MOZAIKU RELIGJIOZ MAQEDON

Part of dossier RELIGJIONET NE BALLKAN Dec 6, 2001
Shkup:

Dossier Shkup:

ZELJKO BAJIQ, AIM Shkup

Deri në shpërthimin e krizës më të re në shkurt të këtij viti, Maqedonia konsiderohej si një ishull tolerance në detin e trazuar të konflikteve ballkanike. Që nga ajo kohë shumë gjëra kanë ndryshuar.

Sipas të dhënave që në Maqedoni konsiderohen si zyrtare, 66 % e qytetarëve të vendit të vogël dymilionësh i përkasin religjionit ortodoks, 30 % e qytetarëve janë të besimnit mysliman, një për qind janë katolikë, ndërsa 3 % të tjerë janë dishepuj të religjioneve të tjera. Në web-prezentimin zyrtar të Qeverisë maqedone thuhet se 1.5 milionë qytetarë janë të besimit ortodoks; të dhëna për numrin e pjesëtarëve të komuniteteve të tjera fetare nuk jepen. Me një krahasim të thjeshtë të të dhënave të ofruara, mësohet tepër lehtë se është zbatuar një metodë mjaft e thjeshtë: përqindja e banorëve ortodoksë është e barabartë me atë që është deklaruar se është e nacionalitetit maqedon, numri i myslimanëve gati fije për pe është identik me numrin e qytetarëve që në regjistrim janë deklaruar si shqiptarë, turq, boshnjakë ose romë. Vetë krerët e komuniteteve fetare e kanë pranuar me mjaft dashamirësi këtë metodologji. Tërthorazi, as shteti, as komunitetet fetare nuk kanë lënë shumë hapësirë për qytetarët që i përkasin ndonjë religjioni tjetër, ose ata që janë ateistë, për ç'arsye ka pasur kritika publike kohë pas kohe, posaçërisht në kohën e përpjekjeve për ta futur mësimin e fesë në shkolla.

Kushtetuta e Maqedonisë, e aprovuar në ditët e para të pavarësisë para plot 10 vjetësh, duke e parë nga një distancë dhjetëvjeçare, ka mbrujtur në vetvete ngapak romantizëm politik. Liritë fetare janë të garantuara, por, megjithatë, është theksuar roli i veçantë i Kishës Ortodokse Maqedone, si njërës nga shtyllat e qenies nacionale maqedone. Ligji për komunitetet fetare, i aprovuar pas gjashtë vjetësh, e ka respektuar po atë veçanti që, asohere, te prelatët e lartë të komuniteteve religjioze të tjera do të shkaktonte reaksione negative të thëna publikisht, por që zgjatën një kohë të shkurtër. "Me Ligjin favorizohet Kisha Ortodokse Maqedone, ndërsa me nenet e tij - Ligji sikur i dedikohet një shteti mesjetar", e ka komentuar atë më 1997 Ivan Grozdanovski, kryetar i Lidhjes së të Krishterëve - Baptistë, duke i theksuar autorizimet tepër të gjera të komisionit qeveritar për marrëdhënie me komunitetet fetare. Bashkësia Islame i ka shprehur kritikat e veta, por edhe të të tjerëve, duke vlerësuar se Ligji e ka kufizuar grumbullimin e kontributeve vullnetare dhe ashtu rrezikon mbijetesën e komuniteteve fetare. Edhe raportet ndërkombëtare për gjendjen e të drejtave të njeriut në një formë të butë kanë theksuar gjatë viteve të mëparshme faktin se ky Ligj përcakton një administrim tepër të madh.

Një nga çështjet rreth të cilës po thyhen shtizat muajve më të fundit në segmentin politik të krizës maqedone ka të bëjë edhe me statusin e ardhshëm të Kishës Ortodokse Maqedone. Përfaqësuesit ndërkombëtarë, të cilët arritën në Shkup në fillim të verës për ta lehtësuar procesin politik, kanë këmbëngulur për ndryshime kushtetuese që do të krijonin karakterin plotësisht qytetar të një shoqërie multietnike, multikonfesionale dhe multikulturore, sikurse konsiderohet shoqëria maqedone. Në këtë kontekst, si një nga nenet "e kontestuara" të Kushtetutës është "vënë në shënjestër" edhe neni 19 i Kushtetutës. Në aktin ekzistues më të lartë juridik të vendit, njëkohësisht të parin, pozita e komuniteteve fetare është rregulluar në mënyrën si vijon: "Garantohet liria e besimit. Garantohet shprehja e lirë religjioze, individualisht ose në bashkësi me të tjerët. Kisha Ortodokse Maqedone, komunitetet tjera fetare dhe grupet religjioze janë të ndara prej shtetit dhe janë të barabarta para ligjit...".

