Zgjedhjet përfunduan, pasojnë koalicionet e 'detyruara'

Pristina Nov 26, 2001

Prishtinë, 25.11.2001.

Katërmbëdhjetë subjekte politike do të përfshihen në Parlamentin e parë të njohur ndërkombëtarisht të Kosovës. Por, sipas rezultateve përfundimtare të shpallura nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, asnjë nga këto subjekte nuk do të jetë në gjendje të qeverisë vetëm. Nëse bashkësia ndërkombëtare ka arritur një sukses "të madh" në Kosovë, atëherë sigurimi i një bashkëqeverisjeje është i pashmangshëm. Katër subjekte politike kanë fituar më së shumti vota: Lidhja Demokratike e Kosovës 45.65 për qind, Partia Demokratike 25.70, Koalicioni "Kthimi" 11.34, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7.83 për qind. Asnjë nga subjektet tjera që hyjnë në parlament nuk kanë fituar më shumë se një vend deputeti në votimet e drejtpërdrejta, mirëpo partitë politike të pakicave kombëtare i kanë vendet e tyre të rezervuara. Kësisoji, Koalicioni i serbëve të Kosovës me emrin "Kthimi" do të ketë 22 deputetë, ndërsa pakicat tjera kombëtare do të kenë 13 përfaqësues. Ndërsa vendet tjera i ndajnë Lidhja Demokratike me 47, Partia Demokratike 26, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8, ndërsa Lëvizja Kombëare për Çlirimin e Kosovës, Lëvizja Popullore, Partia e Drejtësisë dhe Partia Shqiptare Demokristiane kanë nga një vend në parlamentin e ardhshëm që pritet të mblidhet më 10 dhjetor të këtij viti. Organizatorët e zgjedhjeve pohuan se ky ishte një proces i "shkëlqyeshëm", rrjedha e të cilit është vlerësuar si shumë e mirë edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët kanë pohuar se parregullsitë e regjistruara janë gati të "papërfillshme". Shefi i Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ambasadori Daan Everts, tha se vetëm 1.93 për qind e 803.796 fletëvotimeve ishin të pavlefshme, apo të pambushura, gjë që sipas tij flet mjaft për "organizimin e mirë të zgjedhjeve".

Procesi zgjedhor në Kosovë mori fund me firmën e hedhur të administratorit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Hans Haekkerup, i cili e nënshkroi zyrtarizimin e tyre. Me këtë u shënua edhe fillimi i fazës tjetër, që përfaqësuesit ndërkombëtarë e kanë vlerësuar si pjesën më të vështirë të punës: zbatimi i këtyre rezultateve.

