I erdhi fundi!
Aim, Zagreb, 22.10.2001.
I erdhi fundi! Nën këtë parullë kreu i partive dhe i lidhjeve djathtiste të Kroacisë qëndroi pas tubimit të fundit masovik të shoqatave të veteranëve dhe invalidëve, i cili u mbajt ditën e shtunë në Tregun e Jellaçeviqit, në vetë qendrën më të ngushtë të qytetit të Zagrebit. Sipas logjikës së imponuar nga ato shoqata, ajo nga më kryesoret dhe ndoshta më kryesorja dhe më rëndësishmja për këto tubime është numri i demostrantëve, domethënë numri i njerëzve të tubuar. Por sa i përket kësaj ky tubim i të djathtës ka dështuar plotësisht dhe ndoshta nuk ka mundur të afrojë as një të pestën e demostrantëve të rivierës pranverore së Splitit, e cila muaj me radhë shërbeu si mostër-amzë edhe për këto tubime greviste.
Sipas vlerësimit zyrtar të policisë së Zagrebit, në Zagreb nga të gjitha
anët e Kroacisë memzi janë mbledhur nja shtatë mijë vetë, numër që, sëbashku me ata që janë bashkuar në qytetin e Zagrebit, nuk ka arritur të bëhet më shumë se 12-15 mijë njerëz. Disa raportues të huaj këtë numër e zvogluan madje në "disa" mijë, kurse disa të tjerë nga mediat e pavarura të vendit këtë numër e kanë rritur në 20-30 mijë. Por, këto vlerësime madje edhe në pikat më të larta bien shumë më poshtë paralajmërimeve të organizatorëve, të cilët krenoheshin me shifrën prej njëqind mijë pjesëmarrësve, kurse në disa dalldisje tejet të fryra paradohej me numrin prej gjysëm milion njerëz.
Organizatori, pas përfundimit të grevës, duke bërë përpjekje të pasuksesshme që t'i shpëtojë turpit, u paraqit me vlerësimin se në Zagreb ishin tubuar nja 70 mijë njerëz. Por kjo gënjeshtër atë e zhyti edhe më thellë në llomin e humbësit. Derisa në këtë mënyrë gënjen për gjëra fare të qarta, dihet se do të humbas ende më shumë në lidhje me vërtetësinë e qëndrimeve të tij politike, e cila edhe ashtu është mjaft e hollë, gjë që vlerësohet si shkak kryesor i mossuksesit të revolucionit kombëtar të filluar në pranverë. Ky dështim, përveç tjerave, erdhi pas pranimit të vetë organizatorëve (Mirko Çondiq, shef i të ashtuquajturit Strumbullari kombëtar për mbrojtjen e dinjitetit të Luftës Atdhetare), se ky tubim do të ishte vendimtar për tubimet e ardhshme veterano-invalidore dhe se në rast mossuksesi, ai, Çondiq-i, do të mbante përgjegjësi për konsekuencat; do të jepte, pra, dorëheqje.
Në këtë mënyrë organizatorët u gjetën në pozitë ende më të paqartë, sepse tani e tutje opinionit nuk do t'i interesojë aq shumë ajo që ata flasin, por në thjerrëz do të jenë ata vetë, kështuqë tani më po shtrohet pyetja - cilit në të vërtetë i ka ardhur fundi?! Tubimi i Zagrebit u organizua pas kërkesave që të shpallej referendum nëpërmjet të të cilit do të suspendoheshin marrëdhëniet me Gjyqin e Hagës ( të akuzuarit për krimet e luftës do të kishin trajtim të njëjtë sikurse partizanët pas Luftës së Dytë Botërore, që do të thotë do të shpëtonin me abolacion), por kësaj kërkese në çastin e fundit iu shtua edhe kërkesa që të lirohet nga ndjekja gjenerali i pensionuar, Ante Gotovina, i cili fshihet nga policia kroate prej në pranverë).
Është e qartë se Qeveria Raçan- Mesiq me pranimin e kërkesave të tilla vetë do të amputohej nga skena politike, sepse para bashkësisë ndërkombëtare, por edhe para pjesës më të madhe të qytetarëve kroatë të cilët i dhanë votëbesimin do të humbte çdo legjitimitet. Për Çondiq-in dhe disa të tjerë as edhe kjo nuk ishte e mjaftueshme; këta shpallën si qëllim të tubimit të Zagrebit se qeverinë "me të gjitha mjetet" do ta detyronin që të pranonte kërkesat e tyre, gjë që do të thotë se ata po shkonin në Zagreb, në mënyrë figurative ose jo, pas kokave të tyre. Prandaj zgjodhën parullën " I ka ardhur fundi" dhe me këtë ditë me radhë para mbajtjes së demostratave vërshuan me bollëk tërë qytetin e Zagrebit.
Por, pas debaklit të tubimit qendror të Zagrebit kjo parullë u kthye kundër vetë organizatorëve, sepse tani u imponua bindja se fundi u kishte ardhur vetë atyreve dhe tërë revolucionit të cilin në pranverë e ngritën me aq
zhurmë. Tani mund të pritet që ato dëshira të dështuara të shndërrohen konflikt të brendshëm të vetë shoqatave veterano-invalidore, ndërmjet të cilave edhe më parë ka patur dallime të mëdha, por më vonë edhe ndërmjet të gjitha partive djathtiste në mesin e të cilave pas një dileme të dukshme u ndodh edhe HDZ-ja.
