Nostalgjia për markën dhe kënaqësia për eurozonën

Pristina Dec 1, 2001

Prishtinë, 27.11.2001.

Euro, me tërë simbolikën e vet që ka për Kosovën, megjithatë nuk ka zgjuar ndonjë kurreshtje të madhe ndër kosovarët. Ata mund të jenë të mësuar nga ndërrimet e shpeshta të valutave në dhjetëvjetëshin e fundit, prandaj edhe euron e marrin si diçka të zakonshme. Madje, nuk ka as komente për faktin se Kosova është pjesë e eurozonës, apo është e mbuluar nga Banka Qendrore Evropiane dhe Bundesbanka.

Tani, nisur nga fakti që marka gjermane, e cila konsiderohej si monedha më e fuqishme në Evropë, do të dalë përfundimisht nga qarkullimi, edhe Kosova duhet të ecën me ritmet e kohës. Ashtu si në 12 vendet e zonës së euros edhe këtu kanë filluar përgatitjet për konvertimin e banknotave në euro.

"Nuk do të ketë shumë ndryshime në jetën e një qytetari të Kosovës. Ai vetëm do të ndërrojë ngjyrën e valutës, por nuk do të jetë as më i pasur e as më i varfër", thotë ambasadori i Bashkimit Evropian në Prishtinë, Andy Bearpark.

Euro do të krijonte një lehtësim për kosovarin e rëndomtë, sikur regjimi i vizave për vendet e BE-së të mos ekzistonte, apo së paku ai të ishte shumë më liberal. Në këtë rast, qytetarët që udhëtojnë për shoping, apo për të vizituar, ndoshta, pjesën e familjes së tyre që jeton në emigracion në vendet e eurozonës, nuk do të paguanin taksa për shkëmbimin e valutës që posedojnë me atë të vendit të cilin e vizitojnë.

Si duket, çështjen e rëndësisë së konvetimit të markës në euro më seriozisht e ka kuptuar Autoriteti i Bankave dhe i Pagesave të Kosovës, që në fakt është një lloj banke qendrore e Kosovës, si edhe gjashtë bankat komerciale që punojnë këtu.

Me gjithë problemet e tashme dhe mundësinë që të ketë në të ardhmen, 'treni' i euros definitivisht është bërë gati të niset për në Kosovë. U mbetet banorëve të Kosovës, që të përgatiten për ta pritur sa më mirë atë. Ata kanë dy mundësi: që të presin në radhë për të shkëmbyer valutën apo t'i deponojnë paratë e tyre në ndonjërën nga bankat komerciale, ku e gjithë shuma e depozitave, që llogaritet të jetë diku mbi një miliard marka, natën e ndërrimit të moteve, automatikisht do të shndërrohet në valutë të re. Në rast se paratë e tyre depozitohen në banka deri më 31 dhjetor, qytetarët nuk do të kenë nevojë që të paguajnë provizion për konvertimin e valutave në vlera më të mëdha se 1000 DM. Qytetarët po kështu nuk do të kenë të drejtë që të këmbejnë në kesh më shumë se dhjetë mijë marka gjermane.

Në BPK thonë se e presin të përgatitur procesin e ndërrimit të valutës. Ajo tashmë ka porositur kontingjenitn e parë të kësaj valute, i cili pritet të arrijë në Kosovë gjatë muajit dhjetor. "Konvertimi në euro te ne në Kosovë nuk mund të realizohet në të njëjtën mënyrë si në Gjermani. Ekonomia e Kosovës bazohet në paratë kesh, ndërkohë që në Gjermani kjo funksionon ndryshe. Nga ana tjetër, përgatitjet për konvertimin e monedhës në Gjermani kanë filluar që në vitin 1999", thotë zëvendësdrejtori i 'Bankës Qendrore të Kosovës', z. Agron Dida, i cili shton se "përderisa ne nuk kemi mundësi të vlerësojmë më saktë se sa para ndodhen në qarkullim në Kosovë, nuk kemi asnjë të dhënë të saktë as lidhur me sasinë e eurove që nevojiten. Por, llogarisim se mund të na duhen rreth 1,5 miliardë euro".

Zyrtarët e lartë të BPK-së, për arsye sigurie, nuk e kanë treguar shumën e eurove të porositura, mjetin e transportit, rrugët që do të shfrytëzohen..., por kanë thënë se ajo do të plotësojë nevojat e shërbimeve publike. Kjo do të thotë se të punësuarit, që i tërheqin pagat mujore të tyre në banka, rrogën e parë të vitit 2002 do ta marrin në euro.

Për të garantuar sigurinë e transporteve, policia dhe trupat paqësore të NATO-s kanë krijuar një trupë të përbashkët. Kjo trupë bashkëpunon me përfaqësuesit e bankave në Kosovë për përpilimin e planit për konvertimin e monedhës. Nëpunësit e financave duan të parandalojnë që krimi i organizuar të përfitojë prej futjes së euros në qarkullim, thotë Ali Sadriu, drejtues i Autoritet Qendror Fiskal të Kosovës. "Ka mundësi që të bëhen përpjekje për larje parash. Ne po përgatitemi për sfida të tilla dhe kemi marrë një sërë masash në mënyrë që në Kosovë të mos ndodhin të tilla gjëra. Dogana dhe institucione të tjera janë duke bashkëpunuar për të penguar tentativat për pastrim parash", ka thënë ish-bashkëkryesuesi i AQF-së.

