Të drejtat e minoriteteve në Kosovë – më të rrezikuarat në Evropë
AIM, Prishtinë, 26.10.2001.
Ndoshta Kosova edhe për një kohë do të vazhdojë të mbetet vendi i një shfaqjeje të përhershme, ku protagonistët mbeten të njëjtit, vetëmsa ndërrojnë rolet. Në një periudhë dikush është sundues e tjetri viktimë dhe anasjelltas në një periudhë tjetër. Dy vjet e gjysmë pas luftës së Kosovës, shqiptarët nuk janë më “viktimat” e dikurshme, ndonëse emrat e tyre përbëjnë listat më të gjata të viktimave të krimit. Vendin e tyre në imazhin para bashkësisë ndërkombëtare e kanë zënë “sunduesit e tyre të deridjeshëm”. Komuniteti serb (statistikat asnjëherë nuk e thonë me saktësi numrin e tyre, sepse statistikat ose nuk ekzistojnë, ose në të shumtën fabrikohen) vazhdon të jetojë i izoluar në enklavat e rrethuara me tela gjemborë dhe forca të mëdha të KFOR-it dhe policisë së Kombeve të Bashkuara. Të drejtat dhe liritë e tyre tashmë zënë vendin krysor në raportet, analizat e diskutimet e faktorëve ndërkombëtarë dhe atyre vendorë, në të cilat jorrallë, minoritetet tjera (turke, rome, myslimane, gorane etj) harrohen, mbesin nën hije apo edhe preken perciptazi.
Një përmirësim shumë i ngadalshëm i gjendjes së pakicave kombëtare ka ndodhur në Kosovë sipas raportit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Komesariatit të Lartë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara (UNHCR). Në kohën kur Kosova po u afrohet zgjedhjeve të përgjithshme me të cilat do të krijohen strukturat e vetëqeverisjes së përkohshme, raporti i tetë me radhë i këtyre dy organizatave që nga viti 1999 tërheq vërejtjen se zhvillimet demokratike mund të dëmtohen nëse problemet e minoriteteve nuk njihen dhe nuk shtrohen për zgjidhje. "Shkalla e jotolerancës është ende e pranishme në shoqërinë e Kosovës dhe ajo është e papranueshme”, deklaroi shefi i OSBE-së, ambasadori Daan Everts, duke bërë thirrje që “çdonjëri në Kosovë duhet të përpiqet për t'i dhënë fund kësaj jotolerance nëse është i përkushtuar për një të ardhme të çliruar nga padrejtësitë e së kaluarës”. Zyrtarët pohojnë se siguria dhe mungesa e lirisë së lëvizjes vazhdojnë të jenë brenga kryesore e minoriteteve. Shkalla e incidenteve të dhunës ka pësuar rënie gjatë gjashtë muajve të fundit në Kosovë, por situata vazhdon të jetë e brishtë. Puna e policisë dhe sistemit të drejtësisë është shumë e ngadalshme, por megjithatë po shënon rezultate në krijimin e një mjedisi më të sigurt për të gjithë qytetarët. Mungesa e lirisë së lëvizjes lë gjurmë në të gjitha fushat e jetës, që nga arsimi, shëndetësia e deri te shërbimet publike, ka deklaruar ndërkaq shefi i UNHCR - së në Kosovë, Lennart Kotslainen. "Për disa komunitete kjo po shndërrohet në fakt jetësor”, tha ai, për të shtuar se “është thellësisht brengosëse kur njerëzit fillojnë të konsiderojnë normale të mos provojnë të kalojnë përtej 'vijës së kufirit'. E vetmja rrugë drejt përparimit është puna drejt arritjes së qëllimit që çdokush në Kosovë të mund t'i realizojë të drejtat e tij themelore, ka thënë shefi i UNHCR-së.
Karakteristikë e raportit të OSBE-së dhe UNHCR-së, përkatësisht interpretimit të tij nga shefat e këtyre dy organizatave, ishin vlerësimet tepër të kujdesshme të tyre. Sa thuhej se “gjendja është shume e rëndë”, sa vlerësohej se “përparime të rëndësishme janë arritur në vendosjen e dialogut dhe aktiviteteve ndëretnike”, dhe se, sipas ambasadorit Everts, “po hidhen hapa të rëndësishëm drejt normalitetit”. Ndërkaq, kolegu i tij nga UNHCR-ja, Kotslainen e ka përshëndetur fillimin e kthimit të pjesëtarëve të minoriteteve të zhvendosur nga Kosova. Por, në të njëjtën kohë ai konstaton se “ende ka shpëngulje të pjesëtarëvë të minoriteteve të nxitura nga diskriminimi konstant, izolimi dhe dhuna që përshkon jetërat e tyre” Të dyja organizatat kanë rekomanduar një “qasje aktive në përmirësimin e sigurisë, tejkalimin e diskriminimit, nxitjen e dialogut dhe ndërtimin e masave të mirëbesimit”.
