NDERMJET TOLERANCES DHE INTOLERANCES

Part of dossier RELIGJIONET NE BALLKAN Dec 6, 2001
Prishtina:

Dossier Prishtinë:

BESNIK BALA, AIM Prishtinë

Kosova, pavaresisht nga disa akte dhune kunder institucioneve fetare, nuk e ka njohur kurre luften fetare.

Për pesëqind vjet me radhë shqiptarët kanë pasqyruar tolerancën fetare në një emër të vetëm, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu. Kryetrimi i historisë së tyre kishte dy emra: atë katolik të vënë nga i ati (Gjergj Kastrioti) dhe atë turk (Skënderbej) të vënë nga Sulltan Murati, në oborrin e të cilit shërbeu për një kohë dhe kundër perandorisë së të cilit luftoi për 25 vjet me radhë. Që në fillet e luftës ndërmjet dy religjioneve shqiptarët kishin treguar një "devotshmëri" të zbehtë ndaj tyre dhe kjo duket se i ka përcjellë gjatë tërë historisë.

Kosova e ditëve të sotme është vend i tri besimeve të ndryshme. Pjesa më e madhe e popullatës shqiptare i takon besimit mysliman, ndërsa një komunitet i vogël është i besimit katolik. Pjesëtarët e komunitetit serb natyrisht janë besimtarë ortodoksë. Tri besime të ndryshme kanë bërë që një vend i vogël si Kosova të jetë "djep" i shumë kishave e xhamive, ndër më të vjetrat në Ballkan, dhe si të tilla mbase edhe çerdhe të mërive ndër më të vjetrat në Ballkan. Shqiptarët nuk kanë respektuar pothuajse asnjëherë me fanatizëm ndarjet fetare dhe hendeku ndërmjet të dyja besimeve ishte i cekët, në disa raste gati i pavërejtshëm.

Islamizimi i popullatës shqiptare në Kosovë, pohojnë historianët, është zhvilluar në dy rrugë: me forcë dhe me kushtëzim ekonomik e social. Jo rrallë banorët kanë pranuar fenë e re të "islamit" për të përfituar nga "beneficionet" e ofruara nga autoritetet turke, duke ruajtur, ndërkaq, besimin katolik brenda mureve të shtëpisë. Kronikat shënojnë raste të ndarjes së vëllezërve në dy besime të ndryshme e, madje, edhe të bashkëshortëve për shkak të pamundësisë së përfitimit. Si rrjedhojë, edhe në ditët e sotme ekzistojnë fshatra të tëra dhe shumë familje "kriptokatolike". Banorë me emra tipikë myslimanë ndjekin ritet e kësaj feje, ndërsa nuk lënë anash as ritet e katolicizmit. Dhe tërë kjo ndodh në një mënyrë aq të natyrshme sa askujt nuk i lë ndonjë përshtypje të veçantë. Ata mund të të flasin shpesh lirshëm për këtë dukuri, madje edhe të shpjegojnë me radhë gjithë lidhjet e tyre me "fenë e të parëve - katolicizmin". Festat fetare kanë elemente të të dyja religjioneve, ndërsa në to ngërthehen edhe shumë elemente pagane që në disa raste ruhen më me fanatizëm sesa "shtesat" e mëvonshme të "imponuara" nga monoteizimi.

Komuniteti serb, ndërkaq, duket më shumë i tubuari përreth kishës ortodokse, ndonëse te të gjitha komunitetet periudha e diktaturës komuniste kishte "zbehur" lidhjet me "altarin", ndonëse jo në shkallën siç kishte ndodhur, ta zëmë, në Shqipëri. Komunizmi "liberal" i Titos kishte lënë, megjithatë, më shumë hapësirë të veprimit fetar, gjithsesi duke e shfrytëzuar këtë si një dëshmi për "demokracinë socialiste", në njërën anë, ndërsa nga ana tjetër strukturat e tij të sigurimit kanë shfrytëzuar ndarjet fetare në funksion të asaj tashmë të njohurës "përçaj e sundo".

