NE PYLLIN E FLAMUJVE FETARE
Sarajevo:Dossier Sarajevë:
ZEJLKO IVANKOVIC, AIM Sarajevë
Komunitetet fetare ne Bosnje-Hercegovine, jo vetem ne kohet me te veshtira, por as pas tyre, nuk arriten t'i mbeten besnike as vendit qe i perkasin, as popullit qe duhej t'i sherbenin, por, dhe kjo eshte sic duket gjeja me e rrezikshme, as ideve te tyre themelore, as librave te tyre te shenjte, as....
Sistemi komunist e ka margjinalizuar në tërësi në pikëpamje shoqërore religjionin, si një gjoja "opium për popullin", ndërsa hulumtimet e sociologëve të religjionit kanë treguar se si margjinalizimi i tij shoqëror dhe politik në rastin konkret në BH (të paktën) trinacionale, trikulturore, trekonfesionale, më së shumti i ka goditur kroatët katolikë, pastaj myslimanët (boshnjakët) myslimanë dhe, më në fund, serbët ortodoksë. Kjo, në të vërtetë, flet për faktin se si mu sipas kësaj radhitjeje pjesëtarët e popujve dhe religjioneve të caktuara ishin, thënë në formë të thjeshtësuar, socialisht adaptibilë ose sa ishin (jo) të gatshëm të socializohen në sistemin komunist, sa kanë marrë pjesë në mënyrë aktive në ndërtimin e asaj shoqërie sipas kërkesave të sistemit shoqëror-politik, i cili kërkonte një matricë të re shoqërore, deri te mohimi i plotë i gjoja paradigmës së vjetër dhe të tejkaluar.
Ky internacionalizim dhe ateizim i shoqërisë e fuste kokën në rërë, largohej nga problemet shoqërore reale, jo vetëm të atyre të trashëguara për shkak të të cilave gjoja e kemi patur masakrën e viteve 1941-1945, por edhe ato të kohës më të re. Mirëpo, meqenëse floskulat për çështjen nacionale të zgjidhur dhe tejkalimin e religjionit, si një relikt i së kaluarës, ishin topose më se të rëndomta në jetën politike dhe shoqërore të një vendi, madje edhe përpjekjet për të bërë hulumtime sociologjike në kuadër të këtij kompleksi ishin të dyshimta, e të mos flasim për aktualizimin real shoqëror dhe politik të problemeve që ky kompleks i hap. Gjithë ajo që ishte e lidhur me nacionalen dhe religjiozen është konsideruar për retrograde, ndoshta edhe jo aq eo ipso, sa për shkak të së kaluarës së freskët vërtet të përgjakur. Por, edhe e kaluara e përgjakur vuante nga po e njëjta sëmundje - nuk i zgjidhte problemet, por i vendoste nën qilim, vërtet ndryshe nga mënyra komuniste, por problemi i pazgjidhur mbetet i pazgjidhur sido që të jetë ai.
Një rend i shembur njëherë, pra, në të cilin aspekti ekonomik dhe interesat nuk kanë arritur t'i tejkalojnë të tjerat, ndërsa po të kishte qenë rend (koncept!) nuk do të dështonte(!), në plan të parë i kishte vënë problemet nacionale e religjioze, të grumbulluara dhe të pazgjidhura me decenie të tëra, si potencialisht jo vetëm antagoniste, por edhe konfliktuoze.
Flamujt e nacionales dhe religjiozes, si emblema identifikimesh të reja/të vjetra, u bënë jo vetidentifikues, por identifikues kundruall dikujt tjetër, kundruall alteritetit. Pra, përkatësia ime nacionale dhe religjioze nuk ekziston objektivisht ose është asgjësuar me internacionalizimin dhe ateizimin, por përkatësia ime nacionale dhe religjioze është diçka më e bukur, më e mençur, më e vjetër, më superiore, më e mirë se jotja. Dhe kjo gjithmonë do të thotë që të drejtat e mia janë më të mëdha, pastaj je ti, si alteritet, si jo-unë, d.m.th. jo-ne, sepse komunizmi e kultivonte gjithashtu vetëdijen kolektive, një klasë më e ulët, një racë më e ulët e të ngjashme, që ma jep të drejtën të të mohoj. Të të mohoj deri në asgjësim!
