Pavarësia duhet të presë
Prishtinë, 23.11.2001.
Duket se megjithatë "njohja formale e pavarësisë së Kosovës", siç i pëlqen të shprehet liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova, nuk është çështje edhe "aq formale", apo të paktën duhet të presë edhe shumë "formalitete" të tjera para se të shtrohet për t'u diskutuar. Sllogani numër një i tërë fushatës parazgjedhore për votimet e 17 nëntorit në Kosovë u përball me kundërshtimin e parë pikërisht pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve të përgjithshme. Dr. Rugova, fill pas publikimit të rezultateve të para që atë e nxirrnin si fitues "solid" të zgjedhjeve, tha se "partia e tij ka siguruar fitoren dhe se anagzhimi themelor i tij mbetet pavarësia e Kosovës", duke ju bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Evropian që të "njohin edhe formalisht pavarësinë e Kosovës" që, sipas tij, "do të qetësonte shqiptarët, por edhe tërë rajonin".
Mirëpo, për evro-amerikanët duket se "qetësia" ende nuk qëndron në këtë pikë. Nga Brukseli arritën menjëherë porositë se "pavarësia nuk ndodhet në rend dite", ndërsa për dr. Rugovën u tha se përdor "dy gjuhë: njërën në bisedat diplomatike, e tjetrën për përdorim të brendshëm". Edhe nga Washingtoni arriti porosia se duhet respektuar në tërësi Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila Kosovën e sheh ende si pjesë të Republikës Federale Jugosllave.
Nuk është hera e parë që Rugova dhe të gjitha partitë e tjera politike shqiptare pa përjashtim angazhohen për pavarësinë e Kosovës, mirëpo kjo është hera e parë që deklaratat e tilla kundërshtohen hapur. Sipas vëzhguesve, shpjegimi është i thjeshtë. Pas 17 nëntorit ky anagzhim "artikulohet nga njerëz të zgjedhur me vullnetin e popullit, të cilët do të drejtojnë institucionet e Kosovës të njohura edhe ndërkombëtarisht". Rrjedhimisht, kërkesat e liderëve të tillë më nuk mund të injorohen lehtë dhe se ata kanë mundësinë që "kauzën e tyre" ta shtrojnë në parlament ku do të siguronin mbështetjen e së paku 80 për qind të deputetëve. Mirëpo, kjo do të ishte e papranueshme për komunitetin ndërkombëtar, i cili edhe më tej mendon se është heret për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Ajo së pari "duhet të ndërtojë demokracinë e pastaj të bisedohet për statusin" - është formula e strëpërsëritur e diplomatëve të huaj.
Në ditën e zgjedhjeve të 17 nëntorit në adresë të kosovarëve arritën shumë përgëzime për zgjedhje të qeta dhe demokratike. Shefi i Zyrës Amerikane në Prishtinë, ambasadori John Menzies tha se ishte me të vërtetë një nder për të marrë pjesë në këtë çast historik, dhe se Kosova edhe njëherë i tregoi botës se proceset demokratike në Kosovë janë gjallë dhe në rregull. "Populli i Kosovës prapë e kaloi një test të rëndësishëm, mirëpo puna e vërtetë e qeverisjes fillon - puna për ndërtimin e koalicioneve, puna për shërimin e përçarjeve, puna që të gjithëve në Kosovë t'u jepet një pjesë në qeverisje dhe në ardhmërinë e Kosovës". Mesazhet amerikane është bërë zakon të lexohen më me vëmendje dhe më me përkushtim në Kosovë, prandaj vlerësimi amerikan se "17 nëntori do të mbahet mend gjatë në Kosovë dhe jashtë saj, si një ditë historike në Kosovë, sepse në këtë ditë ju iu bashkuat 'Bashkësisë së Demokracive' dhe qartë i thatë botës se çka doni për të ardhmen tuaj", duket se fillimisht u lexua si mbështetje për pavarësinë e Kosovës, meqë "ky është mendimi kryesor i gjithe shqiptarëve" dhe, po të gjykohet nga fushata zgjedhore në Kosovë, edhe e të gjithë qytetarëve të përkatësisë kombëtare joserbe.
Edhe "miqtë" e shqiptarëve nëpër botë filluan të dërgojnë mesazhet e tyre me të cilat kërkohet "durim" në rrugën drejt statusit përfundimtar të Kosovës. Lordi Russell Johnston nga Këshilli i Evropës tha se "Zgjedhjet në Kosovë nuk ishin referendum për apo kundër pavarësisë së Kosovës. Statusi i saj është dhe do të mbetet edhe për disa kohë në të ardhmen i rregulluar sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimi të OKB-së". Lordi Johnston pastaj porositi kosovarët se Kosova tash ka nevojë për demokraci, transparencë, administratë efikase, bashkëjetesë ndëretnike dhe përparim ekonomik. "Progresi në arritjen e këtyre synimeve do ta bëjë më të lehtë çështjen e statusit final të Kosovës, i cili tani për tani mbetet i papajtueshëm", përfundon porosinë e tij lordi Johnston.
