PEISAZHI FETAR PLURALIST I SHQIPERISE

Part of dossier RELIGJIONET NE BALLKAN Dec 6, 2001
Tirana:

Dossier Tirane:

FATOS LUBONJA, AIM TIRANA

Pergjithesisht elita kulturore shqiptare ka vazhduar traditen e kundervenies ndaj tentativave, qofte nga brenda, qofte nga jashte, per te njesuar fene me kombesine tek shqiptaret. Në informimet, disinformimet, spekulimet dhe hamendjet e transmetuara lidhur me sulmin e 11 shtatorit të terrorizmit islamik mbi SHBA media botërore përmendi edhe botën shqiptare. U fol deri edhe për lidhjet e shqiptarëve me njerëz të Bin Ladenit, u fol se ai i qarkullonte paratë në Amerikë nëpërmjet shoqatash bamirëse shqiptarësh, për përfshirje të fondamentalistëve arabë në UÇK. Këto zhurma më shumë se nga faktet dukej se amplifikoheshin nga ideja se Shqipëria (krahas Bosnjes) është i vetmi vend në Evropë që konsiderohet mysliman përsa i përket fesë. Mirëpo, ndërkaq, anketimet qu u janë bërë shqiptarëve si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë tregojnë se ata i mbështesin bombardimet në Afganistan jo vetëm më shumë sesa evropianët perëndimorë, por edhe më shumë sesa vetë amerikanët, pra më lart se 90-%! Si shpjegohet ky paradoks? Përveç se me trashëgiminë komuniste të mënyrës homogjene të të menduarit në Shqipëri, si dhe me servilizmin tradicional ndaj aleatëve të mëdhenj, ky paradoks ka edhe një shpjegim që lidhet me historinë e fesë në Shqipëri dhe Kosovë.

Një perceptim sipërfaqësor i pejsazhit fetar

Kur pyetet për pejsazhin fetar të vendit të tij përgjigja e parë që jep çdo shqiptar i Shqipërisë, sadopak i mësuar, është se në vendin e tij ka 70% myslimanë, 20% të krishterë ortodoksë dhe 10 % të krishterë myslimanë. Mirëpo fill pas kësaj atij i vjen nëpërmend ideja se kjo është shifra e pejsazhit fetar të Shqipërisë në kohën e mbretit Zog ose edhe në mbarim të Luftës së Dytë. Një ide tjetër që do të shtonte ai duke folur për fetë në Shqipëri është se shqiptarët nuk njihen për ndjenja të forta fetare, dhe do të përmendte faktin se regjimi komunist i Enver Hoxhës arriti në vitin 1967 t'i eliminonte krejtësisht institucionet fetare dhe ta shpallte Shqipërinë të parin apo të vetmin vend ateist në botë. Duke folur për paskomunizmin ai do të thotë se feja u lejua përsëri, se në vendin e tij u rihapën kishat dhe xhamijat, u ngritën të reja si dhe u futën edhe shumë fe të tjera të çuditshme (rreth 60) që shqiptarët nuk ua kishin dëgjuar emrin më parë, si mormonët, bahajt, scientologët, por shqiptarët mbetën larg së frekuentuari masivisht faltoret e tyre pasi imagjinatën kolektive e kanë të drejtuar për kah simbolet e botës perëndimore e perceptuar kjo kryesisht si botë e konsumit, luksit dhe e qejfeve të tilla nga ato që fetë, si të krishtera , ashtu edhe myslimane, nuk para i pëlqejnë.

Feja dhe nacionalizmi në Shqipëri; mitet fetare dhe nacionale

Duke dashur t'i japim një shpjegim konstatimeve sipërfaqësore, por përgjithësisht të sakta, të përmendura më sipër duhet të kthehemi më së pari të shpjegojmë raportin e fesë me nacionalizmin në Shqipëri.

