Burgosjet si pjesë e procesit politik?
Prishtinë, 30.11.2001.
Pak ditë pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme të 17 nëntorit në Kosovë, zyrtarët e policisë së Kombeve të Bashkuara e shpallën arrestimin e një pjesëtari të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, nën akuza për, siç u tha fillimisht, "krime serioze të kryera gjatë viteve 1998 - 1999". Pas pesë orë marrjesh në pyetje në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, nga ana e gjykatësit ndërkombëtar Leondi Asira, të arrestuarit ju aktua paraburgimi prej 30 ditësh, si pjesë e procesit të hetimeve. I arrestuari u identifikua si nënkolonel Gani Imeri, ish komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa tash komandant i një Brigade të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, organizatë e themeluar pas përfundimit të procesit të çmilitarizimit dhe transformimit të Ushtrisë Çlirimtare. Sipas prokurorit ndërkombëtar, Mati Himenen, ai akuzohet për "kidnapim dhe tentim-vrasje", meqë, siç thuhet në aktakuzë, "më 25 qershor të vitit 1999, në fshatin Gojbulë të komunës së Vushtrrisë (e cila nodhet në mes të rrugës Prishtinë-Mitrovicë), i ka rrëmbyer 5 persona të nacionalitetit serb, së bashku me dy persona të panjohur, prej të cilëve një serb ka ikur dhe ka shpëtuar, ndësa nuk dihet fati i të tjerëve. I arrestuari i ka hedhur poshtë këto akuza duke deklaruar se "gjatë luftës ka luftuar për lirinë e popullit të tij dhe asnjëherë nuk ka pasur pikësynim që të cenojë të drejtat e popujve të tjerë". Madje, ai ka nënvizuar: "Kjo që më vihet në barrë, për mua është një veprim ofendues ndaj kontributit tim gjatë luftës dhe si ish-komandant i UÇK-së nuk i kam sulmuar civilët dhe as që mund të më mvishet një veprim i tillë."
Çështja tash u mbetet organeve të hetuesisë për të zbardhur të vërtetën mbi rastin Imeri, por ai tashmë ka hyrë në kronikat e drejtësisë si njeriu i parë i akuzuar për krime ndaj minoriteteve pas përfundimit të luftës në Kosovë. Por, për vëzhguesit e këtushëm çështje kryesore mbetet fakti se, siç thuhet, "krimet e luftës sikurse edhe ato që pasuan konfliktin vazhdojnë të trajtohen si pjesë e lojës politike në Kosovë". Arrestimi i zotit Imeri menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme duket më shumë si "kundërshpërblim ndaj pjesëmarrjes së serëbve në votimet për institucionet e vetëqeverisjes në Kosovë, sesa luftë e mirëfilltë për ndiriçimin e krimeve". Drejtësia në Kosovë ende e arsyeton retorikën e vjetër për "vonimin kronik të saj". Gati tre vjet pas përfundimit të luftës, vetëm disa persona përgjegjës për krime janë vënë para drejtësisë dhe, madje, në procese gjyqësore që asnjëherë nuk e kanë shënuar "epilogun" e plotë të tyre. Një Gjykatë ka dënuar, ndërsa një tjetër ka kërkuar rishqyrtimin e proceseve, duke ngritur madje edhe çështje të diskutueshme të tipit nëse në Kosovë ka pasur apo jo "gjenocid". Sistemi "infantil" i drejtësisë, i cili jo rrallë nuk ka pasur as mbështetje ligjore (në Kosovë edhe më tej vazhdojnë të zbatohen ligjet e ish-Jugosllavisë së Titos), nuk ka arritur ende të vendosë një "barazpeshë" në sistemin e gjykatave, me çka do të shmangej çdo gjykim që synimin krysor do të kishte "hakmarrjen" ndaj të të akuzuarve për krime lufte.
