Rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme dhe rrjedhojat e tyre
Mitrovicë, 26.11.2001.
Bashkësia ndërkombëtare, edhe krahas bojkotit të pjesërishëm të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë nga serbët e Kosovës, është e kënaqur me daljen e tyre në zgjedhje. Të bashkuar rreth Koalicionit "Kthimi",ata kanë siguruar 22 vende në parlament, megjithëse në vetë Kosovën kanë dalë për të votuar diç më shumë se 40 për qind, në Serbi mbi 60 për qind, ndërsa në Mal të Zi mbi 50 për qind qytetarë nga Kosova. Ka më shumë arsye pse në procesin zgjedhor nuk ka marrë pjesë një numër më i madh i tyre. Ndër to është gjithsesi fushata paraelektorale shumë e shkurtër, e cila ka zgjatur rreth dhjetë ditë, sepse kryetari i Jugosllavisë, Vojisllav Koshtunica, i ka ftuar në momentin e fundit bashkëkombësit e vet në Kosovë që të dalin në zgjedhje. Nga ana tjetër, edhe pse anëtarët e Koalicionit Kthimi u përpoqën që gjatë fushatës paraelektorale t'i vizitojnë të gjitha regjionet e Kosovës të banuara me serbë, fitohet përshtypja se disa prej tyre u janë shmangur qëllimshëm, që gjithsesi është pasqyruar edhe në daljen e votuesve. Një shembull klasik është pikërisht veriu i Mitrovicës, ku fushata paraelektorale nuk është mbajtur fare, megjithëse është e ditur se pikërisht kjo pjesë e qytetit është qendër e skenës politike, por ka shumë të tillë që besojnë se ajo është edhe qendër e forcës politike të serbëve të Kosovës. Njëri ndër kandidatët e Koalicionit "Kthimi", Nenad Radosavleviq, njëkohësisht edhe kryetar i komunës së Leposaviqit, ka pranuar që Mitrovica është lënë anash me qëllim nga frika e akteve të paparashikuara dhe të padëshiruara, të cilat do të ndikonin keq në fushatën paraelektorale. Një qëndrim i këtillë nuk ka befasuar askë, sepse shpërthimi që ndodhi gjatë një tubimi parazgjedhor të koalicionit serb në Zveçan, afër Mitrovicës, ka nxitur dyshimet se diçka edhe më e keqe do të mund të ndodhte edhe mu në Mitrovicë. Duket se pikërisht për këto arsye kanë hequr dorë nga vizita në Mitrovicë edhe Vojisllav Koshtunica dhe kryeministri i Serbisë, Zoran Gjingjiq. Edhe një arsye tjetër për një rezultat të këtillë duhet kërkuar te fakti se një pjesë e serbëve të Kosovës dhe e liderëve të tyre nuk është pajtuar me vlerësimin e kreut qeveritar në Beograd se dalja në zgjedhje është me "interes nacional". Megjithatë, situata të paparashikueshme kishte mjaft, si në ditën e zhvillimit të zgjedhjeve, ashtu edhe mbas përfundimit të tyre.
17 nëntori, dita e zgjedhjeve, në Mitrovicë agoi bashkë me ftesën e shefit të Qendrës Koordinuese për Kosovën, Nebojsha Çoviq, të emetuar nëpërmjet radios lokale dhe drejtuar serbëve të Mitrovicës që të dalin në zgjedhje, pra të mos ia vinin veshin të ashtuquajturës fushatë anti-elektorale, sepse kundër personave që e zhvillonin atë do të ndërmerreshin masa të caktuara. Atypëraty, nëpërmjet radios së njëjtë, i është përgjigjur kryetari i Këshillit Regjional të Komitetetit Nacional Serb, Millan Ivanoviq, ithtar i mosdaljes në zgjedhje: se ka kaluar koha e Sllobodan Millosheviqit kur dënoheshin ata që mendonin ndryshe dhe ata që kanë marrë vendim kundër zgjedhjeve nuk ia kanë frikën fare. Pastaj përsëri u drejtua Çoviqi dhe kështu deri në pakufi, në të vërtetë deri në orën 19 kur u ndërpre heshtja paraelektorale dhe u mbyllën vendvotimet.
Anëtari i qendrës koordinuese për marrëdhëniet me UNMIK-un dhe kandidati i pavarur i Koalicionit Kthimi, Oliver Ivanoviq, ka kërcënuar po ashtu se ndaj atyre që kanë zhvilluar fushatë antizgjedhore do të ndërmerren masa të rrepta gjatë javës së ardhshme. Këshilli Nacional Serb (SNV) ka mbetur pranë qëndrimit se serbët e Kosovës kanë vendosur vetë që t'i bojkotojnë zgjedhjet, sepse nuk dëshirojnë t'ia "japin legjitimitetin shtetit shqiptar" , dhe si dëshmi për këtë ata kanë theksuar faktin se në pjesën veriore të Mitrovicës në votime kanë dalë gjithsejt 7.8 për qind e qytetarëve.