Përgjigja e pyetjeve pse shqiptarët kanë ndjenja të dobëta fetare lidhet fort me karakterin e lëvizjes nacionaliste shqiptare. Në ndryshim nga vendet fqinje si Serbia dhe Greqia, ku nacionalizmi lindi si një lëvizje antiturke duke thirrur në ndihmë fenë deri në atë pikë sa nacionalizmat serb dhe grek dhe kishat ortodokse serbe dhe greke vështirë se do të mund të ndaheshin asokohe nga njëra tjetra, nacionalizmi shqiptar lindi në një kontekst tjetër historik dhe fetar. Nacionalizmi shqiptar, si lëvizje politike, nisi pas Luftës Ruso Turke me Lidhjen e Prizerenit (1878) para së gjithash si nevojë e bashkimit të shqiptarëve në mbrojtje nga rreziku i ndarjes së tokave të tyre mes Serbisë dhe Greqisë. Në këto toka banonin shqiptarë të tre besimeve të përmendura në krye të këtij shkrimi, (madje për saktësi duhet thënë katër pasi pjesa e muslimanëve ndahej midis sunitëve dhe bektashinjve).

Në këtë kontekst lëvizja nacionaliste shqiptare e pa veten përballë disa problemesh jo fort të lehta për t´u zgjidhur, madje edhe të mbarsura me kontradikta të mprehta: nevoja e krijimit të një identiteti kombëtar që t'i bashkonte të gjithë shqiptarët ndeshej me katër identitete fetare; nevoja që ky identitet të ishte i ndryshëm nga identiteti serb apo grek përsa i përket fesë i çonte më shumë nga muslimanizmi, por, nga ana tjetër, nevoja që ky identitet t'i ndante ata nga identiteti turko-mysliman - pasi tashmë ishte bërë e qartë se perandoria otomane qe në shpërbërje dhe shqiptarët rrezikonin të zhdukeshin sëbashku me të, sikur të mos forconin identitetin e tyre të ndryshëm nga ai i turqve - i shtynte larg muslimanizmit. I largonte nga muslimanizmi edhe nevoja për t'iu afruar Perëndimit që, siç e tregoi Traktati i Berlinit, ishte shumë i rëndësishëm për vendosjen e fatit të tyre; por, nga ana tjetër, afrimi me fenë e Perëndimit ndeshej me vështirësinë e të qënit të pjesës më të madhe të popullsisë me fe muslimane. Nuk duhet të harrojmë se asokohe shqiptarët që banonin në Kosovë dhe Maqedoninë perëndimore, shumica e të cilëve ishin muslimanë sunitë, e ngrinin në shifra edhe më të larta se 70% botën muslimane shqiptare.

Kësisoj përpjekja për farkimin e identitetit shqiptar përtej identitetit etno-gjuhësor, pra përsa i përket identitetit fetar, ishte një proces që ndoqi rrugë të ndryshme nga ai i vendeve të tjera ballkanike.

