Një "naftësjellës" që s'i pengon askujt
Prishtinë, 30.11.2001.
Pesëmbëdhjetë gypa të plastikës, që përshkojnë hapësirën shtatëkilometërshe në pikën kufitare në Kullë, përfaqësojnë "naftësjellësin" e parë të ngritur ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Nuk është ky ndonjë investim i planifikuar, apo i realizuar me qëllim të bashkëpunimit ekonomik brenda rajonit. Kjo është vepër e bashkëpunimit shumë të mirë të trafikantëve të naftës, të cilët kanë gjetur formën më të mirë për kontrabandimin e saj.
Gypat fillojnë diku në hapësirën "ndërkufitare" dhe përfundojnë në fshatrat rrëzë malit, saktësisht në fshatin kosovar Jabllanicë. Atje lart, fillimi i gypit lidhet me autobotat, kurse përfundon në autobotën tjetër, atë të blerësit kosovar.
Ishte kjo sfida më e madhe që trafikantët e naftës ua bënë autoriteteve ndërkombëtare dhe vendore në Kosovë, si ushtarëve të KFOR-it, policisë së UNMIK-ut, Shërbimit Doganor të Kosovës dhe autoriteteve të tjera tatimore.
"Kjo nuk është vepër penale. Është vetëm një formë e evazionit fiskal", ka deklaruar me gjakftohtësi zëdhënësi i policisë së UNMIK-ut, Derek Chapell, i cili kërkon që autoritetet doganore, sikurse edhe policia, të jenë më efikase në ndjekjen dhe pengimin e kontrabandës.
Kalimi nëpër postbllokun e KFOR-it italian dhe pikën kufitare të kontrolluar nga SHPK-ja dhe policia e UNMIK-ut duket të jetë fare i lehtë. Banorët e fshatrave aty afër tërheqin vërejtjen për njerëzit që e përdorin "naftësjellësin". "Aty ku përfundon zona neutrale janë autobotat e mbushura me karburant, pronarët e të cilave një litër naftë e shesin për 80 pheningë. Njerëzit vijnë këtu, mbushin rezervuaret e tyre dhe zbresin në Pejë. Këtë punë mund ta bëjnë të papenguar shumë herë brenda ditës", thonë ata dhe shtojnë se "janë njerëz të rrezikshëm".
Këtu kontrabanda bëhet edhe më kuaj dhe gomarë. "Kufirin" fare lehtë e kalojnë cigaret e kontrabanduara dhe malli tjetër që është i ngarkuar me akcizë.
Policia e UNMIK-ut në Pejë nuk është e befasuar nga gypat, përkatësisht "naftësjellësi". "Kemi informacione për këta gypa që nga viti i kaluar. Nuk e dimë pse nuk kanë reaguar autoritetet e komunës", ka theksuar Yuriy Sachenko nga policia e UNMIK-ut në Pejë.
Këshilltari për kundërvajtje doganore, z.Bashkim Stavileci, thekson se që nga fillimi i këtij viti, në Kosovë janë zbuluar 736 raste të keqpërdorimeve nga ana e importuesve, të cilët u janë shmangur detyrimeve doganore. "Prej këtij numri, 72 raste kanë të bëjnë me importin e karburanteve, për çka janë zhvilluar procedura në sektorin për kundërvajtje të Shërbimit Doganor", ka thënë Stavileci. Nga gjobat që janë shqiptuar janë arkëtuar 112.2 mijë marka, kurse është konfiskuar mall me vlerë prej 672,5 mijë marka gjermane.
Lidhur me fenomenin e kontrabandimit përmes gypave, Stavileci ka theksuar se kjo gjë ka qenë aktuale gjatë muajve prill-maj të këtij viti. "Por doganierët kanë kompetenca vetëm për mallrat që vijnë në pikën doganore, ndërkaq pjesa tjetër i mbetet SHPK-së dhe policisë së UNMIK-ut", ka sqaruar ai.
Në Terminalin doganor në Pejë "pushojnë" afro pesëdhjetë automjete të ndryshme, të cilat e kanë kaluar pikën doganore në Kullë. Nuk mund të vëresh gjëkundi të jetë parkuar edhe ndonjë autobotë me karburante. "Edhe ne kemi dëgjuar për ato tuba", thotë shefi i terminalit, z. Hajdaraj. Ai tregon se menjëherë e paskan informuar policinë e UNMIK-ut, e cila e paska mohuar informatën. "Për çdo ditë kallëzohen 2-3 kundërvajtje doganore, kryesisht me birrë të kontrabanduar", thotë shefi i doganës së Pejës.
KFOR-i asnjëherë nuk e ka thënë asnjë fjalë për 15 tubat e zeza 7-kilometërshe. Ato nga rruga në mesozonë shihen jashtëzakonisht qartë. Megjithatë, nga Bordi për karburantet, një mekanizëm që duhet të licencojë dhe të mbikëqyrë kompanitë që merren me tregtinë dhe qarkullimin e karburanteve, kanë shfaqur shqetësim për dukurinë e kontrabandës.
"Në Kosovë ka shumë pompa të naftës (pika për furnizim me karburante). Janë afër dy mijë sosh, kurse nuk duhen as dhjetë për qind të tyre. Numri i madh i tyre ka nxitur edhe kontrabandën. Përfitojnë kontrabandistët, kurse humbet buxheti i Kosovës", thonë zyrtarët nga ky Bord. Ata shfaqin bindjen se tashmë policia dhe ushtarët e KFOR-it i kanë mënjanuar gypat e "naftësjellësit", por nuk janë të sigurt nëse ata nuk do të kthehen përsëri.
Kontrabanda e karburanteve, sipas atyre që janë afër këtyre rrjedhave, nis që nga porti i Tivarit. Ajo shumë lehtë kalon përmes Malit të Zi deri në Kosovë, ku e ka edhe blerësin e fundit.
Në Kosovë nuk ka patur asnjë rast të arrestimit, apo dënimit të ndonjë kontrabandisti. Ka vetëm gjobitje, të cilat kontrabandistët i përballojnë shumë lehtë.
AIM Prishtinë, Ibrahim REXHEPI