Sidoqoftë, çështja e pavarësisë së Kosovës, ose të paktën e shtrimit të saj për diskutim në këtë fazë të zhvillimit të procesit poitik, ishte përjashtuar edhe më parë nga rendi i ditës, madje edhe me dokumentet e miratuara nga vetë shqiptarët. Korniza Kushteteuse e Kosovës (një dokument shumë i diskutueshëm që zëvendëson kushtetutën e mirëfilltë) e ka përcaktuar natyrën e institucioneve që do të dalin nga zgjedhjet e përgjithshme të 17 nëntorit, të cilat mund të qeverisin përkohësisht me Kosovën, por nuk mund të vendosin për statusin e saj përfundimtar. Kjo në disa raste u bë e qartë edhe nga shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Hans Haekkerup, i cili në përpjekjet e tij për të përfshirë pjesëtarët e komunitetit serb në zgjedhjet e përgjithshme, e nënshkroi një dokument me Beogradin me të cilin "garantonte" se institucionet e vetëqeverisjes nuk do të mund të vendosin për statusin final politik të Kosovës. Madje, si për të përforcuar këtë "garanci", për herë të parë në dokumentet ndërkombëtare të pasluftës që kanë të bëjnë me Kosovën përmendet edhe Serbia, ndërsa deri tash përmendej vetëm Jugosllavia e mbetur. Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës (sikundër edhe ata të Serbisë) e kundërshtojnë ashpër çdo mundësi të pavarësimit të Kosovës, të cilën ata vazhdojnë ta shohin si "pjese integrale të Serbisë dhe Jugosllavisë". Përfaqësuesit e koalicionit "Povratak" (Kthimi), e vetmja forcë politike serbe që mori pjesë në zgjedhje, thanë se në rast që shqiptarët shpallin pavarësinë në ndonjërën nga sesionet e parlamentit të Kosovës, ata do të shpallin "autonominë nacionale serbe dhe parlamentin e tyre". Përfaqësuesit e Kuvendit Nacional Serb në veri të qytetit të ndarë të Mitrovicës, të cilët e kanë kundërshtuar pjesëmarrjen në zgjedhjet e përgjithshme, thanë se "dalja në votime vetëm sa do ta legjitimonte procesin e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar", ndërsa akuzuan rivalët e tyre për "pjesëmarrje në legjitimimin e këtij procesi".
Megjithatë, pavarësia duket se do të jetë fjala më e shpeshtë në Parlamentin e Kosovës e përmendur nga të dyja palët. Shqiptarët së bashku me partitë politike të pakicave kombëtare joserbe kanë pohuar se do të angazhohen për realizimin e këtij synimi, madje në disa raste është premtuar se kjo çështje do të shtrohet që në "sesionin e parë të parlamentit". Dikujt premtimet e tilla mund t'ia kenë shtuar numrin e votave dhe më këtë edhe "përgjegjësinë" para zgjedhësve. Ndërsa tashmë është e qartë se pavarësia do të vazhdojë të jetë "mollë e ndaluar" në këtë parlament, që gjatë tri vjetëve të ardhshëm zor se do të mund të merret me "shtetësinë" e Kosovës, ndërsa në rast të përpjekjeve të tilla ai lehtë mund të shpërndahet me një urdhër të shefit të administratës së Kombeve të Bashkuara, Hans Haekkerup, i cili është kujdesur që të ruajë kompetencat kryesore për vete. Ndërsa qeveria që do të dalë nga ky parlament nuk I ka resorët që e 'bëjnë shtetin'; ajo është pa ministri të punëve të jashtme, të policisë, të drejtësisë dhe të mbrojtjes. Të gjitha këto punë i kryen Haekkerupi, i cili "Bibël" të veprimtarisë së tij në Kosovë e ka Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Megjithatë, asnjë nga diplomatët e huaj të vendeve më të fuqishme nuk kanë përjashtuar asnjë opsion të zgjidhjes së çështjes së Kosovës, ndërsa në mesin e këtyre opsioneve mbetet edhe pavarësia (e kushtëzuar). Por, çështja e statusit përfundimtar mbetet për "kohë më të mira, kur Kosova do të jetë demokratike, tolerante dhe shumetnike". Pas realizimit të këtij qëllimi, tek atëherë mund të pritet një konferencë ndërkombëtare ku "karrigën" e vet do ta ketë edhe Beogradi. Tash për tash, pohojnë vëzhguesit vendës, politikanëve shqiptarë u mbetet të punojnë për dobësimin e ndikimit të Beogradit dhe pavarësimin e politikanëve lokalë serbë, të cilët vazhdojnë të varen nga ajo që në Serbi quhet "nacionalizëm shtetëror". Kjo do të mund të arrihet vetëm nëpërmjet ofrimit të alternativave të pranueshme për serbët që duhet të binden se Kosova është atdheu i tyre.
Derisa të mos e arrijnë këtë (e kjo duket e largët për shkak të përvojave të hidhura të së kaluarës), politikanët shqiptarë duket se në raport me votuesit e vet duhet të shpresojnë në "mirëkuptimin e tyre", apo në ndihmë do ta kenë përditshmërinë e rëndë kosovare: pa drita, pa ujë, pa ngrohje, pa punë dhe pa pensione. Në shkëmbim të këtyre problemeve elektorati mund të falë "pamundësinë e realizimit të kryeobjektivit politik", që duket se do të mbetet premtim i "fortë" edhe për zgjedhjet e ardhshme.
AIM Prishtinë, Besnik BALA