Përpjekja bektashiane e Naim Frashërit

Kur flitet për përpjekjet për të shenjtëruar nacionalizmin shqiptar nuk mund të mos përmenden figurat që kanë dhënë ndihmesën më të madhe, të cilët kanë marrë emrin rilindas. Më i shquari ndër ta është Naim Frashëri i cili sot konsiderohet poeti kombëtar shqiptar. Ai ka shkruar dy poema epike që synonin të krijonin mitet përbashkuese të shqiptarëve. Poemën Qerbelaja si dhe poemën Historia e Skënderbeut - të dyja të botuara më 1898. Me poemën Qerbelaja që i këndon një beteje të humbur në shekullin e parë të historisë muslimane, betejë që u bë miti themelues i shiizmit, ai tentoi të krijojë betejën e humbur të shqiptarëve, ashtu siç kishin serbët betejën e humbur të Kosovës në qendër të mitologjisë së tyre nacionaliste. Në fakt që të dy mitet, ai serbo-ortodoks rreth Betejës së Kosovës dhe miti shiit rreth Betejës së Qerbelasë janë shumë të ngjashëm në përmbajtje dhe në stil. Në të dy rastet skenari i ngjarjes është përqëndruar rreth një beteje të humbur padrejtësisht, çka i bën ato shembuj të asaj që Elias Canetti e ka quajtur "fe të ankimit". Synimi i Naim Frashërit, i cili i përkiste edhe vetë fesë bektashiane ishte që, meqënëse të gjitha nacionalizmat e ballkanit kishin një lidhje të fortë me fenë, aq sa parrulla nacionaliste e asaj kohe e theksuar edhe nga Naim Frashëri ishte "nuk ka komb pa fe", feja përbashkuese e shqiptarëve duhej të bëhej bektashizmi. Naimi u përpoq të mobilizonte orientimin shiit dhe antisunit të bektashinjve për të shprehur kundërshtimin e tij ndaj sundimit otoman dhe për të artikuluar një identitet (musliman) të veçantë për shqiptarët. Ai shpresonte që bektashinjtë, duke qenë heterodoksë dhe sinkretistë do të mund t'i kapërcenin ndarjet fetare në Shqipëri dhe të vendosnin një urë ndërmjet diferencave të Islamit dhe Krishtërimit. Ai me shkrimet e tij u përpoq të përgjithësonte natyrën josektare dhe ndërfetare të Urdhërit të Bektashinjve ku, përveç theksimit të tolerancës fetare, ai gjithashtu nënvizonte orientimin kombëtar si një nga aspektet kryesore të doktrinës bektashiane: "jo vetëm ndërmjet tyre, por dhe me të gjithë njerëzit e tjerë bektashinjtë janë vëllezër shpirtërorë. Ata e duan fqinjin si veten, qoftë musliman apo i krishterë dhe sillen njësoj, duke e paraqitur veten të shënjtëruar me të gjithë njerëzit. Por mbi të gjitha ata duan vendin e tyre dhe bashkëkombësit, sepse ky është virtyti më i lartë". (Hasluck 1929-II: 556). Kjo shpjegon edhe rolin e rëndësishëm që kanë luajtur bektashinjtë shqiptarë në kapërcyell të shekullit 19 në lëvizjen nacionaliste shqiptare. Faltoret bektashiane shqiptare (teqetë) - shpesh vende lutjesh edhe për muslimanët, edhe për të krishterët - në përgjithësi njiheshin si qendra të veprimtarisë nacionaliste shqiptare. Veç kësaj Urdhëri luajti një rol shumë të rëndësishëm në krijimin e shkollave ilegale dhe përhapjen e librave shqip duke u dhënë njëkohësisht mbështetje aktive grupeve të armatosura nacionaliste. Është e njohur tashmë që bektashinjtë, kur diskutohej çështja e alfabetit shqiptar, mbështetën përdorimin e shkrimit latin, ndryshe nga muslimanët e tjerë, të cilët mbështetnin përdorimin e shkrimit arab.

Skënderbeu dhe "feja e shqyptarit asht shqyptaria"

Ndërkaq kjo përpjekje e Naimit dhe e bektashinjve duket se nuk zuri rrënjë për disa arsye, së pari sepse feja bektashiane ishte në minorancë edhe përsa i përket pjesës islame të popullsisë: 55% sunitë dhe 15% bektashinj (pa llogaritur Kosovën); së dyti sepse shqiptarët duhet të kishin një faktor më të fortë përbashkues që t'i afronte nga Evropa e krishterë që do të vendoste për fatin e tyre. Së treti edhe për shkak të lidhjeve të forta që një pjesë e shqiptarëve kishin me Turqinë e cila, nga një pjesë e rëndësishme e atyre që nisën lëvizjen nacionaliste shqiptare me Lidhjen e Prizrenit, ende konsiderohej si mbrojtëse e interesave të shqiptarëve nga synimet serbe dhe greke. Megjithatë si frymë e nevojës për tolerancë fetare dhe bashkëpunim të të gjithë shqiptarëve në emër të kombit përpjekja e Naimit duket se triumfoi, ndonëse nën të tjera simbole dhe heronj. Konteksti i përmendur më sipër bëri që në procesin e ndërtimit të identiteti nacional shqiptar të marrë përparësi një tjetër mit i ekzaltuar nga poema tjetër e Naim Frashërit "Historia e Skënderbeut" kombinuar me thirrjen e një tjetër rilindasi, katolik ky që i shërbente perandorisë otomane në atë kohë, Vaso Pasha: ai në thirrjen tij nacionaliste iu drejtua shqiptarëve me poemën "O moj Shqypni" (botuar më 1878-1880) që shërbeu pastaj për të ngritur fenë shekullare të nacionalizmit shqiptar: Mos shikjoni kish a xhamija, / feja e shqyptarit asht shqyptaria. Ky mit apo konstrukt historik u bashkua me mitin e Skënderbeut i cili kishte luftuar në shekullin e 15 kundër turqve. Ky hero i krishterimit u rimor nga nacionalistët shqiptarë, por duke iu zhveshur pak nga pak përmbajtja fetare dhe duke u kthyer në një hero shekullar të nacionalizmit shqiptar, si një luftëtar që kishte luftuar për çlirimin e mëmëdheut. Në këtë frymë është trajtuar ai edhe nga Naim Frashëri në poemën e tij Historia e Skënderbeut. Krujë o qytet i bekuar / prite prite Skënderbenë / po vjen si pëllumb i shkruar / të shpëtojë mëmëdhenë. Kur trajtohet miti i Skënderbeut si mit përbashkues i shqiptarëve nuk duhet injoruar edhe argumenti sipas të cilit fakti që Skënderbeu kishte pasur edhe fe të krishterë edhe muslimane i jepte figurës së këtij heroi një ambiguitet që e bënte më të pranueshëm për të gjithë shqiptarët edhe nga pikpamja fetare.

