Shkalla e varfërisë në Kosovë
Prishtinë, 30.10.2001.
Banka Botërore ka konstatuar se Kosova është vendi më i varfër në Evropë. Edhe pse raporti i saj në shikim të pare nuk e ka tonin dramatik, megjithatë kur ky vend i posadalë nga lufta barazohet me Taxhikistatinin dhe Moldavinë, kaherë të njohur për shkallë të ulët të standardit, atëherë kuptohet i tërë dramaticiteti i kësaj çështjeje. Së paku 50 për qind të qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri, është rezultati i një ankete hulumtuese të udhëhequr nga Banka Botërore në vitin 2000. Nga ky numër, rreth 12 për qind të kosovarëve jetojnë në varfëri të skajshme, qytetarë të cilët nuk kanë mjaft të hyra materiale as për të përmbushur nevojat e tyre për ushqim. Grupi tjetër, respektivisht 38 për qind e kosovarëve, që është konsideruar në raport të BB-së si grupi 'përgjithësisht i varfër', nuk ka para për të shpenzuar për gjëra të tjera, veç atyre për ushqim dhe shërbime komunale, e ndoshta edhe për fatura të energjisë elektrike.
Pa u thelluar në veçoritë shoqërore dhe ekonomike të secilit vend veç e veç, emërues i përbashkët ndërmjet Kosovës, Moldavisë dhe Taxhikistanit është se të tri këto vende kanë qenë më të pazhvilluarat në ish - federatat përkatëse.
Ashtu siç ka qenë Kosova vendi me i varfër në ish-Jugosllavinë, po ashtu edhe këto dy republika kanë qenë skaji i zhvillimit ekonomik në ish-"Perandorinë Sovjetike", të njohur me emrin BRSS.
Rreth 50 për qind e kosovarëve skajshmërisht të varfër kanë qenë persona të zhvendosur nga lufta, apo emigrantë të kthyer në Kosovë, ndërsa kjo shifër arrin në 70 për qind te të varfërit e përgjithshëm, mbështetur në raportin mbi hulumtimin e varfërisë nga BB. Pas kthimit me të mbaruar lufta, shumica e këtyre personave i kanë gjetur shtëpitë e tyre të shkatërruara nga forcat serbe.
Faktorë të tjerë që ndikojnë në këtë shkallë të lartë të varfërisë në Kosovë janë numri i madh i të papunëve, pronësia e vogël mbi tokën dhe mekanizimi i dobët që kanë familjet fshatare për punimin e saj, infrastrukura e dëmtuar, niveli i ulët i shërbimeve mjekësore dhe të arsimit. Shpenzimet e mëdha për shkollim dhe për trajtim mjekësor kanë bërë që mbi 10 për qind e rinisë të jetë analfabete, ndërsa rreth gjysma e kosovarëve të mos i shfrytëzojnë shërbimet mjekësore.
Por, megjithë diagramin më të lartë të varfërisë në krahasim me vendet në rajon, nga ekspertë të ndryshëm, përfshirë edhe vetë ekspertët e BB-së, varfëria në Kosovë nuk është konsideruar si shumë e thellë.
Një kontribut mesatar vjetor prej 400 DM për një person do ta nxirrte një familje të varfër nga niveli i varfërisë, pohon BB. Hendeku midis varfërisë së skajshme dhe nivelit të përgjithshëm të vrfërisë është po ashtu relativisht i vogël, ka të bëjë me 2,5 për qind të mjeteve për sigurimin e ushqimit.
Analiza e varfërisë është kryer në vitin 2000 dhe ajo është një vrojtim statistikor i bërë me 2.880 familje kosovare, kështu që nga atëherë ka patur mundësi të ndodhin disa lëvizje të vogla.
Rezultatet e kësaj analize tregojnë për një nivel më të ulët të varfërisë nga numri i të papunëve në Kosovë. Ndonëse nuk ka një hulumtim të saktë rreth këtij problemi, besohet se mbi 70 për qind të kosovarëve figurojnë si të papunë.
Fakti se një numër i madh i organizatave ndërkombëtare kanë dhënë ndihmë humanitare ka qenë një faktor zbritës i shkallës së varfërisë së skajshme në Kosovë. Mbi 60 për qind e popullatës kishte marrë ndihmë ushqimore, lëndë djegëse dhe veshmbathje nga donatorët gjatë viteve 1999-2000. Sipas raportit të BB mbi nivelin e varfërisë në Kosovë, mbi 20 për qind e familjeve shqiptare kanë marrë ndihmë të huaj në formë të materialit ndërtimor për riparimet apo ndërtimin e shtëpive. Vlera mesatare e kësaj ndihme ka qenë 5825 DM. Po kështu, gjatë dy vjetëve të para të pasluftës, një injeksion i fortë me para u është dhënë familjeve nga anëtarët e tyre që jetojnë në vendet e Evropës Perëndimore.
Pothuajse gjysma e banorëve shqiptarë kanë marrë ndihma në para nga familjarët e tyre jashtë shtetit, si dhe në një masë shumë më të vogël edhe nga brenda kufijve. Dërgesat në para kanë qenë mesatarisht 6.000 DM në vit. Por, në këtë rrafsh dallojnë shumë familjet serbe të cilat kanë marrë vetëm 5 për qind transfere parash të kësaj natyre. Serbët, ndërkaq, kanë marrë më shumë ndihmë publike se shqiptarët.
Nga mesi i vitit të shkuar ndihma ndërkombëtare humanitare ka rënë ngadalë dhe tani thuaja se ka ikur nga kjo pjesë e globit. Po ashtu, vlerësohet se edhe kontributi i "gastarbaiterëve" këtë vit shënon ulje. Derisa në periudhën qershor 1999-2001, vlerësohet të kenë hyrë në Kosovë mbi 1 miliard marka nga kosovarët që punojnë apo janë në ekzil në vendet perëndimore, këtë vit ky fluks i parave të gatshme shënon trende të rënies së vazhdueshme. Edhe pse nuk ka asnjë vlerësim të saktë si për shumën që ka hyrë në Kosovë, ashtu edhe për arsyet e rënies, ekspertët që e përcjellin këtë sferë tash disa vjet thonë se "pas një dekade mbajtjeje të familjeve, edhe atyre u është shterrur qesja".
Në një të ardhme të afërt, duket se pushteti vendor (që do të dalë pas zgjedhjeve të përgjithshme të 17 nëntorit) së bashku me administratën ndërkombëtare (që akoma do ta mbajë përgjegjësinë mbi ekonominë e Kosovës), do të detyrohen të kërkojnë forma të tjera për sigurimin e të hyrave materiale për qytetarët. Orientimi i tyre në të ardhmen do të duhej të jetë hapja e vendeve të reja të punës, joshja e fshatarëve që të merren me bujqësi, si dhe vazhdimi më i mirë i ndihmës sociale. Përdorimi më i madh i tokës së punës do ta pakësonte varfërinë e skajshme për 3 për qind, ndërsa rritja e punësimit për 8 për qind do ta ulte varfërinë e skajshme për më shumë se 10 për qind. Efekti i përgjithshëm i këtyre masave do të rezultonte me një shkallë të përgjithshme varfërie prej 38 për qind. Gjithashtu, vlerësohet se një program i asistencës sociale për ta eliminuar plotësisht varfërinë e skajshme do të kushtonte 34 milionë DM, shumë kjo që korrespondon me 1,3 për qind të bruto prodhimit vendor (BPV) për frymë
AIM Prishtinë, Ibrahim REXHEPI