Pikanteritë e programeve ekonomike

Pristina Oct 24, 2001

Prishtinë, 23.10.2001.

Mund të jetë se partitë politike shqiptare llogarisin në një elektorat me shkallë të ulët të njohurive, prandaj edhe programet e veta ekonomike i kanë përgatitur me një fjalor të thjeshtë. Madje, edhe qasjet ekonomike i kanë prezentuar në një nivel shumë të ulët, duke u marrë me fermat, blegtorinë e kopshtarinë, me kultivimin e pijeve dhe ushqimeve tradicionale, duke mos u dhënë aq shumë vend problemeve kruciale që ka sot Kosova, si relacionet e ardshme me Serbinë, privatizimi, punësimi dhe sigurimi i investimeve për zhvillim.

Edhe këtu prin Lidhja Demokratike e Kosovës . Në programin e saj më shumë ka vend për ndërtimin e minihidrocentraleve, se sa për shfrytëzimin e potencialeve të tjera energjetike, apo aftësimin e kapaciteteve të tashme për prodhim, së paku për aq sa janë nevojat e Kosovës. Por, ambicjet e saj shkojnë edhe gjer te "vlerësimi i resurseve të energjisë nukleare". Në programin e saj thuhet se në fushat e Prizrenit do të kultivohet orizi "për reprezentacion shtetëror", por nuk dihet saktësisht se sa hektarë të tokës mund të shndërrohen në moçale, përkatësisht në fusha të orizit, apo edhe çfarë janë kushtet klimatike për kultivimin e tij. Ka edhe shumë pikanteri të tjera, si "aktivizimi i festës tradicionale 'Darka e Lamës'", festë që nuk ka pasur asnjëherë ndonjë rëndësi në Kosovë. Pastaj, LDK-ja premton "kujdes për rritjen e qenit të Sharrit dhe përhapjen e tij në botë; kultivimin e shpezëve tradicionale që janë lënë pas dore: pata, biba, rosa-shota; inkuadrimin e gjellrave tradicionale të rralla, si maza e zier me djathë, prodhimet e qumështit: kosi i kulluar, qumështi i trashur; modernizimin e prodhimit freskues 'qumësht me borë'; prodhimin e pijes shëruese 'Gentiana' (lincurë), zbulim i mbretit ilir Gentit..." LDK-ja premton "ndërtimin dhe shfrytëzimin e kapaciteteve të energjisë alternative, si energjinë gjeotermale (Rrafshi i Dukagjinit), energjinë solare dhe energjinë e erës", por edhe " zhvillimin e hulumtimeve të reja për shfrytëzimin e naftës (Rrafshi i Dukagjinit). Zhvillimin e hulumtimeve të reja për shfrytëzimin e gasit natyror (Rrafshi i Dukagjinit - pjesë të tjera të Kosovës)".

Shumëçka këtu mund të jetë atraktive në ndonjë fazë më të lartë të zhvillimit, kur një përqindje e madhe e kosovarëve nuk do të ballafaqohet në mënyrë kaq të ashpër me varfërinë. Apo, më shumë do të ishin provokative në kohën e zhvillimit të turizmit, e jo sot kur Brezovica, qendra e vetme turistike, është e mbyllur.

Partia Demokratike e Kosovës ka shprehje më racionale. Programi i saj nuk është aq arkaik sa i LDK-së, por megjithatë, edhe ai huazon shumë çështje nga tradita. PDK-ja u jep përparësi "sektorëve dhe prodhimeve tradicionale me mundësi zhvillimi: industrisë agroushqimore, turizmit, industrisë së tekstilit, konfeksionit, industrisë së materialit ndërtimor, industrisë së përpunimit të drurit dhe sektorëve të tjerë të industrisë së lehtë dhe të artizanatit..."

Ndërkaq, partia e tretë që ka apsirata për ta marrë pushtetin në Kosovë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, si duket ka angazhuar ekspertë më eminentë për hartimin e programit të saj ekonomik. Aty ka më shumë qartësi, ka vizione dhe perspektivë, ndonëse edhe aty nuk kalohet pa folklorizëm dhe tradicionalizëm. "Aleanca do të krijojë kushte të favorshme për zhvillimin e ekonomive familjare, para së gjithash duke përmirësuar kushtet e financimit me uljen e normave të interesit me afat më të gjatë të shlyerjes, nëpërmjet të krijimit të një konkurrence më të madhe midis bankave dhe institucioneve të tjera financiare, krijimin e rrjetit të institucioneve mbështetëse për konsulting dhe mbështetje profesionale", thuhet ndër pikat e para të programit. Aleanca ka premtuar, po ashtu, përkrahje për fermerët që të zhvillojnë ekonomitë e tyre familjare dhe të prodhojnë për treg, p.sh. perime dhe pemë. Ajo po ashtu do të përkrahë zhvillimin e blegtorisë, do të subvencionojë prodhimin e qumështit dhe të mbështesë investimet për përpunimin e këtyre prodhimeve për tregun e vendit dhe për eksport.