Këtë situatë të re të krijuar gati askush nuk e ka parë si të tillë. Gjëja më tragjike është se këtë nuk e kanë parë as njerëzit nga kreu i tri konfesioneve, nëse nuk kanë mundur, nuk kanë ditur ose nuk kanë dashur ta shohin këtë njerëzit nga nomenklaturat nacionale-politike. Në vend që të fillojnë me ndërtimin e shoqërisë civile të tipit perëndimor, të bazuar tek individi me elementet identifikuese plotësisht legjitime, megjithëse jo ekskluzive, të tipit etnik dhe konfesional, për shembull, ne-vetëdija e ndërtuar me këmbëngulje dhe për një kohë të gjatë e një profili gjoja internacional është shndërruar në ne-vetëdije të tipit nacional, madje shumë më të ulët se ajo - të tipit tribalist, ku komunitetet fetare e kanë parë mundësinë e ripërtëritjes së kopesë, të kthimit të deleve të humbura në kope dhe të ngjashme (terminologjia është autentike!).
Nacionalja dhe religjiozja në Bosnjë e Hercegovinë, e cila përnjëherësh filloi të çahej, janë identifikuar gati deri në njëjtësim. Madje edhe më shumë se kaq, meqenëse iu kthyen përnjëherësh fesë dhe kombit, nga mashtrimet dhe ketmanët komunistë, shumë nga (deri dje) të ashtuquajturit jugosllavë, boshnjakë dhe "pakica nacionale" të ngjashme, d.m.th. e kuptuan se, tash o kurrë, ishte koha e përkatësisë tepër e qenësishme. Dhe përsëri, si shumë herë gjatë historisë, tre popujt e Bosnjës e Hercegovinës në tri entitete konfesionale, siç e ka hulumtuar këtë me saktësi M. Xhaja, filluan të shikojnë matanë kufijve të BH. Serbët drejt Serbisë dhe botës ortodokse, posaçërisht drejt Rusisë dhe Greqisë. Kroatët drejt Kroacisë dhe Vatikanit, ndërsa myslimanët drejt vendeve islamike. Dhe askush nuk e vërente Bosnjën e Hercegovinën, si një hapësirë autentike të të gjithëve dhe për të gjithë. Me Bosnjën dhe Hercegovinën përsëri secili kuptonte dhe e konceptonte si një gjë të tyre, si një vend që ishte i bekuar me fenë dhe kombin, historinë dhe mitin, me më shumë të drejta për "ne" se për "ata". Ferri - janë të tjerët!, siç ka thënë Sartri.
Komunitetet fetare, aq thelbësore për konstituimin nacional, jo rrallë edhe rojet e vetme të nacionales në kohën e komunizmit (megjithëse, çështja e çfarë dhe cilit dimension nacional është e hapur!) dhe opozita e vetme e komunizmit dhe diktaturës së tij, edhe vetë peng i klerit nacional, u bënë mbështetje për monopolistët nacionalë-politikë. Duke lozur lojën kush do të mbizotërojë kë, ndërsa të nevojshëm për njëri-tjetrin, ata hynë në një lidhje të pashkëputshme dhe të pazgjidhshme, duke bërë bashkëpjesëmarrës në politikë, fe, madje edhe në performansat e tyre më pragmatike, do të thotë madje edhe në krim!
