Kufijtë e pasigurisë
Prishtinë, 28.10.2001.
Banorët e disa fshatrave të Kosovës lindore tash e disa ditë me radhë kanë trokitur në dyert e administratës ndërkombëtare dhe asaj vendore me shpresë se dikush do t'u shpjegojë “vendin ku jetojnë ata”. Nga shtëpitë e tyre që ndodhen përgjatë vijës kufitare me Maqedoninë dhe me Serbinë, ata pohojnë se “shohin lëvizje të çuditshme nëpër tokat dhe oborret e shtëpive”. Forcat serbe, thonë fshatarët, në disa raste kanë hyrë në brendi të territorit të Kosovës, duke pohuar se sipas hartave të reja ato i takojnë Serbisë. Xhemaili Hyseni, nënkryetar i komunës së Gjilanit, thekson se lëvizjet e tilla janë vërejtur posaçërisht pas heqjes së zonës tokësore të sigurisë, ndërsa ato kanë krijuar ndarje të çuditshme të njerëzve dhe pronave të tyre. Lagjja Ajvazi e fshatit Slubicë të komunës së Gjilanit, ta zëmë, “i ka tokat e punës në Kosovë, ndërsa shtëpitë sipas zyrtarëve serbë qenkan në territorin e Serbisë” Xhemaili thotë se kjo është precedencë e llojit të veçantë Forcat serbe pohojnë se lëvizjet e kufirit kanë pasuar një marrëveshje ndërmjet qeverisë së Beogradit dhe asaj të Shkupit mbi vijën kufitare, që sipas zotit Hyseni është një marrëveshje e papranueshme për shqiptarët.
Raste të tilla janë shënuar edhe në komunën e Kamenicës dhe asaj të Vitisë, po ashtu në Kosovën lindore. Banorët e fshatit Karaçevë të komunës së Kamenicës pohojnë se në kufi është parë madje edhe ministri serb i punëve të brendshme, i cili u ka pohuar shoqëruesve të tij nga KFOR-i se “këto janë tokë e jona”, duke shënuar sipas fshatarëve tokat e tyre. Kryetari i Kuvendit të Komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli, i ka shkruar letër KFOR-it duke shfaqur shqetësimet e banorëve dhe duke shpjeguar se në në këtë zonë janë shënuar disa raste të “inkursioneve” të forcave serbe. Ai i shkroi, ndërkaq, edhe administratorit të Kosovës Hans Haekkerup duke kërkuar krijimin e një komisioni në nivel të Këshillit të Përkohshëm Administrativ (një trup i qeverisjes së përbashkët në Kosovë) për shqyrtimin urgjent të kësaj çështjeje. Në letër thuhet se "është e papranueshme hyrja e palës serbe në pjesën e Kosovës, e sidomos në pjesën e rrugës së asfaltuar Novosellë-Karaçevë. Pra, kundërshtojmë praninë e forcave serbe në këtë pjesë kufitare, sepse ajo hartë e ofruar nga pala jugosllave është e falsifikuar". Zoti Surdulli pohon se pala serbe ka prezentuar një hartë të re, të viteve 90, sipas të cilës Serbia dëshiron të ndërhyjë me një "pykë” në mes të fshatit Novosellë dhe Karaçevë, duke këputur një copë të rrugës së asfaltuar dhe parcelat që janë në pronësi private të qytetarëve, tëcilat janë të shënuara edhe në hartat e vitit 1962.
Shqetësime të ngjashme ka paraqitur edhe kryetari i Kuvendit të Komunës së Vitisë, Samet Dalipi, sipas të cilit në fshatrat kufitare me Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë janë shënuar disa raste të shkeljes së kufirit nga forcat e kësaj republike. Posaçërisht rastet e tilla janë shënuar në afërsi të trekëndëshit kufitar ndërmjet Kosovës, Serbisë e Maqedonisë, një vijë kufitare kjo që në gjuhën e ushtarakëve ndërkombëtarë njihet si “këmba e pulës” (chicken leg). Në afërsi të kësaj zonë ushtarët amerikanë të KFOR-it kanë arrestuar e më pastaj ia kanë dorëzuar qeverisë së Shkupit tre ushtarë maqedonas që kishin hyrë në brendi të territorit të Kosovës “për të arrestuar disa fshatarë shqiptarë” që, sipas ushtarëve maqedonas, paskan prerë dru në tokën e tyre!
