Koalicioni “Kthimi” – përçarjet ndër serbët e Kosovës
Prishtinë, 16.11.2001.
"Jam shumë i kënaqur me fushatën parazgjedhore, e cila ishte e një niveli evropian, por nga ana tjetër më vjen keq që koalicioni i vetëm që përfaqëson serbët e Kosovës, koalicioni "Kthimi", ka mundur të bëjë vetëm 12 ditë fushatë", ka thënë një ditë para ditës së votimeve për parlamentin e Kosovës, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Daan Everts, njëri nga më të merituarit në përpjekjet për të bindur Beogradin që të përkrahë pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. Ambasadori Everts e ka vlerësuar lart fushatën dhe para së gjithash ka menduar për qetësinë që karakterizoi fushatën 45 ditëshe në Kosovë. Ndryshe, që në fillim, ambasadori Everts, por edhe shefi i misionit civil të Kombeve të Bashkuara, Hans Haekkerup, si edhe shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, ambasadori John Menzies, i patën porositur liderët politikë të Kosovës që në programet e tyre nuk do të ishte mirë të flisnin për statusin politik të Kosovës, pasi "këto zgjedhje nuk kanë për qëllim të përcaktojnë statusin final", ashtu siç institucionet që do të dalin nga zgjedhjet e përgjithshme nuk kanë të drejtë të ndryshojnë gjendjen e tashme në kuptim të përcaktimit të statusit politik.
Megjithatë, përderisa partitë politike shqiptare gjatë 45 ditëve nuk kanë pushuar së vëni pavarësinë në krye të programeve të tyre, koalicioni i vetëm i serbëve, lista e kandidatëve të të cilit është verifikuar madje në ditën e fundit të fushatës, më 15 nëntor, ka thënë se pjesëmarrja në zgjedhje dhe dokumenti i nënshkruar në Beograd nga Haekkerup e Çoviq, si bazë e pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje, është në fakt kthimi i kompetencave të Serbisë dhe të Jugosllavisë mbi Kosovën, tash e më shumë se dy vjet të administruar nga një mision i Kombeve të Bashkuara.
Kështu, zëvendëskryeministri i Serbisë, Nebojsha Çoviq, anëtarja e KPA-së, Rada Trajkoviq, dhe dy liderët e moderuar të serbëve, Rangjell Nojkiq e Oliver Ivanoviq, u thanë pjesëmarrësve në tubimet parazgjedhore të koalicionit "Kthimi" se Serbia tashmë ishte kthyer në Kosovë dhe se me angazhimin e tyre do ta përshpejtonin implementimin e Rezolutës 1244, në kuptim të kthimit të ushtrisë jugosllave dhe të një pjese të policies serbe në Kosovë. Mirëpo, këta liderë të serbëve gati se nuk patën kujt t'i drejtohen, pasi u ndeshën me një reaksion të fuqishëm të grupeve më radikale të serbëve, të afërt me partinë socialiste dhe me radikalët e Vojisllav Sheshelit, që penguan një varg tubimesh parazgjedhore, jo vetëm në pjesën veriore të Kosovës, që njihet si bastion i fundit i nacionalistëve serbë, por madje edhe në disa enklava në Kosovën qendrore, ku llogaritej se do të kalonin relativisht mirë. Tubimi i parë parazgjedhor i koalicionit "Kthimi" në një fshat afër Obiliqit, ku merrte pjesë edhe zëvendëskryeministri i Serbisë, Nebojsha Çoviq, u shndërrua në një duel fillimisht verbal, që kaloi në grushtime e fyerje ndërmjet përkrahësve të daljes së serbëve në zgjedhje dhe të atyre që këta të parët i quanin tradhtarë të interesave kombëtare të serbëve. Dhe, menjëherë të nesërmen, ekstremistët penguan një tubim parazgjedhor të këtij koalicioni në Llaplesellë dhe në Graçanicë. Përderisa në Llaplesellë kandidatët, atëherë ende të paverifikuar të koalicionit "Kthimi", u pritën me fyerje dhe u përzunë nga fshati, në Graçanicë ata u ndeshën me roje të sallës ku qe paralajmëruar tubimi dhe u penguan të hyjnë brenda. Rrëfim më vete ishin pllakatet me mallkimin serb nga viti 1389, i përshtatur për kohën e tashme, ku thuhej: "Kush është serb nga soji serb dhe del në zgjedhjet e shqiptarëve, mos i shkoftë asgjë për dore, mos i dhashtë zoti verë as grurë, djalë as vajzë mos i lindtë!"
Në një situatë të tillë të acarimit të skajshëm, liderët e koalicionit “Kthimi” u detyruan të kërkojnë terrene më të "buta", si në fshatin Grackë të Lipjanit, një fshat serbësh i rrethuar nga fshatra shqiptare, ku më 1999, pas përfundimit të luftës, qenë vrarë 14 civilë serbë, dhe kjo ngjarje tragjike u shfrytëzua nga liderët e koalicionit “Kthimi” për t'u premtuar pjesëmarrësve në tubimin nën masa të jashtëzakonshme sigurie se një gjë e tillë nuk do të ndodhë më, pasi ky është fillimi i kthimit të Serbisë në Kosovë. Më pas, koalicioni me emrin simbolik "Kthimi", mbajti një tubim të madh në Leposaviqin verior, ku edhe vitin e kaluar pati përpjekje të disa serbëve për të votuar për zgjedhjet lokale, mirëpo ata persona qenë penguar në mënyrën më brutale nga esktremistët. Përderisa tubimi në Leposaviq nuk kaloi keq dhe liderët e koalicionit ishin të kënaqur, në Zveçan, në ditën e parafundit të fushatës, ata u përballën me një shpërthim të fuqishëm eksplozivi në afërsi të ndërtesës së komunës, pikërisht në kohën kur po mbahej tubimi. Për këtë arsye dhe për shkak të kërëcënimeve nga grupet ekstremiste të Millan Ivanoviqit, kryetar i Këshillit Nacional të Serbëve të Veriut, koalicioni “Kthimi” e anuloi një tubim të paralajmëruar në Mitrovicën veriore për përmbylljen e fushatës.
