (DOS) ishin gjatë luftërave në pozita të forta nacionaliste, kështuqë edhe roli i tyre do t'i nënshtrohej medomemos kritikës.
KOS (SPC) për më pak se një vjet të sundimit të DOS-it e përmbushi një pjesë të mirë të qëllimeve të saj, ç'gjë nuk i shkoi për dore gjatë sundimit të Millosheviqit edhe krahas mbështetjes shumëvjeçare që ia kishte ofruar. Së pari, arriti të sigurojë futjen e mësimit të fesë në shkollat shtetërore, edhe përkundër faktit se në Kushtetutën e vitit 1992 në fuqi ende Kisha dhe shteti janë të ndarë. Gjithashtu, po përgatitet ligji për kthimin e pronës kishtare, e cila i është marrë pas Luftës së Dytë Botërore në dy valë. Me Ligjin për Reformën Agrare të vitit 1946, sipas të dhënave të vetE KOS, janë konfiskuar rreth 70.000 hektarë tokë dhe pyje. Pastaj në vitin 1958 është miratuar Ligji për Nacionalizimin dhe KOS ka mbetur atëbotë pa gati 2000 godina të saj. Në Beograd është nacionalizuar praktikisht gjithçka përveç ndërtesës së Patrikanës.
Ministria serbe e feve e ka bërë edhe projektligjin për liritë religjioze. Edhe pse ministri serb i feve, Vojisllav Millovanoviq (i zgjedhur me propozimin e KOS), ka paralajmëruar që drafti i atij ligji është një prej "zgjidhjeve më demokratike me të cilin për herë të parë pas 60 vjetësh afirmohet liria fetare si një e drejtë themelore e njeriut", disa ekspertë konsiderojnë se KOS, duke iu falënderuar këtij ligji, do të arrijë që t'i "qërojë hesapet" me sektet fetare, respektivisht me të gjitha komunitetet religjioze që ajo nuk i njeh zyrtarisht.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Feve, janë të regjistruara rreth 50 komunitete fetare, mirëpo ekzistojnë presupozime se të tilla ka më shumë, por nuk janë të paraqitura në administratë. Rreth 70 për qind e popullsisë së përgjithshme është e krishterë. Tri krahë të krishterimit janë të shpërndarë ashtu që më së shumti ka besimtarë ortodoksë (90 për qind), pastaj katolikë (9 për qind) dhe më së paku besimtarë protestantë (1 për qind). Bashkësia Islame tubon rreth 19 për qind të popullatës së përgjithshme, por kjo e dhënë është e diskutueshme meqenëse të dhënat mbi besimtarët islamë në Kosovë bazohen vetëm në presupozimet, sepse atje është regjistruar realisht vetëm 18 për qind e popullsisë. Pjesëtarë të komunitetit religjioz hebraik ka rreth 0.01 për qind. Rreth 0.14 për qind janë pjesëtarë të ndonjë konfesioni tjetër dhe të kulteve proorientale. Gjithsejt 1.64 për qind e popullsisë është deklaruar si joreligjioze. Një problem te këto të dhëna përfaqëson fakti që në këto hapësira konfesioni lidhet me nacionalitetin, kështu që pjesa më e madhe e popullatës sipas një automatizmi deklarohet për konfesionin përkatës. Sipas sondazheve më të fundit të opinionit publik, në Serbi gjithnjë e më pak njerëz deklarohen si ateistë. Opinioni shkencor konsideron se shtimi i interesimit për kishën nuk do të thotë kthim te besimi burimor, por më parë një kthim te tradita, dhe kjo pikërisht në mungesë të gjedheve vlerore të tjera.
KOS (SPC) zyrtarisht e njeh Kishën Katolike Romane dhe Bashkësinë Islame, ndërsa nga ato protestante Kishën Reformatore, atë Ungjillore-Luterane dhe Kishën Ungjillore Sllovake dhe me to kultivon marrëdhënie tradicionalisht të mira. Të gjitha këto komunitete religjioze, në marrëveshje me KOS dhe Ministrinë e Arsimit mund të mbajnë orë të mësimit të fesë në shkollat fillore dhe të mesme, sipas programeve dhe librave mësimorë të tyre.
Edhe pse nuk mund të thuhet që KOS të ketë treguar ndonjëherë mosdurim kundrejt komuniteteve të tjera fetare në këtë hapësirë, para disa muajsh disa organizata joqeveritare për të drejtat e njeriut e kanë akuzuar atë si një gjenerator i nacionalizmit dhe antisemitizmit. Pjesa më e madhe e këtyre akuzave bazohet në faktin qe rreth qarqeve kishtare janë tubuar disa intelektualë kontraverzë, të cilët angazhohen për rehabilitimin e personaliteteve historike kontestuese, midis të cilëve edhe të atyre që kanë marë pjesë në lëvizjen fashiste.