Vitet e pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë kanë shënuar një valë shpërnguljesh të shqiptarëve të besimit mysliman në Turqi në emër të "atdhesimit" të tyre në vendin e "fesë së tyre të vërtetë". Shqiptarët pohojnë se sot një komunitet prej rreth 3 milionë shqiptarësh (tashmë poathuajse të asimiluar) jeton në Turqi

Pas përfundimit të erës komuniste, besimet fetare në Kosovë megjithatë përjetuan njëfarë periudhe të "rilindjes" që më shumë ishte një "shpërthim pendese i komunistëve të deridjeshëm që po i ktheheshin zotit, të harruar për 45 vjet me radhë". Mirëpo, besimet tashmë filluan të hyjnë edhe në funksion të veprimit politik. Kosova nuk ishte sikurse vendet e tjera që tashmë kishin hyrë në fazën e tranzicionit dhe po rimëkëmbeshin edhe në aspektin ekonomik, por edhe atë shpirtëror. Kosova tashmë po hynte në njërën nga periudhat më të errëta të konfliktit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve për të drejtën mbi të. Në skenën politike të Serbisë kishte ardhur një garniturë e re politikanësh, ndër ta edhe i akuzuari aktual për krime lufte, Sllobodan Millosheviq, i cili ndër hapat e parë kishte "përfshirë në luftën e tij" kishën orthodokse serbe. Bekimi i saj i kishte dhënë atij një shtytje të fuqishme, ndërsa po ringjallej edhe më fuqishëm miti i vjetër serb për Kosovën si "tokë e shenjtë serbe". Fusha e Mëllenjave (Fusha e Kosovës), ku më 1389 ballkanasit ishin mundur nga turqit, u shnderrua në "epope të lavdisë serbe dhe të luftës së kryqit kundër gjysmëhënës". Së shpejti, pas shembjes edhe të atij pak pushteti që kishin shqiptarët në Kosovë, regjimi i Millosheviqit filloi ndërtimin e kishave të reja duke akzuar shqiptarët për "rrënimin e tyre sistematik". Kronistët lokalë atëbotë nxorën dëshmitë se "ishin shqiptarët ata që kishin ruajtur edhe kishat ortodokse", mirëpo kjo nuk ndihmoi shumë në zgjerimin e bindjes se shqiptarët po bënin edhe luftë fetare. Meqë kishte dështuar në çdo përpjekje për të "përplasur shqiptarët myslimanë me ata katolikë", regjimi kishte vendosur që "ortodoksinë" ta përdorë deri në fund për të përligjur veprimet e tij. Në tryezat diplomatike pala serbe shtronte tezën sipas së cilës "serbët ishin bedeni i Evropës që po e mbronte atë nga islamizmi". (Evropa dikur e quante Shqipërinë të tillë) Regjimi, i cili kishte mbylluar shkollat në gjuhën shqipe, kishte përzënë studentët shqiptarë nga Universi eti, kishte dëbuar punëtorët shqiptarë nga puna, po tregohej ndërkaq shumë "tolerant" ndaj ushtrimit të fesë sipas dëshirës së cilitdo banor të Kosovës...

