'Premtimet' paraelektorale kosovare

Pristina Oct 24, 2001

Prishtinë, 18.10.2001.

Fushata elektorale në Kosovë po hyn tashmë në fazën e dytë. Partitë politike dhe kandidatët e pavarur po u drejtohen për çdo ditë simpatizantëve të tyre dhe votuesve potencialë, duke premtuar gjëra nga më të ndryshmet – edhe ato që janë të realizueshme me pak përpjekje dhe vullnet të mirë, por edhe ato që në një të ardhshme të afërt nuk mund të shihet ndonjë zgjidhje e pranueshme. Të dyjat, në të vërtetë, janë të realizueshme, por me një kusht. Të ekzistojë edhe një qëllim i njëmendtë i bashkësisë ndërkombëtare – qoftë kur kemi të bëjmë me donacionet ose sa i përket edhe qëndrimit politik. Me fjalë të tjera, pak gjë nga ajo që premtohet mund të plotësohet nëse nuk ka para ose një zgjidhje politike të pranueshme për të gjitha palët që jetojnë ose për momentin gjenden në Kosovë. Çfarë, vërtet, ofrojnë subjektet politike me programet e tyre elektorale, të cilët, për shembull, kanë gjasa më të mëdha për të zënë vendet shumicë në parlamentin e ardhshëm të Kosovës? Çfarë ardhmërie premtojnë kur është fjala te statusi i kësaj hapësire, respektivisht çfarë do të mund të prisnin komunitetet minoritare nga fituesit e mundshëm në këto zgjedhje?

Gati të gjitha partitë politike shqiptare u premtojnë qytetarëve se Kosovën do ta bëjnë shtet të pavarur, dhe kjo është një karakteristikë e përbashkët e programeve të tyre. Përjashtim përfaqëson një parti politike e vogël e quajtur Lëvizja Komëtare për Çlirimin e Kosovës, e cila në programin e saj për qëllim primar ka theksuar idenë e bashkimit të trojeve shqiptare në Ballkan, duke potencuar se pavarësia është e paarritshme nëse nuk zgjidhet çështja kombëtare gjithëshqiptare.

Tri janë parti politike që e pretendojnë numrin më të madh të vendeve në parlamentin e ardhshëm të Kosovës. Ato janë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kryetar i së cilës është dr. Ibrahim Rugova, pastaj Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ish-liderit politik të UÇK-së, Hashim Thaçit, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e Ramush Haradinajt, po ashtu njëri ndër ish-komandantët e UÇK-së.

Qëllimet politike të parashtruara të këtyre tri subjekteve politike janë të një rëndësie të veçantë, sepse institucionet e Kosovës që do të dalin nga zgjedhjet e nëntorit do të funksionojnë në bazë të Kornizës Kushtetuese të Përkohshme, që bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Pra, ato institucione do të detyrohen të bashkëpunojnë ngusht me përfaqësuesit e administratës së OKB-së. Në atë kontekst është me interes fakti që asnjë parti politike nuk e mbështet programin e saj tek ky akt më i lartë juridik dhe me të cilin nuk parashikohet zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës. Këtë vërejtje që në fillim të fushatës elektorale e më pastaj e kanë përsëritur përfaqësuesit e administratës ndërkombëtare në Kosovë, madje edhe ata të Këshillit të Sigurimit. Mirëpo, është e qartë se kjo nuk bëri jehonë te liderët politikë, të cilët pa përjashtim angazhohen për pavarësi. Duke mos hyrë në çështjen nëse kjo përfaqëson apo jo një truk të tyre paraelektoral, është fakt se edhe qytetarët shqiptarë nuk e shohin veten mëë në përbërje të Serbisë ose Jugosllavisë, posaçërisht tani kur për herë të parë do t'i zgjedhin përfaqësuesit e tyre për organet qendrore të pushtetit. Disa përfaqësues të partive politike nuk konsiderojnë që angazhimi me këmbëngulje për pavarësinë është në kundërshtim me rregulla të caktuara elektorale. Ata këtë e arsyetojnë me shprehjen e lirë dhe demokraatike të qëllimeve të tyre politike, gjithnjë përderisa ndonjëri nga subjektet politike të mos angazhohet që ta zgjidhë me dhunë statusin final të Kosovës.