Por, pjesa më tragjikomike e tërë çështjes së trajtimit të kriminelëve të luftës është burgu i qytetit të Mitrovicës që ndodhet në pjesën veriore të këtij qyteti të ndarë, që dominohet nga banorët serbë. Mbi 24 të burgosur serbë, të akuzuar për krime lufte, kanë arritur të arratisen nga ky burg që dikur mbante namin e një Alkatrazi të Kosovës. Burgu më i rëndë për t'u thyer, u shndërrua në "luna-park" për të burgosurit me akuza për krime lufte, ndërsa zyrtarë të Misionit të Kombeve të Bashkuara kanë shënuar raste kur "i burgosuri i arratisur është kthyer në qelinë e tij për të marrë gjëra që i kishte harruar dhe sërish është larguar pa ferrë në këmbë". Burgut të qytetit i ka dalë në "ndihmë" edhe spitali i këtij qyteti, prej nga pacientët (po ashtu të akuzuar për krime lufte) janë arratisur të veshur në të bardha dhe të përcjellë nga ata që veten e identifikojnë si "mantelbardhë". Të gjithë ata janë strehuar në Serbi (si edhe të akuzuar të tjerë nga Gjykata e Hagës për krime lufte në hapësirat e Jugosllavisë), ndërsa zyrtarët e policisë ndërkombëtare në Kosovë tërë rastin e kanë kaluar në dosjet "nën hetime", duke u përgjigjur si zakonisht se "në interes të hetimeve duhet shmangur prononcimet publike".
Vetëm pas fillimit të bisedimeve më të ngushta ndërmjet Misionit të Kombeve të Bashkuara dhe zyrtarëve të Beogradit thuhet se "rrëshqitazi" është përmendur edhe çështja e kriminelëve të arratisur, mirëpo kjo çështje nuk ka gjetur vend në dokumentet zyrtare. Marrëveshja e nënshkruar ndërmjet shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara, Hans Haekkerup, dhe zëvendëskryeministrit serb, Nebojsha Çoviq, me të cilën është siguruar pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, trajton shumë probleme të hapura me interes dypalësh, nuk harrohet as "sovraniteti" aq i diskutueshëm jugosllav, madje as "zyrat për pagesën e rrymës elektrike dhe ujit", por nuk përmenden me asnjë fjalë kriminelët e luftës. Beogradi luan lojën e tij të "përmbushjes së obligimeve" me dorëzimin e Sllobodan Millosheviqit në Hagë.
Çështja e krimeve të luftës dhe autorëve të tyre, akuzat dhe kundërakuzat, duket se do të vazhdojnë edhe për një kohë të gjatë të jenë pjesë e lojës politike në Kosovë, ndërsa përfaqësuesit ndërkombëtarë do t'i ruajnë ato si letër rezervë për ushtrimin e trysnive në momente të thyerjeve të rëndësishme politike. Në këtë kuadër këtu shihet edhe arrestimi i Gani Imerit, për të cilin të parat kanë njoftuar mjetet serbe të informimit, madje ende pa u dhënë asnjë njoftim zyrtar në Kosovë. Arrestimi i tij ndodhi në periudhën kur nga përfaqësuesit e drejtësisë serbe arrijnë zëra që kërkojnë "arrestimin e liderëve politikë shqiptarë, si Hashim Thaçi, ish-drejtor politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe tash kryetar i Partisë Demokratike, dhe Ramush Haradinaj, ish komandant i UÇK-së në Kosovën perëndimore dhe tash kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Të gjetur në një pozicion politik të favorshëm për shkak të "kooperativitetit" me bashkësinë ndërkombëtare rreth zgjedhjeve të Kosovës, zyrtarët në Beograd kanë rifilluar një ofensivë për "ndriçimin e të vërtetës për Kosovën", duke mos kursyer as shpërdorimin e tragjedive familjare. Të gjitha takimet e tyre me zyrtarë ndërkombëtarë janë përcjellë nga tubimet e familjarëve të personave të zhdukur gjatë konfliktit të Kosovës, ndërsa në fotografitë e bartura nga të afërmit shihen uniforma të policisë dhe uhstrisë serbe - përgjegjëse për mizoritë kundër shqiptarëve, posaçërisht gjatë fushatës hakmarrëse të Millosheviqit gjatë sulmneve ajrore të NATO-s kundër trupave të tij.
Megjithatë, askush nuk mund t'i mohojë krimet, posaçërisht në periudhën e pasluftës, të cilat janë kryer mbi pjesëtarët e komuniteteve minoritare, posaçërisht mbi atë serb. Imeri është shqiptari i parë, i cili është burgosur dhe akuzuar për një veprimtari të tillë menjëherë mbas luftës. Në Kosovë, në periudhën pas luftës, janë burgosur edhe disa persona të kombësisë shqiptare, të cilët ngarkohen për akte të ngjashme kriminale. Disa prej tyre ende gjenden në burg, por asnjërit nuk i është dëshmuar fajësia. Po ashtu, gati asnjë personi të nacionalitetit serb nuk i është dëshmuar fajësia deri në fund. Gati janë bërë tre vjet nga përfundimi i luftës, por duket sikur Kosova është mu në fillim, të paktën sa i përket dënimit të krimit.
AIM Prishtinë, Besnik BALA