Mund të pritet poashtu që në shënjestër të gjendet apeli i Çondiq-it drejtuar protestuesve që ata të përmbahen nga mbajtja e deritanishme e shenjave të njohura ustashe, sepse dikush do të thotë se me to është topitur mprehtësia e protestës, gjegjësisht kokëulja qyqare përballë atyreve pas të cilëve kishin ardhur në Zagreb. Nga ana tjetër, në shënjestër do të vihet poashtu pothuaj tërë strategjia e përgjithshme e këtij revolucioni marshues, të cilin pjesa gjithnjë më e madhe e qytetarëve e përjeton si marrëzi të pamenduar të veteranëve dhe të invalidëve të mbuluar me privilegje materiale. Gjithnjë më qartë po shihet se ata po mbrojnë privilegjet e veta materiale, pa marrë parasysh atë se- pikërisht nga i njëjti shkak - gjendja sociale e pjesës tjetër të popullit është gjithnjë më e keqe.
Në lidhje me atë që u theksua më sipër edhe ikonografia proustashe e këtyre tubimeve, e cila për një pjesë të qytetartëve të frustruar nga gjendja e keqe ekonomike në fillim mund të kishte pamje tërheqëse të rebelimit, tani është bërë kontraproduktive. Pa dyshim këtu qëndron edhe shkaku kryesor që edhe HDZ-ja, kryetari i sëcilës ,Sanader, në Split hypi në skenë me aq mburrje dhe mbajti fjalimin e zjarrtë, tani fare pa vullnet përkrah reprizën e zbehur të shfaqjes së Zagrebit, duke shprehur bindjen se ai balon i shpuar tani më nuk vlen të fryhet.
Krahas kësaj HDZ-ja, më drejtë frakcioni i saj i Sanader-it ( përkundër atij të Pashaleviq-it i cili mban marrëdhënie të ngushta me shoqatat veterano-invalidore) në këtë mënyrë shkon në përqafim të krijimit të blokut të partive konzervative kroate. Në këtë blok, sipas rrethanave të tanishme, do të kishin hyrë HDZ-ja dhe Qendra Demokratike e Mate Graniq-it, e krijuar pas ndarjes nga HDZ-ja, kurse në plan të dytë pritet bashkangjitja e Partisë Social-liberale Kroate, por vetëm nëse në krye të saj sërish vjen Drazhen Budisha, pastaj Partia Fshatare Kroate, e cila ende është në bashkëpunim të fortë me koalicionin aktual të pesë partive që ndodhen në pushtet. Lidhur me këtë koalicion, ka plot njëzet ditë që nëpër koluare po bëhen shpekulime intenzive, kurse të dielën u publikua edhe intervista e parë e Mate Graniq-it, në të cilën publikisht pranohen planet e tilla. Graniq-i mundësinë që blokut konzervator menjëherë t'i bashkohen HDZ-ja, DC-ja dhe HSLS-ja e pranon si fare reale, kurse për HSS-në thot se kreu i saj ende po mendohet, por që anëtarët e saj me kohë janë përcvaktuar për një bashkim të tillë partiak. Në rast se këtij bloku i bashkohen të katër partitë e sipërpërmendura, është e ditur se ai me siguri do të fitonte zgjedhjet, për të cilat Graniq thot se do të jenë të jashtëzakonshme, por se shanse të mëdha për fitore bloku në fjalë do të ketë edhe pa HSS-në.
Graniq, ndërkaq, parashtron edhe një parakusht për formimin e boshtit HDZ - HSLS - DC, i cili është që HDZ-ja të çlirohet nga krahu ekstrem, kusht të cilin tri partive në fjalë ua rekomandojnë edhe kolegët e partive konzervative të Evropës.Sipas të gjitha gjasave kjo do të thotë që të kërkohet nga HDZ-ja që sa më shpejt të tërhiqet nga lëvizjet masovike të
rrugës si ato të llojit zagrebas, gjë e cila është lehtë të rekomandohet por jo edhe të realizohet.
E djathta ekstreme si i duket Graniq-it nuk është vetëm njera nga përbërëset periferike të HDZ-së por vetë shtylla kurrizore e saj, gjë që vërtetohet edhe nëpërmjet të faktit se Pashaliq-i me këmbëngulje mban pozitën në parti dhe që në kohën e fundit madje po e forcon ende më shumë, edhe pse kinse dëshiron të largohet prej saj, deri sa në opinion njihet si njëri nga politikanët më të urrejtur të HDZ-së. Pashaliq-i tani ,sidoqoftë, në tubimin e fundit zagrebas përjetoi humbje, njërin nga mossukseset e një vargu mossuksesesh të ngjashme, gjë që me siguri partisë do t'i shërbejë si shkak për sulme të reja ndaj tij. Qëllimi i tyre do të ishte që, në vend të lidhjes së HDZ-së me partitë dhe shoqatat djathtiste që dëshiron, vetë ai të futet në gjirin e tyre.
MARINKO ÇULIQ