Pas zgjedhjeve – institucione me kompetenca të kufizuara

Pristina Oct 24, 2001

Prishtinë, 8.10.2001.

Zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin e Kosovës, të cilat partitë politike i quajnë shpesh zgjedhje nacionale, ndërsa përfaqësuesit ndërkombëtarë i propagojnë si zgjedhje pas të cilave pushteti i tyre do të bartet gradualisht te strukturat e pushtetit lokal, nuk do të ofrojnë asgjë më shumë se një autonomi substanciale. Kjo është “garantuar” edhe me aprovimin e Kornizës Kushtetuese për Vetadministrimin e përkohshëm në Kosovë, më 15 maj të këtij viti.

Pas 17 nëntorit, datë e mbajtjes së zgjedhjeve, Kosova do ta ketë parlamentin, kryetarin, kryeministrin dhe nëntë ministri, të cilët do t'i përfaqësojnë të gjitha institucionet legjislative dhe ekzekutive. Mënyra e funksionimit të këtyre organeve, duke përfshirë edhe kkompetencat dhe kufizimet e tyre, është përcaktuar me rregulloren më të fundit të shefit të Misionit Civil të OKB-së në Kosovë, Hans Haekkerupit. Me aprovimin e kësaj rregullore, z. Haekkerup sikur ka dashur që edhe një herë t'ua bëjë me dije liderëve shqiptarë dhe përfaqësueses serbe në Këshillin e Përkohshëm Administrativ se ai është instanca kryesore në Kosovë dhe që do të mbetet edhe më tej e tillë.

Që një kohë më të gjatë ndjehet një pakënaqësi e përgjithshme me mënyrën e funksionimit dhe, përgjithësisht, me mandatin e anëtarëve të Këshillit të Përkohshëm Administrativ dhe atij Transitor të Kosovës. Në të vërtetë, të shumtë janë ata që konsiderojnë se shefi i Misionit Civil në Kosovë e ka shndërruar Këshillin Administrativ në një organ këshillëdhënës, çfarë është dashur të jetë Këshilli Transitor i Kosovës, përderisa këta të parët është dashur t'i verifikojnë ose refuzojnë propozimet e të dytëve. Është i thadruar edhe mendimi në opinion se anëtarët e Këshillit Transitor (i cili një kohë krahasohej me një lloj parlamenti), respektivisht përfaqësuesit e partive politike, orgamizatave dhe individët e të gjitha nacionaliteteve i shfrytëzonin takimet e përjavshme për “shprehjen e frustrimeve personale”...

Duke e vështruar problemin nga ky aspekt, analistët politikë kanë vënë re se mungesa e ministrive “kryesore” në Qeverinë e ardhshme të Kosovës dhe autoriteti i pakufizuar i shefit të Misionit Civil do të kenë për pasojë përsëritjen e “qeverisjes” paraprake të institucioneve qendrore të pushtetit. Në të vërtetë, nuk është larg realitetit që parlamenti i ardhshëm, kryetari, kryeministri dhe ministrat të jen përsëri një lloj dekori, pra inferiorë – si edhe bashkëdrejtuesit e departamenteve, të cilat deri në fillim të fushatës elektorale funksiononin në kuadër të strukturave të përbashkëta administrative.

Një përfaqësues i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës, të dalë nga ish-UÇK, Fatmir Limaj, më 3 tetor, kur edhe i ka përfunduar punimet Këshilli Transitor i Kosovës (dhe ka filluar fushata paraelektorale), ka deklaruar: “Dëshirojmë që Parlmenti i Kosovës të mos i përngjajë me asgjë këtij Këshilli, jo për arsye se ne nuk jemi angazhuar, por për faktin se këtu askush nuk i ka marrë në konsideratë këshillat dhe vërejtjet tona”...

Po, si do të duket Qeveria e ardhshme e Kosovës?

