Çka menduam e çka na doli
Pak gjëra të përbashkëta të qeverisë së reformave tatimore dhe premtimeve parazgjedhore
AIM Sofje, 22.10.2001
Para katër muajsh ekonomistët e rinj nga Lëvizja Nacionale e Simeonit të Dytë (LNSD) premtuan aq shumë një politikë të re tatimore, adekuate për realitetin bashkëkohor. Tani kur Qeveria është në prag të 100 ditëve të qeverisjes, kurse të njëjtit janë pjesë e ekipit për ekonomi të Simeon Sakskoburgotskit, realiteti është krejt ndryshe. Së paku në pjesën që ka të bëjë me biznesin dhe obliguesin individual tatimor.
Premtimet për politikë dinjitoze dhe adekuate tatimore, për nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe zvogëlimin e tatimeve imediate ishin bërë në një të kaluar jo të largët. Duket se idea rreth të ardhurave më të mëdha për subjektet ekonomike që do të nxisnin investimet dhe aktivitetin prodhues, ishte hudhje pluhuri në sytë e votuesve.
Nën presionin të nënshkruhej marrëveshja e re me FMN-në dhe të plotësohej buxheti për vitin 2002, kabineti i Simeon Sakskoburgotskit vendosi përsa i përket tatimit të bëjë atë që e bëri edhe qeveria e Ivan Kostovit. Principi i vizionit për shtigje të gjata u pengua nga kërkesat për buxhetin konkret. Kështu sërish për të ardhmen mbetet zgjedhja: tatim më të lartë apo produktivitetit më të lartë punë dhe forcim të fuqisë blerëse.
Në negociatat me misionin e FMN qeveria e LNSD ka bërë lëshimet e para nga premtimet zgjedhore. Ministri i finansave Milen Velçev , në fillim të negociatave, i mbeti besnik pozitës sipas së cilës do të respektoheshin premtimet që ishin dhënë para votuesve. Pasoi vizita e tij në Uashington, kurse pas kthimit në Sofje hoqi dorë nga të gjitha premtimet parazgjedhore. Ministri Velçev bëri të ditur se aplikimi i tatimit zero si kompenzim për riinvestim do të shtyhej së paku për një vit. Gjatë paraqitjes së parë të kombit Simeoni i Dytë, në funksionin e kryeministrit fillimin e këtij projekti e paralajmëroi për 1 janar të vitit 2002. Megjithatë, misioni i FMN-së që e udhëheq Xherald Shif nuk lëshoi pe dhe nuk lejoi asnjë kompromis.
Nuk u plotësua as premtimi i dytë parazgjedhor - nuk u zhvillua diskutimi publik për reformat e gjëra. Në vend të kësaj zëvendës ministri i finansave Atanas Kacarçev numëroi diku te 50 risi që, thënë më butë, ishin befasuese. Asgjë nga premtimet për politikën adekuate për rritjen ekonomike, nuk u përfshinë në projektin e reformave tatimore. Nuk u paralajmërua as zvogëlimi i tatimeve që të mund të rritej fuqia blerëse e subjekteve ekonomike.
Në vend të kësaj u ofruan mjaft komplikime që jo vetëm nuk sjellin deri tek zmadhimi i të ardhurave të çdo bullgari, por edhe më do të zbrazin xhepin edhe ashtu të zbrazur.
Qarqet e biznesit që përkrahën LNSD, për shkak të ideve reformatore që paraqiti në programin parazgjedhor, tani nuk kanë arsye të jenë të entuziazmuar. Elementet pozitive të politikës së re tatimore për biznes real mund të numërohen me gishtat e një dore. Zvogëlohet tatimi korporativ për firmat profiti i së cilave tejkalon 50.000 leva, gjegjësisht DEM dhe atë nga 28 në 23,5%, që pjesërisht duhet të korrigjojë idenë e dështuar mbi vënien e zero tatimit si kompenzim për riinvestim. Zvogëlohet afati për kthimin e TVSH-së nga katër në tre muaj, por pa iu bashkangjitur bashkangjitur përcaktimet tjera ligjore që deri tani kanë ngadalësuar këtë hap. Hiqet tatimi koorporativ tek letrat tregtare me vlerë kurse tek eksportimi i softuerit lejohet mundësia për shfrytëzimin e kreditit tatimor. Dhe e gjitha vetëm kjo.
Qeveria ka ndërmarë masa radikale kundër kapitalit të vjetër të vendit - për transferet përmes kompanive paguhet tatim prej 25 përqind. "Idea është që një pjesë e parave që harxhohen në zonën e jashtme të ngelin këtu që të mund të shfrytëzohen nga gjithë ata që jetojnë në vendin tonë. Tjetra është vetëm rrjedhje e parave nga një vend", deklaroi zëvendës ministri i finansave Atanas Kacarski.
Përsa i përket biznesit të vogël, vështirë se ai mund të jetë i kënaqur me ndryshimet e fundit tatimore. Pjesa e madhe e tatimit licencor shënon ngritje. Janë rritur edhe taksat për dhënie të lejeve për shitje të alkoolit dhe cigareve. Sipas z. Kaçarski kjo për shkakun se u shfaqën shumë shitore të këtyre mallrave. Nuk kuptohet përse qeveria e konsideron si gjë negative këtë fakt.
As bullgarët tjerë nuk do të hjekin dorë me dëshirë dhe të pyesin për çka t'i harxhojnë paratë që do t'u mbeten pas reformës tatimore. Nëse mbijetojnë dimrin dhe rregullisht paguajnë llogaritë për nxemje dhe rrymë, sipas çmimeve të reja më të shtrenjta, në pranverë do të detyrohen të paguajnë tatim dhe taksë më të lartë edhe për automobilat dhe disa akciza tjera. Gjithashtu është rritur edhe pagesa avanse e TVSH-ja nga 15% në 20%. Parashihet tatim edhe për fitimin nga lotaritë shtetërore dhe prognoza sportive, lojërave të fatit dhe lojërave hazarde.
Pronarët e automobilave në të ardhmen do të paguajnë dy tatime - njëri do të caktohet në varshmëri nga vjetërsia e automobilave (sa më i ri të jetë poaq do të jetë më i madh tatimi) kurse ndaras do të paguhet edhe tatimi i dhromit. Ky vendim paraqet një shkurpamësi të shtetit sepse kështu rritet blerja e automobilave të vjetër. Mbetën pa përgjigje apelet e Lidhjes së importuesve të automobilave që të nxitet blerja e automobilave të rinj, sepse parku automobilistik në Bullgari është i mbushur me automobila të vjetër, sipas përqindjes, rreth 20 vjet, prandaj vendi rrezikon që të shndërrohet në një varr të automobilave të vjetër.
Kompenzimi i pjesërishëm i kësaj barre do të korrigjohet me stopimin e tatimit të të ardhurave por efekti pozitiv i këtyre masave do të jetë minimal, sepse tatimet do të ulen 2 deri 4 përqind.
Pas kësaj pason pyetja logjike: si do të arrihet rritja e zgjeruar ekonomike e proklamuar? Veçmas kur biznesi nuk fitoi stimulime të mjaftueshme. Rritja nuk mund të arrihet edhe përmes rritjes së fuqisë blerëse. Prandaj, në çka dallojnë ekonomistët e rinj, atraktiv të LNSD nga pushtetmbajtësit e deritanishëm?
GEORGI FILIPOV