Por kjo "tolerancë" mori fund me fillimin e luftës në Kosovë më 1998. Forcat serbe të sigurimit nuk kursyen as xhamitë e tempujt tjerë fetarë në fushatën e hakmarrjes kundër shqiptarëve, veçanërisht gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s. Kronistët kanë pohuar se kjo ishte pjesë e strategjisë së Millosheviqit për t'i dhënë kahje fetare luftës së Kosovës. Makineria e tij ishte e sigurt se tmerret e luftës do të pasoheshin edhe nga veprimet hakmarrëse të shqiptarëve, të cilat nuk munguan pas tërheqjes së forcave serbe dhe hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë. Pati kisha ortodokse që u hodhën në erë, ndërsa pjesa tjetër sot ruhet nga forcat paqeruajtëse (KFOR). Por, vëzhguesit pohojnë se këto akte, kryesisht individuale, nuk ishin pjesë e ndonjë lufte fetare. Të tillë, pohojnë ata, nuk ka pasur kurrë në Kosovë, megjithë përpjekjet e sforcuara të regjimit serb, ndonëse klerikët e të dyja palëve kanë qenë të përfshirë në luftën e Kosovës. Shqiptarët pohojnë se disa nga kishat ortodokse serbe kanë shërbyer si "konaqe" të grupeve paramilitare që kanë ushtruar mizori mbi popullatën lokale, apo edhe qendra të propagandas, duke vënë gishtin posaçërisht mbi manastirin e Deçanit (një kryevepër arkitektonike e mesjetës). Në këtë funksion ata e shohin edhe Manastirin e Graçanicës, rreth 6 kilometra në dalje të Prishtinës (një kryevepër tjetër e arkitekturës mesjetare), i cili edhe sot luan rolin e njërës nga qendrat e politikes serbe në Kosovë. Serbët, ndërkaq, kanë pohuar vazhdimisht se xhamitë ishin çerdhet e "fundamentalizmit islamik në Kosovë", ndërsa kanë rrahur vazhdimisht telin e përfshirjes së "muxhahedinëve" në radhët e guerilëve shqiptarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Tezat e tilla që synojnë të dëshmojnë infiltrimin e elementëve fundamentalistë janë rishfaqur sërish pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit mbi Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përfaqësues të qeverisë serbe nuk kanë përtuar të kërkojnë fundamentalistë islamikë edhe në Kosovë, madje zëvendëskryeministri serb tha se "në Kosovë ka me qindra Bin Ladenë të vegjël". Megjithatë, këto deklarata nuk gjetën shume vend të përshtatshëm, ndërsa diplomatët ndërkombëtarë thanë se "këto ishin në kuadër të përpjekjeve për të shfrytëzuar tragjedinë amerikane nga qarqe të caktuara për të përfituar për qëllimet e tyre". Ambasadori amerikan në Prishtinë, John Menzies, si përgjigje ndaj akuzave të tilla, nënvizoi qëndrimin e qytetarëve të Kosovës ndaj këtyre sulmeve, komemoracionet, tubimet protestuese dhe në përgjithësi "mbështetjen e parezervë që Kosova i dha SHBA-së në kohët më të rënda të historisë së saj". "Në një klimë të tillë në nuk e shohim këtë si tokë të plleshme për idetë helmuese që mund të çojnë në sulme të tilla terroriste", tha prerazi ambasadori amerikan që pak ditë më heret kishte marrë pjesë në një mbrëmje lutjesh për viktimat e sulmeve terroriste përkrah kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës.

Megjithatë, të rrallë janë ata që i mohojnë përpjekjet e qarqeve të caktuara religjioze për të gjetur hapësirë për përhapjen e pikëpamjeve të tyre. Gjatë dhjetëvjetëshit të fundit shumë 'sekte' të të gjitha religjioneve kanë bërë përpjekje që t'i hapin 'shtëpitë' e tyre dhe të përfitojnë sa më shumë besimtarë. Natyrisht, nuk kanë munguar as investimet e premtimet e shumta, as ndërtimet e xhamive të reja e as vajzat e reja të mbështjell deri në grykë që "shetisin" rrugëve të qyteteve edhe duke vozitur makina luksoze.

Mirëpo, "besimet e reja" nuk kanë gjetur shumë "tokë fertile", ndërsa gjasët e tyre janë zvogëluar jashtëzakonisht shumë pas 11 shtatorit të këtij viti. Diplomatët, ushtarakët, burrështetasit, por edhe analistët 'profetë' pohojnë se "bota nuk do të jetë më e njëjtë". Por në Kosovë, thonë vëzhguesit, e njëjtë do të mbetet edhe më tej "toleranca e rrallë fetare"...