Thelbi i ndryshimit kushtetues të propozuar ka të bëjë me futjen në nenin kushtetues aktual, në mënyrë taksative, krahas Kishës Ortodokse Maqedone, edhe të Bashkësisë Islame në Maqedoni dhe te Kishës Katolike. Mirëpo, reagimet në opinionin publik, e posaçërisht në kreun e KOM, ishin emotive dhe të bujshme. Sinodi i KOM (trupi më i lartë kishtar) ka bërë apel me anë të letrave te kryetari i Repulikës, Qeveria dhe kryetari i Kuvendit që të hiqet dorë nga intervenimi kushtetues i përmendur më lart. Si një mjet të fundit që, sic duket, i kishte mbetur, Sinodi ka paralajmëruar se do të "vihen në 'shtyllën e turpit'të gjithë ata deputetë që do ta mbështesin amandamentin që ka të bëjë me pozitën kushtetuese të KOM".

Hidhërimi i kreut kishtar bëhet i kuptueshëm nëse dihet që gjatë një dhjetëvjetëshi të pavarësisë maqedonase ka ekzistuar një lloj lidhjeje e butë me shtetin. Në vigjilje të pavarësisë maqedone flitej me gjithë seriozitetin për kandidaturën presidenciale të kreut të ndjerë të KOM, z. Mihal. Çështja e autoqefalisë së KOM nga Kisha Ortodokse Serbe dhe njohja e saj në botën ortodokse joformalisht ishte një nga çështjet esenciale të politikës së jashtme. Përkitazi me këtë, KOM ka një pozitë të veçantë midis simotrave ortodokse: kontesti rreth statusit me Kishën Ortodokse Serbe nuk është tejkaluar, ndërsa, duke anuar drejt KOS, 14 kisha ortodokse as sot e gjithë ditën nuk e kanë pranuar mëvetësimin e Kishës Ortodokse Maqedone.

Qeveria e prirë nga VMRO-DPMNE (parti, e cila në momentin e ardhjes në pushtet në vjeshtën e vitit 1998 e kishte reputacionin e partisë "më maqedone") ka dëshiruar të sugjerojë midis rreshtash përshtypjen që përfaqëson pushtetin e parë jokomunist. Me fjalë të tjera, një pushtet që do ta respektojë statusin, mendimin, por edhe pronën e komuniteteve fetare, të Kishës Ortodokse Maqedone para së gjithave. Kryeministri Lupço Georgievski nuk e ka fshehur që duke iu falënderuar mbështetjes së KOM ka ardhur në pushtet; as vetë Kisha, të paktën gjykuar në bazë të deklaratave që i emetonin mediat, nuk kishte asgjë kundër një krekosjeje të tillë të kryetarit të qeverisë. Në ato çaste, kryeministri më i ri në Evropë dhe ministrat e tij pa ngurrim e paralajmëronin futjen e mësimit të fesë në shkolla, shërbesës fetare në armatë, miratimin e ligjit me të cilin KOM do t'i sigurohej një vend "më i barabartë" midis komuniteteve fetare, shkurt - një prani më e madhe publike e prelatëve kishtarë. "Kisha Ortodokse Maqedone e ka një domethënie kolosale për popullin maqedon. Ajo e ka këtu selinë e vet, ndërsa të gjitha të tjerat i kanë qendrat jashtë vendit", do të theksojë asohere kryetari i komisionit qeveritar për marrëdhëniet me komunitetet fetare, Gjorgji Naumov, duke shpalosur me këto fjalë filozofinë e veprimit.

Për Georgievskin dhe bashkëluftëtarët e tij partiakë kthimi i pronës Kishës Ortodokse Maqedone ishte e një rëndësie të veçantë. Në të njëjtën pako, vërtet, u gjend Komuniteti Islam. Kryeministri Georgievski, në një intervistë në fillim të mandatit, ka paralajmëruar krenar se prona e Kishës Ortodokse Maqedone, e nacionalizuar pas Luftës së Dytë Botërore, do t'i kthehet. Disa vlerësime thonë se Kisha ka humbur me nacionalizimin 90% të pronës që e kishte deri në vitin 1945. Mediat nuk kanë arritur të mësojnë se për çfarë prone dhe sa prona bëhet fjalë, por krerët kishtarë theksojnë se Kisha ishte pronare pyjesh, kullosash, ndërtesash, dyqanesh, shtëpish banimi... Gjatë tre vjetëve të shkuar gjërat nuk kanë ndodhur me shpejtësinë që e kishte paralajmëruar kryeministri, prandaj nuk është shkuar shumë larg nga pika e nisjes. Në vend të kësaj, shteti ia ka dhuruar Kishës Ortodokse Maqedone disa objekte në Ohër, ndërsa opinioni nuk arriti të mësojë shumë detaje për atë dhuratë aq zemërgjerë.

Mirëpo, siç presupozojnë disa ekspertë, Kisha Ortodokse Maqedone, nëse shteti ia kthen asaj vërtet gjithë pronat, do të mund të kishte konteste me Kishën Ortodokse Serbe, të cilës ajo pronë i është marrë formalisht. Midis Kishës Ortodokse Maqedone dhe Kishës Ortodokse Serbe ende nuk është zgjidhur konflikti rreth autoqefalisë së KOM, ndërsa problemi i pronës vetëm do të mund t'i komplikonte gjërat edhe më shumë. Nuk përjashtohet as mundësia që KOS, në të ardhmen, kontestin pronësor ta bartë në terrenin ndërkombëtar - para ndonjërës nga gjykatat ndërkombëtare.