Ndërkaq, për problemet kruciale të ekonomisë së Kosovës vërehet një qasje siperfaqësore, pa dashur, apo pa pasur guxim që të hyhet në esencën e problemeve. LDK-ja synon "krijimin e një politike makroekonomike të Kosovës, një ekonomi të hapur e të tregut të lirë, forcimin dhe stimulimin e sektorit privat, privatizimin gradual të ekonomisë shtetërore dhe krijimin e Fondit për Privatizim". Kurse, sa u përket ndërmarrjeve kontestuese, përkatësisht ndërmarrjeve në pronësi shoqërore, të cilat UNMIK-u i trajton si të paqarta, partia më e madhe politike në Kosovë premton "forcimin dhe zhvillimin e sektorit privat industrial. Privatizimin gradual të industrisë së mesme të Kosovës. Aktivizimin gradual të makroindustrisë ('Trepça', 'Ferronikeli', 'Karaçeva').... Mirëmbajtjen dhe ndërtimin e kapaciteteve të reja termoenergjetike në bazë të thëngjillit (Kosova ka 15 miliardë tonë rezerva thëngjilli). Mirëmbajtjen dhe ndërtimin e kapaciteteve të reja hidroenergjetike (ndërtimi i hidrocentraleve të vogla në lumenjtë malorë të Kosovës). Rritjen e kapaciteteve për eksportimin e energjisë elektrike...".

Kurse sa u përket minierave, LDK-ja planifikon "aktivizimin e komplekseve "Trepça", "Ferronikeli", "Karaçeva", "Magura", "Gremniku" etj., me qindra milionë tonë rezerva minerare. Modernizimin e minierave, sigurinë e minierave. Hulumtime të reja për minerale-rezerva të reja. Shfrytëzimin racional të pasurive minerare. Ruajtjen e pasurive minerare".

PDK-ja, megjithatë, së pari kërkon të kryhet sukcesioni me RSFJ-në, ku edhe Kosova duhet të marrë pjesë në ndarjen e pasurisë së saj. "PDK do të përpiqet dhe do të këmbëngulë, që edhe Kosova, si njësi e ish-FJ, të marrë pjesë në sukcesion dhe të marrë pjesën e saj si çdo ish-njësi tjetër federale", shkruan në programin e kësaj partie. Më tej ajo ka aspirata që Kosova të jetë pjesë e institucioneve integruese në Evropë, si është Pakti i Stabilitetit... "PDK-ja do të bëjë përpjekje maksimale për sanimin e pasojave të luftës, për zvogëlimin e shkallës së prapambetjes ekonomike që e karakterizon Kosovën në raport me vendet tjera të Evropës", thuhet në programin e saj. Sipas kësaj partie, "privatizimi do të jetë i drejtë, do të kryhet në mënyrë të hapur dhe nën mbikëqyrjen e tërësishme të organeve shtetërore që do të themelohen. PDK-ja privatizimin do ta realizojë me maturi, në mënyrë të hapur dhe me drejtësi, zbatimi i të cilit do të jetë cilësor dhe efektiv. PDK poashtu do të ndihmojë privatizimin me kredi bankare dhe forma tjera të konkretizimit. Çdo subjekt privat do të jetë zot në pronën e vet. Prona private do të mbrohet me ligj". Ndërkaq, "transformimi i ekonomisë shoqërore në ekonomi private do të kryhet sipas strategjisë së demokratizimit dhe Agjensionit të Kosovës për Privatizim", i cili do të mbikëqyrë këtë proces, kurse "pasuria publike do të ndahet me ligj në pasuri kombëtare dhe pasuri lokale dhe, në përputhje me këtë ndarje, do të përcaktohet edhe përgjegjësia e institucionit përkatës".

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës premton "kalim nga një ekonomi e varur thuaja tërësisht nga donacionet e jashtme në një ekonomi të qëndrueshme dhe të zhvilluar"..., "debllokimin e procesit të privatizimit të pronës shoqërore. Ndërmarrjet në pronësi shoqërore gjithherë i kanë takuar Kosovës dhe ajo duhet të krijojë një program dhe strategji gjithëpërfshirëse të privatizimit", thuhet në program. Për të arritur këtë synim, Aleanca pikësëpari angazhohet për krijimin e agjencisë për privatizim. Kjo parti thotë se do ta realizojë shpejt procesin e privatizimit, brenda një programi të monitoringut dhe transparencës për të evituar korrupsionin. "Aleanca konsideron se Kosova mund të krijojë pavarësinë e saj buxhetore në 3-5 vitet e ardhshme krahas rritjes së aktivitetit ekonomik, përsosjes së politikave të taksave dhe evitimit të evazionit fiskal", është qëndrim i AAK-së. "Aleanca angazhohet që në parlamentin e parë të Kosovës të miratohet ligji për statusin e familjeve të dëshmorëve dhe të invalidëve të luftës së fundit çlirimtare", thuhet në programin ekonomik të AAK-së.

Ekziston përshtypja se programet ekonomike paraelektorale të partive politike kryesore përfaqësojnë, kryesisht, një grumbull idesh të vrazhda e, shpesh, konfuze dhe qëndrimeve tashmë të njohura rreth zgjidhjes së problemeve kruciale ekonomike. Mirëpo, ajo që mund të konsiderohet edhe më e keqe se mungesa e invencionit është prirja e partive politike drejt qasjeve të të ashtuquajturës ekonomi e dirigjuar (koncept i njohur që nga koha e sundimit komunist), respektivisht mosekzistenca e një koncepti të qartë se deri ku mund të shkojë ndikimi i politikës dhe i shtetit mbi rrjedhat ekonomike. Kjo, gjithsesi, nuk është një paralajmërim i mirë për ekonominë e Kosovës.

AIM Prishtinë, Ibrahim REXHEPI