Për Kosovën ideja e pavarësisë nuk është asgjë e re. Mirëpo, për elektoratin shqiptar do të përfaqësonte risi sikur ndonjë subjekt politik do të dilte në opinion me një projekt konkret për realizimin e asaj pavarësie, si qëllim i tyre politik parësor. Partia aktualisht më e madhe në Kosovë, LDK, që në rreshtat e parë të programit të vet kërkon që pavarësia e Kosovës të njihet sa më parë. Kjo kërkesë sigurisht që i është adresuar bashkësisë ndërkombëtare. Menjëherë pas pavarësisë në programin e kësaj partie thuhet edhe sa vijon: “Integrimi në NATO, integrimi në BE, lidhje speciale me SHBA, marrëdhënie të mira me vendet fqinje, integrimet shqiptare – ekenomike, kulturore dhe politike me interes të përbashkët, krijimi i miqësisë me popujt e regjionit, Evropës dhe botës, si dhe puna për definimin e simboleve shtetërore të Kosovës”, që përfaqësojnë edhe qëllimet politike kryesore të LDK-së.

Nga pikëvështrimi politik, programe me qëllime të ngjashme kanë shpaluar edhe partitë e tjera. Kështu, p.sh., PDK, për nga madhësia aktualisht partia e dytë në Kosovë, ka theksuar në programin e vet se “pavarësia e Kosovës është zgjidhje e vetme”. Ndërsa, në pasazhet vijuese të programit të tyre shpjegohet “rruga” si të arrihet pavarësia, ku theksohet që “PDK e kërkon referendumin, si shprehje demokratike e vullnetit të qytetarëve të Kosovës, ndërsa pavarësia e Kosovës është domosdoshmëri për paqen dhe stabilitetin në regjion”. Nga ky aspekt, kjo parti një kapitull të veçantë në programin e saj ia kushton pacenueshmërisë së integritetit territorial të Kosovës, ku fokusohet veriu i Mitrovicës dhe i Kosovës, të cilat aktualisht i kontrollojnë pjesëtarët e komunitetit serb. Sa i përket bashkëpunimit me komunitetin ndërkombëtar, edhe kjo parti angazhohet për marrëdhënie të mira me SHBA dhe vendet perëndimore dhe e përmend rëndësinë e integrimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

Çështja e ndërtimit të shtetit demokratik të Kosovës trajtohet në faqet e para të programit të AAK-së, subjektit të tretë politik për nga madhësia. “Ne jemi në procesin e krijimit të shtetit, demokracisë dhe lirisë. Dëshirojmë të jetojmë të lirë dhe në paqe me të tjerët. Kosova e pavarur është një faktor stabiliteti në regjion”, thuhet në tri fjalitë çelës të programit politik të kësaj partie, ndërsa pjesa më e madhe e programit i kushtohet zhvillimit ekonomik.

Partitë politike, si edhe më parë, e përdorin pothuaj fjalorin e njëjtë politik në tubimet elektorale. Ibrahim Rugova ka deklaruar disa herë gjer tani se “Kosova është de facto e pavarur, por duhet edhe njohja formale e saj nga bashkësia ndërkombëtare”. Në një tubim gjatë fushatës elektorale ai madje ka premtuar se në parlamentin e ri të Kosovës do të aprovohet një dokument për pavarësinë, të cilin duhet votuar vetëm formalisht. Ramush Haradinaj, ndërkaq, para ca kohësh para ithtarëve të tij ka thënë: ”Kurrë më jjo vetëm nën Serbinë, por as me Serbinë”... Madje, premtimet e tilla priten me duartrokitje dhe ovacione nga qytetarët pjesëmarrës në tubimet paraelektorale.

Nga ana tjetër, në programet e partive politike u shmangen frazave me të cilat do të përmendej angazhimi i tyre për Kosovën si shtet të shqiptarëve, si shumicë, ashtu siç nuk përmenden as afatet e mundshme kohore për realizimin e qëllimit politik – shtetit të pavarur të Kosovës. Po ashtu nuk përmenden as kriteret dhe standardet që duhet përmbushur ose që sot i mungojnë Kosovës dhe e pengojnë për të fituar statusin e shtetit. Partitë shqiptare RFJ-në e konsiderojnë vetëm si një shtet fqinj dhe assesi ndryshe, edhe pse sipas Rezolutës 1244 Kosova, të paktën formalisht, është në përbërjen e saj.

Një çështje tjetër, dhe shumë e rëndësishme dhe e ndieshme, e cila po ashtu e obligon Kosovën dhe qytetarët e saj, është trajtimi i pjesëtarëve të komuniteteve minoritare. Deri tani flitej kryesisht që për trajtimin e komuniteteve pakicë, dhe nëse merret parasysh Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OK-së, është përgjegjës UNMIK-u – si administrues, sepse “kosovarët nuk kanë kurrfarë kompetencash dhe përgjegjësish”. Mirëpo, siç ka deklaruar komandanti i ri i KFOR-it, gjenerali francez Marsel Valentë, deri tani “loja është zhvilluar me dy lojtarë, por pas zgjedhjeve numri do të rritet në tre lojtarë”, duke patur këtu parasysh që një pjesë e pushtetit do të kalojë te kosovarët.