Me Bashkësinë Islame rasti është juridikisht i pastër. Kjo Bashkësi dikur posedonte prona të mëdha në Shkup dhe në qytete të tjera të Maqedonisë. Për shembull, dihet që në pronësi të Bashkësisë Islame deri në vitin 1945 kanë qenë toka me sipërfaqe prej katër milionë metra katrorë. Një magazinë opozitare para ca kohësh presupozonte që brenda Bashkësisë Islame janë krijuar mospajtime të natyrave të tjera. Në të vërtetë, partitë politike të shqiptarëve i kanë ashpërsuar, gjoja, mospajtimet mmidis tyre. Gazetat në gjuhën maqedone pohonin që Partia Demokratike Shqiptare, si më me influencë në bllokun politik shqiptar, ka arritur të bëjë ndryshime në kreun e BI. Pikërisht prona ishte në prapavijë të konfliktit. Disa media kanë tërhequr vërejtjen se nëse iu kthehen pronat komuniteteve fetare, Maqedonia do ta kthente orën njëqind vjet mbrapa. Më saktë, komunitetet fetare do të mund të bëheshin pronarë dominues dhe kjo me kohë do të mund të pasqyrohej në fuqizimin e klerikalizmit. Se a është kjo frikë e arsyeshme, nuk është aq e lehtë të gjykohet.

Në idilën e pazëshme të kishës dhe shtetit viteve të shkuara janë aktualizuar disa mite që kanë zënë një vend të rëndësishëm në historiografi, arsim dhe media. Në këtë kategori gjithsesi bëjnë pjesë pohimet se maqedonët janë një "popull biblik", se Kisha Ortodokse Maqedone është "djep i kishave ortodokse të tjera" dhe ca të tjera.

Gjithnjë deri në shkallëzimin e krizës në Maqedoni tensionet midis komuniteteve fetare praktikisht ishin të pavërejtura. Mirëpo, konflikti i armatosur i forcave maqedone të sigurisë dhe guerilëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare shkaktoi një rritje ekstreme të tensioneve. Gjatë veprimeve ushtarake është shkatërruar ose dëmtuar një numër i madh objektesh fetare - ekskluzivisht ortodokse dhe islame. Të dhënat ende nuk janë prezentuar zyrtarisht, por është e njohur që disa kisha ortodokse dhe manastire janë shkatërruar gati tërësisht, një numër më i madh ka pësuar dëmtime. Nga ana tjetër, sipas të dhënave që ishte e mundshme të sigurohen, janë shkatërruar ose dëmtuar rreth pesëdhjetë objekte religjioze islame. Në kohën e kulminacionit të krizës kanë ndodhur edhe disa incidente, të cilat e kanë zbuluar edhe një dimension, gjer atëherë të panjohur: pjesëmarrësit e disa tubimeve protestuese pas vrasjes së disa pjesëtarëve të forcave maqedone të sigurisë, ndër të tjera, kanë djegur objekte religjioze islame në Prilep dhe Manastir. Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë vënë re se kjo është hera e parë që jotoleranca fetare të shprehet në një mënyrë të këtillë brutale. Deklaratat e disa personaliteteve religjioze, si në radhët e Kishës Ortodokse Maqedone, ashtu edhe në radhët e Bashkësisë Islame, kanë përmbajtur elemente të mjaftueshme që të mund të konsiderohen si shprehje e intolerancës fetare. Me ndërmjetësimin e Këshillit Botëror të Kishave, në fillim të verës në Gjenevë krerët e katër komuniteteve fetare më të mëdha kanë nënshkruar Deklaratën e përbashkët për paqe. Për fat të keq, efekti i saj në opinionin maqedon ishte i papërfillshëm.

Maqedonia në rrugën e saj të pushtimit të demokracisë ka lënguar nga të gjitha sëmundjet që i kanë përcjellë edhe vendet tjera në tranzicion. Si shumë të tjera, as ajo nuk e ka gjetur ende masën ideale në marrëdhëniet e kishës me shtetin. Sipas të gjitha gjasave, shoqëria duhet të mësohet ende se zgjedhja e besimit është një çështje personale dhe jo shtetërore, partiake apo e kujtdo qoftë tjetër. Çështja e tolerancës fetare me siguri që do të jetë një pjesë përbërëse e përpjekjeve të bashkësisë ndërkomëtare për ta kthyer mirëbesimin e humbur midis maqedonëve dhe shqiptarëve. Ideja për futjen e mësimit të fesë në shkolla është braktisur përkohësisht, por nuk është hedhur poshtë. Se a do t'ia lërë vendin në këtë moment aktual idesë së njohjes reciproke të komuniteteve të ndryshme fetare - do të shihet më vonë. Për sociologët, politologët dhe, ndoshta, edhe historianët mbetet një detyrë jo aq e lehtë: të thonë - nëse religjioni i zbatuar i ka kontribuar gjithë kësaj që ka ndodhur në Maqedoni gjatë muajve të shkuar.