Fushat siç janë rendi dhe ligji, mbrojtja dhe politika e jashtme do të jenë edhe më tej në duart e shefit të Misionit të OKB në Kosovë, ndërsa 20 departamentet (të cilaat deri tani kishin nga një bashkëdrejtues vendas dhe një ndërkombëtar) do të shkrihen në nëntë mministritë e sapoformuara. Zyrtarë të Misionit kanë pohuar se ky vendim është marrë në bazë të Kornizës Kushtetuese për Vetadministrimin e Përkohshëm të Kosovës, megjithëse në këtë dokument askund nuk përcaaktohet numri i ministrive dhe fushat e përgjegjësive të tyre. Pra, në të askund nuk shkruan se a do të ketë a jo Kosova, midis tjerash, ministrinë e mbrojtjes, policisë, ministrinë e drejtësisë ose ministrinë e punëve të jashtme...

Pikërisht numri dhe përgjegjësitë për sektorë të ndryshëm të ministrive të ardhshme ishtë nnjë na çështjet rreth së cilës janë “thyer shtizat”. Pastaj, me Kornizën Kushtetuese nuk është përfshirë as çështja e referendumit. Njohës të çështjeve juridike janë të mendimit se me krijimin e qeverisë pa katër ministritë e ppërmendura më lart dhe pa Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, megjithatë, paragjykohet deri në një masë statusi i ardhshëm politik i Kosovës.

Qeveria e Kosovës, sipas Rregullores me të cilën anëtarët shqiptarë të Këshillit tëë Përkohshëm Administrativ të Kosovës nuk janë pajtuar në tërësi, do t'i ketë ministrinë për ekonomi dhe financa, ministrinë për tregti dhe industri, për kulturë, rini dhe sporte, ministrinë e arsimit, shkencës dhe teknologjisë, ministrinë e punës dhe të mirëqenies sociale, ministrinë e shëndetësisë, atë të mbrojtjes së mjedisit dhe planifikimit hapësinor, ministrinë për transport dhe lidhje, ministrinë për shërbimet publike dhe ministrinë për bujqësi, pylltari dhe zhvillimin rural. Nëse vendoset në peshore rëndësia e këtyre ministrive me fushat që doo të mbeten në kuadër të përgjegjësve të administratorit civil të Kosovës, atëherë nuk është vështirë të nxirret konkluzioni se fitues në këto zgjedhje do të jetë z. Hans Haekkerup, ndërsa partitë politike që do të fitojnë numrin më të madh të votave do të kënaqen me faktin se, në të vërtetë, do të bëhen “partnerë” në koalicionin e gjerë qeveritar me Haekkerupin, i cili do t'i kontrollojë “ministritë çelës”: mbrojtjen, rendin dhe ligjin dhe politikën e jashtme. Në kuadër të kompetencave të tij mbesin edhe politika fiskale, si dhe mledhja e taksave, emërimi i gjykatësve dhe prokurorëve publikë.

Një ndarje të këtillë të kompetencave zyrtarët e OKB në Kosovë e shpjegojnë me kufizimet që i vë Rezoluta 1244, e aprovuar në qershor të vitit 1999, e cila i përcaktonte modalitetet e administratës së përkohshme ndërkombëtare në Kosovë. Kështu, edhe në Rregulloren e aprovuar për strukturat legjislative dhe ekzekutive të vetadministrimit të përkohshëm, thuhet që “sipas Kornizës Kushtetuese dhe Rezolutës 1244 UNMIK-u duhet t'i ndërtojë institucionet e vetadministrimit të përkohshëm, duke ia lënë administratorit një numër të konsiderueshëm funksionesh administrative çelës, siç janë rendi dhe ligji, marrëdhëniet me jashtë, mledhja e taksave dhe emërimi i gjykatësve dhe prokurorëve publikë”. Thuhet, po ashtu, se funksionimi i strukturave të tjera ekzekutive, duke përfshirë aty zyrën e presidentit, kryeministrin dhe parlamentin e Kosovës, në asnjë mënyrë nuk guxon të hyjë ose të minojë autoritetin më të lartë të të dërguarit special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për implementimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Pra, shefi i Misionit Civil në Kosovë çfarëdo vendimi që nuk është në harmoni me dokmentet e miratuara mund ta shpallë të pavlefshëm, ai mund t'i zgjidhë krizat e mundshme parlamentare duke e shpërndarë vetë parlamentin, ta largojë nga posti presidentin Kosovës ose kryeministrin. Vetëm sa për krahasim, autoriteti i administratorit ndërkombëtar të Kosovës mund të matet me të paktën dy të tretat e parlamentit të Kosovës, të cilat janë të nevojshme për zgjedhjen e funksionarëve në këto poste. Pra, administrata ndërkombëtare në Kosovë me këto zgjedhje dhe me themelimin e organeve qendrore të pushtetit në njëfarë mënyre po shkarkohet nga përgjegjësia për disa funksione ekzekutive, të cilat nuk janë edhe aq të rëndësishme në raport me përcaktimet politike të qytetarëve të Kosovës rreth statusit të ardhshëm të saj.