Shqipëria e pavarur

"Shqiptarët e fillimshekullit, shkruan Abaz Ermenji në librin "Vendi që ze Skënderbeu në historinë e Shqipërisë", ishin të grupuar rreth ndjenjës fetare ose krahinore, e njihnin vehten të Krishterë ose Myslimanë, Gegë ose Toskë, Dukagjinas a Kurveleshas dhe jo bij të nje kombi në kuptimin e sotshëm të fjalës".

Shekulli i XX, veçanërisht pas shpalljes së pavarësisë më 1912, është shekulli i procesit të ngjizjes nacionale të shqiptarëve në frymën e Naim Frashërit, Vaso Pashës dhe rilindasve të tjerë përkrah tyre. Përsa i përket raportit të fesë me nacionalizmin, ky proces karakterizohet nga dobësimi i ndjenjave të identitetit fetar e krahinor në favor të identitetit nacional. Ky proces u krye qoftë nëpërmjet dobësimit të ndjenjave fetare në favor të fesë shekullare të nacionalizmit qoftë nëpërmjet vënies së klerikëve më të rëndësishëm në shërbim të çështjes kombëtare.

Ortodoksët shqiptarë panë në krye të tyre Fan Nolin i cili ishte njëherësh njeri politik dhe njeri i penës dhe konsiderohet si figura që luftoi më shumë se kushdo tjetër për krijimin e kishës autoqefale ortodokse shqiptare. Pasi Shqipëria u bë e pavarur, mbreti Zog mbështeti krijimin e kishave autoqefale "kombëtare", me qëllim që të dobësonte ndikimin e huaj (veçanërisht grek). Po ashtu katolikët shqiptarë, kampioni i të cilëve mund të konsiderohet Gjergj Fishta, nuk e ndanë asnjë çast veprimtarinë e tyre fetare nga ajo politike në favor të çështjes kombëtare. Poema epike e Fishtës "Lahuta e Malësisë" i ngre hymn luftrave të shqiptarëve kundër "shkjaut", armikut serbomalazez në Veri, aq sa deri në periudhën komuniste Fishta konsiderohej si poeti kombëtar ndër shqiptarët e Veriut.

Edhe në Kosovë, ku mbi 90% e shqiptarëve janë myslimanë dhe ku përkatësia fetare muslimane ka luajtur një rol më të rëndësishëm sesa në Shqipëri për t'i dalluar shqiptarët nga serbët e krishterë, ka mbizotëruar kjo frymë. Edhe atje pakica katolike e shqiptarëve gjatë gjithë historisë së shekullit XX që konsiderohet ende i pambyllur në Ballkan përsa i përket çështjeve kombëtare, e ka ndjerë veten pjesë e përpjekjeve të shqiptarëve muslimanë të Kosovës që luftonin për pavarësi ndaj sllavëve të krishterë.