Megjithatë, kërcënimet kanë filluar tashmë të realizohen. Që më 21 nëntor Nebojsha Çoviq ka kërkuar nga kryetari i Jugosllavisë, Vojisllav Koshtunica, që të shpërndahet Komiteti Jugosllav për bashkëpunim me UNMIK-un, sepse "nuk është as parimore të mbrohet organi i një shteti që ishte ndër më të obliguarit të përkujdeset për suksesin e Koalicionit Kthimi në zgjedhjet kosovare, i cili me vullnetin e kryetarit të vet (Momçillo Trajkoviq) ka vendosur që të mos e bëjë një gjë të tillë". Çoviqi konsideron po ashtu "se sjellja e disa zyrtarëve shtetërorë dhe fundi i dyfishtë në marrjen e vendimeve është një joparimësi që i përkujton do kohëra më të këqija se ato të kaluarat, kur pushteti një fliste e tjetër bënte". Por, kryetari Koshtunica iu kundërvu nismës për shpërndarjen e Komitetit Federal për Kosovën, me arsyetimin se "asnjë parti as koalicion nuk e ka mandatin që t'i shpërndajë institucionet shtetërore".
Prapëseprapë, në mbledhjen e Qendrës Koordinuese është dënuar sjellja e kryetarit të Komitetit Federal për Kosovën, Momçillo Trajkoviq, dhe kryetarit të DSS për Kosovën, Marko Jakshiq, gjatë fushatës paraelektorale. Dhe, përderisa Jakshiq ka pranuar që ka zhvilluar një fushatë antizgjedhje dhe ka paralajmëruar dorëheqjen nga anëtarësia në Qendrën Koordinuese, Trajkoviq është mbrojtur me pohimin se as që ka zhvilluar fushatë as kundërfushatë dhe që nuk e konsideron veten përgjegjës.
Më 22 nëntor është shkarkuar nga posti i kryetarit të Komitetit Jugosllav për bashkëpunim me UNMIK-un dhe posti i nënkryetarit të Qendrës Koordinuese, me vendimin e qeverisë federale, Momçillo Trajkoviq, ndërsa me vendimin e qeverisë republikane që të nesërmen është shkarkuar anëtari i Qendrës Koordinuese, Marko Jakshiq. Deklaratat e perfaqesuesve të Koalicionit Kthimi me rastin e këtyre shkarkimeve ishin identike. "Vetë e lypën".
Marko Jakshiq, kryetar i SNV, në takim me gazetarët ka thënë se me deklaratat e veta Nebojsha Çoviq po u kontribuon konflikteve të reja midis serbëve të Kosovës. "Zoti Çoviq po përpiqet që ta bindë opinionin publik serb se në veri të Kosovës sundon krimi dhe se në këto hapësira veprojnë ekstremistët", ka shpjeguar Jakshiq, duke shtuar: "Mua më ka shkarkuar qeveria republikane, por jo edhe ajo federale, prandaj zoti Çoviq do të presë që edhe ata ta bëjnë një gjë të tillë, që shkarkimi im të jetë legjitim". Ai ka theksuar se gjëja më e rëndësishme është që serbët e Kosovës ta kenë mbështetjen e qartë të kryetarit të Jugosllavisë, Koshtunica: "Ai thotë se pa marrë parasysh nëse dikush ka dalë në zgjedhje ose jo, duhet të arrihet pajtimi serb dhe serbët duhet të veprojnë edhe në formë parlamentare edhe në formë jashtëparlamentare në luften e tyre politike për ekzistencë", ka përcjellë qëndrimin e kryetarit jugosllav z. Jakshiq.
Krahas me tërë ngatërresën në skenën politike serbe në Kosovë, Koalicioni Kthimi po mendon edhe për koalicione të mundshme. Ai është forca e tretë në kuvendin e ardhshëm të Kosovës, i cili pas gati 15 vjetësh do të jetë përsëri një parlament shumetnik, dhe tashmë e ka një vend të rezervuar në qeverinë e ardhshme. Nuk përjashtohet as mundësia që ta ketë përfaqësuesin e vet edhe në kryesinë e parlamentit. Por, me kë në koalicion? Gjykuar sipas deklaratave ende të përmbajtura, për serbët e Kosovës partneri më i pranushëm do të ishte Lidhja Demokratike e Kosovës në krye të së cilës është Ibrahim Rugovva. Qëndrimi i tyre është se koalicioni me partitë që i udhëheqin Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj nuk është i mundshëm, sepse konsiderojnë se ata të dy janë përgjegjës për fatin e personave të shumtë të zhdukur të nacionalitetit serb që nga viti 1998, por edhe për "krime" të tjera, siç thonë ata. Vendimi nuk është marrë ende, po në masë të madhe do të varet nga ofertat që do t'i kenë. Kërkesat e tyre për një koalicion të mundshëm janë që t'u ofrohet siguri, të kenë liri të lëvizjes dhe të mundësohet kthimi i qytetarëve kosovarë që në këtë moment ndodhen në Serbi. Ky Koalicion thekson se parlamenti i ardhshëm nuk e ka mandatin që të debatojë për statusin final të Kosovës, ndërsa nëse një gjë të tillë e bëjnë deputetët shqiptarë, ata do ta shpallin autonominë serbe dhe kuvendin e tyre.
AIM Mitrovicë, Valentina ÇUKIQ