Kolonat e kujtimit te Vukovarit
AIM Zagreb, 19.11.2001
Në Vukovar u shënua dhjetëvjetori i rënies së qytetit, i cili për shumë shkaqe është bërë kult i vuajtjeve të luftës së fillimit të viteve të nëntëdhjeta. Mirëpo përsëri u vërtetua se këtë kult secili e kultivon në mënyrën e vet, se Kroatët, në të vërtetë, e paraqesin si Guernicë kroate, kurse Serbët si Guernicë serbe.
Te asnjëra palë ende nuk është formësuar niveli i vetëdijes kritike se Vukovari është edhe njëri edhe tjetri - qytet i vuajtjeve kroate dhe serbe. Përkundrazi, kohëve të fundit gjërat më shumë shkojnë mbrapshtë se sa përpara dhe kjo, në radhë të parë, për shkak të radikalizimit të qëndrimeve politike të HDZ-së, të cilët në këtë qytet bashkë me disa parti të tjera të djathta kroate kanë në dorë pushtetin, derisa partitë serbe për herë të parë janë lënë jasht koalicionit të qytetit. Tani ky model i përjashtimit dhe amputimit - që nuk është zbatuar as edhe në kohën e Tugjmanit, i cili këtë qëllimisht e kishte ndaluar që të mos kishte kokëçarje me bashkësinë ndërkombëtare - u manifestua edhe në përvjetorin vukovaras të tragjedisë së luftës së këtij qyteti.
Kryetari i Vukovarit, Vlladimir Shtengl, refuzoi ofertën e përfaqësuesve serbë që t'i bashkangjiten shënimit të këtij përvjetori dhe këtë e bëri me fjalë të cilat në asnjë mënyrë nuk meritojnë notë kaluese sa i përket tolerancës dhe maturisë. Mendojmë, tha ai, se për përfaqësuesit Serbë atë ditë nuk do të ketë vend në mesin e pjesëmarrësve të programit dhe ata nuk do të ketë çfarë të kërkojnë në mesin tonë. Në të vërtetë këtë ai e mohoi në deklaratën të cilën e publikoi "Jutarnji list" ku vërteton se askush nga pala serbe nuk ka shprehur dëshirë të tillë. Por, në pjesën tjetër të deklaratës fare qartë vërteton se Serbët nuk do t'i kishte dëshiruar për bashkëorganizatorë të këtij përvjetori. Ndërkaq ai ka thënë se nuk ka asgjë kundër asaj që edhe ata t'u bashkohen bashkëqytetarëve kroatë të Kolonës përkujtimore dhe se këtë askush nga pala kroate nuk mendon "t'ua ndalojë".
Krahas kësaj, kësaj radhe sërish po përsëritet epizoda e ftohtë e përvjetorit të vitit të kaluar, kur oferta serbe për të marrë pjesë në manifestimin memorial të Vukovarit poashtu u refuzua. Përgjegja nga pala serbe tani rezultoi në shenjë reciprociteti, gjegjësisht lideri i Serbëve të Vukovarit dhe njeriu i parë i SDSS-it, Vojisllav Stanimiroviq, deklaroi se nga ana e "nikoqirëve" si edhe gjatë viteve të kaluara kishin qenë të paftuar, kështu që edhe këta tani nuk i kanë ftuar, prandaj përshpirtjet kanë vendosur t'i mbajnë vetë. Kjo nuk është mirë, pranon ai, por shihet qartë se ky trend po vazhdon dhe tani ende nuk mund të ndryshohet.
Me refuzimin e tij të ftohtë Shtengl-i në të vërtetë ka vepruar si kryetar i kohës së luftës, si dikush që do të kishte dashur të reprizonte atmosferën e ngjarjeve të para dhjetë vjetëve, por, ç'është e vërteta, vetëm në mënyrë simbolike, pa pushkë pra dhe pa bajoneta. Prandaj dhe për këtë shkak kjo simbolikë është kaq transparente sa që aspak nuk lejon vend për dilema se çfarë porosie dëshirohet të dërgohet me anë të saj. Njëri nga manifestimet qendrore të përvjetorit vukovaras ishte marshimi në heshtje nëpër rrugët e Vukovarit, nëpër ato rrugë të cilat mbajnë emra sa patetikë aq edhe të pabesueshme historike si Krizhni put dhe Kolona e kujtimeve. Njëfarë prove gjenerale e këtyre kalimeve u bë disa ditë më heret, kur nëpër Vukovar kaluan procesionet ushtarake dhe policore. Pala serbe nuk mund t'i përjetonte ato në ndonjë mënyrë tjetër, përveç se si një lloj marshimi.