Feja dhe komunizmi

Ai që e çoi në ekstrem frymën e mitit "Feja e shqiptarit është shqiptaria" ishte bash Enver Hoxha. Në ethen e tij për pushtet absolut ky diktator u udhëhoq nga dy ideologji, ajo nacionaliste dhe ajo komuniste. Madje dora dorës që komunizmi si fe përbashkuese dhe frymëzuese e humbi fuqinë e vet, Hoxha i mëshonte gjithnjë e më shumë elementit kombëtar në propagandën e tij. Sipas historianit Bernd Fisher me gjithë pikpamjet radikale staliniste të Enver Hoxhës, thelbi i politikave të tij ishte nacionalizmi: trajtimi i tij i ashpër ndaj komuniteteve fetare duhet parë së pari në këtë drejtim. Në fakt, pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, ai e hoqi monumentin e Stalinit nga sheshi qendror i Tiranës dhe vendosi aty monumentin e Skënderbeut. Në luftën e tij propagandistike gjithnjë e më shumë i mëshonte idesë së rezistencës së popullit shqiptar ndaj perandorive të mëdha historike. Në vitet '60 Hoxha kreu përpjekjen më radikale për çrrënjosjen e fesë nga skena politike. Moton e Vaso Pashës ai e aplikoi ad literam dhe e bëri Shqipërinë të parin shtet "ateist" në botë. Nën regjimin e tij lufta ndërmjet "dasive fetare", siç quhej në propagandën e kohës, u kthye në një luftë kundër fesë në tërësi, luftë në të cilën integroi edhe elementin ideologjik marksist me vizionin ateist të botës dhe thënien e famshme të Marksit "feja është opium për popullin". Duke patur për qëllim zëvendësimin e përkatësive të ndryshme fetare me një besnikëri të plotë ndaj Partisë dhe ideologjisë së saj nacional - komuniste Hoxha predikonte vazhdimisht se katolicizmi, islamizmi dhe ortodoksia ishin filozofi të huaja të futura në Shqipëri nga elementë të huaj, të cilat në thelb të tyre kërcënonin integritetin e kombit. Priftërinjtë dhe hoxhallarët u përqeshën si relike prapanike të së kaluarës të rekrutuar si agjentë të fuqive të huaja për të minuar nacionalizmin shqiptar. Më 1967 komunistët shqiptarë ndaluan të gjitha praktikat fetare, duke mbyllur kisha dhe xhami të shumta dhe duke i kthyer ato në kinema, salla sportive, bar-restorante dhe magazina. Duhet vënë në dukje se jo të gjitha komunitetet fetare u trajtuan në të njëjtën mënyrë: në mënyrë të veçantë kisha katolike u përndoq më rreptësisht, ndërsa sulmi mbi islamin dhe kishën ortodokse ishte shumë më i frenuar. Kjo jo aq për arësye të përkatësisë fetare myslimane të origjinës së Hoxhës dhe shumicës së shqiptarëve (në fakt Hoxha në qëndrimet ndaj klerit katolik në një farë mënyre radikalizoi një qëndrim që e kishte mbajtur edhe Mbreti Zog ndaj kishës katolike) sesa për shkak se kleri katolik kishte mbajtur qëndrime të forta antikomuniste gjatë Luftës së Dytë si dhe pasi ishte më i mirëorganizuari dhe më i lidhuri me botën perëndimore që konsiderohej si armik kryesor i komunizmit, ndërkohë që kleri musliman dhe ai ortodoks qëndroi më pranë komunistëve gjatë Luftës së Dytë dhe nuk kishte lidhje jashtëshqiptare, madje thuajse nuk kishte asfare personalitete me rëndësi dhe karizëm.

Periudha post - komuniste

Është vështirë të përcaktohet qartë se si i gjeti shqiptarët rënia e komunizmit nga pikpamja se si e perceptonin ata veten përsa i përket besimit. Gjatë kohë së Enver Hoxhës kishte pasur shumë martesa të përzjera të të tre feve si dhe shumica, veçanërisht ata të lindur dhe edukuar në regjimin komunist, kishin një vizion shekullar dhe materialisto ateist për botën.