Pa marrë parasysh se koha po kalon shpejt, kurse qytetarët dhe biznesmenët kanë lehtësi për konvertimin e markave edhe gjatë dhjetorit, në sportelet e bankave nuk vërehet ndonjë rrëmujë e posaçme. Nga ana tjetër, dihet se një pjesë e madhe e parave në Kosovë është në qarkullim jashtë sistemit bankar. Njerëzit sikur presin ditët e fundit. Por, edhe bankat, pas publikimit të disa broshurave, ku më shumë flitet për rëndësinë e euros, nuk kanë bërë ndonjë përgatitje të posaçme. Nuk kanë ngritur kamatat në depozita, ashtuqë njerëzit të provokohen që keshin ta depozitojnë në bankë. Gazmend Kajtazi, përgjegjës i sektorit për marrëdhënie me jashtë në Bankën e Re të Kosovës beson se konvertimi do të jetë më i lehtë në qoftë se kosovarët do t'i sjellin paratë e tyre në bankë para fundit të vitit. "Ne po përpiqemi t'i bindim klientët tanë që paratë e tyre do të konvertohen automatikisht, nëse ata do të hapin llogaritë e tyre dhe do t'i derdhin këto para në bankë", thotë z. Kajtazi.

Ndërkaq, në BPK kanë edhe një qëllim tjetër gjatë tërheqjes së markave nga rruga. Sipas tyre, kjo do të bëjë që bankat të forcohen. Nga ana tjetër, vetë bankat do të kenë edhe më shumë mundësi për të dhënë kredi për investime, në mënyrë që të ripërtëritet procesi i prodhimit në Kosovë. Por, si duket klientët nuk binden aq shpejt. Ta zëmë, në Prishtinë thuajse asnjëra shitore nuk i ka vënë çmimet e dyfishta në etiketat e mallrave - në marka dhe në euro. Për këtë tregtarët nuk i obligon askush, asnjë ligj apo dekret. "Nuk kam kohë tani të vendos çmime edhe në euro", thotë shitësja në një shitore këpucësh në Prishtinë. Apo, rasti tjëtër, që duket edhe komik, kur një shitës deklaron: "Shpresojmë se nuk do t'i ndryshojmë çmimet edhe pas aplikimit të euros. Na kanë thanë se ka me pas problem me të ima, se nuk ka sa duhet". Shitësi, ose nuk din se çfarë do të ndodhë në ditët e para të janarit të vitit 2002, ose i ka ngatërruar disa afate të përcaktuara gjatë kohës së kalimit në euro, kurse deri më 28 shkurt do të lejohet që të dy valutat, marka dhe euro të jenë në qarkullim.

Rreziku nga mungesa e apoenëve të vegjël të euros nuk është imagjinatë, por një realitet që kaherë e kanë shijuar kosovarët. Ata edhe më shumë se dy vjet pas aplikimit të markës gjermane, në vend të phenigut, për kusur marrin çokollata apo një çamçakëz.

Një euro në Kosovë është pak nën 2 DM, 1 euro=1.95 DM, andaj mbizotëron frika se konsumi i përditshëm i kosovarëve (respektivisht çmimi i shportës) do të mund të rritej në qoftë se tregtarët do t'i rrumbullakësonin çmimet gjatë kalimit në valutën e re.

Zyrtarët e BPK-së, që kanë punuar në grupin e ekspertëve për implementimin e euros, thonë se janë kujdesur që të mos riprodukohet ky problem dhe porosisin qytetarët që të "flejnë dathë". "Kemi ndërrmarë të gjitha masat që kjo dukuri të mos ndodhë. Kemi porositur sasi të mjaftueshme të euros, në banknotat më të vogla", ka thënë Agron Dida. Për këtë arsye edhe ambasadori i BE-së në Kosovës, z. Andy Bearpark, i porosit qytetarët e Kosovës që kur të dalin në shoping të mbajnë mend se një euro është e barabartë me 2 DM, kështu do të mbrohen vetvetiu nga shitësit që kërkojnë përfitim shtesë me rrumbullakësimin e çmimeve. "Nëse një send ka kushtuar 10 DM, atëherë ai tashti duhet të kushtojë 5 euro, por nëse shitësi ju thotë se ai kushton 6 euro, atëherë ju mos i besoni", ka deklaruar Bearpark.

Njëkohësisht, ekspertët kosovarë kanë një fije frikë se mos ndoshta përmes rrumbullakësimit të çmimeve do të ketë lëvizje inflatore, madje ata përmendin shifrën tetë për qind. Por, shefi i BPK-së, Mouhamed Bouajua, thotë se nuk do të ketë inflacion.

AIM Prishtinë, Ibrahim REXHEPI