Edhe ekspertë të këtushëm juridikë konsiderojnë që mosekzistencca e katër-pesë ministrive kryesore në kuadër të qeverisë së ardhshme të Kosovës e paragjykon edhe zgjidhjen definitive të statusit të Kosovës dhe se, në të vërtetë, nuk ka të bëjë vetëm me ruajtjen e kompetencave të përfaqësuesit special të OKB për implementimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Nëntë ministritë e qeverisë së Kosovës i përfshijnë në vete gati të gjitha funksionet që deri tani ishin në mandatin e 20 deepartamenteve të strukturave administrative të përbashkëta në Kosovë. Zyrtarë të UNMIK-ut thonë se ky numër i reduktuar është si rezultat i përpjekjes për racionalizimin e ministrive. Në Rregullore thuhet gjithashtu se “është e nevojshme të bëhet zhvendosja dhe spostimi i zyrave, si dhe të krijohen rrethana sigurie për qeverinë e re të përkohshme”. Në të vërtetë, me këtë arsyetim, konsiderojnë analistët politikë, disa fusha janë përmbledhur në kuadër të një ministrie të vetme...

Në kohën e krijimit të departamenteve, disa nga ato u janë ndarë disa forcave politike dhe individëve thjesht për t'i kënaqur ambicjet e tyre. Kështu, për shembull, krijimi i departamentit të veçantë për rininë dhe të ndarë nga ai për sporte, ishte në të vërtetë si rezultat i zemërgjerësisë së përfaqësuesve ndërkombëtarë me qëllim që, siç pohohej, atyre t'u mbyllej goja...

Nga ana tjetër, është paraparë që kryeministri të ketë kompetenca shtesë dhe një zyre në kuptimin funksional të modifikuar dhe në kuadër të së cilës do të kryhen edhe disa funksione të tjera, të cilat ndoshta as që bëjnë pjesë në funksionet themelore të qeverive tradicionale që merren me punët e ministrive. Funksioni ekzekutiv i kryeministrit do të jetë shumë më i fuqishëm dhe ai do të ketë lidhje të drejtpërdrejta me kryeadministratorin, para të cilit do japë përgjegjësi për punën e vet njësoj si para parlamentit, dy të tretat e të cilit kanë të drejtë ta emërojnë ose ta largojnë. Edhe zyrës së presidentit të Kosovës i jepet një mandat i ri, por as i përafërt me atë të funksionit të kryeministrit.

Është një fakt interesant që në kuadër të strukturave qeveritare do të funksionojnë edhe disa të ashtuquajtura agjenci ekzekutive, siç është p.sh. Autoriteti për miratimin e rregulloreve në fushën e farmacisë, Zyra për statistikë, agjencia e kadastrit, si dhe një numër agjencish të tjera të ngjashme, të cilat do të themelohen dhe të cilat do t'i drejtojnë përfaqësuesit ndërkombëtarë.

Statusi i parapërcaktuar i strukturave ekzekutive të Kosovës, të cilat do të themelohen pas zgjedhjeve, duket se në një masë të madhe do ta degradojë shijen dhe ndjenjën e votuesve lidhur me vlerën e vërtetë të votës së lirë. Sepse, ata të cilët do t'i fitojnë votat e qytetarëve nuk do të mund të bëjnë diç më shumë se deri tani, përveç se, ndoshta, do të mund të krekosen me funksionet fiktive.

AIM Prishtinë, Rrahman PAÇARIZI