Gjithsesi, pas përmbysjes së komunizmit, besimi fetar rifitoi pjesërisht rëndësinë e tij në jetën e shqiptarëve të zakonshëm, në ndonjë drejtim duke ringjallur edhe ndarjet e vjetra fetare. Megjithatë miti i ri që zuri vend në imagjinatën kolektive të shqiptarëve ishte ai "E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!", parullë kjo që u hodh në kohën e lëvizjes studentore të vitit 1990. Intelektualët dhe politikanët në Shqipëri patën një orientim të përgjithshëm se aleati kryesor i Shqipërisë duhej të ishte Perëndimi veçse jo i perceptuar nga pikpamja e identitetit të tij fetar të krishterë, por si një sistem politiko shoqëror i demokracisë dhe lirisë së besimeve dhe ideve. Kjo nuk pengoi edhe njëfarë debati lidhur me raportin - përsa i përket fesë - që duhet të mbante Shqipëria me Perëndimin "e krishterë" apo me Turqinë dhe Lindjen e Mesme "muslimane". Në këtë drejtim ranë në sy edhe dy qëndrime radikale të përkundërta: Pati grupime që e trajtuan ndalimin e fesë nga Hoxha edhe si një të keqe që kishte pasur një të mirë të madhe, sepse tani të gjithë shqiptarët do të mund dhe duhej të ktheheshin në fenë e të parëve, krishtërimin. Por pati edhe qëndrime, të ndezura mjaft nga konflikti në Kosovë, që mbrojtën tezën e kundërt se identiteti fetare musliman i shqiptarëve kishte qenë një faktor i rëndësishëm për ruajtjen e tyre nga asimilimi sllavoortodos, se prandaj shqiptarët muslimanë ishin më shqiptarë sesa ata të krishterë; teza që dikush i çoi deri në idenë se heroi kombëtar i shqiptarëve nuk duhej të ishte Skënderbeu që i kishte luftuar Turqit, por nipi i tij Hamza Kastrioti që u kishte shërbyer turqve kundër Skënderbeut dhe aleatëve të tij të krishterë. Edhe lëvizja e ish presidentit Berisha, që e bëri Shqipërinë anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike në dhjetor 1992, ndezi shkëndijën e kontradiktave. Opozita e atëhershme dhe pjesa më e madhe e botës intelektuale shqiptare e dënoi këtë pjesëmarrje. Një faktor i rëndësishëm që ndikoi në këtë dënim ishte se shqiptarët e quanin ende të pambaruar procesin e tyre të rifitimit të identitetit evropian si dhe fakti që fqinjët aspak dashamirës (ortodoksë) të Shqipërisë janë përpjekur ta perceptojnë identitetin e shqiptarit jo vetëm në kuadrin etno-gjuhësor, por gjithashtu edhe në kuadrin fetar, duke i etiketuar shqiptarët si një komb "musliman" ose si "fondamentalistë muslimanë", një proçes ky i cili e vuri nën presion karakterin shekullar të identitetit shqiptar e që, nga ana tjetër, rrezikonte të komprometonte përpjekjet e shqiptarëve në Kosovë për pavarësimin e tyre nga serbët. (Shqipëria i ka ngrire marredheniet me kete organizatë që nga janari 1999).

Përgjithësisht elita kulturore shqiptare si ajo në Shqipëri ashtu edhe ajo në Kosovë dhe Maqedoni ka vazhduar traditën e kundërvënies ndaj tentativave qoftë nga brenda qoftë nga jashtë për të njesuar fenë me kombësinë tek shqiptarët, duke propaganduar shekullarizmin dhe "ekumenizmin" shqiptar si të vetmen rrugë shpëtimi ndaj ndarjeve të brendshme fetare (ose përpjekjeve të një feje të vetme (islame)). "Në se zbrazëtia që la pas komunizmi mund të mbushet me diçka, nga ndonjë lloj bindjeje ose besimi kombëtar, ky duhet të jetë besimi që shqiptarët janë një komb i ekumenizmit, që çojnë përpara traditën e njerëzve si Naim Frashëri, Fan Noli dhe Gjergj Fishta", shkruan Shkëlzen Maliqi më 1997. Edhe elitat politike shqiptare, e orientuar kah një pragmatizëm politik në funksion të rimëkëmbjes së vendit ajo në Shqipëri dhe kah çështja kombëtare ajo në Kosovë dhe Maqedoni, i kanë mëshuar këtij drejtimi shekullar proevropian të shqiptarëve.

Pas gjithë gjasave kjo prirje shekullare, ekumenike me vështrim nga Perëndimi, do të mbetet prirja dominuese edhe në kohët e pritme në botën shqiptare.