Gjendja e të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë në përgjithësi nuk është e mirë, kanë pohuar edhe zyrtarët e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, organizatë vendore me seli në Prishtinë. Kryetari i këtij Këshilli, Pajazit Nushi, pohon se numri i përgjithshëm i krimeve në krahasim me vitin e kaluar nuk ka pësuar pothuajse kurrfarë ndryshimesh. Mirëpo, ndryshimi i vetëm është se numri i krimeve ndëretnike në Kosovë ka pësuar rënie. Gjatë vitit 2000, Këshilli ka regjistruar 99 raste të vrasjeve të pjesëtarëve të pakicave kombëtare, ndërsa në 9 muajt e parë të këtij viti (2001) janë regjistruar 26 raste të tilla, apo nga 47 tentim vrasjesh, sa ishin një vit më parë, këtë vit janë shënuar 27 raste të tilla
Edhe organizatat ndërkombëtare dhe ato vendore pajtohen rreth faktit se, siç thuhet, “zgjidhja e çështjes së qytetit të ndarë të Mitrovicës dhe përgjithësisht Kosovës veriore është çelësi i përmirësimit të raporteve ndëretnike kudo tjetër në Kosovë”. Ndryshe ng ata, zoti Nushi pohon se megjithatë ky nuk është “çelësi i vetëm”. Sipas tij një faktor i ngjashëm me këtë është edhe mënjanimi i enklavave serbe dhe komunikimi i drejtpërdrejtë i të gjithë qytetarëve të Kosovës. Por, hapja e enklavave ende duket e largët. Zyrtarët ndërkombëtarë kërkojnë nga shqiptarët që të ndihmojnë në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të pakicave dhe njëkohësisht miratojnë rregullore pas rregulloreje për mbrojtjen e tyre. Kohë më pare, shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Hans Haekkerup, nënshkroi rregulloren për ndalimin e shitblerjes së pronave ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve të bërë “nën presion”. Afrimi i zgjedhjeve të përgjithshme dhe synimi për të përfshirë serbët në këto zgjedhje hapi edhe shumë çështje të tjera, deri tash “të paprekshme”. UNMIK-u po shqyrton mundësinë e krijimit të njësive të veçanta të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, është duke zhvilluar negociata serioze me zyrtarë të Beogradit për ta lejuar fillimin e punës së një universiteti me mësim në gjuhen serbe, ndërsa të dërguarin e Beogradit, Nebojsha Çoviq, e ka shndërruar në “mysafir” të përditshëm në Kosovë. Një dokument prej 25 faqesh me strategjinë e UNMIK-ut për përmirësimin e “gjendjes së pakicës serbe” është hartuar nga Misioni
Por, ende askush nuk mund të thotë nëse tërë këto përpjekje do të kenë sukses. Shqiptarët kanë reaguar ashpër ndaj disa vendimeve të UNMIK-ut, në të cilat ata nuk kanë marrë pjesë as tërthorazi, duke vlerësuar se po krijohen sisteme paralele dhe po thellohen ndarjet. Ata pohojnë se “të zhveshur nga çdo formë e pushtetit nuk kanë mundur të bëjnë më shumë për mbrojtjen e minoritetit serb, ndërsa thirrjet publike kundër dhunës nuk kanë mundur të ndihmojnë shumë”. ..
Vëzhguesit, ndërkaq, pohojnë se edhe autoritetet ndërkombëtare edhe ato shqiptare kanë dështuar në qasjen e tyre duke u treguar të paaftë në “ofrimin e altrenativave më të qëndrueshme që do të ndihmonin në përfshirjen e komunitit serb në procesin politik”. Por, gjithsesi, një faktor çelës mbetet “ndikimi shumë i fuqishëm i Beogradit mbi serbët e Kosovës”. Sipas tyre, ata janë monedhë kusuritjeje, të cilët “viktimizohen” në funksion të regjimit në Beograd, pavarësisht se kush qëndron në krye të tij. Dhe derisa vazhdon “loja”, gjendja e komunitteit serb do të vazhdojë të jetë pjesë e raporteve të njëpasnjëshme të organizatave ndërkombëtare, ndërsa “viktimizimi i tyre do të jetë një resurs i mirëseardhur për zyrtarët serbë”. Fundja, çdo ndërlidhje e qëndrimeve politike me të drejtat e njeriut të cilitdo komunitet nuk do të mund ta fshehë faktin që Kosova, siç e deklaroi edhe z. Kotslainen, është vendi ku të drejtat e komuniteteve pakicë janë më të rrezikuarat në Evropë.
AIM Prishtinë, Besnik BALA