Komuniteti hebraik i ka demantuar pohimet që ajo është e rrezikuar nga KOS, mirëpo disa përfaqësues të tij kanë shprehur frikën se farën e antisemitizmit në Serbi do të mund ta mbjellë mësimi i fesë, si ortodokse, ashtu edhe katolike dhe protestante. Komunitetet tjera religjioze në Serbi nuk kanë folur, të paktën jo publikisht, mbi mosdurimin e KOS (SPC) ndaj tyre. KOS i ka dënuar sulmet sporadike në objektet fetare islame dhe katolike, të cilat, si shprehje e mosdurimit nacional dhe fetar, ishin të njëkohshme me luftërat në Kroaci dhe në Bosnjë.
Në Serbi gjer më tani nuk ka ndodhur ndonjë depërtim grupesh fundamentaliste, përveç që fundamentalizmi është hetuar kohë pas kohe te komuniteti fetar islam në hapësirat e Sanxhakut, por vetëm në formë deklarative dhe kryesisht në vitet '90, në periudhën e konflikteve të egra në Bosnjë. Është më se e qartë që ky fundamentalizëm "deklarativ" ishte i nxitur nga ndjenjat e fuqishme nacionale në konfliktin luftarak dhe ishte me natyrë kalimtare. Në Serbi ka patur përpjekje të zbehta që kryengritja e shqiptarëve të Kosovës të ndërlidhet me ekstremizmin islamik, edhe pse faktori koheziv i rezistencës së shqiptarëve në radhë të parë ishte ai etnik.
Vetë KOS (SPC) tregon një frikë të konsiderueshme nga ndikimi i teologjisë katolike romane dhe asaj protestante. Arsyet për këtë frikë, si dhe frenimi i vazhdueshëm i dialogut ekumenik nga KOS (SPC), mund të gjenden te fakti se KOS është megjithatë një kishë e vogël nacionale, e cila nuk ka arritur t'i tejkalojë idetë romantike mbi shtetin nacional dhe t'u përgjigjet sfidave të shekullit 20. Klaustrofobike dhe e mbyllur, dhe si kishë nacionale gjithnjë e mbështetur te pushteti (edhe patriarku German në ish-Jugosllavinë ishte zgjedhur me pajtimin e shefit të shtetit), KOS (SPC) nuk ka arritur të modernizohet. Thelbi i konfliktit në dhjetëvjetëshin e kaluar të luftërave do të mund të definohej edhe si një përpjekje e fundit e Serbisë dhe KOS (SPC) që t'i rezistojnë modernizimit.
KOS (SPC), që nga ndërrimi pushtetit në Serbi, është në një ngritje evidente, e cila do të jetë edhe më e fuqishme kur me kthimin e pronave të bëhet financiarisht edhe më e fortë. Për influencën e saj mbi pushtetin në Serbi flet mjaft rasti i dorëzimit të Millosheviqit në Tribunalin e Hagës. KOS (SPC) e ka pranuar këtë lajm me një kundërshtim të fuqishëm, ndërsa peshkopi Amfillohije ka porositur fare hapur se është sakrilegj që një gjë e tillë është bërë në festën e madhe fetare, për Vidovdan (29 qershor). Një rezultat i qartë i presionit mbi pushtetin mund të vërehej që pas disa ditësh, kur kryeministri serb, Zoran Gjingjiq, e premtoi miratimin e dekretit për futjen e mësimit të fesë në shkollat publike. Është e sigurt që KOS (SPC), në periudhën e ardhshme, do të punojë për shtrirjen e influencës së saj politike dhe sociale. KOS, sipas hulumtimeve më të fundit të opinionit publik, është tani institucioni i tretë për besimin që gëzon te qytetarët (pas presidentit të shtetit dhe ushtrisë). Po të shikohet në mënyrë më afatgjate, është e sigurt, ndërkaq, se afrimi i Serbisë me Bashkimin Evropian (EU) do t'i fuqizojë forcat liberale në vend, me këtë, natyrisht, edhe segmenti shekullar - i cili sipas vlerësimit të shumë ekspertëve në këtë vitin më të fundit është tronditur nga ndikimi i fuqishëm i KOS (SPC) mbi pushtetin - do të forcohet.