Dikur të fuqishme për nga prestigji dhe autoriteti, posaçërisht në vendet me vetëdije shoqërore të pazhvilluar, vendet e okupimit të vazhdueshëm ose të regjimeve totalitare, çfarë ishin me shekuj hapësirat e ish-Jugosllavisë, pra edhe të BH, komunitetet fetare hynë në epokën e re si një prej mundësive, si një fije shpëtimtare për botën postkomuniste të rrëgjuar në pikëpamje morale dhe materiale, jo vetëm për shkak të autoritetit të tyre të trashëguar, por edhe për shkak të pronave të mëdha, por të konfiskuara, që filluan përsëri t'u buzëqeshin si mbështetje për autoritetin. Por, as që nacional-politikanët ishin në nivel të sfidave historike, as komunitetet fetare kishin në postet kryesore persona karizmatikë, prandaj ky rreth i mbyllur në të cilin tash e dhjetë vjet luajnë politikanët dhe krerët fetarë jokompetentë, në vend se t'ia niste me zgjidhjen e problemeve, filloi të prodhojë edhe disa të tjera për të cilat nuk dihej se është e mundshme të prodhohen. Në të vërtetë, përftoheshin dhe përftohen si ndonjë sëmundje e re për të cilën as që mendohej se është sërish (ose për herë të parë!) e mundshme: çmendia e lopëve, shapi, antraksi... Duam, në të vërtetë, të themi se komunitetet fetare në Bosnjë e Hercegovinë, jo vetëm në kohët më të vështira, por as pas tyre, nuk arritën t'i mbeten besnike as vendit që i përkasin, as popullit që do të duhej t'i shërbenin, po as, dhe kjo është sic duket gjëja më e rrezikshme, ideve të tyre themelore, as librave të tyre të shenjtë, kodeksave moralë, as themeluesve të religjioneve... Një herë të zëna rob në klero-nacionalizmin e vet, krerët e komuniteteve fetare kanë përsëritur nga pozitat e forcës (madhësia a popullit, fuqia politike e momentit, fuqia e armëve për momentin) klishetë politikë të krerëve partiakë e politikë të popujve "të tyre" dhe kështu dita-ditës e kanë avancuar këndimin në kor klerikalo-nacional. Gjithsesi, do të çoheshin në kryengritje, siç bëjnë rëndom kryengritje, të tri palët pse po i barazojmë. Dhe nuk do ta bëjmë këtë, sepse na interesojnë matricat n bazë të të cilave kanë vepruar, e jo kualifikimet, ndërsa matricat e klishetë, si te nxënësit e këqij, kopjohen dhe ashtu shumëzohen gjer te pasojat e paparashikueshme për Vendin dhe Popullin!
Ekstremizmat, të cilët në ndërgjegjen politike quhen fundamentalizma, janë vetëm forma të praktikës në të cilën, dhe këtë krerët e komuniteteve religjioze e kanë përsëritur shpesh, liberalizmi dhe socialdemokracia si arritje të botës moderne janë të anatemuara si plotësisht jokoekzistuese me etno-konfesionalen. Paradigma e re e unitarizmit etno-konfesional, për të cilën kanë punuar me aq zell krerët nacionalë dhe fetarë, më nuk mund ta përmbante anatemën e tipit fetar, sepse Kisha, p.sh., e ka privuar veten nga një gjë e tillë, por ka mundur të mbetet brenda nacionales si një etiketë e patejkaluar dhe e patejkalueshme e tradhtarit, Judës, Brankoviqit dhe emërtimeve të ngjashme të atyre që nuk janë sipas masës së nacionales, të cilën filluan ta përcaktonin njerëzit nga radhët e para në kisha e xhami, ata që janë aq të dashur për nëpunësit religjiozë, sepse tregojnë se gjoja kanë punuar mirë, sepse në gjirin e fesë i kanë kthyer delet e humbura, kopenë e mashtruar dhe floskula të ngjashme që ua japin të drejtën të mendojnë për veten e tyre në një mënyrë narcisoide aq të mirë. As që kanë dashur të mendojnë se përsëri e përsëri fjala është për demagogë, dyfytyrësh, cinikë, hipokritë, ose janë edhe vetë të tillë prandaj u shkon për shtati situata e krijuar në të cilën përnjëherësh mbushen faltoret, jo si shenjë për ta, por për ata të tjerët për "madhësinë, rëndësinë, fuqinë, bukurinë tonë..."
Në rrethana të tilla ishte e mundshme që lufta në Bosnjë e Hercegovinë, ose më saktë, lufta kundër Bosnjës e Hercegovinës, të shikohej deri në njëfarë mase edhe si luftë fisnore ose fetare, meqenëse krerët politikë i kanë mobilizuar njerëzit, ushqimin për topa, nën flamujt, simbolet, emblemat nacionale dhe fetare. Nëpunësit fetarë shfaqeshin në njësitë ushtarake, i bekonin armët, ishin komisarë politikë, ndërsa ushtarët mbanin uratë ose tespihë rreth qafës ose në epoleta. Ndërsa kur "luftonin", rëndom njëri-tjetrit ia rrënonin ose dëmtonin para së gjithash faltoret dhe varrezat, si objekte të identifikimit kolektiv fetar, dhe vetëm më pas objektet e tjera, p.sh. identifikimet nacionale, e më pas objektet e identitetit individual... Dhe flamujt nën të cilët luftonin ishin ose fetarë ose të shënuar mirë e bukur me simbole, emblema, emra fetarë...