Ndërkaq, sa i përket asaj pjese të programit të subjekteve politike që e ngërthen qëndrimin e tyre rreth çështjes së komuniteteve pakicë, është e dukshme se ata nuk kanë humbur aty shumë energji. Vetëm shkarazi e kanë përmendur që do t'i garantojnë dhe mbrojnë të drejtat e tyre. Në programin e LDK-së thuhet që kjo parti garanton mbrojtjen e grupeve etnike, integrimin e tyre të plotë në jetën politike, ekonomike dhe sociale të shoqërisë – shtetit të Kosovës, si dhe ruajtjen e identitetit të tyre nacional, kulturor dhe gjuhësor, po edhe respektimin e traditave të tyre. Në shikim të parë mund të duket se fjala është për një qasje konstruktive, por nëse shikohet gjendja faktike e komuniteteve minoritare në Kosovë, as ky program nuk ofron zgjidhje konkrete për problemet ekzistuese.

Përfaqësuesit politikë të komuniteteve minoritare në Kosovë ankohen midis tjerash se bashkëkombësit e tyre nuk kanë liri lëvizjeje të mjaftueshme, por kjo fare nuk potencohet në programet e partive, çfarë të sjell te konkluzioni se nuk ekziston një vizion i qartë për daljen nga kriza. Edhe partitë e tjera në programet e tyre vetëm garantojnë të drejtat në pajtim me standardet ndërkombëtare. Subjekti i dytë, PDK, në kapitullin me titull “Mbrojtja e pakicave” pohon se do të bëjë një politikë të drejtë dhe demokratike ndaj këtyre komuniteteve dhe që u garanton të drejta në pajtim me standardet ndërkombëtare. “PDK do t'u dëshmojë të gjitha minoriteteve edhe në të ardhmen se ardhmërinë e tyre duhet ta ndërtojnë bashkë me shqiptarët në Kosovën demokratike”, thuhet në programin e kësaj partie.

Sipas analistëve të pavarur kosovarë, problemi numër një në Kosovë është ekzistenca e të ashtuquajturave enklava serbe. Bashkësia ndërkombëtare e ka pranuar enklavizimin e përkohshëm të Kosovës sepse, siç kanë theksuar përfaqësuesit e saj, nuk është gjetur një mënyrë tjetër për t'i mbrojtur serbët dhe romët. Ky vetizolim i serbëve të Kosovës ka ndodhur pas luftës, kur ndaj tyre ndërmerreshin akte hakmarrjeje, për arsye se pjesëtarë të këtij komuniteti nacional për dhjetë vjet me radhë kanë bashkëpunuar ngusht me regjimin e Millosheviqit, i cili, është ky një qëndrim i përgjithshëm në opinionin e këtushëm, në Kosovë ka zbatuar një politikë gjenocidi. Problemi i enklavizimit nuk përmendet në programet e partive politike kryesore prej të cilave pritet që, që nesër, ta udhëheqin qeverinë. Një konkluzion i mundshhëm: mungon mënyra e ndërtimit, trajtimit dhe tejkalimit të marrëdhënieve “të sëmura” ndëretnike.

Problemin e komuniteteve minoritare e minimizon në tërësi AAK, e cila nuk ka as një kapitull më vete që do t'ua kushtonte atyre. “Aleanca do ta krijojë tolerancën, marrëdhëniet më të mira ndërnjerëzore dhe ndëretnike”, është e tëra që shkruan në programin e tyre rreth kësaj çështjeje. Nga ana tjetër, kryetari i saj, Ramush Haradinaj, është lideri i vetëm shqiptar që publikisht ka shprehur gatishmërinë që të takohet me grupet e “rojave të urës”, të cilat e majnë nën kontroll një pjesë të qytetit industrial të Mitrovicës dhe që UNMIK-u i ka vlerësuar si një strukturë paralele në Kosovë. Hapi i Haradinajt është përshëndetur nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë dhe është konsideruar si një vendim shumë i mirë drejt vendosjes së dialogut rreth problemeve ekzistuese në Kosovë.

Por, çështja e marrëdhënieve ndëretnike dhe vendosjes sa më të shpejtë të mirëbesimit është, nga njëra anë, sa çështje e rëndësishme për të ardhmen e të gjithëve në këto hapësira, poaq, nga ana tjetër, nuk duket që ku problem të mund të zgjidhet brenda natës. Kosova ende nuk ka arritur t'i zgjidhë problemet e rendshme ndëretnike të trashëguara nga konflikti i armatosur dhe sistemi i ish-regjimit të Millosheviqit. Për këtë arsye edhe pritet që kjo çështje të jetë çelës dhe parësore për përbërjen e parlamentit, qeverisë dhe presidentit të ardhshëm të Kosovës.

AIM Prishtinë, Zijadin GASHI