Autoritetet ndërkombëtare në këtë rajon pohojnë se janë të informuara me ankesat e qytetarëve dhe udhëheqësve vendorë. Mirëpo, ata nuk kanë ndonjë përgjigje konkrete lidhur me këtë çështje. Iftikharr Ali, përgjegjës për informim i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Gjilan, thotë se “vija kufitare në komunën e Vitisë është pjesë e marrëveshjes ndërmjet kryesive të Serbisë dhe Maqedonisë dhe Misioni nuk ishte i përfshirë në këtë çështje”. Ndërkaq, për vijën e kufirit në fshatrat e Gjilanit dhe Kamenicës autoritetet ndërkombëtare nuk kanë njohuri për shkeljen e tyre nga ana e forcave serbe, përveç, siç thotë ai, “regjistrimit të ndonjë rasti të kalimit të disa automjeteve të këtyre forcave gjatë vënies së shenjave të kufirit”. Megjithë pohimet zyrtare, drejtuesit rajonalë të administratës ndërkombëtare kanë kërkuar nga shefi i Misionit, Hans Haekkerup, “që të punohet në përcaktimin e qartë të vijës kufitare, me çka do të shmangej çdo mundësi për shkaktimin e tensioneve në rajon”.
Një marrëveshje e mëhershme ndërmjet Shkupit dhe Beogradit është kundërshtuar ashpër nga përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës. Mirëpo, UNMIK-u nuk ka dhënë ndonjë shpjegim idhur me këtë çështje, ndërsa lidhur me ankesat e qytetarëve të Kosovës lindore, Susan Manuel, zëdhënëse e UNMIK-ut, është përgjigjur shkurt: "Ne nuk dimë për asfarë toke që ka kaluar në duart tjera".
Në zyrën amerikane në Prishtinë pohojnë se kanë kërkuar po ashtu sqarimin e çështjes së kufirit dhe se “qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk ka qenë e përfshirë në këtë çështje”.
“Gurët e kufirit”, megjithatë, duket se kanë lëvizur nga vendi dhe pa pajtimin e kosovarëve dhe (të paktën jo zyrtarisht) pa bekimin e ndërkombëtarëve. Njohësit e të drejtës ndërkombëtare në Kosovë thonë se këtu duhet të zbatohet parimi “uti posidetis” që, sipas tyre, do të thotë që prania ndërkombëtare “duhet ta mbajë atë territor të tillë çfarë e ka marrë nën administrim”. Së këndejmi, ata tërheqin vërejtjen se “çështja e kufijve duhet të ketë pikënisje gjendjen e cila ka ekzistuar kur ka filluar shpërbërja e ish-Jugosllavisë më 1991, ndërsa çdo lëvizje tjetër mund të ketë pasoja të paparashikueshme për rajonin”.
Sidoqoftë, vija kufitare ndërmjet Kosovës e Maqeonisë dhe posaçërisht me Serbinë e Malin e Zi edhe më tej mbetet “e paqartë”. Diskutimet rreth kësaj çështjeje rizgjohen posaçërisht në rastet kur forcat e njërës palë apo tjetrës kalojnë në tokën e tjetrit. Gjashtë pjesëtarë të Shërbimit Policor të Kosovës u arrestuan ditë më parë nga forcat e Ushtrisë Jugosllave nën akuzën se “kishin kaluar kufirin”. Për më shumë se 24 orë ata u mbajtën në arrest dhe u keqtrajtuan fizikisht (njëri prej tyre u shtrua më vonë në spital) derisa zyrtarët ndërkombëtarë nuk siguruan lirimin e tyre. Çështja se ku u arrestuan ata dhe rrethanat e arrestimit vazhdojnë të mbeten të paqarta, ndërsa “vija kufitare” mbetet strumbullari i problemit. Vetëm disa ditë më vonë njësi të Ushtrisë Jugosllave patën disa “inkursione”, madje me makineri të rëndë, brenda kufirit në afërsi të qytetit verior të Podujevës dhe në të gjitha rastet ata u kthyen prapa nga ushtarët e KFOR-it (natyrisht nuk pati as të arrestuar e as të keqtrajtuar).
Megjithëse e vlerësuar si çështje e thellë politike, problemi i kufijve të Kosovë duket se ende “nuk është në rend dite”, të paktën jo për këtë fazë të zhvillimeve në Kosovë. Shqiptarët kërkojnë “ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës”. UNMIK-u dhe KFOR-i vazhdojnë të ngulin këmbë se kjo çështje është e “përcaktuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe si e tillë është e padiskutueshme”. Beogradi pohon se pikërisht në bazë të dokumentave ndërkombëtare “Kosova është pjesë e sovranitetit të tij”, ndërsa qarqe të tjera kufirin verior të Kosovës e shohin në vijën e lumit Ibër, që kalon mespërmes qytetit të Mitrovicës. Në rrethana të tilla, vëzhguesit cinikë thonë se “për ndonjë arë apo livadh të kufirit lindor të Kosovës mbase edhe nuk e vlen të diskutohet!”
Por, kështu nuk mendojnë fshatarët e këtij rajoni që bien e zgjohen me drojën se një ditë vetëm mund të vështrojnë së largu “tokat nën hijen e shtëpive të tyre”
AIM Prishtinë, Besnik BALA