Në këtë mënyrë, fushata parazgjedhore e koalicionit "Kthimi" është shndërruar në një arenë përleshjesh të serbëve që kundërshtojnë realitetin e ri në Kosovë dhe të atyre që këtë realitet e njohin, por që, siç thanë, duan ta ndryshojnë atë. Dhe, dalja në zgjedhje është në këtë funksion. Liderët e koalicionit disa herë në tubimet e tyre parazgjedhore kanë përsëritur një paragraf të dokumentit të Beogradit nënshkruar nga Haekkerup e Çoviq, ku thuhet se parlamenti i Kosovës nuk ka të drejtë të shpallë pavarësinë e Kosovës, duke e komentuar këtë si mbetje të Kosovës në kuadër të Jugosllavisë dhe të Serbisë. Mirëpo, ashtu si liderët shqiptarë që e harruan këtë paragraf, liderët serbë e harruan paragrafin tjetër që garanton mosndryshimin e Rezolutës 1244 dhe faktin se këto zgjedhje janë krejtësisht neutrale sa i përket statusit final të Kosovës, siç ka deklaruar edhe shefi i UNMIK-ut, Hans Haekkerup.
Fushata e koalicionit “Kthimi”, në këtë mënyrë i ka ndarë serbët në patriotë dhe tradhtarë dhe kjo do të zgjasë derisa të fillojë punën parlamenti i Kosovës, ku analistë skeptikë kanë shprehur dyshimin se serbët mund të luajnë një rol destruktiv të bllokimit të punëve të parlamentit. Ambasadori Daan Everts, shef i misionit të OSBE-së, ka thënë se serbët nuk do ta obstruojnë punën e parlamentit, ndërsa i pyetur nëse kishte indikacione se ata synojnë ta bëjnë një gjë të tillë, Everts tha se nuk besonte, pasi ata kanë shumë beneficione, që u garantojnë pjesëmarrje më të amdhe se vetë përqindja dhe pjesëmarrja e tyre në popullatën e përgjithshme të Kosovës, përmes vendeve të rezervuara në parlament dhe për faktin se pjesëmarrja lojale është në të mirën e tyre dhe në të mirë të Kosovës.
Nga ana tjetër, përderisa përfaqësuesit e komunitetit më të madh kombëtar në Kosovë (pas shumicës shqiptare), serbëve, kanë bërë premtime për kthimin e Kosovës në Serbi, përfaqësuesit e komuniteteve të tjera kombëtare, para së gjithash boshnjakët dhe romët, janë orientuar theksueshëm dhe fuqishëm drejt pavarësisë së Kosovës, ndërsa që komuniteti turk ka qenë më i përmbajtur dhe përfaqësuesit e tij janë fokusuar më shumë tek interesat ekonomike dhe te sigurimi i të drejtës së gjuhës së tyre, pasi tashmë e konsiderojnë veten si një pakicë të rrezikuar nga boshnjakët më të shumtë. Në një tubim të njërës nga partitë turke, madje, qe thënë se "ne jemi nipërit e Sulltanëve të Turqisë", dhe kjo ka indinjuar në masë të madhe komunitetin shumicë, shqiptarët e Kosovës, të cilët e kanë parë këtë si një përpjekje të turqve për paraqitje superiore dhe si përpjekje për kthimin e armiqësive të vjetra nga ky komunitet, që vitin e kaluar në masë të madhe i ka bojkotuar zgjedhjet lokale.
Ndërkaq, komuniteti boshnjak në programet orientuese është angazhuar për pavarësinë e Kosovës dhe premtimet e tyre për elektoratin në këtë aspekt me asgjë nuk kanë ndryshuar nga premtimet e partive shqiptare, pos që kanë theksuar angazhimin ppër ruajtjen e qenies kombëtare boshnjake në Kosovë. Te dy entitetet boshnjake, koalicioni "Vatan", i z. Numan Baliq, dhe Partia Boshnjake e Aksionit Demokratik e z. Hilmo Kandiq, më shumë janë vërjetur animet pro njërës apo partisë tjetër më të fuqishme shqiptare. Përderisa Baliq qartas ka qenë në anën e PDK-së së z. Hashim Thaçi, zoti Kandiq nuk ka hezituar edhe të prezentojë spote politike i fotografuar në takime të ndryshme me zotin Ibrahim Rugova.
Sidoqoftë, partitë politike të minoriteteve i pret një sprovë e madhe, si në orientimet e tyre në vetë parlamentin e Kosovës, pasi shumica e tyre i kanë vendet e rezervuara tashmë në parlament. Mbetet të shihet nëse do ta përmbushin minimumin e premtimeve të tyre. Dhe minimumi, sipas autoriteteve ndërkombëtare, do të ishte konstruktiviteti dhe fryma e bashkëpunimit në vetë parlamentin e Kosovës dhe në organet vetëqeverisëse të Kosovës. End
AIM Prishtinë, Rrahman PAÇARIZI