Në krahasimin shumë të suksesshëm të cilin e bëri "Novi list" i Rijekës këto parakalime u krahasuan me marshet protestuese në Irlandën e Veriut, nëpërmjet të të cilave tani më disa dekada thellohet vija e ndarjes midis protestanëve dhe katolikëve. Në rastin kroat kjo ka fituar edhe dimensionin plotësues nëpërmjet të të cilit e tërë kjo groteskë -_ nuk duhet harruar se lufta serbo-kroate filloi për shkak të separatizmit serb, kështu që tani një separatizëm të njëjtë manifeston pala kroate - është groteskë e cila, më në fund, është planifikuar si demostrim i mospajtimit me Zagrebin zyrtar.
Në përvjetorin e dhjetë të fatkeqësisë së Vukovarit nuk u ftua, në të vërtetë, as Qeveria, gjegjësisht kryeministri Ivica Raçan, as kryetari i Republikës, gjë e cila u tejkalua me anë të trikut banal të shpalljes së ftesës publike drejtuar të gjithë qytetarëve nëpërmjet shpalljes gazetareske, dhe jo duke i ftuar me emër edhe përfaqësuesit e pushtetit shtetror të vendit. Megjithatë, përfaqësuesit e paftuar të pushtetit më të lartë shtetrorë erdhën dhe u paraqitën në Vukovar, kurse Mesiqi, në pyetjen që iu bë në intervistë, deklaroi se atij nuk i nevoitej kurrfarë ftese, sepse qytetarët e Kroacisë e kanë zgjedhur që si kryetar të ketë mundësi të shkojë në cilën do pjesë të saj kur të dëshirojë.
Edhe pse nuk u paralajmërua, me gjasë kjo ishte cytja që më në fund në Vukovar të drejtohej delegacioni më i lartë shtetror, në të cilin krahas Mesiqit ishin edhe kryeministri i Qeverisë, Ivica Raçan si dhe kryetari i Kuvendit, Zllatko Tomiq. Mbase ky ishte rasti i parë që tre përfaqësuesit më të lartë shtetrorë të pushtetit kroat, raportet midis të cilëve ka kohë që nuk janë aq idilike, të vendosin që me vullnetin e tyre të demostrojnë se rreth një çështjeje të caktuar - i fryejnë të njëjtit fyell. Sidoqoftë nuk r duruan dot provokimin e qartë të Shtengl-it të sipërpërmendur, i cili vetëm disa ditë më parë u drejtoi porosinë "atë ditë le të na lënë të qetë."
Në një situatë të këtillë, deklarata e këshilltarit të Mesiqit për politikë të brendshme, Igor Dekaniq, se në Kabinetin e kryetarit parashihet mundësia për incidente dhe se kryetari do të dijë si t'u përgjigjet, nuk ishte e papritur dhe e befasishme. Mesiqit, në të vërtetë, në raste të këtilla edhe më parë i ka ndodhur që t'i fishkëllojnë ose t'i thërrasin në skenë të hapur ( shënimi i përvjetorit të një aradhe të Ushtrisë Kroate gjatë kësaj pranvere në Split), kështu që anuloi shkuarjen në kremtimin e ngjashëm të mbajtur më vonë në Shibenik.
Në Vukovar Mesiqit poashtu i fishkëlluan, sepse fakti i mjegullës u shfrytëzua si arësyetim për vonesën e fillimit të manifestimit të Vukovarit. Megjithatë ky ishte një incident i përmbajtur, sepse disa ditë para kësaj ishte paralajmëruar se në tubimin e Vukovarit do të ketë sigurim nga forca të mëdha policore. Në njëfarë mënyre ajo ditë ishte e jashtëzakonshme, sepse në qytetin i cili edhe tani në kohë paqe është i ndarë, mbretërojnë marrëdhënie të ftohura ndëretnike dhe ndonjëherë gjendja është dukshëm e nderë.
Në Vukovar sot jetojnë numër përafërsisht i barabartë Kroatësh (afër njëmbëdhjetë mijë) dhe Serbësh (afër dymbëdhjetë mijë), dhe nëse për diçka ende janë të afërt, kjo mbase është ana e vetme e barazimit sepse si të parët edhe të dytët janë - keq. Rindërtimi i qytetit bëhet mjaft ngadalë dhe zhvillohet kryesisht nëpërmjet ripërtrirjes së shtëpive, kurse sa i përket rikonstruimit të kapaciteteve industriale dhe kapaciteteve të tjera ekonomike punët lëvizin mjaft rëndë.
Përshkrimet më të zymta të gjendjes në Vukovar sot sillen rreth asaj se Kroatët e ikur dhe të përzënë nuk po kthehen, kurse Serbet - po shkojnë. Të tjerët, ata që këtë qytet e kanë zgjedhur si fat të jetës, vazhdojnë të jetojnë në botra të ndara - në shkolla dhe foshnjore të ndara - gjë që, sipas disa dëshmive, arrin deri atje sa që dihet i cilit etnitet është pronari sipas tagrave të regjistrimit të automobilave ( sipas shkronjave të fundit të tagrës).
MARINKO ÇULIQ