Dhjetë dhjetori do të shënojë fillimin e punës së parlamentit të Kosovës, i cili fillimisht duhet të zgjedhë presidentin dhe presidencën e tij shtatë anëtarëshe. Më pastaj Parlamenti duhet të zgjedhë presidentin e Kosovës, ndërsa ky i fundit duhet të propozojë kryeministrin, i cili nga ana e tij duhet të formojë qeverinë e Kosovës prej 9 ministrish. Dy nga ministritë u takojnë pakicave kombëtare sipas kornizës kushtetuese të Kosovës. Shtatë ministritë tjera bashkë me postet e presidentit, kryetarit të parlamentit dhe kryeministrin hyjnë në vorbullën e "matematikës' ende të pasprovuar politike të Kosovës. Meqë asnjëra nga partitë politike nuk ka siguruar vota të mjaftueshme që punët t'i bëjë vetë, koalicionet janë të pashmangshme, ndërsa rezultatet relativisht të balancuara kanë bërë që opcionet të jenë nga më të ndryshmet. Ndonëse të gjitha partitë kanë pohuar se do të presin rezultatet përfundimtare para se të shqyrtojnë çfarëdo koalicionesh, bisedimet larg syve të opinionit duket se kanë zënë fill, madje ende pa përfunduar procesi i zgjedhjeve. Gjithsesi, fjalën kryesore e ka Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka më së shumti vende në parlamentin e Kosovës, por një numër të pamjaftueshëm për të zgjedhur institucionet e Kosovës. Dilema e parë përpara kësaj partie ishte kujt t'i ofrohej: koalicionit të serbëve të Kosovës, me çka, siç thonë analistët, nuk do të pajtohej elektorati i saj, dhe me këtë kjo parti do të kryente vetëvrasje politike (edhe përkundër faktit se Koalicioni 'Kthimi' sikur ka sugjeruar një mundësi të tillë nën disa kushte), apo të shkrinte marrëdhëniet e ngrira me partitë rivale - Partinë Demokratike dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Duket se opcioni i parë ka rënë ende pa u ngritur për diskutim, me gjithë disa pëshpëritje nga qarqe të caktuara diplomtaike në Kosovë, të cilat një koalicion të tillë do ta vlerësonin si mundësi për realizimin e "Kosovës shumetnike" dhe fillimin e procesit të "pajtimit". Mirëpo, bëhet me dije se edhe "suflerët" ndërkombëtarë nuk kanë mundur të ngulin shumë këmbë në një opcion të tillë duke pasur parasysh të kaluarën e hidhur jo fort të largët, posaçërisht kur përmasat e ngjarjeve tragjike të luftës së fundit ende janë të panjohura e të pandriçuara. Fundja, pohojnë në partitë politike, serbët kanë 22 vende në parlament dhe një vend në qeveri, ndërsa sipas të gjitha gjasave edhe në kryesinë e parlamentit. Në një mënyrë apo tjetër, ata janë pjesë e koalicionit qeveritar. Në vend të kësaj përfaqësuesit ndërkombëtarë trokitën në të gjitha dyert e partive politike për të siguruar në radhë të parë njohjen e rezultateve (ndonëse askush nuk i kishte kontestuar ato, me gjithë dyshimet e pakënaqësitë) dhe më pastaj për të kërkuar qeverisjen e një koalicioni me bazë të gjerë. Lideri i Lidhjes Demokratike, Ibrahim Rugova, e ftoi liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një darkë "diskrete" për të diskutuar "të ardhmen politike". Mirëpo, ky i fundit e ka kushtëzuar këtë me pjesëmarrjen e liderit të Partisë Demokratike, Hashim Thaçi. Dy partitë e fundit thuhet se kanë arritur që më parë një marrëveshje se nuk do të pranojnë kurrfarë koalicionesh pa njëra-tjetërn, por do të ngulin këmbë në bashkëqeverisje. Por, për Lidhjen Demokratike dhe Partinë Demokratike duket shumë punë e vështirë për të thyer murin e ndarjes të krijuar qysh në periudhën e luftës në Kosovë. Partia Demokratike, drejtuesit e të cilës kanë udhëhequr me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, nuk ia kanë falur dr. Rugovës asnjëherë qëndrimin e tij kundër luftës së tyre dhe vlerësimet e para të tij të bëra për guerilët. Dr. Rugova, ndërkaq, asnjëherë nuk është afruar me drejtuesit e ish Ushtrisë Çlirimtare, posaçërisht pas kritikave të këtyre të fundit drejtuar dr. Rugovës për shkak të 'takimeve' të tij me ish-presidentin jugosllav, tash të akuzuar për krime lufte, Sllobodan Millosheviq. Akulli ndërmjet tyre duket i vështirë për t'u shkrirë, mirëpo kësaj radhe duket se Lidhjes Demokratike i është zënë "bishti me derë". Ajo nuk mund të llogarisë në aleatët e vet, meqë vetëm njëri syresh ka fituar një vend në parlament, të tjerët nuk kanë siguruar as 0,5 për qind të elektoratit. Pakicat tjera kombëtare joserbe kanë një numër të pamjaftueshëm për të ndihmuar Lidhjen Demokratike, mirëpo as ato nuk duket se kanë vullnet për t'iu bashkuar asaj. Koalicioni VATAN, i udhëhequr nga Numan Baliq, ka siguruar katër vende në parlament, por ai është shumë më afër zotit Thaçi, me të cilin në mëngjesin e parë të zgjedhjeve ka pirë kafenë e "miqësisë" që rrënjët i ka që në kohën e luftës. Partia Demokratike, e cila kësaj radhe duket e kënaqur jo me numrin e votave, por me "elektoratin e saj stabil", pohon se është e 'hapur' për të biseduar të gjitha opcionet, mirëpo këkron që dr. Rugova të heqë dorë nga kandidimi për postin e presidentit të Kosovës. Kjo duket tepër e dhembshme për Rugovën, "i cili tash e 11 vjet pret njohjen ndërkombëtare të postit të tij prej presidenti". Mirëpo, edhe në rast se detyrohet të lëshojë pe, duket se ai nuk është i gatshëm që këtë ta bëjë para rivalit Thaçi, prandaj burimet e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të drejtuar nga Ramush Haradinaj pohojnë së Lidhja Demokratike është e gatshme që kësaj partie t'i bëjë koncesione të mëdha. Nënkryetari i kësaj partie tha se Aleancës i është ofruar madje edhe vendi i presidentit të Kosovës dhe ai i kryeministrit në shkëmbim të koalicionit. Lidhja Demokratike duket se po manovron në përpjekje për të shmangur hyrjen në kalkulime me Partinë Demokratike, e cila nga ana e saj këtë e sheh si rastin më të mirë për ta mbërthyer rivalin e saj të vjetër. Spekulimi më sensacional i këtyre ditëve është gjoja pajtimi i dr. Rugovës me "heqjen dorë nga kandidimi për postin e presidentit për ta mundësuar kësisoji koalicionin me bazë të gjerë". Por, analistët janë skeptikë lidhur me këtë mundësi për dy arsye: e para, dr. Rugova do ta ketë shumë të vështirë të heqë dorë nga "ëndrra" e tij dhe, e dyta, partia e tij do ta përjetonte goditjen më të rëndë për shkak të luftës së brendshme që mund të shpërthente pas kësaj.

Duket se rivalët e LDK-së, tashmë të bindur se pushteti i fituar nga këto zgjedhje, pavarësisht nga postet e fituara, është gati i parëndësishëm, kanë vendosur që ta shfrytëzojnë këtë periudhë për t'i ndryshuar raportet e brendshme politike. Dobësimi i Lidhjes Demokratike rrjedhimisht do të ishte forcim i tyre dhe zgjedhjet e ardhshme lokale, që do të mbahen pas një viti, do të krijonin hapësira për përgatitjen e fitores së tyre në zgjedhjet e përgjithshme pas tre vjetësh.

AIM Prishtinë, Arbnora BERISHA