As pas luftës organizatat fetare nuk arritën të vetidentifikohen si organizata të njëjta ose të ngjashme në vendet e Perëndimit, i cili ato probleme i ka zgjidhur prej kohësh, por janë të gatshme që këtë ta presin nga njëra-tjetra, ta presin një gjë të tillë nga besimtarët e komunitetit ose komuniteteve të tjera, etj. Ndërsa lirinë e besimit e kuptojnë si liri për veten. Ndërtimin e xhamive nëpër Bosnjë, p.sh. nëpër Sarajevë, madje edhe atje ku nuk ka fare besimtarë ose askush nuk shkon në xhami (shembulli i lagjes së re Breka) e përjetojnë si një akt politik, e jo religjioz. Ndërtimin e xhamive në tokën e huaj (p.sh. Petrovac ose Bradina) nuk e shohin, por ndërtimet e të tjerëve, të këqijat dhe krimet e të tjerëve të gjithë i dinë dhe i shohin. Kështu është edhe me zbatimin e ligjit për organizatat fetare, të drejtat dhe liritë fetare në hapësirat që i kontrollojnë popujt shumicë në regjione të caktuara. Liria po, por për tanët, për NE që njihet dhe identifikohet pa mëdyshje! Për këtë arsye, pozita shoqërore, politike, religjioze dhe çfarëdo qoftë tjetër e Bosnjës dhe e Hercegovinës është specifike, jo vetëm në hapësirat e ish-Jugosllavisë, por edhe përgjithësisht midis vendeve në tranzicion në lindje të ish "perdes së hekurt".
Kur është fjala për zbatimin e ligjeve pronësore, d.m.th. kthimit të pronave që u kanë takuar komuniteteve religjioze, duhet thënë se jo që ende nuk ka një ligj të tillë për kthimin e pronave të tjetërsuara, ndërsa në sistemin e kaluar të objekteve të nacionalizuara ose konfiskuara, sepse për një gjë të tillë nevojitet korniza juridike. Mirëpo, një të tillë në BH nuk ka, si dhe për shumëçka tjetër, por mohohen edhe të drejtat pronësore themelore që datojnë nga kohët më të vona, për ç'gjë kemi folur më lart, siç është ndërtimi i xhamive ose kishave në pronë të huaj ose moslejimi që ato të ndërtohen, që është shkelje bazike e ligjshmërisë. Dhe si të pritet pastaj nga ai që i shkel të drejtat në pronësi sot se do t'i respektojë të drejtat e vjetra të paktën pesëdhjetë-gjashtëdhjetë vjet. Edhe këtu, si në rastet tashmë të përmendura, vlen njësoj diskriminimi nacional dhe religjioz, d.m.th., ajo që vlen për NE nuk vlen për ATA. Megjithatë, duhet thënë që as nomenklaturat "tona" politike t'i kenë plotësuar pritjet ose obligimet që i kanë marrë mbi vete me rastin e ardhjes në pushtet, prandaj kështu ka qenë e mundshme të ndodhë që kreu suprem i Komunitetit Islam në BH, reisi, të kërcënohet se nuk do të jetë "i dëgjueshëm" më ndaj Partisë së Aksionit Demokratik, sepse nuk i ka plotësuar pritjet e tyre në këtë segment, d.m.th. për kthimin e pronës, me çka krahas që e ka bërë të njohur ekzistencën e paligjshmërisë, Bashkësia Islame ka pranuar në mënyrë implicite lidhjet e saj të ngushta me pushtetin, për çka, si edhe për të tjerët, ka patur dëshmi të panumërta. Por, më mirë është kur një pranim i tillë vjen nga brenda, apo jo?!